ekonomi

Mësimi nga protestat shqiptare në Vardarskë

Etjon Basha

Fatkeqësisht duket se Shqiptarët e Vardarskës nuk e kanë mbajtur presionin që tash ca kohë po ushtrohet nga shumica sllave dhe, të Premten e shkuar kanë organizuar një sërë protestash masive që në përgjithësi mund të konsiderohen vetëm si të turpshme. Mes dhunës dhe shfaqjeve të ekstremizmit fetar, ideja që tashmë fqinjët tanë të dashur do kenë mundësi të propagandojnë në Perëndim është se Shqiptarët nuk na paskan qenë dhe aq perëndimorë dhe që, në mënyrë implicite, mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës (dhe të Iliridës nesër) ka qenë gabim i madh.

Tani, i mbetem asaj që shkrova para pak kohësh mbi çështjen e trazirave në “Maqedoni”: sado që do përpiqen (dhe deri diku po ia dalin) armiqtë e shqiptarëve të na pikturojnë si ekstremistë fetarë, Maqedonia sërish i ka ditët e numëruara, dhe Ilirida do fitojë pavarësinë, herët ose vonë. Dhe meqë dëshira që shpreha tek ai postim, që Shqiptarët të mos binin pre e presionit të shumicës sllave, nuk u realizua, më së paku të realizohet dëshira e dytë: që kur (dhe jo ‘nëse’) Ilirida të pavarësohet, ajo në asnjë mënyrë nuk duhet ti  bashkohet qoftë Kosovës e qoftë Shqipërisë (a qoftë të dyjave!) nën një Parlament unik.

Fakti i pamohueshëm është që feja merret nga shqiptarët e Iliridës shumë më seriozisht se nga shqiptarët e Republikës (që mund të jenë qytetarët më afetarë në kontinent, sot për sot) dhe besoj se edhe kontrasti me shqiptarët e Kosovës është i qartë. Të detyroje këto tri mendësi mjaft të ndryshme të zgjidhnin një qeveri të vetme do ishte recetë për trazira civile të vijueshme në Shqipërinë ‘e madhe’, para së cilave trazirat që shkaktohen sot në Republikë nga ndryshimet në mendësi mes gegëve dhe toskëve do ishin veç zënka filloreje.

Një Shqipëri e tillë e destabilizuar do ishte “e madhe” vetëm në letër dhe në fantazinë e nacionalistëve, pasi në realitet do ishte pre fare e lehtë qoftë e presionit fqinj, qoftë e përpjekjeve të vendeve të caktuara që, duke printuar para si të çmendur gënjehen se mund të ngrenë një ekonomi të shëndoshë prej super-fuqie rajonale.

Kur Ilirida të pavarësohet, dhe kur Kosova ti mbylli hesapet me Serbinë duke lënë veriun për të marrë Preshevën, tre Shtetet Shqiptare do duhet të ngrenë një Komandë Ushtarake dhe Shërbim Diplomatik të përbashkëta dhe sovrane në drejtimin e një Presidenti (ndofta Mbreti?) Gjithë-Shqiptar, por në çdo çështje tjetër do duhet të ruajnë sovranitetin e plotë dhe lirinë për të zbatuar politika të brendshme në përputhje me mendësinë e popullsisë vendase.

Nëse protestat e shëmtuara të së premtes do na ndihmojnë të kuptojmë sot atë që i madhi Ismail Qemali pa para 100 vitesh në kushte të ngjashme, pra që Shqipëria mund të zgjedhë vetëm mes kantonizimit dhe shpërbërjes eventuale, atëherë dhe ky episod do ketë shërbyer për diçka.