ekonomi

Mbi aristokracinë dhe funksionin shoqëror të kumarit

1
Les jeux sont faits

Ndonëse nuk ka shifra të sakta (ose së paku autori juaj i dashur nuk i gjen dot), po të nisemi nga anekdotat e panumërta që secili prej nesh mund të tregojë nga jeta e përditshme, gjasat janë që kumari (në gjithë format e tij) tërheq një pjesë aspak të vogël të të ardhurave të Shqiptarëve në përgjithësi, dhe meshkujve shqiptarë në veçanti. Të tmerruar siç mbetemi nga këto histori dëshpërimi ku familje e biznese shkatërrohen për shkak të një vesi me tipare të plota të varësisë psikologjike, është e lehtë të mendohet që kurrgjë të mirë nuk ka sesi ti vijë shoqërisë prej tolerimit ligjor të kumarit. Vështirë që parimet liberale të pinë ujë në këtë rast me publikun e gjerë, cili i sheh qartë këto vuajtje dhe është lehtë i gatshëm të flakë dashurinë e pakët abstrakte për lirinë duke kërkuar ndalimin e plotë apo të pjesshëm të kumarit.

Por ja që duket që, megjithëse askush nuk e ka planifikuar, e megjithëse kumari ka lindur e gjallon në këto përmasa thjesht për shkak të një difekti psikologjik të mendjes njerëzore e aspak për shkak të ndonjë plani kozmik të ndonjë kabali të fshehtë apo edhe qenieje të mbinatyrshme (vështirë që besimtarët ti ngarkojnë Zotit një faturë të tillë si ajo që do sqaroj këtu), ja që sërish kumari kryen një funksion tejet të rëndësishëm në shoqëri: është barriera e fundit, dhe ndofta më e rëndësishmja, që vështirëson hyrjen dhe mbetjen e familjeve të pasura tek klasa sunduese.

Sado që trashëgimia socialiste, mendësia etatiste-burokratike që eksporton Europa kontinentale si dhe natyra historikisht autarkike e shoqërisë shqiptare krijon një kundërshti të fortë ndaj këtij parimi, e vërteta duket të jetë që elita vendim-marrëse (shkurt aristokracia) e një vendi përbehet thjesht nga pjesa më e pasur e shoqërisë, pavarësisht tipareve konjitive apo etike që mund të jenë edhe më të forta tek klasa e mesme.

Në mungesë të përhapjes së gjerë të kumarit, secili prej dhjetëra mijëra të rinjve dhe jo dhe aq të rinjve që kanë arritur në këto 25 vjet të grumbullojnë pasuri jo të vogla individuale do qenë bërë pjesë vetiu e klasës sunduese shqiptare. Fatkeqësisht, shumica dërrmuese e këtij grupi dëshmon një mangësi të theksuar të atyre vetive që ndër shekuj janë pritur prej aristokracisë, të tillë si vetë-përmbajtja, disiplina, preferenca e ulët kohore si dhe një ndjenjë e përgjithshme noblesse oblige-je.

Shkurt, nëse secili prej atyre që kanë arritur të grumbullojnë kapitalin e nevojshëm do kishin kaluar drejtpërdrejtë në radhët e asaj klase që, për mirë a për keq dhe në mënyrë direkte apo indirekte ka në dorë fatet e Kombit, fatkeqësitë e Shqiptarëve në këtë çerek shekulli do kishin qenë edhe më të mëdha nga ç‘qenë në të vërtetë (e di, vështirë për tu marë me mend).

Duke funksionuar, sigurisht në mënyrë të pa-planifikuar (por sërish, ndofta besimtarët duhet të thellohen më me kujdes në këtë pikë) si barrierë që “teston” mbajtësit e pasurisë mbi aftësisë e disiplinës dhe vetë-përmbajtjes, kumari ka mundësuar dhe vijimisht mundëson përzgjedhjen e pjesës më të saktë të një shtrese shumë të gjerë. Nëse, edhe kështu, klasa jonë sunduese ka lënë shumëkënd të zhgënjyer, kjo nuk është veçse pasqyrim i cilësisë fatkeqësisht të ulët të mbarë stokut fillestar të kapitalit tonë njerëzor.

Që një shoqëri të krijojë një klasë sunduese disi më meritore në terma inteligjence, disipline e të tipareve të tjera të diskutuara më sipër, nevojitet kalimi i disa brezave të cilët, secili më vete e nga fillimi, të japë provë të vazhdueshme se di të ruajë e të shtojë pasurinë e trashëguar pavarësish tundimeve të shumta të botës bashkëkohore (e në veçanti kumarit, për pasion të të cilit, dhe ndryshe nga shumë vese të tjera, mund të lihen shuma të pafundme parash). Ky proçes domosdo kërkon kohën e vetë, kohë që fatkeqësisht matet në breza e jo vite.

Kështu, nuk duhet të çudisë kërkënd që klasa jonë sunduese nuk matet kurrsesi me aristokratët (formalë dhe informalë) britanikë, pasi hera e fundit që klasa sunduese britanike u zerua in toto dhe me përdhunë qe pas pushtimit Norman të shekullit të 11-ë, ndërkohë që klasa jonë sunduese u shkatërrua e tëra në pak muaj fill pas Luftës së Dytë Botërore. Në vend të saj u ngrit një aristokraci e re e cila erdhi nga shtresa gjysmë-të arsimuara e me tipare të qarta sadiste e të dhunshme. Kjo klasë është shtuar disi (si dhe ka lënë një pjesë pas) pas rënies së sistemit socialist, por boshti qendror vijojnë të mbeten familjet e nomenklaturës së bllokut të famshëm.

Edhe klasa e mëparshme bejlere qe ngritur pas zerimit të dhunshëm të Bujarëve Shqiptarë në shekullin e XV në vijim të represalies dhe gjenocidit Osman që pasuan disfatën e Lidhjes së Lezhës. Nga ana e saj, klasa bujare zëvendësoi….kjo histori qartazi vijon gjatë e humbet në shekuj për Shqiptarët që qëndrueshmërinë politikë e kanë njohur rrallë.

Në Shqipërinë osmane, “ngritja” e bejlerëve konsistonte thjesht në gjetjen e një kali që ti mundësonte të parit historik të fisit të luftonte në ndonjë nga konfliktet e shumta plaçkitëse në të cilat Osmanët angazhoheshin asokohe. Ata që mbijetonin dhe tregonin zgjuarsi dhe prirje për dhunë në fushëbetejë ndonjëherë vlerësoheshin me ndonjë Timar që mund të rritej me breza të vijuar shërbimi ushtar. Fillime aspak premtuese për familjet që i dhanë Shqiptarëve Pavarësinë.

Të tilla janë tiparet që ndan shpesh brezi i parë i “aristokratëve” të secilës shoqëri, pasi dhuna e thjeshtë kriminale në kurriz të popullsisë së gjerë është fatkeqësisht metoda historike e mbledhjes së shumë pasurive të mëdha. Është vetëm me kalimin e disa brezave, dhe filtrit të fortë nga tundime si kumari apo dhe vështirësitë e zakonshme të tregut, që nga ky grupi fillestar nga i cili askush nuk pret ndonjë gjë të madhe, distilohet një klasë sunduese më për së mbari.

Vërtetë që funksioni i distiluesit të klasës së lartë mund të duket shumë abstrakt dhe eteral, por gjasat janë që në dekada ky funksion ka qenë jetik për “edukimin” e shpejtë të aristokratëve, një funksion që kryhet njësoj si në dinasti disa-shekullore ashtu dhe në familjet nouveau riche. Për shoqëri si ajo shqiptare, ky funksion është edhe më jetik dhe mund të shihet në punë me sy të lirë e nga kushdo.

Ndokush mund të kundërshtojë që argumenti i mësipërm hidhet poshtë po të kemi parasysh që humbja e pasurive të mëdha në kumar shkatërron kapitalin e grumbulluar me efekte negative për investimet në shoqëri. Kjo do qe një kundërshti e kotë, pasi në këto raste kapitali kurrsesi nuk shkatërrohet por thjesht rishpërndahet nga duart e disave në ato të të tjerëve, pa ndonjë pasojë agregate për shoqërinë.

Nëse ka ndonjë mënyrë më formale e më pak të dhimbshme për dhjetëra mijëra familje e individë për të seleksionuar aristokracinë nga radhët e të pasurve atë nuk e njohim; edhe nëse ndokush do na i prezantonte, gjasat janë që kurrsesi nuk do dinim të zbatonim në praktikë. Kështu, në kushtet në të cilat gjendet shoqëria jonë, edhe një ves i rëndë dhe dëmtues si kumari masiv ka funksionin e tij darvinian shoqëror.

2
Dështon një tjetër kandidat për titullin e Ismail Qemalit II

PS: Vini re që i mësipërmi nuk është aspak argument liberal në “mbrojtje” të kumarit, pasi një analizë e tillë do ishte plotësisht e përputhshme me ndalimin e gjerë të kumarit me përjashtim të zonave të caktuara jashtë (por afër) qyteteve kryesore, një ide që qarkullon gjerësisht por që nuk përputhet me parimet liberale të lirisë për të gabuar dhe respektit të vlerësimit subjektiv të secilit.