Mitet e socializmit shqiptar: pjesa e I
Etjon Basha
Duke qenë se autori juaj ka shkruar rrallë së fundmi, do përpiqem të kompensoj disi me një seri prej katër shkrimesh mbi – e çfarë tjetër? – regjimin socialist të Hoxhës&co., ose më saktë mbi katër keqkuptime të hasura shpesh mbi këtë periudhë të historisë sonë. Sdo mend që mitet e socializmit shqiptar janë shumë më tepër se katër, por durimin e lexuesit nuk duhet ta testojmë me tepri. Si gjithmonë, çdo mendim i shprehur më poshtë e në vijim është personal. Kështu pra, proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni!
1. Demokracia apo kapitalizmi?
Është e zakonshme sot ti referohemi periudhës pas rënies së regjimit socialist si “periudha e demokracisë”. Zhvillimin e pamohueshëm të standardit tonë kulturor e material në këto dy dekada kështu ia faturojmë rëndom vendosjes së demokracisë. Mirëpo ky përfundim është kryekëput i gabuar.
Duhet të dallojmë me kujdes sistemin politik përkundër sistemit ekonomik të një vendi. Kështu, sistemi ekonomik i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë prej ’44-ës gjer në ’90-ën ka qenë sistemi socialist: pronësia e rreptë publike mbi mjetet e prodhimit si dhe (inovacion Sovjetik ky) mallrave të konsumit. Ndërkohë, sistemi politik i atyre viteve qe monizmi (por jo diktatura), ose kontrolli i aparatit shtetëror prej një partie.
Sot, sistemi ekonomik i Shqipërisë është më afër kapitalizmit, me pronësi kryesisht private të mjeteve të prodhimit dhe mallrave të konsumit, ndërkohë që sistemi politik është demokratik. Mirëpo nuk ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes këtyre sistemeve politike dhe ekonomike. Raste kur gjysmë-kapitalizmi nuk ka qenë lidhur me demokracinë gjenden me shumicë. Kili nën regjimin ushtarak të Pinoçetit, Kina bashkëkohore dhe mbarë Evropa e shekullit të XIX janë raste të njohura. Rastet e anasjellta, pra të socializmit demokratik, janë shumë më të rralla dhe të përkohshme. Ndofta Izraeli dhe India deri në vitet ’80 bëjnë pjesë në këtë kategori. E rëndësishme është pra të kuptohet që sistemet ekonomike dhe politike mund të zhvillohet thuajse pavarërisht nga njëri-tjetri.
Në fakt, a dyshon njeri që sikur Ramiz Alia (ose ndonjë juntë ushtarake) të kish ndjekur shembullin kinez e të kish liberalizuar plotësisht ekonominë në ’85-ën – pa lëshuar ndërkohë pushtetin politik – shqiptarët do kishin mbetur po aq të varfër edhe pa demokraci? Përgjigjen e merr me mend çdo shqiptar: sigurisht që jo. Nuk është aspak ‘demokracia’ ajo që i çliroi shqiptarët nga varfëria e skajshme e socializmit, por kapitalizmi. Demokracia luajti këtu veçse një rol dytësor në rastin më të mirë.
Dallimi i rreptë mes demokracisë dhe kapitalizmit ka rëndësi jetike pasi keqkuptimi në fjalë nuk është aspak një ngatërresë e pafajshme e qytetarëve të pamësuar me teori të holla të politikës ekonomike. Përkundrazi, ideja që qe demokracia – e jo kapitalizmi – ajo që rrëzoi Perden e Hekurt propagandohet fort nga shtetet perëndimore, e kryesisht nga Bashkimi Evropian në rajonin tonë.
Arsyeja është e qartë: Perëndimi sot po synon gjithnjë e më shumë larg kapitalizmit dhe drejt sistemit korporatist, dhe pranimi i fitores spektakolare të po këtij sistemi kapitalist që sot po flaket me kaq endje nga Brukseli e Uashingtoni do kish ftohur ambiciet e Lindjes për, në rastin tonë, tu bashkuar me Bashkimin Evropian.
Është pra e një rëndësie madhore që të humbasim zakonin gjuhësor për ti ‘faturuar’ demokracisë meritat e kapitalizmit. Ndofta kështu do harxhojmë më pak kohë në debate fëminore politike dhe do e vrasim mendjen pak më shumë për motorin ekonomik që na nxori aq lehtë nga varfëria e skajshme.
(vijon)
3 thoughts on “Mitet e socializmit shqiptar: pjesa e I”