ekonomi

Mitet e socializmit shqiptar: pjesa e III

Etjon Basha

3. “Populli shqiptar u mbajt nën një regjim terrori të egër për gjysmë shekulli”.

Nga ana tjetër e spektrit të sotëm politik na vijnë ‘perla’ jo më të vogla. Pretendohet fuqishëm që regjimi socialist në Shqipëri mbahej në këmbë veçse nga përdorimi i skajshëm i terrorit ndaj qytetarëve të cilët, duke parë se si familje të tëra internoheshin nëpër cepa të harruar apo burgoseshin pa shpresë lirimi për fjalën më të vogël, nuk guxuan kurrë të ngriheshin ndaj një regjimi që, në thelb, urrehej nga të gjithë.

"Agron, kur mos ta ketë mendjen mbyte me kravatën e tij"
“Agron, kur mos ta ketë mendjen mbyte me kravatën e tij”

Këto pretendime janë përralla dhe në këtë pikë të debatit, të drejtë kanë nostalgjikët.

Jo më pak se një anëtar i Partisë së Punës (me ç’duket ende në qarkullim) para pak vitesh i vuri në dukje një kundërshtari në debat se si regjimi socialist nuk kish si të qe diktatorial në kushtet kur masat e gjëra të qytetarëve qenë të armatosura dhe të stërvitura për luftë guerile.

Komunisti i zakonshmëm
Komunisti i zakonshmëm

Ndonëse prindërit tanë nuk mbanin, ashtu si Zviceranët, armatim nëpër shtëpi, depot ushtarake qenë shumë të shpërndara, të mirëpajisura dhe fare të lehta për tu hapur – “të mbrojtura nga një rojtar plak” siç u shpreh vetë folësi. Do kish qenë fare e lehtë teknikisht që populli i shtypur mizërisht të ngrihej, të hapte depot e të rrëzonte qeverinë pa ndonjë mund. Po të kemi parasysh natyrën milicore të ushtrisë, ajo qo kish qenë fare e pafuqishme ndaj një ‘kryengriteje’ të mirëfilltë masive, ndërkohë që çdo shqiptar ose shqiptare në moshë madhore do kish pasur një farë stërvitjeje ushtarake.

Nëse ky skenar iu duket fare fantazioz, mos harroni që saktësisht e njëjta gjë ndodhi në Mars të 1997-ës, kur po këto depo u hapën fare lehtë nga po këta qytetarë për të rrëzuar një qeveri të cilën nuk e dëshironin më. Përse regjimi socialist, tërësisht i izoluar e pa aleatë të jashtëm, na paskësh qenë imun ndaj këtij testi “demokratik”?

Nëse asgjë e tillë nuk ndodhi, e as që rrezikoi të ndodhte, duhet të kuptojmë që masa e madhe e shqiptarëve ndihej fare e kënaqur (në injorancën e saj të detyruar) me Shqipërinë e atyre viteve.

Por si ka mundësi që regjimi më i egër i Evropës Lindore nuk i druhej një kryengritjeje (fare të lehtë) masive por i druhej hapjes së kufijve? Arsyeja kërkon një analizë pak më të thellë.

Shqiptarët që jetuan nën socializëm mund ti ndajmë në dy grupe: ata që u edukuan në shkollat e regjimit, dhe ata që e panë shoqërinë socialiste në moshë madhore.

Në kushtet e indoktrinimit masiv dhe efektiv që socializmi shqiptar importoi nga Moska, mungesa e instinktit kryengritës te brezi i lindur në vitet ’40 e më tej është fare e kuptueshme. Këta breza kishin besim real (ndonëse të formuar artificialisht) tek regjimi dhe kurrë nuk do kishin menduar të ngrinin krye në emër të ‘imperializmit’ apo ‘revizionizmit’.

2

Por çelësi i këtij pushteti mbetej injoranca e përgjithshme: hapja e kufijve apo lejimi masiv i transmetimit të mediave perëndimore qo i kishin thyer lehtë iluzionet e këtyre brezave, duke e kthyer rrezikun e një kryengritjeje të përgjithshme në një kërcënim real. Kështu, ndonëse mbështetej në përforcimin e territ kulturor dhe izolimit të plotë të vendit, regjimi nuk i druhej fare armatosjes së shqiptareve që nuk kishin për të ngritur kurrë krye.

Grupi i dytë, ai i brezave të lindur para viteve ’40, mund serish të ndahet në dy nëngrupe, këtë herë në vija rajonale. Popullsia e rajoneve jugore qe ajo tek e cila regjimi gjithnjë u mbështet. Kjo popullsi (për arsye që nuk i shtjellojmë dot këtu) kishte mbushur radhët e formacioneve paraushtarake që fituan luftën civile të ’42-44-ës dhe u shpërblye bujarisht për mbështetjen e ofruar: deri në ditët e fundit të sistemit, administrata shtetërore dhe partiake u mbush, nga nivelet më të ulëta deri tek maja, me këtë brez. Është fare e kuptueshme që asnjë rrezik nuk mund të vinte prej këtij grupi, megjithëqë kufijtë për shumë anëtarë të administratës qenë shumë më ‘porozë’ se për pjesën tjetër të shqiptarëve.

Mbetet kështu i vetmi grupim që përbëri opozitën e vetme potenciale në Shqipëri: brezat e lindur para viteve ’40 të trevave veriore të Shqipërisë. Të dobësuara nga emigrimi dhe lufta civile si dhe të mbetur në pakicë në kufijtë e ’45-ës, këto popullsi nuk qenë në pozitë për të rrezikuar ushtarakisht regjimin socialist, megjithëqë aktiviteti gueril nuk u shua kurrë plotësisht në veri të vendit.

Kështu pra, shumica (e cila gradualisht u bë dërrmuese) e shqiptareve nuk menduan kurrë që po jetonin nën ndonjë diktaturë të egër e shtypëse. Regjimi socialist u mbështet tek injoranca, izolimi, indoktrinomi dhe lufta e vijuar civile, por jo në terror të përgjithshëm. Edhe ky mit duhet të zhduket nga ndërgjegjja kolektive e shqiptarëve.

(vijon…)