ekonomi

Kriza e ardhme monetare dhe ‘skandali’ i LIBOR-it

Etjon Basha

Për të festuar pushimet që afrojnë (së paku për autorin tuaj të dashur), le të bëjmë një analizë të dy ngjarjeve më rëndësishme të javës.

Lum si ne!

1)      Dje Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit të lekut deri në 4%, vlera më e ulët në historinë e lekut (realisht norma bazë e interesit ka qenë shumë më e ulët se kaq në fillim të viteve ’90 kur Shqipëria vuajti inflacion treshifror, por atëherë askush nuk i maste këto tregues).

Kjo masë monetare e skajshme është menduar për të rritur më tej sasinë e parasë në qarkullim. Kur kemi diskutuar mbi krizat financiare kemi parë dhe faktorët që nuk e lejojnë Shqipërinë të përfshihet nga to, por ja që masa e fundit e Bankës së Shqipërisë vjen në çastin më të keq të mundshëm për ekonominë Shqiptare, kur ndikimi i atyre faktorëve është minimizuar.

Së pari, nëse deri tani shumica e investimeve në Shqipëri nuk kanë ardhur nga kreditimi bankar (kusht i domosdoshëm për lindjen e krizave financiare) por nga remitancat, duket se gjendja po ndryshon. Kriza ekonomike ka goditur të ardhurat e diasporës shqiptare çka është pasqyruar fort në rënien e remitancave. Në çdo rast, pjekja e vetë diasporës dhe dalja në pah e brezit të parë të shqiptarëve të lindur jashtë shtetit siguron që herët ose vonë ky fluks parash falas do shuhej, me ose pa krizë. Kështu, duket se në të ardhmen e afërt kredia bankare do kthehet edhe në Shqipëri në burimin themelor të investimeve. Nëse normalisht ky do ishte zhvillim për tu përshëndetur, në kushtet kur Banka e Shqipërisë ushqen sistemin bankar me para të krijuara në mënyrë të papërgjegjshme, gjasat janë që së shpejti masa e investimeve të këqija do nisë të rritet dukshëm.

Së dyti, nëse deri dje euroja që qarkullon lirshëm në ekonomi do kish penguar Bankën e Shqipërisë të zhvlerësonte me tepri lekun pasi kërkesa për lek do kthehej në kërkesë për euro, duket se euroja është sot për sot në gjendje jo shumë më të mirë se leku. Në fakt, me gjithë këtë zhvlerësim të lekut, kursi një ditë pas njoftimit është vetëm 138.26 lek/euro, pra brënda zonës së luhatjes normale rreth vlerës prej 138 lekë/euro. Printimi pa hesap i Eurove nënkupton që edhe Banka e Shqipërisë tashmë ka hapësirë për të zhvlerësuar lekun pa pësuar rënie të kërkesës për Lek.

Së fundmi, pikërisht në këto kohë dhe, paradoksalisht, pikërisht si pasojë e politikave pozitive të qeverisë për thithjen e investimeve të huaja, masa e investimeve të këqija mund të rritet edhe më tej. Rritja e fortë e investimeve të huaja në Shqipëri (dje u shpall projekti i fundit, një park industrial gjerman 100-milionësh pranë Tiranës) normalisht do qe zhvillim për tu lavdëruar. Por ja që në kushtet kur Banka Qendrore Evropiane ngul këmbë për ta kthyer euron në një monedhë të pavlerë me zhvlerësime të vijueshme, gjasat janë që së paku një pjesë e këtij fluksi investimesh do rezultojnë në investime të këqija nesër, pra do falimentojnë duke marrë me vete dhe vendet e punës që sollën në Shqipëri. Kush mund ta parashikojë reaksionin publik ndaj dy-tri falimentimeve të tilla nesër?

Normalisht mund të argumentohej që manaxhimi ‘liberal’ i euros nga BQE-ja, ndonëse i dëmshëm për shqiptarët, nuk është në dorën tonë për tu ndryshuar. Fakti është i pamohueshëm, e megjithatë Banka e Shqipërisë mund të zeronte efektet negative (në formë investimesh ta panevojshme) të inflacionit të euros po të donte: thjesht duke ruajtur një lek të fortë.

Në pak fjalë, krizat ekonomike lindin për shkak se paraja nuk është neutrale: kur printohet para e re gjithë çmimet rriten, por jo njëkohësisht dhe jo në të njëjtën masë. Diferenca në kohë dhe masë e efektit të inflacionit në mallra të ndryshme shtrembëron sinjalet që çmimet përçojnë tek sipërmarrësit, çka sjell dhe vendimet e gabuara që kulmojnë në recension. Por ja që ky mekanizëm nuk funksionon dot në kushtet e një kursi fleksibël këmbimi (për një herë Milton Fridmani doli më largpamës së Mërei Rothbardi ), pasi kursi i këmbimit është çmimi që lëviz më shpejt, brenda pak çastesh. Kështu, nëse Leku do qe monedhë e fortë, çdo inflatim i euros do përkthehej në vlerësim të lekut. Kështu, në termat e ekonomisë shqiptare, çmimet në lek do qenë reale dhe jo të shtrembëruara, dhe flukset e mëdha investuese në euro do zhvlerësoheshin (në lek) në vlerën e tyre reale. Shkurt, një lek i fortë do e siguronte Shqipërinë në vijimësi nga pasojat negative të inflacionit të euros.

Kështu pra, pikërisht në këtë çast kur tre zhvillime po  përmblidhen për ta goditur ekonominë shqiptare, pikërisht tani që remitancat kanë rënë, euroja zhvlerësohet dhe investimet e huaja pjesërisht fiktive po vërshojnë në Shqipëri, pikërisht tani pra Banka e Shqipërisë e lë vendin në baltë dhe i ngul thikën pas shpine ekonomive tona. Ky është kuptimi i vërtetë i deklaratës së bujshme të Guvernatorit.

2)      Një lajm tjetër që bëri bujë qe gjobitja e bankës britanike Barclays me shumën e 290 milionë sterlinave dhe dorëheqja e Drejtorit të saj pasi u zbulua që kjo bankë kishte manipuluar normën e LIBOR-it. Gjithandej kjo sjellje është konsideruar skandaloze dhe analistë majtas e djathtas (dhe shumë liberalë mes tyre, për më tej!) nisën nga hesapet se sa miliarda dollarë dëme janë shkaktuar nga manipulimi i pak pikëve përqindjeje.

Ndonëse nuk pritet ndonjë ide gjeniale nga majtistët, ajo që më çudit është që edhe liberalët i janë bashkuar turmave që kërkojnë gjakun e bankës për mashtrimin e madh. Por ç ‘mashtrim qe ky?

Në pak fjalë, situate është e tillë. Çdo ditë drejtuesit më të lartë të një grupi bankash Britanike mblidhen në Londër dhe shpallin, secili individualisht, me ç’ normë interesi do qenë të gatshëm të shisnin/blinin fonde. Të gjithë këto vlerësime mesatarizohen dhe rezultati njihet si LIBOR-i. Duke qenë se bëhet fjalë për banka prestigjioze të kryeqendrës financiare globale, kjo normë përdoret në gjithë botën nga shumë institucione financiare: si bazë për kreditë, bonot, instrumentat e indeksuara, etj. Barclays paska dhënë një normë interesi ‘fiktivisht’ të ulët më synimin për ta ulur LIBOR-in, çka i solli përfitime në portofolin e aktiveve të saj financiare më vonë. Tani, lejomëni të përsëris veten: ku është mashtrimi këtu?

Fakti i thjeshtë është që LIBOR-i është fenomen spontan, i lindur nga tradita. Asnjë pjesë e gjithë procesit nuk mbulohet nga marrëdhënie pronësore. Askush (veç nderit të tyre) nuk i detyron bankat të japin norma reale: thjesht zakoni është i tillë. Nëse tregjet financiare anembanë botës e përdorin LIBOR-in, këtë e bëjnë pavarësisht dhe pa kurrfarë marrëdhënie me krijuesit e tij, por thjesht sepse bankat e mëdha Londineze kanë nam për korrektësi. Tani që rezultoi që nami paska qenë i pamerituar, përdoruesit e LIBOR-it mund të mërziten por kurrsesi nuk kanë ndonjë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim (në një situatë deri diku të ngjashme ndodhet Kosova që përdorte Markën Gjermane dhe sot Euron pavarësisht nga vullneti i emetuesve të këtyre monedhave). E gjithë kjo ‘aferë’ është aferë vetëm në kuptimin e vjedhjes kolosale të një banke ndofta jo plotësisht korrekte por tërësisht të pafajshme, nga shteti vigan. Analistët, liberalë ose jo, që i bashkohen thirrjeve për hetime, gjoba të majme dhe dëmshpërblime nga gjykatat bëjnë vetëm lojën e shtetit.