Mbi akuzat e Dick Marty-t
Etjon Basha
Një zhvillim i ditëve të fundit që ndofta nuk mori gjithë vëmendjen që meritonte qe miratimi me shumicë të madhe nga Kuvendi i Shqipërisë i Ligjit “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it”. Me pak fjalë ligji i krijon një grupi hetimor të EULEX-it lehtësitë e kërkuara për të hetuar edhe në Shqipëri mbi akuzat e hedhura nga Dick Marty mbi trafikun e organeve gjatë Luftës së Pavarësisë së Kosovës.
Vetë Ligji është kritikuar pasi është argumentuar (p.sh. nga ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës) që ‘lehtësitë’ që i krijohen EULEX-it, e që përfshijnë imunitetin diplomatik dhe fuqinë e kryerjes së arrestimeve në Shqipëri, janë më së paku të tepërta, në mos antikushtetuese. Cinikët kanë thënë që duke kërkuar paraprakisht imunitet diplomatik, EULEX-i po i paraprin situatës kur parashikon që ky imunitet ti hyjë në punë.
Mbi ketë debat, ndonëse shumë interesant, nuk shprehem dot. Por ama mbi vetë akuzat e Dik Martit mund të shprehem.
Nuk kam informacion mbi vërtetësinë e pretendimeve që gjatë luftës së Kosovës anëtarë të UÇK-së kanë trafikuar organet e robërve të luftës Serbë. Në se do më duhej të spekuloja, do vija bast që ato janë së paku pjesërisht të vërteta. Aty ku ndahem me zotin Marti është që nuk shoh asgjë të keqe në veprimet e UÇK-së këtu!
Lufta e organizuar është padyshim sipërmarrja më e vështirë për tu organizuar në vija liberale, pra pa cënuar parimet e lirisë individuale. Vetë logjika ekonomike e luftimit bashkëkohor favorizon numrat (madje i favorizon në katror), përgatitjen teknike dhe logjistikën e fortë – të gjitha kërkesa që do shteronin dhe buxhetin më të fryrë – ndërkohë që ndërmarrja e suksesshme e veprimeve luftarake duket se kërkon një mosrespektim të plotë të të drejtave të zakonshme të pronës dhe shëndetit të individit.
Për këto arsye mund të argumentohet që nuk ka pasur ndonjëherë (dhe ndofta as ka për të pasur) një luftë plotësisht të drejtë, pra që nuk ka cënuar asnjë grimë të drejtat e individëve. Por jo nuk do të thotë që të gjithë luftërat duhet ti grupojmë bashkë si të fare të padrejta, e ta mbyllim hesapin me kaq. Ka luftëra më shumë e më pak të padrejta.
Lufta izraelite e Gjashtë Ditëve dhe fushata britanike në ishujt Follklend vijnë në mend si dy luftëra që, në mos plotësisht të drejta dhe korrekte, janë sidoqoftë për tu marrë si shembull në shekullin e 20 që veç masakra ka parë. Më lart se dhe këto dy luftëra, qëndron fushata e UÇK-së në Kosovë.
Siç kam argumentuar më parë, çdo hap i shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ’90 qe i drejtë dhe i mirë-kalibruar. Veprimet luftarake nisën vetëm kur u bë e qartë që çdo rrugë tjetër ishte mbyllur. Vetë këto veprime luftarake u kryen duke respektuar maksimalisht – po të mbajmë parasysh rrethanat – të drejtat individuale.
Financimi është ndofta detyra më e vështirë në luftën bashkëkohore. Me sa di unë, fushata e UÇK-së ka qenë e vetmja që është financuar në përgjithësi me mjete të drejta. Nëse izraelitët de britanikët taksuan qytetarët e tyre – dhe mund të mbrohen vetëm me pretendimin që mbështetja për luftërat e ’67-ës dhe ’83-it qe thuajse universale – drejtuesit Kosovarë u financuan kryesisht me aktivitete tregtare. Duke ‘trafikuar’ armë, narkotikë dhe, me sa duket, organe njerëzore, u mblodhën fondet që e mbajtën ndezur rezistencën ushtarake të UÇK-së deri në ditët e fundit.
Çuditërisht, propaganda serbe jo vetëm që i pranon këto fakte, por orvatet ti trumpetojë sa më shumë. Qenka turp i madh dhe shenjë barbarizmi që shqiptarët nuk vodhën me dhunë nga njëri-tjetri për të financuar luftën, pro që ofruan shërbime në treg.
Fakti i thjeshtë është që, sado të paligjshme sipas dekreteve arbitrare të sotme, dhe sado të papëlqyeshme nga ana estetike, nuk ka asgjë jo-legjitime në tregtinë e narkotikëve, armëve dhe organeve njerëzore! Nëse çmimi i këtyre shërbimeve (dhe si pasojë fitimet) janë tejet të larta për shkak të ndalimit të tyre, ky nuk është as faj i UÇK-së e as ndonjë argument në debat.
Por sigurisht, Evropa ka ndryshuar shumë (dhe për keq!) nga ditët kur Britanikët i shpallnin luftë Perandorisë Kineze për ta detyruar që lejonte tregtinë e lirë të opiumit, dhe nëse një herë e një kohë drejtuesit shqiptarë do qenë elozhuar pasi arritën të luanin funksionin e sipërmarrësit dhe të luftëtarit, e paralelisht dhe të ngatërroheshin e të dilnin jo pa fitim në rrjetin e dendur diplomatik e të inteligjencave të kush-e-di-sa vendeve – në traditën më të mirë të drejtuesve shqiptarë qysh prej Gjergj Kastriotit – sot konsiderohet turp i madh financimi i luftës nga UÇK-ja. Mund vetëm të them që një opinion të tillë publik, që të kritikon se nuk vodhe me dhunë nga bashkëkombësit e tu por ofrove vullnetarisht shërbime në treg nuk kemi se pse ta duam në anën tonë: le ta gëzojnë serbët opinionin evropian!
Tani, mund të pretendohet që, nëse tregtia e armëve dhe narkotikëve janë të paligjshme por megjithatë legjitime nga pikëpamja liberale, e njëjta gjë kurrsesi nuk mund të thuhet për trafikun e organeve! Organet në fjalë nuk u blenë vullnetarisht në treg, pro u morën me dhunë nga të burgosurit e luftës nëpër ‘shtëpitë e verdha’ në Kukës a kush e di se në ç’cepa të tjerë të harruar! Si mund të mbështetet kjo barbari!?
Ja që kjo ‘barbari’ duhet mbështetur me të madhe dhe pa rezerva. Fakti është që zotërinjtë e forcave ushtarake e para-ushtarake Serbe që bujtën në Kosovë nuk erdhën për të sfiduar Rugovën dhe naçut e Thaçit në një kampionat kalçetoje: ushtarët serbë në Kosovë erdhën për të djegur, vrarë, përdhunuar, dhe larguar me dhunë shqiptarët që nuk kishin cënuar njeri.
Përgjigja e merituar ndaj bëmave të këtyre ushtarëve do kish qenë vrasja në vend. Por ja që drejtuesit shqiptarë goditën në një ide gjeniale: pse të mos financohet lufta duke përdorur pikërisht këta ushtarë? Kështu, tregtia e organeve të mara dhunshëm qe një masë plotësisht legjitime në kuadrin e luftës së Kosovës. Ngjashëm mund të flasim për të njëjtin trajtim të rezervuar jo-ushtarëve, si informatorët ose dhe civilët që luftuan kundër UÇK-së.
E vetmja pikë ku UÇK-ja me të drejtë mund të kritikohet në gjithë çështjen e trafikut të organeve vjen nga pretendimet që dhe civilë të pafajshëm të akuzuar arbitrarisht për ‘tradhti’ ose që thjesht refuzuan ti bashkoheshin UÇK-së por që as luftuan ndaj saj, janë rrëmbyer. Nëse raste si ky i fundit mund të vërtetohen, ky realisht do jetë turp i madh. Por askush, as Dik Marti, nuk pretendon që këto të kenë qenë shumica.
Ndërsa në rastin e parë, mund të themi që standardet e provës në kushte lufte duhen liruar dukshëm. Nëse standardi i zakonshëm në çështjet penale është “beyond reasonable doubt”, në kushte lufte ai padyshim duhet të lehtësohet në “preponderance of evidence”. Pra, nëse EULEX-i kërkon të vendosë në bankën e të akuzuarit ndokënd për vrasjen e spiunëve të dyshuar, dënimi do duhet dhënë vetëm nëse vërtetohet që ndaj viktimës në atë kohë nuk kishte as edhe dyshime të arsyeshme. Se sa raste të tilla do gjejë EULEX-i, e marrim të gjithë me mend.
Tani, Lufta e Kosovës nuk ka qenë një fushatë plotësisht liberale. Forma shpronësimi të dhunshëm të banorëve vendas, përfshirja me dhunë në radhët e UÇK-së, mizoritë ndaj civilëve neutralë serbë a shqiptarë dhe dhuna ndaj ‘tradhtarëve’ mbi të cilët nuk rëndonte kurrfarë dyshimi veç ndonjë armiqësi vetjake, të gjitha këto pa dyshim që kanë ndodhur. Nuk na lejohet ta mbështesim plotësisht dhe pa rezerva luftën shqiptare ne Kosovë. Dhe duke pasur parasysh se sa e huaj ishte dhe vijon të mbetet edhe sot ideologjia liberale mes shqiptarëve, nuk shoh se si mund të kishim pasur një luftë më liberale se kjo.
Por e vërteta duhet thënë e qartë. Fushata e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë shembulli më i lartë i një luftë të drejtë dhe rast unikal në shekullin e shkuar i një luftë ku ekseset qenë përjashtimi, dhe jo norma. Nëse format e zgjedhura për të financuar ketë fushatë qenë jo shumë ortodokse dhe ndofta të papëlqyeshme estetikisht, ato në asnjë mënyrë nuk kanë qenë ilegjitime dhe gjithsesi kanë qëndruar shumë më lart se taksimi universal (për të mos folur fare për ‘standardin’ e vënë nga serbët, i cili çuditërisht harrohet kur akuzohet UÇK-ja për mizori mbi një gjysmë duzinë civilësh!). Nëse edhe kjo fushatë liberale qe afër dështimit, kjo duhet trajtuar mirë nga ata që, si ne këtu, besojnë që edhe pa taksim mund të ketë mbrojtje. Fatkeqësisht, edhe në kampin liberal lufta e Kosovës është injoruar plotësisht, aty ku nuk hidhet poshtë si ‘një tjetër luftë guerile e islamistëve radikalë’.
Nuk kam dyshim që Dik Marti me të vetën mendon se po i turpëron fort shqiptarët kur pretendon se ata kanë tregtuar organet e atyre që po vrisnin, digjnin, përdhunonin dhe masakronin burra, gra, pleq e fëmijë në Kosovë, pa kurrfarë provokimi. Nuk kam dyshim që, nëse EULEX-i arreston ndokënd në lidhje me këto akuza – dhe ‘nderi’ ia do të arrestojë ndokënd sa për sy e faqe – barra e provës do jetë mbi të paditurin, dhe që arsyetime si i mësipërmi që në kushte lufte dyshimi i arsyeshëm është i mjaftueshëm nuk do vihen në refene nga gjyqtarët të mësuar të shpërndajnë atë që sot quhet ‘drejtësi’ nga kolltuku i rehatshëm.
Por është sidoqoftë në nderin e vijuar të drejtuesve të UÇK-së që ta përballojnë këtë hetim me kokën lart dhe burrërisht. Është në nderin e tyre të dorëzohen vetë në bankën e të akuzuarit. Është në nderin e Kuvendit të Shqipërisë që i jep dorë të lirë dhe krijon çdo lehtësim, të arsyeshëm e të pa-arsyeshëm, për hetuesit e EULEX-it. Shqiptarët kanë krijuar, financuar dhe zhvilluar luftën më të drejtë e të shkëlqyer të shekullit të shkuar dhe nuk kanë përse ti tremben botimit të fakteve, cilado qofshin ato. Në të ardhmen, kur bota të jetë më e esëllt e të rikujtohen parimet e liberalizmit evropian, UÇK-ja do përmendet si shembulli që ishte.
EDIT: lexuesi duhet me patjetër ti drejtohet komentit të Bardhylit më poshtë. Duket se në nxitim e sipër për të diskutuar akuzat ndaj UÇK-së kam harruar fare që asnjë prej trafiqeve të pretenduara në armë, narkotikë dhe organe – edhe nëse realisht janë zhvilluar në masë – nuk kanë përbërë ndonjë pjesë me shumë peshë në financat e luftës, mbi thelbin e të cilave ndalet Bardhyli.
Më në fund, më duhet të shtoj që në artikull kam harruar ndofta burimin më të madh financiar të Luftës për Pavarësi të Kosovës: vullnetarët Shqiptarë, nga Kosova, Vardarska, Diaspora e Shqipëria, që u angazhuan në luftime pa pritur kurrfarë shpërblimi monetar.
Në këtë kontekst të plotë duket ende më qesharake dhe e kotë përpjekja e qarqeve të caktuara për ti reklamuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe drejtuesit e saj si turpin e madh të Ballkanit. Në ç ‘shoqëri të qytetëruar na paska braktisur historia!
Pajtohem fuqishem me pothuajse te gjitha mendimet mbi dyshimet e trafikimit te organeve the Luftes se UCK-se. Shkrim i shkelqyer!
Per ta forcuar me tutje argumentin tend ne lidhje me financimin e UCK-se, dua te te tregoj gjithashtu qe “trafikimi i armeve, narkotikeve, dhe organeve” nuk jane konfirmuar asnjehere si menyra qe UCK-ja i ka perdorur per financim (edhe pse te gjitha te lejueshme nga pikepamja etike). Edhe po qe se kane qene, arguendo, menyra te financimit, kane perbere vetem nje pjese shume te vogel te financimit. Financimi i UCK-se ka ardhur kryesisht (perpos paraqitjes vullnetare te ushtareve) nga nje fond i quajtur “Vendlinja Therret” me perfaqesi ne diasporen shqiptare (nga i cili fatkeqesisht jane vjedhur shume para), nga Florin Krasniqi, sot deputet i Levizjes VETEVENDOSJE! ne Kuvendin e Kosoves (shih librin e Stacy Sullivan – Be Not Afraid […] (2004) dhe dokumentarin e Klaartje Quirijns The Brooklyn Connection (2005) gjithashtu te shkruar nga Sullivan) i cili llogaritet te kete kontribuar me nje total prej $30 milione, si dhe nga burime tjera te ndryshme te parave e armeve (jo patjeter te trafikuara). Pra format kryesore (ndoshta edhe te vetme) te financimit te UCK-se kane qene legjitime *edhe* me konditat e zakonshme se jo vetem me ato libertariane! Vertete eshte veshtire te gjendet ndonje shembull tjeter i nje lufte kaq te paster, se paku nga ana e financimit (guerilet socialiste ne Kube te udhehequr nga Che Guevarra dhe Fidel Castro kane kryer krime te dokumentuara ne orvatjen e tyre per ta financuar luften).
Se fundi, edhe pse nuk po e ulin vleren e shkrimit, te ftoj t’i korrigjosh edhe njehere gabimet e vogla duke te pergezuar!