Uncategorized

Kriza institucionale shumë e mirëseardhur

Bardhyl Salihu

Dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga posti marionetë i Presidentit na ka futur vendin në një “krizë institucionale”. Ose kështu së paku po thonë politikanë e analistë të cilët me mentalitetin tipik shqiptar të kopesë veç i kanë marrë dozat e tyre të euforisë. Të frikësuar nga paraliza e prodhuesit të mirëqenies dhe gjitha të mirave që vijnë nga Ai—shtetit—kjo kope po kërkon zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi dhe rikthimin e gjendjes së normalitetit, apo me fjalë tjera, atë të plaçkitjes dhe grabitjes në masë. Natyrisht, paraliza e pseudo-shtetit është tejet negative, na thonë ata, sepse puna e suksesshme e Tij në zvogëlimin e papunësisë dhe rritjen e standardit të jetesës nuk do të jetë e mundshme në një gjendje të tillë. Politikanët në opozitë, në anën tjetër, sillen vërdallë si ujqit e uritur që presin për copën e tyre të presë—qytetarin dhe taksapaguesin e ngratë. Në fund të ditës duket se lumi i “krizës” do të rrjedhë përfundimisht në liqenin e zgjedhjeve, rezultat ky i pritshëm dhe i cili i jep mundësinë qytetarëve të Kosovës ta ri-zgjedhin grupin e sunduesve për një mandat të ri.

Por, a nuk është ironike që Qeveria e Kosovës konsiderohet si “institucion” në kuptimin e njëjtë me atë të qeverive tjera? Nëse nuk jeni duke jetuar në një shpellë diku në malet e Rugovës e dini mirë që fuqia vendimmarrëse e Qeverisë së Kosovës, ndryshe nga qeveritë “normale” nëpër botë, nuk qëndron me të por me ndërkombëtarët. Së dyti, është qesharake që mos-funksionimi i këtij “institucioni” cirkus të quhet krizë. Ky mos-funksionalitet mund të quhet krizë vetëm në kuptimin që i parandalon politikanët kriminelë ta kryejn zanatin e tyre, por jo në kuptimin që Qeveria e Kosovës kinse po e humbka autoritetin ekzekutiv të saj.

Megjithatë, ata që e kuptojnë rolin shkatërrimtar të shtetit në shoqëri nuk do të dënesin së bashku më analistët, politikanët, dhe shumë shqiptarë të cilët besojnë se gjendja e tyre e mjerë është rezultat i mungesës së një shteti të “fortë”. Përkundrazi, ata do ta shohin paralizën e një institucioni të pamoralshëm dhe ekonomikisht negativ si një gjë të mirë e cila duhet të festohet e jo të kundërshtohet. Vetë fakti që “kriza institucionale” e ka bllokuar miratimin e buxhetit tregon që mu atëherë kur shteti nuk vepron, mirëqenia njerëzore rritet. Pasojat negative të buxhetit ndër të tjera përfshijnë taksat (gjithmonë të dhunshme) të cilat imponohen mbi qytetarin dhe tarifat doganore (gjithashtu formë e taksave) të cilat i shtrenjtojnë prodhimet vendore. E pastaj kur ky buxhet miratohet, shpenzimi i parasë i cili e dëmton tregun duke i dërguar prodhuesve sinjalet ekonomike të gabuara, duke i tërhequr burimet e pamjaftueshme nga sektori produktiv privat në atë (joefikas) shtetëror dhe në fund duke i shpërdoruar këto burime në linjat e zgjedhura në baza politike e jo ekonomike.

Por “kriza institucionale” nuk i kufizon vetëm pasojat ekonomike të shtetit por edhe ato politike. Negociatat me Serbinë të cilat janë përcaktuar para se koalicioni qeveritar të prishej gjithashtu janë pezulluar. Është e vështirë të përcaktohet apriori nëse mos-pjesëmarrja në këto negociata është pozitive apo negative pa e ditur se për çka do të flitej konkretisht. Megjithatë, fakti që pala serbe i ka pranuar dhe fakti që ata janë kategorikisht kundër pavarësisë së Kosovës nuk përbën një shenjë të mirë. Bile mund të themi që përderisa pala serbe nuk është e gatshme të flasë për zbardhjen e fatit të pagjeturve dhe arrestimin e kriminelëve të luftës, atëherë shumë pak mbetet për të biseduar. Duke qenë se “kriza institucionale” po i pengon negociatat të cilat nuk besoj se e kanë ndonjëren nga këto temë të diskutimit, atëherë ajo duhet patjetër të shihet pozitivisht.

Nëse i urrejmë politikanët aq shumë dhe pajtohemi që janë hajna, atëherë nuk duhet të brengosemi fare kur ata nuk janë në zyrë sepse mu atëherë shoqëria do të marrë frymë lirshëm. Por nëse me të njëjtat bindje për ta kërkojmë kthimin e tyre, atëherë po i ftojmë vetë grabitësit të cilët duhet të priten me luftë.