ekonomi

Me një të rënë të lapsit: korporatizimi i tregut bujqësor shqiptar

1

Këtë javë qeveria shqiptare vendosi të mos lejojë më shitjen e produkteve bujqësore nga vetë fermerët që rëndom shesin nëpër qytete. Prej 1 Janarit 2016 e më tej ky prodhim do duhet ti shitet paraprakisht pikave të caktuara të shumicës, të cilat do kenë më pas të drejtën të shesin tek konsumatori final. E gjithë kjo në emër të formalizmit të tregut, i cili deri më sot paska shpëtuar mrekullisht nga dara tatimore.

Fatkeqësisht, kjo masë ka për të çuar në korporatizimin, me një të rënë të lapsit, të mbarë bujqësisë shqiptare, e cila në mëngjesin e 1 Janarit do gdhihet nën kontrollin e rreptë të pak shitësve me shumicë.

Para se të vijoj me analizën e pasojave që kjo masë ka për të sjellë, sërish do më duhet të marr një çast për të kujtuar që autori juaj i dashur ka parashikuar që me ardhjen në pushtet të shumicës së sotme programin e saj faktik të korporatizimit të tregjeve shqiptare (çka nuk do të thotë aspak që shumica e djeshme qëndronte stoike ndaj presionit të biznesit të madh). Tashmë duket që pas dy viteve të para të çorientimit ekonomik, qeveria më së fundmi po ndërmerr me vrull programin me të cilin fitoi favorin e biznesit të madh në Shqipëri. Kush e di se ç ‘tregje të reja do nisnin të “formalizohen” e “legalizohen” nesër, në të mirë të kufizimit të konkurrencës.

Për t’iu rikthyer masës në fjalë, shumë analistë janë shprehur menjëherë dhe qartazi mbi efektet që vendimi ka për të pasur. Tashmë fermerët e vegjël shqiptarë do detyrohen të shesin mbarë prodhimin tek një numër i vogël (në rastin më të mirë) grosistësh. Në rastin më të keq, por që ka dhe më shumë gjasa të zbatohet, rrjeti i shitësve të miratuar do ndërtohet me bazë territoriale, çka nënkupton që çdo fermer individual do mund ti shesë një dhe vetëm një pike prodhimin e tij.

Sidoqoftë, fuqia negociuese e këtij fermeri do bie në mënyrë të skajshme, dhe kuptohet që çmimi me të cilat këto prodhime do shiten tek grosistët do jenë dukshëm më të ulëta se ato me të cilat prodhimi shitet sot.

Fitimet e fermerëve do bien, çka do detyrojë një pjesë të tyre ta lënë prodhimin fare (që javën e shkuar kanë nisur thirrjet për hedhje të prodhimit dëm) e një pjesë tjetër të ulin sasinë e prodhuar. Kështu, sasia e prodhimit bujqësor që do arrijë përfundimisht ne treg do jetë më e vogël se ajo e sotmja, dhe si pasojë dhe më e shtrenjtë. Mbi këtë efekt duhet shtuar dhe ndikimi i tatimit që së fundmi do zbatohet në ketë fushë, çka do rrisë dhe më çmimet.

Shkurt, pasoja e fundit e nismës formalizuese të qeverisë do jetë varfërimi i fermerëve shqiptarë si dhe rënia e sasisë dhe rritja e çmimit së prodhimit në treg. Përfituesit pritet të jenë grosistët e caktuar që do përfitojnë nga diferenca të mëdha mes çmimit në blerje e në shitje, si dhe buxheti që pritet të përfitojë të ardhura shtesë tatimore.

Po të kemi parasysh mendësinë skajshmërisht etatiste të pjesës më të madhe të shqiptarëve, konsiderata e fundit (pra, përmirësimi i të ardhurave në buxhet) edhe do mjaftonte për ti kompensuar gjithë të tjerat në sytë e publikut. Por ja që edhe nga këndvështrimi i etatistëve tanë të pandreqshëm, kjo masë e qeverisë është e gabuar.

Nëse ajo çka po na shqetësuaka shumë shtetin është “informaliteti” i tregut të prodhimi bujqësor nëpër qytete, përgjigja e saktë do qe këmbëngulja që edhe shitësit e këtyre produkteve, fermerë apo grosistë qofshin, të regjistroheshin si persona të tatueshëm e të pajisnin me faturë të rregullt tatimore. Më tej, nëse Bashkitë e qyteteve tona (të cilat, për mirë apo për keq janë pronaret faktike të rrugëve e shesheve të Shqipërisë) mendojnë të mos tolerojnë më shitjen e ambulantëve, le të mos lejojnë shitjen në sheshe publike. Të vënë para nevojës për tu regjistruar pranë organeve tatimore dhe për të gjetur një vend të përshtatshëm për të shitur produktet e tyre, le të vendosin vetë fermerët cila do qe rruga më e mirë për ti kënaqur këto kërkesa. Ti shitet prodhimi që në origjinë shitësve të shumicës? Apo të paguhet qeraja tek një prej shumë tregjeve bujqësore të rregullta që gjenden rëndom?

Kjo do qe zgjidhja optimale dhe e drejtë për “formalizimin” e tregut bujqësor, e tillë që do i jepte fund problemeve faktike pa imponuar kosto të tepërta mbi fermerët e varfër.

Nëse qeveria do prekej ndopak nga protestat e fermerëve të cilat pretendojë (me gjasa me të drejtë) që janë pjesa më e varfër e shoqërisë shqiptare, e që si të tillë duhen toleruar, do kishte një mënyrë elegante për ta përshtatur këtë plan. Në vend që të kërkohej faturë tatimore dhe të pengohej shitja ambulante në mbarë qytetet tona, le të përcaktohej një zonë rreth qendrës…

Fjala që bie
Fjala që bie

…e jashtë së cilës shitja ambulante dhe informale do tolerohej për disa vite. Fermerët që do të donin të shisnin brenda kësaj zone le të pajiseshin me fatura të rregullta tatimre. Ata që nuk do mund ti lejonin vetes “luksin” e ndjekjes së këtyre rregullave, le të sakrifikonin e të operonin vetëm në rrethinat e qyteteve, ku domosdo edhe fluksi i klientelës do qe më e vakët.

Ky plan do impononte nivelin absolutisht minimal të kostos mbi fermerët e megjithatë do “formalizonte” në masën më të madhe tregun e prodhimit bujqësor.

Po secili nga këta dy plane do qe sidoqoftë shumë i papëlqyeshëm ndaj planit real të qeverisë, e cila as mendon ti lejojë fermerëve lirinë e zgjedhjes se si mund të plotësojnë kërkesat ligjore, por i detyron ata të shesin me pahir tek pak grosistë.

Kur shqiptarët të gdhihen në 2016-ën pre e një tregu të monopolizuar bujqësor e të vuajnë nga çmime të larta e sasi më të kufizuara të këtyre prodhimeve, duhet ta kuptojnë që, përkundër asaj që padyshim do dëgjojnë papushim nga qeveria, kjo nuk qe e vetmja alternativë për të formalizuar këtë treg. Në të kundërt, shteti shqiptar zgjodhi me vullnet të plotë korporatizmin në vend të konkurrencës së lirë.