Kur ke kohë të tepërt në aeroport: kronika të luftës ekonomike ballkanike
Para disa javësh mu desh të kaloja disa orë tranziti në aeroportin e Beogradit, ku dhe u përballa me një dilemë të madhe ekonomike. Pasi bëra disa shpenzime të rastit me mbeti në xhep një shumë e vogël dinarësh dhe me tri orë kohë deri sa të nisej avioni im, u vura para kësaj dileme. Paratë ishin shumë pak për tu kthyer në euro, dhe nga Beogradi nuk do më duhej të kaloja më. Kështu, shuma ose do shpenzohej në aeroport, ose do lihej e papërdorur. Duke pasur parasysh dashurinë time të madhe për fqinjët tanë të nderuar, si mund ti shkaktoja dëmin më të madh ekonomik Serbisë, duke e djegur kartëmonedhën, apo duke e shpenzuar?
Duke pasur orë të tëra kohë, iu futa logjikës ekonomike.
Çdo të ndodhte nëse e digjja kartëmonedhën? Ndonëse mund të ngjajë që shkatërrimi i parasë do e kish ulur pasurinë e Serbisë, kjo analizë do qe kryekëput e gabuar. Paraja nuk është vetë pasuri, por thjesht tregues i saj. Përtej humbjes së qartë ekonomike për mua, pronarin e shumës, shoqëria serbe nuk do kish pësuar humbje nga akti im defaltues. Në fakt, duke qenë se akti im nuk do kish zvogëluar fare stokun e të mirave e shërbimeve në qarkullim, duke shkatërruar 300 dinarët e mi do kisha rritur me fare, fare pak fuqinë blerëse të dinarëve të mbetur, shumica dërrmuese e të cilave janë në duar të popullsisë serbe. Shkurt, do kisha transferuar fuqi blerëse nga unë, një shqiptar, tek çdo serb nga pak. Pra, duket që djegia e parasë jo vetëm që nuk do i kish dëmtuar fqinjët, por do i kish ndihmuar ata.
Por analiza nuk mbaron me kaq. Ka një ndryshim të madh në rastin e deflacionit nëse bëjmë fjalë për 300 apo 300 milionë dinarë. Le të supozomë që, in extremis, ajo që po shkatërrohej nuk qe një shumë e papërfillshme, por i gjithë stoku monetar i dinarëve. Në këtë rast, gjithë pasuria e mbajtur në dinarë do zhdukej në çast, dhe serbeve do u duhej të ktheheshin tek ndonjë valutë tjetër, me gjithë gjasa Euros, si mjet këmbimi. Supozoj që, ashtu si shqiptarët, dhe serbet mbajnë sasi të mëdha eurosh, kështu që ekonomia serbe nuk do binte ne kolaps nga ky episod masiv deflacioni. Por sërish, në këtë rast do merrte fill një rishpërndarje masive pasurie brenda Serbisë, nga gjithë popullsia tek ata që kanë menduar të investojnë në euro. Rishpërndarje të tilla masive të fuqisë blerëse do shkaktonin trazira të jashtëzakonshme në Serbi, më se të krahasueshme me ’97-ën shqiptare.
Shkurt pra, nëse shkatërrimi i 300 dinarëve do i ndihmonte nga fare pak gjithë serbët, shkatërrimi i mbarë stokut monetar do i shkaktonte dëme të mëdha ekonomisë serbe.
Mund të mendohet që një rast i ndërmjetëm do jepte efekte të ndërmjetme. Shkatërrimi i një shumë të madhe, por sërish jo shumicës së stokut monetar, do shatonte deflacion serioz.
Nëse banka qendrore e Serbisë do ndërhynte në treg për te kompensuar shumën e shkatërruar, ky episod nuk do dëmtonte fare shoqërinë serbe, por thjesht do transferonte fuqi blerëse nga pronari i shumës së shkatërruar tek banka qendrore dhe si përfundim tek shteti Serb. Vini re që, ndryshe nga shkatërrimi i një shumë të vogël, shkatërrimi i një shume të konsiderueshme por të balancuar nga emetimi i ri transferon fuqi blerëse tek banka qendrore e jo tek çdo mbajtës i dinarit nga pak.
Por nëse banka qendrore serbe nuk do arrinte të kompensonte këtë shumë të shkatërruar, cilat do kishin qenë efektet? Mbarë ekonomia serbe do ish vënë përballë rënies së vëllimit të qarkullimit monetar. Duke qenë se miliona biznese e familje serbe kanë bërë llogaritë ekonomike e kanë bazuar mbarë strukturën e prodhimit tek shuma reale e qarkullimit monetar, një rënie e papritur e saj do kish shkaktuar falimentime masive në ekonomi, duke nisur nga sistemi bankar. Biznese do mbylleshin, banka do falimentonin, prona të patundshme do konfiskoheshin e do mbesnin për vite të tëra larg tregut e nëpër portofole të vdekura bankare e papunësia do rritej ndërkohë. I gjithë ky proces do vijonte derisa struktura e prodhimit në Serbi të axhustohej për volumin e ulur monetar.
Pra, shkarëzimi i valutës mund të ketë një nga tre efekte. Në rastin e shumave fare të vogla, efekti do jetë pasurimi nga pak i çdo mbajtësi të dinarit. Në rastin e shumave të mëdha, efekti do varej nga përgjigja e bankës qendrore. Nëse ajo do kryente funksioni e saj duke kompensuar rënien, efekti do qe pasurimi i bankës qendrore dhe e shtetit serb. Nëse deflacioni nuk do kundër-balancohej, efekti do qe një valë falimentimesh në ekonomi.
Duke qenë që autori juaj nuk dispononte 300 milionë dinarë, dhe edhe po ti kishte nuk do ti digjte thjesht për të mërzitur serbinë, akti im i mikro-deflaiconit do ndihmonte çdo serb nga pak.
Përkundër, çdo ndodhte nëse përdorja shumën për të blerë diçka në aeroport, le të themi një pije energjike?
Do rriteshin fitimet e dyqanit, po ashtu dhe të ardhurat tatimore në Serbi. Supozoj që fitimet e shtuara do ndaheshin mes shoqërisë prodhuese së pijes (e huaj) dhe shoqërisë importuese (me gjithë gjasat së paku pjesërisht serbe). Pra, deri tani, fitimi u nda mes pronarëve privatë serbë, të huaj dhe shtetit serb.
Por analiza nuk mbaron me kaq. Rritja e fitimit në Serbi do nxiste shoqërinë të sillte më shumë mall në vend, e ndofta dhe të niste një linjë prodhimi lokale, çka do rriste punësimi dhe fuqinë blerëse në serbi.
Së fundi, rritja e fitimeve të një shoqërie të huaj do kish rritur opinionin e investitorëve për Serbinë, dukë nxitur investime të tjera.
Pra, si më djegien e kartëmonedhës, ashtu dhe me shpenzimin e saj, do kisha ndihmuar ekonominë serbe. Në rastin e parë, përfituesit do qenë gjithë mbajtësit e dinarit, çka në shumicë dërrmuese do ishin shtetas serbë. Në rastin e dytë, përfitues do qenë pjesërisht qytetarë serbë, pjesërisht shteti serb e pjesërisht individë të huaj.
I vendosur së paku për të minimizuar efektin pozitiv, vendosa me bindje të ndiqja kursin e dytë, dhe bleva një pije energjike.
Vini re që etja që më kish kapluar ndërkohë që isha përhumbur në këto llogari të ndërlikuara
ekonomike nuk ndikoi fare në vendimin e marrë.
One thought on “Kur ke kohë të tepërt në aeroport: kronika të luftës ekonomike ballkanike”