Uncategorized

Kush duhet ta shkruaj historinë?

Bardhyl Salihu

Mendoni për zhvillimin e njohurisë. Individët kanë informata të ndryshme e të kufizuara, por ata bashkëveprojnë duke i shkëmbyer dhe duke ndikuar tek njëri-tjetri. Idetë i shembin idetë; vlerat i zëvendësojnë vlerat. Ky proces paraprihet prej një procesi tjetër: rezonit i cili mundohet t’i filtroj idetë dhe vlerat e këqija e t’i pranoj të mirat. Dhe sikur të ishin në garë të vazhdueshme, idetë dhe vlerat e mira shpesh fitojnë mbi të këqijat. Por, kush është prapa këtij procesi misterioz?

Një proces i tillë nuk është misterioz fare; ai është produkt i mendimit të lirë të mijëra individëve të cilët duhet të veprojnë. Ata duhet të veprojnë sepse kërkojnë ta ndryshojnë pozitivisht gjendjen e tyre materiale duke i zgjedhur mjetet e duhura. Njohuria është njëri prej këtyre mjeteve. Ajo nuk ruhet si thesar nga një individ apo grup i individëve; ajo është e përbërë, në fjalët e ekonomistit F. A. Hayek, “prej copëzave të njohurive të pakompletuara dhe shpesh kundërthënëse të cilat janë nën posedimin e secilit individ”.

Çka ndodh kur individë si Ministri Turk i Arsimit, Omer Dincer, janë të pakënaqur me rezultatin final të këtij procesi spontan? Shumë pak. Me qenë se një proces i tillë nuk është i kontrolluar nga një entitet i vetëm, Dinceri i gjorë s’ka kujt ti ankohet përpos të gjithëve. I hutuar në kërkim të fajtorit, Dincerit i mbetet vetëm ta ndryshoj rezultatin duke u bërë pjesë aktive e procesit me argumente dhe fakte.

Por, jo gjithmonë është zhvillimi i njohurisë i orkestruar në këtë mënyrë. Nganjëherë pluralizmi individual i “copëzave të njohurive” injorohet me dhunë në favor të një “njohurie” të dekretuar e kontrolluar direkt nga ministritë e ndryshme të Shtetit. Një “njohuri” e cila nuk është fare e tillë sepse akumulohet nëpërmes një procesi politik i cili nuk e ka as cak e as të mundshme ta shpalosë drejtë. E kur “njohuria” monopolizohet kësisoj, Dinceri e ka të lehtë të bëjë me gisht, ta gjej fajtorin dhe t’i kërkoj atij që në mënyrë arbitrare (pa u bërë pjesë e mirëfilltë e procesit) ta ndryshoj atë.

Javën që shkoi, Dinceri i kërkoi Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në Kosovë t’i ndryshoj paragrafët në tekstet shkollore të historisë ku “fyhen turqit”. Ankesa e Dincerit zgjoi pakënaqësi në opinionin publik me të drejtë, por fatkeqësisht kërkesat e opinionit përgjithësisht anuan në drejtimin e gabuar. Shumë kërkuan që njohuria mbi historinë shqiptare të “mbrohej” nga MASHT-i, pa e ditur fare që vetë ministria është robëruesi më i madh i saj. Në vend që cinizmi i Dincerit të kundërshtohej sistematikisht duke e çliruar historinë, Dinceri vetëm sa u bë arsye shtesë për ta mbajtur peng më tej në zyrat e burokratëve të padijshëm e të pamoralshëm. Kështu, së paku për momentin, shkenca e historisë e humbi shansin të bëhet pjesë e zhvillimit spontan dhe të gjerë të njohurisë.

Cilat janë pasojat e një shansi të humbur si ky? Mundësia që tirania mbi njohurinë shkencore i krijon sharlatanëve si Dinceri të vijnë si kauboj e të kërkojnë ndryshime aty-për-aty është problemi më i vogël. Shteti historikisht e ka përdorur edukimin si mjet të propagandës për ta forcuar vetveten. Për shembull, sistemi i “edukimit” ka qenë pjesë integrale e thirrjeve për luftë, të ndërtuara mbi histori false e ideale etatiste. Ky keqpërdorim i edukimit nuk është bërë vetëm nga shtete totalitare si Bashkimi Sovjetik apo Gjermania Naziste; ky keqpërdorim vijon edhe sot në vendet që bota i njeh si “demokratike”. Arsyeja është që fuqia e Shtetit mbi subjektin e tij, ashtu siç pohon filozofi francez Étienne de La Boétie, varet nga legjitimiteti i Shtetit në sytë e popullatës. Me dorëzimin e sistemit edukativ tek masat, Shteti e dorëzon një mjet të rëndësishëm të kontrollit mbi to.

Pra, Shteti nuk e ka për qëllim zhvillimin e njohurisë, por shtrembërimin e saj për t’i garantuar vetit sundim të vazhdueshëm. Por, edhe ata pak shkollarë të sinqertë që enden nëpër korridoret e institucioneve shtetërore nuk mund ta zëvendësojnë procesin e hapur dhe spontan të zhvillimit të njohurisë duke e tkurrur atë në tekste shkollore përplot gabime gramatikore, të shkruara nga persona të zgjedhur sipas diktateve shtetërore. Sado të mençur që janë ata, kontributi i tyre nuk mund ta kaloj atë të një forumi të hapur të dijës ku të gjithë marrin pjesë.

Ashtu si të gjitha shkencat tjera, edhe historia shkruhet nëpërmes bashkëveprimit të lirë të profesorëve, historianëve, arkeologëve, laikëve dhe të gjithë individëve të cilët duhet të garojnë haptazi me argumente dhe prova për ta etabluar një version që ata besojnë se është i drejtë. Zhurnalët shkencorë janë krijime private për përfaqësimin e pikëpamjeve të caktuara, të cilat garojnë haptazi me zhurnalë tjerë që kritikojnë dhe kritikohen. Njohuria njerëzore, meqë e kufizuar, shpesh qon në mospajtime që zgjasin për kohë të gjata. Disa prej tyre eventualisht zgjidhen; disa mbesin ende në nyje për tu debatuar më vonë. I gjithë ky proces karakterizohet prej lirisë për të marrë pjesë në të, për të formësuar mendime të llojllojshme, dhe nevojës për t’i mbuluar ato mendime me argumente dhe prova të mira në qoftë se dëshiron të merresh seriozisht.

Koncepti ekonomik i konkurrencës si rritës i kualitetit dhe ulës i kostove është po aq efektiv në zhvillimin e njohurisë sa në prodhimin e të mirave dhe shërbimeve. Në anën tjetër, koncepti ekonomik i monopolizimit si ulës i kualitet dhe rritës i kostove është gjithashtu po aq efektiv në shkatërrimin dhe shtrembërimin e njohurisë. Në mënyrë që historia dhe cilado shkencë ta reflektojë të “vërtetën” si dhe të zhvillohet në shkallën më të shpejtë, ajo duhet të ofrohet nga shkolla e universitete private. Alternativa monopoliste e mbajtjes peng të shkencave në zyrat e shëmtuara të burokratëve shtetëror është alternativë e regresionit dhe anti-civilizimit shoqëror.