Uncategorized

Mbi Idealin Etatist

Etjon Basha

Njeriu paska një tendencë të natyrshme për të kërkuar me ngulm shkaktarë të dënueshëm pas çdo ngjarjeje që i sjell emocione të forta, pozitive a negative qofshin. Por në rastin e tragjedisë së Himarës, nga e cila nuk besoj të ketë mbetur kush pa u tronditur, ky instinkt po merr trajta patetike.

Pasi antena fillestare e mllefit publik u gjet tek shoferi i gjorë, pasi fyerjet tërë pasion që fluturuan nëpër rrjetet sociale adresuar disa prej viktimave (!!!) me sa duket e zbutën paksa tensionin mendor të publikut, dhe tashmë që paska skaduar afati 3-ditor i heshtjes i kërkuar nga bonsensi, padyshim që ka nisur rrëkeja e shkrimeve që akuzojnë – e kë prisnit? – shtetin për këtë tragjedi.

Qëllimi i parë e i fundit i Shtetit na qenka eliminim deri më një i të gjithë vuajtjeve të mundshme e të pamundshme, pa marrë parasysh alternativat, dinjitetin e njeriut, koston për shoqërinë dhe në përgjithësi mendimin racional. Sa i vogël e i pafuqishëm duket shteti shqiptar para Idealit të Shtetit të Fortë, nën zgjedhën e së cilit asnjë gomë s’do plasë më, asnjë drejtuesi nuk do ti pushojë zemra, kanceri do zhduket, grindjet në çift do mbeten kujtime të largëta, licenca e anti-virusit nuk do skadojë kurrë dhe ekipi i zemrës do fitojë përvit kampionatin! Ky palo-shtet që paskemi vërtetë që i meritoka gjeri më një gjithë kritikat dhe qesënditë qo po merr dhe që padyshim do vijojë të marrë.

Që ky Ideal është kryekëput fantazioz e kurrë nuk ka se si të realizohet jashtë mendimit fëminor dhe shkrimeve të profetëve (mos po përsëris veten?) por vetëm pengon gjetjen e zgjidhjeve që minimizojnë vuajtjen, kjo nuk ka pse ti shqetësojë etatistët tanë.

I gjithë ky lum boje dhe elektronesh do ishte komik sikur të mos lindte nga një ngjarje kaq tragjike. Por së paku po na dëshmon që, megjith fjalët e zjarrta, etatistët shqiptarë qenkan sot për sot tepër patetikë për tu orvatur për ti vënë në praktikë iluzionet e tyre.