Kuptimi i Statusit të Vendit Kandidat
Etjon Basha

Më në fund, duket se një tjetër etapë në rrugën e gjatë të Shqipërisë deri në integrimin e potë në Bashkimin Evropian u kalua, ma marrjen e statusit tashmë famëkeq (1,2) të vendit kandidat. Padyshim që sot do dëgjomë nga shumëkush që, për punë 10-15 vitesh më së shumti, edhe në do i bashkohemi “familjes europiane”. Kosova nuk do mund të vonojë shumë më tepër.
Opinioni ynë në lidhje më BE-në dhe anëtarësimin e Trevave Shqiptare në të ka mbetur i pandryshuar që prej postimeve të para në këtë blog katër vite më parë: prej fillimeve të tij relativisht liberale, Bashkimi Evropian ka evoluar drejt një marrëveshje vigane për kartelizimin e njëkohshëm të mijëra tregjeve. Me anë të harmonizimit fiskal dhe ligjor, BE-ja minimizon përparësitë e tregut të përbashkët evropian, mbi themelet e të cilit ajo ngrihet. Duke ngulur këmbë në standarde arbitrare dhe unitare të cilësisë së produkteve, Brukseli i dorëzon 505 Milionë konsumatorë në duart e pak shoqërive të mbrojtura nga konkurrenca. Duke nxitur korporatiziminin e prodhimit dhe të punës, Brukseli agregon në mënyrë artificiale mijëra e mijëra marrëveshje të lira tregu në pak super-kontrata vigane pune, duke lënë jo pak punëkërkues pa punë, e jo më pak punëdhënës pa prodhim. Duke ngritur barriera të larta tregtare me botën, BE-ja çimenton statusin a saj si një bastion proteksionizmi. Duke ndërprerë arbitrarisht konkurrencën e dhjetëra valutave kombëtare për të ngritur një super-valutë unike, gjysma e kontinentit dërgohet në krizë.
E parë nga një këndvështrim disi më të përqendruar, situata nuk duket shumë më e mirë: në rastin e integrimit eventual të Ballkanit Perëndimor, ajo që do ndodhë do jetë që vendet tona do mbeten të shpopulluara por të pasura në jetën e tyre turistike-bujqësore, pak a shumë duke e kthyer rajonin (në terma relativë, kuptohet) në situatën e shekullit të parë nën sundimin Osman.

Ndonëse mund të detyrohet të bëjë disa lëshime liberale dhe/ose të djathta në pak vitet në vijim për shkak të alarmit që rezultatet e zgjedhjeve të fundit mbarë-evropiane sollën, tendenca e përgjithshme e Bashkimit Evropian do mbetet ajo drejt konsolidimit të pushtetit të burokracisë së përhershme e të tkurrjes së tregut në favor të marrëdhënieve të privilegjuara klienteliste : shkurt, të Japonifikimit të kontinentit.
Megjithatë, më duhet të pranoj që u gëzova sot nga lajmi i marrjes së statusit. Ndonëse Bashkimi Europian është modeli i korporatizmit modern, ai mbetet sërish shumë superior nga shumicës dërrmuese të sistemeve ekonomike të provuara deri më sot. Më tej, ai mbetet dukshëm superior dhe ndaj sistemit social-ekonomik që do duhej vendosur nëse do merrej në konsideratë opinioni i pastër i qytetarëve evropianë, mendësia e të cilëve mbetet pashmangshmërish majtiste dhe naive.

Viset Shqiptare mund të siguronin një standard më të lartë jetese më anë të reformave të caktuara: liberalizmi i plotë i lëvizjes së punës, mallrave, shërbimeve e kapitalit; legalizimit të “pastrimit të parave” dhe rivendosjes së lirisë së plotë financiare për çdo qytetar; lejimit të tregtisë së narkotikëve e prostitucionit; thjeshtimit total të sistemit tatimor deri në mbështetje mbi vetëm TVSh-në dhe tatimin të pronës, etj. Por këto reforma të skajshme kanë po aq gjasa të zbatohen në dekadat në vijim sa mund të ketë gjasa që Kosta Rika të fitojë kampionatin botëror të futbollit. Në kushtet praktike të mendësisë së përgjithshme në Shqipëri e kontinent, BE-ja qe dhe mbetet e keqja më e vogël.

Sigurisht, ndonëse mbetet për tu parë se si do ketë ndryshuar situata për 10-15 vite derisa Shqipëria të pranohet, gjasat që ky version bashkëkohor i Austro-Hungarisë të shpërbëhet tërësisht apo të bie në grackat e ansjellta të luftës civile ose etatismit të skajshëm mbeten të pakta. Po ashtu si paraardhësja e saj Perandorake, dhe BE-ja do arrijë të “shtyjë” disa dekada me rritje në ngadalësim derisa një ditë të bukur forcat qendërikëse të bëhen të padurueshme. Ndërkohë shqiptarët do mund të shohin me besim drejt disa dekadash rritjeje e pasurimi brenda këtij tregu vigan por fort të kufizuar nga dora e shtetit.
Kështu pra, ndonëse vendimi i sotëm është thjesht hapi i radhës i një rrugë që, sidoqoftë, mund edhe të qe më e mirë, sërish na takon të gëzohemi pasi destinacioni mund edhe të ishte shumë, shumë më i keq.

PS: Jam i bindur që sikur të kishte pasur blogosferë në të shkuarën e largët, ndonjë shqiptar do kishte shkruar diçka të ngjashme me të mësipërmet edhe në prag të pushtimeve Romake, Bizantine dhe Osmane. Plus ça change…

6 thoughts on “Kuptimi i Statusit të Vendit Kandidat”