ekonomi

Ligjet kundër riatdhesimit të fitimeve: bileta e Shqiptarëve për në Afrikë

Etjon Basha

E reja më e fundit në fushën e ideve anti-kapitaliste duket të jetë propozimi i ngritjes së një farë kontrolli mbi riatdhesimin e fitimeve të shoqërive të huaja që veprojnë në Shqipëri, dhe në përgjithësi të kontrollit të dërgimit të kapitalit jashtë shtetit nga kushdo.

Masa të tilla janë marrë tashmë ligjërisht për sa i përket institucioneve financiare, por ideja është që një kontroll i tillë të shtrihet në gjithë fushat e ekonomisë.

Tani, në historinë e gjatë të ideve injorante që kanë qarkulluar vitet e fundit, kjo ka gjasa të jetë më e pabaza dhe padyshim më shkatërrimtarja. Përse?

1) Investimet e huaja: çelësi i suksesit

Standardi i jetesës i një personi apo, në rastin tonë, i një vendi përcaktohet vetëm prej stokut të kapitalit (mjeteve të prodhimit) për frymë. Kështu, sa më shumë kapital për frymë të ketë në një vend, aq më produktivë janë banorët e atij vendi, dhe pra aq më shumë mallra konsumi mund të prodhojnë/tregtojnë dhe standardi i tyre i jetesës rritet. Shqipëria është më e varfër se Gjermania pikërisht se stoku i kapitalit për frymë në Shqipëri është vetëm një fraksion i atij në Gjermani.

Kështu, çelësi i rritjes ekonomike është rritja e stokut të kapitalit, dhe kjo mund të bëhet vetëm me anë të kursimit. Nga e ardhura jonë, duhet të heqim mënjanë diçka për ta përdorur për të blerë kapital të ri. Problemi këtu është që e ardhura në vende si Shqipëria ose Kosova është mjaft e ulët, dhe kështu dhe kursimet nuk kanë si të jenë të larta. Pra, pikërisht Shqipëria e Kosova që kanë më shumë nevojë për kapital nuk kanë mundësi të kursejnë mjaftueshëm për ta blerë.

Pra, është jetike të kuptojmë që sikur të mbështeteshim vetëm tek kursimet e brendshme, Shqipëria nuk do arrinte kurrë standardin e jetesës që shohim në perëndim, gjithë shqiptarët do emigronin dhe Shqipëria do mbetej një vend i populluar vetëm nga mosha e tretë.

Kjo shumëzuar me 1000

Por ja që një mrekulli ekonomike ndodh në këtë pikë: vetë të huajt vijnë të investojnë kursimet e tyre në Shqipëri! Tashmë nuk është më e nevojshme që shqiptarët të ulin standardin e tyre të jetesës duke kursyer, pasi vetë të huajt kursejnë për ne! Investimet e huaja direkte (IHD) janë padyshim bileta e vetme, dhe po e përsëris e vetme, për të nxjerrë vendet e varfra nga gjendja e tyre e mjeruar. Vetëm falë IHD-ve mund të presim të ndodhë edhe në vendin  tonë mrekullia e zhvillimit që kemi parë në Hong Kong, Singapor, Dubai, Kili e sa e sa vende të tjera.

2) Kontrollet mbi riatdhesimin: politika me e keqe e mundshme

Sikur ndonjë armiku të betuar të shqiptarëve ti kishte rënë në dorë fati për të caktuar një politikë të vetme që do dëmtonte maksimalisht Shqipërinë, padyshim do duhej të zgjidhte kontrollin ndaj riatdhesimit të kapitalit të huaj.

Fakti është që të huajt nuk kursejnë nga e ardhura e tyre dhe nuk vijnë të investojnë në Shqipëri për bamirësi: ata kërkojnë fitim, i cili tek ne është më i lartë sepse kapitali është më i rrallë. Nëse ideja fëminore e radhës do fitojë dhe kontrollet do vendosen, si mendoni se do sillen investitorët e huaj? Do investojnë në Shqipëri, duke sakrifikuar nga standardi i tyre i jetës (kursimi gjithmonë ul standardin e jetesës në afat të shkurtër), duke ditur që nuk do mund të tërheqin pas fitimet? Sikur të donin ti shpenzonin këto para në Shqipëri, këta investitorë do kishin emigruar në Shqipëri me kohë, dhe nuk do investonin si të huaj!

Kështu, rezultati i vetëm i kontrolleve mbi riatdhesimin e fitimeve do jetë reshtja totale e fluksit jetik të IHD-ve në Shqipëri, dhe zerimi i rritjes ekonomike. Të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare kështu do hidhen në kosh me një firmë të vetme. Ç’fund tragjik për qeverinë e fundit neo-liberale në kontinent!

3) Kontrollet nuk funksionojnë

Deri tani kemi diskutuar kontrollet në parim. Praktika dëshmon që këto kontrolle janë tërësisht të pazbatueshme ama. Shoqëritë e huaja gjithnjë do ta gjejnë mënyrën për të maskuar riatdhesimin e fitimit. Mund të paguajnë një kompani të huaj konsulentë një tarifë të lartë, që s’është veç fitimi që po riatdhesohet.  Nuk po thellohem mbi gjithë mundësitë por besomëni kur ju them që përdorimi i tyre është i përhapur në sektorin financiar ku kontrollet mbi riatdhesimin funksionojnë qysh tash.

Kështu, kontrollet infektive nuk do i japin fund riatdhesimit të fitimeve, dhe as IHD-ve. Ama këto forma të tërthorta riatdhesimi kushtojnë kohë dhe mund, dhe kështu fitimi i riatdhesuar do të bjerë, dhe me të dhe fluksi i IHD-ve. Gjithashtu riatdhesimi i tillë i tërthortë e bën më të vështirë llogaritjen e fitimit real, e pra llogaritjen ekonomike në përgjithësi, çka ul mjaft nxitjen për të investuar në Shqipëri. Pra, sërish mirëqenia dhe rritja ekonomike do cënohen.

Por ky ëhstë vetëm rasti më i mirë. Sepse mundësia tjetër është që qeveria shqiptare duke pare sa infektive janë kontrollet, do orvatet ti shtrëngojë ato, duke kufizuar gjithë transaksionet me jashtë në përgjithësi. Kjo do vështirësonte tmerrësisht riatdhesimin, por ndofta ndonjë shoqëri do arrinte të ngrinte një degë import-eksporti për të mbuluar riatdhesimin. Qeveria mund të ngulte këmbë të lejoheshin vetëm pak shoqëri të licencuara të merreshin me eksport-import. Sërish do gjendej një rrugë tërthortë: përvoja dëshmon që kontrollet mbi riatdhesimet funksionojnë vetëm kur e gjithë ekonomia kontrollohet në mënyrë indirekte (ose direkte) nga shteti, në modelin e Gjermanisë naziste.

Mos kujtoni se po tregohemi alarmistë: absolutisht çdo vend që ka vendosur kontrollet mbi riatdhesimet e fitimeve ka nisur ti shtrëngojë ato gradualisht. Sigurisht jo të gjithë kanë degraduar në shkallën e ekonomive të centralizuara, por ama fluksi i IHD-ve ka vdekur ndërkohë.

Ideja e zgjerimit të kontrolleve mbi riatdhesimin e fitimeve nga sektori financiar tek ekonomia në përgjithësi është ekuivalenti i një lufte atomike në ekonomi: jo vetëm do i jepte fund një herë e mirë shpresës së Shqiptarëve për ta parë vendin tonë “si gjithë Evropa”, por do nxiste shtetin shqiptar të rritej në proporcione totalitare, vetëm 20 vjet pasi e lamë një model të tillë pas krahëve.

Më duket mjaft e çuditshme të dëgjoj pikërisht në Shqipëri, ku rëndësia jetike e riatdhesimit të të ardhurave të emigrantëve tanë njihet nga të gjithë, pikërisht në një vend që jeton fale riatdhesimit të diskutohet ndalimi i tyre.

Shpresat tashmë janë vetëm që qeveria shqiptare do ta kuptojë idiotësinë e kësaj ideje, dhe do vendosë që pak milionë dollarë më shumë në qarkullim sot për sot nuk ia vlejnë dënimin e përhershëm të vendit në varfëri. Nëse gabimet e kufizimeve në fushën financiare dhe ligjeve idiote kundër ‘pastrimit të parave’ nuk mund të rregullohen sot për sot, së paku të mos shtojmë gafa mbi gafa.