ekonomi

Libia nuk është Kosovë!

Etjon Basha

Demokratët (ata të partisë) në ShBA e kanë vendosur veten në një pozitë të vështirë: në vitet kur Republikani Bush drejtonte Shtëpinë e Bardhë, kritikonin me të madhe dhe me shumë të drejtë luftërat amerikane në Afganistan dhe Irak si amorale, genocidale, djegie parash dhe që krijonin përshtypjen tek vendet islamike që lufta ishte drejtuar kundër tyre.

Obama fitoi shumë pikë duke kritikuar politikën amerikane në Irak, e duke lënë të nënkuptohej që ndërhyrja atje do merrte fund nën drejtimin e tij. Shkurt, Demokratët janë në pushtet sot falë qëndrimit të tyre të drejtë kundër luftës.

Por ja që, tashmë që janë në pushtet, jo vetëm nuk po tërhiqen nga Afganistani e Iraku (madje po risin praninë në Afganistan) por kanë nisur një luftë të tretë (me një vend po islamik) në Libi.

Pak veta patën mendjen të kritikonin mashtrimin e madh që administrata amerikane bëri kur pretendoi se në Libi do ngrihej thjesht një zonë ndalim fluturimi, që nënkupton që avionët amerikanë do rrëzonin çdo avion libian që ngrihej në fluturim dhe kaq, ndërkohë që qysh ditën e parë nisën bombardimet në terren. Por, sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë po pyesin veten amerikanët se me ç’fytyrë demokratët nisën një luftë të re, pa mbyllur të vjetrat.

Për të dalë nga kjo rrugë qorre morale ku e kanë vënë veten, Demokratët pretendojnë që luftërat ‘e tyre’ janë humanitare, jo hakmarrëse si ato në Irak e Afganistan. Dhe këtu hidhen paralelizma me luftën e Kosovës, e nisur po nga administrata Demokrate e Presidentit të atëhershëm, Klinton. Por, krahasimi i Kosovës me Libinë është gafa më e rëndë e bërë deri tani nga qeveria Amerikane.

Dallimi mes këtyre dy konflikteve është një, i vetëm por jetik: konflikti në Libi është luftë civile, ai në Kosovë qe luftë për pavarësi. Mos besoni se këtu po bëjmë dallime termash pa vlerë.

Luftë civile kemi kur dy ose më shumë palë hyjnë në konflikt të armatosur për të kontrolluar qeverinë e një territori. Kështu, Gadafi dhe ‘rebelët’ po luftojnë për jetë a vdekje se kush do ngrejë flamurin në Tripoli. Lufta më e njohur civile në histori ka qënë Revolucioni Francez, që solli socializmin, nacional-socializmin, genocidin, pastrimin etnik, luftën totale, shërbimin e detyruar ushtarak, luftën botërore, shtetin total e një mijë e një gjëra të këndshme në Evropë. Serbia me shumë të drejtë mund të akuzojë ata që e kritikojnë për pastrim etnik se thjesht po vijonte rrugën e legjioneve franceze në Vande, të cilat askush nuk i kritikon.

Nga ana tjetër, lufta për pavarësi niset nga një palë që nuk ka ndër mend të kontrollojë shtetin, por thjesht të ndahet prej një shteti ekzistues. UÇK-ja nuk dëshironte, me sa di unë, të pushtonte Beogradin e të ngrinte flamurin Kuq e Zi  në Skadarlia, por thjesht donte pavarësi për Kosovën. Lufta për pavarësi më e njohur në histori mbetet Revolucioni Amerikan, që soli konceptet e lirisë, pronës, shtetit të vogël dhe decentralizimit në kulturën politikë botërore. Vlen të përmendet dhe lufta e parë për pavarësi e njohur, ajo e Hollandezëve kundër sundimit spanjoll në shek. XVI (“lufta tetëdhjetë vjeçare”) që solli kapitalizmin në Evropë dhe qe shkëndija që ndezi atë që vonë do kthehej në Revolucionin Industrial.

Problemi me luftën civile është që dy palë zihen se kush e kush të shtypë, vjedhë e vrasë palën tjetër. Është një luftë mes tiranësh që mundohen për pushtet. Rezultati i luftërave civile është gjithmonë rritja e shtetit autoritar dhe zvogëlimi i lirive individuale.

Për më tepër luftërat civile gjithmonë nënkuptojnë genocid. Në fund të fundit, nëse deri dje qeveria ka funksionuar normalisht, kjo do të thotë që ka pasur jo pak pasues. Pra, rebelët, kushdo qofshin dhe në çdo rast, do të duhet të vendosin se çdo bëjnë me gjithë këta pasues të qeverisë (ashtu siç qeveria duhet të ndajë mendjen se ç’do bëjë me tërë këta rebelë). Zgjidhja është, fatkeqësisht, e njohur: deportime, vrasje, konfiskime (i kujtohet njeriu 1945-a në Shqipëri?).

Së fundmi dhe më së paku, në asnjë mënyrë nuk mund ta dimë a priori se cila palë duhet mbështetur në një luftë civile.

Nga ana tjetër në luftërat për pavarësi, kemi një palë që kërkon të ngre një shtet të vetin. Tani, shteti është gjithmonë amoral dhe shtypës, dhe nëse do e kisha unë në dorë, që nesër gjithë shtetet në botë do binin. Por, për aq kohë sa bota është e ndarë në shtete, sa më shumë shtete të kemi aq më mirë është.

Pra, parimisht dhe pa njohur fare se kush janë palët luftuese, gjithmonë duhet ti japim të drejtë palës që kërkon ndarje. Në kushtet e botës së sotme, luftërat për pavarësi janë gjithmonë për tu përgëzuar dhe, në fakt, shpresa e vetme e lirisë në këto kohë të vështira.

Gjithashtu, shumë shpesh, pjesa që do të ndahet përmban shumë pak pasues të qeverisë qëndrore, kështu që shumë pak luftëra për pavarësi shkaktojnë deportime e vrasje si ato që shohim në një luftë civile (ndonëse, fatkeqësisht, sërish ndodhin episode të shëmtuara).

Dhe po të lëmë teoritë dhe të shohim zhvillimet në praktikë, do e shohim këto diferenca në rastin e krahasimit të pabazë mes Libisë dhe Kosovës.

Kosovarët ishin unanim në vendimin e tyre për ndarje. Kërkuan referendum, dhe iu mohua. Mbajtën referendum pa pyetur për herë të dytë, dhe u injorua. Braktisën shtetin Serb dhe u orvatën ta injoronin atë tërësisht (e padëgjuar në historinë bashkëkohore dhe pjesa më e lavdishme e mbarë epopesë së Kosovës dhe shekullit të XX shqiptar!). Shteti reagoi në të vetmen mënyrë që njeh, me dhunë, duke vendosur shtetrrethim.

Kështu vullnetarisht dhe pa detyruar askënd, shqiptarët ngritën një lëvizje rezistence, e cila për asnjë çast nuk u financua me taksa të vjedhura dhe ku askush nuk pranonte urdhra nga njerëz që nuk respektonte. Dhe kjo lëvizje vullnetare duhet të luftonte kundër një ushtrie tejet profesionale, të mirëpajisur dhe me përvojë.

Dhe në këtë pikë e ‘gjetën’ Kosovën perëndimorët. Për ata që e njihnin historinë njerëzore, dihej se si do rridhnin ngjarjet. Shqiptarët do luftonin, do vuanin e do vriteshin, e për vite e ndofta dekada nuk do hiqnin dorë derisa shteti i rraskapitur serb të hiqte dorë. Alternativa? Mund ti ‘jepej një e shtyrë’ këtij regjimi e të përshpejtoheshin ngjarjet që në çdo rast do ndodhnin. Që as një muaj bombardimi arriti të rivendoste paqen në Kosovë, është rast unikal në historinë bashkëkohore. UÇK-ja kurrë nuk kërkoi, dhe për asnjë çast s’u diskutua seriozisht, hyrja e trupave të huaja.

Ndërkohë ç’shohim në Libi? Disa rebelë ngrihen kundër regjimit dhe vënë nën kontroll disa qytete në lindje. Avancimi i tyre më në perëndim ndalet. Me të zgjuarit mes tyre propozojnë të shpallin pavarësinë e pjesës nën kontrollin e tyre, e të jetojnë në paqe me ish-vendin mëmë. Në fund të fundit, pjesa lindore e Libisë përmban rezerva të mëdha nafte, nëse aty u rrihte halli rebelëve.

Por, kjo zgjidhje u hodh poshtë kategorikisht (akoma e ruaj kopjen e Financial Times­-it kur e lexova këtë gafë për herë të parë). Rebelët nuk duan luftë për pavarësi, por luftë civile. Dhe luftë civile qoftë! Çdo strateg do ta kishte kuptuar që ndërhyrja ajroje nuk mund të ndryshojë gjë në një konflikt për shtetin. Dhe në fakt, ende sot e kësaj dite jo vetëm që rebelët nuk kanë përparuar, fjalët janë që po shkatërrohen tërësisht nga regjimi, megjith bombardimet.

Shkurt, lëvizja kundër Gadafit në Libi u vu, si çdo lëvizje e tillë, përpara një zgjedhjeje: liri apo pushtet. Zgjodhi pushtetin dhe tmerret e luftës civile. Tashmë zgjedhja i takon shteteve perëndimore. Bombardimet nuk kanë për të çuar gjëkundi përveçse në më shumë vdekje civile, Gadafi e ka kuptuar që mjafton ti veshë trupat civile dhe ti lëvizë në makina civile për të shmangur çdo sulm nga ajri (nëse serbët do kishin vepruar në Kosovë si ‘civilë’ do ishin mundur në pak javë, kam frikë). A do heqin dorë perëndimorët nga kjo fushatë miope dhe pa kuptim, të kërkojnë falje për harxhimin e kotë e vdekjet e shkaktuara e të lënë dy palët në Libi të zgjidhin mes tyre se kush do bëhet tirani i ardhshëm, apo do ndërhynë me pushtim të plotë, që është e vetmja mënyrë për ti dhënë fund kësaj lufte? Do ishte në fakt, kulmi i ironisë nëse Demokratët që aq kritikuan Republikanët për luftërat e tyre, të nisin vetë një pushtim të tretë e tërësisht te paqëllimtë.

Megjithatë, se ç’bëjnë dy partitë politike në ShBA është puna e tyre. Por të mos përpiqen të fshehin hipokrizinë e tyre duke ulur Kosovën në nivelin e Libisë, se Libia kurrsesi nuk ngrihet dot në nivelin e Kosovës.