Uncategorized

Mesazhi i fshehur i 100-vjetorit

Bardhyl Salihu

“Patriotizmi i vërtetë nënkupton dëshirën për ta kundërshtuar shtetin kur e ka gabim.”

Ron Paul

“Detyra e patriotit është ta mbrojë vendin e tij nga shteti i tij.”

Thomas Paine

Nxitja prapa luftës shekullore kundër pushtuesve osmanë ishte mendimi që shtypja e lirive dhe varfërimi ekonomik janë rezultat i faktit që osmanët e jo shqiptarët janë në krye të shtetit. Prandaj, me largimin e osmanëve e me vendosjen e shqiptarëve në krye të shtetit, pritej që liritë individuale të mos cenoheshin më si dhe të fillonte ringjallja ekonomike.

Por, pavarsia erdhi më 1912 dhe përkundër përmirësimeve atykëtu problemet nuk u larguan pasi që shqiptarët ende shtypeshin nga shteti i tyre dhe ende ishin të varfër. Shkrimtari Petro Marko shkruan në autobiografinë e tij Intervistë me vetveten për shkeljet e lirive civile gjatë periudhës së Ahmet Zogut kurse pëkundër investimeve infrastrukturore (të financuara nga qeveria italiane për ta ruajtur ndikimin e saj mbi Zogun) mirëqenia e shqiptarit të rëndomtë nuk i rrit. Pas Zogut erdhi njëra prej periudhave më të tmerrshme për popullin shqiptar dhe të tjerat janë, siç thonë, histori.

Odiesajda për pavarsi me motiv nacionalist—vetëm zëvendëso kombësinë e atyre që udhëheqin shtetin—u tregua që është fare e pamjaftueshme për të garantuar që ai shtet nuk do të jetë më shtypës i lirive dhe varfërues ekonomik.

E njejta nxitje shërbeu edhe me luftën e Kosovës për çlirim kundër pushtuesve serbë. Prapa saj qëndronte mendimi se problemi është tek fakti që serbët e jo shqiptarët janë në krye të shtetit, dhe me vendosjen e shqiptarëve gjithcka do të zgjidhej.

Por, Kosova u çlirua nga serbët më 1999 dhe pastaj u “pavarsua” më 2008, e problemet nuk u larguan. Shqiptarët e Kosovës ende shtypen dhe varfërohen nga shteti i Kosovës. Edhe këtu, historia e përsëriti vetveten.

Para një viti, duke festuar 99-vjetorin e Pavarsisë me shpresë që gjërat do të përmirësoheshin, kisha shkruar, “Është shokuese se sa shumë ngjashmëri ka në mes shtypjes shekullore otomane dhe shtypjes moderne nga qeveritë e tanishme [të Shqipërisë dhe Kosovës]. Duke e zëvendësuar shtetin otoman me atë shqiptar, ne nuk e kemi zëvendësuar problemin me zgjidhjen. Ne vetëm e kemi ndryshuar llojin e shtypjes dhe i kemi dhënë ngjyrim kuq e zi. Madje, plaçkitja nga bashkëkombësi nuk është as ngushëlluese; është edhe më e vështirë për t’u gëlltitur.”

Mesazhi i fshehur i 100-vjetorit, pra, është që zëvendësimi i pushtuesve me ata të cilët e ndanë kombësinë nuk është fare garancë e mbrojtjes nga shtypja e lirive si dhe nga varfërimi ekonomik. Mesazhi i fshehur është që problemi nuk qëndron tek kombësia, por tek vetë shteti si institucion.

Shteti është ai i cili i shtypë të drejtat individuale nëpërmes dhunës që e ushtron ndaj shqiptarëve duke i taksuar (plaçkitur) ata; duke i rrahur me polici; duke dështuar t’i ofroj siguri nga rreziqet e brendshme dhe të jashtme; duke i lënë të izoluar pa mundësi për të lëvizur jashtë vendit; e duke i përgjuar, shantazhuar, e kërcënuar kur paraqesin rrezik apo mbrohen nga aktivitetet kriminale të tij.

Shteti është gjithashtu ai i cili e pengon zhvillimin ekonomik duke penguar vazhdimisht investitorët e huaj te cilët janë shpresa e vetme për gjenerimin e kapitalit dhe sjelljen e njohurisë profesionale; duke vënë taksa të larta në krahasim me pasurinë e qytetarëve nga të cilët i merr ato (më të varfrit në Evropë); duke aplikuar TVSH-në e cila është praktikisht taksë e shitjes dhe pasoja afatgjate e së cilës (përveç rritjes së çmimeve) është zvogëlimi i pagave reale; duke i dhënë privilegje monopoliste disa prodhuesve në dëm të konkurrencës e si rezultat në dëm të konsumatorëve; duke e bërë të vështirë hapjen e bizneseve të reja dhe menaxhimin efikas të atyre ekzistente për shkak të barrierave administrative për ambientin biznesor; duke kundërmuar nga korrupsioni i cili synon të zhvatë çdo para publike të vjedhur nga taksapaguesit; duke shpërndarë subvencione për grupet e ngushta të interesit si dhe për ndërmarrjet publike të cilat vazhdimisht dështojnë t’i ofrojnë edhe shërbimet më elementare (si rrymën, ujin, transportin, mbledhjen e mbeturinave, e madje edhe sigurinë) kurse janë shëndrruar në qendra nepotizmi të paguara shumëfish mbi pagën mesatare, e kështu me radhë.

Ashtu siç kërkuan shqiptarët të çliroheshin nga pushtuesit, ashtu duhet të kërkojnë të çlirohen edhe nga shteti i tyre. I njëjti parim vlenë: nëse shtypja e lirive dhe varfërimi ekonomik është i padëshiruar nën osmanë e serbë, ai ështët i padëshiruar edhe nën shqiptarë.

Pra, në vend se simbolika e 100-vjetorit të shihet si thirrje për më shumë nacionalizëm, ajo në fakt është thirrje për më shumë pavarsi individuale nga shteti—duke e reduktuar ndikimin e tij në jetën si dhe ekonominë e shqiptarit i cili nën 3 flamuj të ndryshëm po vuan fatin e njejtë.