Mbi pagën minimale, Lekun dhe tërmetet

Etjon Basha

Përse të mos angazhohemi dhe ne në komentin e ngjarjeve të rëndomta të javës, duke qenë që punët e mëdha të shtetit i kemi zgjidhur me kohë tashmë?

1

 

Së pari, një fjalë përgëzimi për Zviceranët të cilët, në referendumin e së Djelës së shkuar, si rrallëherë (apo si kurrëherë) në historinë bashkëkohore kanë hedhur poshtë bindshëm (me 76% të votave!) propozimin për vendosjen e pagës minimale në vend. Nuk do ndalem në sqarimin e shformimeve të mëdha që paga minimale sjell në tregun jetik të punës, por thjesht do mjaftohem duke kujtuar që, në kushtet kur edhe Gjermania fqinje hoqi dorë nga liberalizmi i saj i njohur në tregun e punës dhe sivjet vendosi një pagë minimale, kundërshtimi Zviceran del edhe më i jashtëzakonshëm. Lajm fort i mirë për mirëqenien e vijuar të ishullit të vetëm të liberalizmit në detin majtist Europian.

2

Së dyti, duket që së fundmi Banka e Shqipërisë ka shtrënguar edhe më politikën e saj informale të fiksimit të kursit të Lekut ndaj Euros, i cili ka që nga 31 Marsi që nuk luhatet me më shumë se 0.10 Lekë rreth vlerës së 140 lek/euro. Ndonëse është ende herët për të folur më siguri (flukset e emigrantëve në verë do ta testojnë vullnetin e BSh-së), duket megjithatë që për pak kohë Shqipëria do i bashkohet formalisht grupit të vendeve (si Bullgaria apo Danimarka) që ruajnë kursin fiks ndaj euros, padyshim në pritje të integrimin politik në Bashkimin Europian (apo qoftë dhe të marrjes së statusit të famshëm të vendit kandidat në Qershor). Për ata që, si ne këtu, besojnë që Shqipëria ka dhe alternativa më të mira ndaj BE-së (pavarësi politike, liberalizim i njëanshëm e i plotë i lëvizjes së mallrave, shërbimeve e kapitalit dhe i tregut monetar), ky nuk është lajm për tu pritur më gëzim të madh. Megjithatë paska dhe raste kur inercia e historisë u bëka e parezistueshme.

3

E së fundmi, rikthehemi çështjes së pikës së dobët të liberalizmit. Tërmeti i Hënës (ose më saktë, rastësia e çuditshme e përsëritjes së tij pas saktësisht një jave e saktësisht në të njëjtën orë me lekundjet e mëparshme) më “frymëzoi” të rimendoj problemin madhor në teorinë liberale që diskutuam në këtë blog me rastin e çështjes së armëve kimike: atë të dëmeve të vogla apo dhe probabilitare ndaj një numri të madh personash. Si mund të zgjidhet problemi i, për shembull një shoqërie që në kërkim të naftës duhet të përdorë metoda të tilla që shkaktojnë aktivitet sizmik (siç pretendohet të ketë ndodhur në disa raste në ShBA)?

Përgjigja e parë do ishte: ky aktivitet duhet ndaluar në çast, së paku derisa të merret leja e çdo banori individual prona e të cilit ndodhet në rezen e aktivitetit sizmik. Se sa gjasa do kishte një shoqëri të merrte këtë leje, e marrim me mend.

Një përgjigje e dytë – dhe ajo që u diskutua në postimin e armëve kimike – është mbajtja e një referendumi tek gjithë banorët e zonës së prekur, sa kohë e drejta e votës në të është e tregtueshme (për të matur intensitetin e opinionit). Le të përpiqet shoqëria të blejë tolerimin e banorëve, qoftë në mënyrë direkte (duke blerë votat), qoftë në mënyrë indirekte, duke premtuar investime publike apo dëmshpërblim për çdo shtëpi të dëmtuar. Mund të argumentohet që rezultati i këtij referendumi do qe më efiçent ekonomikisht se politika e thjeshtë e miratimit unanim.

Një zgjidhje e tretë do ishte lejimi i lirë i këtij aktiviteti, sa kohë që banorët e prekur do kishin mundësi të hidhnin në gjyq shoqërinë për dëmet e pësuara (por jo për ndalim aktiviteti) dhe sa kohë që edhe e drejta e padisë do qe e tregtueshme, si para ashtu dhe pas faktit.

Ka edhe zgjidhje të tjera që nënkuptojnë egistencën e tatimit të vlerës së vetëshpallur të pasurisë së paluajtshme (TVVPP) të cilat nuk ia vlen të diskutohen sot për sot.

Në kushtet e Shqipërisë së sotme, zgjidhja referendare duket më e arsyeshmja, për shkak të thjeshtësisë në zbatim dhe efiçensës së rezultatit. Kështu, nëse banorët e rrethinave të koncesioneve të naftës, të cilët kanë disa kohë tash që pretendojë që aktiviteti i disa shoqërive po u shkakton dëme, apo qoftë dhe banorët e Elbasanit që pretendojnë që mbetjet e aktivitetit të kombinatit metalurgjik po u cënojë rëndë shëndetin, duhen lejuar të shprehen mbi vijimin e këtyre aktiviteteve në referendume vendore, pasi pretendimet e tyre të jenë quajtur të arsyeshme në parim nga Kuvendi.

Të drejtë vote do duhet të kenë vetëm ata banorë të cilët kanë jetuar në zonë (në rast dëmesh shëndetësore) apo janë pronarë të një prone që ka ekzistuar (në rast dëmesh fizike) para nisjes së aktivitetit, pasi gjithkush tjetër ka pranuar të jetojë po ndërtojë në zonë megjith që aktiviteti shpues/industrial kishte kohë që ushtrohej.

Nuk duhet menduar që situata të tilla krijohen rallë, vetëm me rastin e aktivitetit shpues apo dhe të industrisë së rëndë. Rreth nesh ka dhjetra, në mos qindra raste ku pasojat e një aktiviteti bien mbi një numër të stërmadh personash në masë të vogël: tymi i furrave të gëlqereve nëpër Shqipëri, zhurma e ndonjë aeroporti në zonat rrethuese apo qoftë dhe egzistenca e objekteve të tilla inxhinierike që përbëjnë rrezikshmëri për qytetete të tëra, të gjitha këto janë raste kur vihemi para këtij problemi madhor. Sa kohë sistemi ynë gjyqësor nuk është mjatueshëmërisht i fortë për të zbatuar sistemin e tretë të diskutuar më sipër, referendumet vendore do ishin zgjidhja më e thjeshtë dhe e përshtatshme për raste të tilla që, në një shoqëri në zhvillim, do vijnë vetëm në shtim.

3 thoughts on “Mbi pagën minimale, Lekun dhe tërmetet

Leave a Reply