Mitet e socializmit shqiptar: pjesa e IV
Etjon Basha
4. “Liberalizimi i ekonomisë në vitet ’90 shkatërroi industrinë vendase”
Së fundmi, ç’mund të thuhet mbi pretendimin të mirënjohur që ‘terapia e shokut’ e viteve ’90 shkatërroi tërësisht gjithë bazën e kapitalit industrial në Shqipëri?

Dy përgjigje vijnë natyrshëm.
Së pari, si mund ta dinë me kaq siguri nostalgjikët tanë që fabrikat e ngritura gjatë kohës së socializmit vlenin më shumë si mjete prodhuese se si skrap? Askush nuk e mohon që shumica dërmuese e makinerive në përdorim në këto fabrika qenë të një niveli teknologjik tejet të vjetruar, edhe me standardet e lindjes socialiste, jo më të perëndimit. Sa valutë të huaj, jetike në ato vite të para të vështirësisë së skajshme ekonomike, mund të fitonte Shqipëria nga shitja e sapunit ose gomës shqiptare përkundër ofertave tejet të lira dhe shumë më cilësore ndërkombëtare?

Gjasat janë që duke shkatërruar dhe shitur për skrap këto asete, Shqipëria fitoi fluksin e parë të valutës së huaj që u bë i domosdoshëm për nisjen e aktivitetit të parë tregtar ndërkombëtar, aktivitet që ktheu klasën e mesme (dhe qytetërimin) në Shqipëri pas një gjysmëshekulli harrese.
Mirëpo me të drejtë mund të ngrihet një kundërshti në këtë pikë: këto asete prodhuese në fakt nuk iu nënshtruan fare testit të tregut. Nuk u organizua ndonjë ankand i këtyre fabrikave, e as u shpërndanë aksione popullsisë së përgjithshme ose së paku punëtorëve. Këto asete u shkatërruan spontanisht nga turma të inatosura të cilat më tej vijuan të shisnin ç’mundën. A është ky ‘privatizimi’ i famshëm që mbrojmë këtu?

Ndonëse këto pretendime janë tërësisht të vërteta, nostalgjikët bëjnë mirë të mos i trumbetojnë fort. Kjo pasi faji për këtë “privatizim” shkel-e-shko bie kryekëput në derë të vetë regjimit socialist. Nëse, pas vdekjes së Hoxhës, rrëgjimi do kish nisur reformën graduale ekonomike, privatizimi i aseteve prodhuese do kish vijuar i rregullt dhe gradual. Shqipëria do kish hyrë në historinë Evropiane si vendi që flaku i pari socializmin në Lindje, dhe ndofta i gjithë episodi i shëmtuar i 1997-ës do qe shmangur plotësisht (por kjo është çështje tjetër).
Por regjimi vendosi të mbërthente pushtetin sa më gjatë të qe e mundur (me gjithë gjasat aq sa eksponentët kryesorë të shpëtonin ç’të mundnin nëpër llogari private në Perëndim) duke flakur tutje mundësinë e artë që vdekja e Hoxhës i ofroi Shqipërisë për tu liberalizuar e para në mbarë lindjen. Kjo zgjedhje e dënoi masën e gjerë të qytetarëve të vuanin deri dhe urinë, dhe rriti tensionin e përgjithshëm në maksimum.
Kur muri i izolimit, në vazhdën e ngjarjeve të ’90-ës në Lindje, më së fundi ra edhe në Shqipëri dhe popullsia e gjerë në fund e kuptoi se ç ‘sakrifica të tmerrshme kishte bërë për një gjysmëshekulli, turmat e inatosura qenë fenomeni më i butë që mund të pritej. Madje, masa e gjerë e shqiptareve u sollën me shumë qytetari duke pasur parasysh rrethanat.
Mund të qe djegur Komitetit Qendror me gjithë staf brenda (e pabesueshme? operativët e ShIK-ut në Vlorën e ’97-ës do mendonin ndryshe sikur të qenë në gjendje të mendonin), e jo ndonjë fabrikë e vjetruar në periferi.
Kështu, edhe faji për shkatërrimin e nxituar të bazës modeste dhe gati-muzeale industriale shqiptare e mban i vetëm regjimi luminar socialist shqiptar. Ky regjim për 50 vjet ushqeu etjen për pushet të një brezi e rajoni ta caktuar me mundin dhe jetët e popullsisë së gjerë që mbahej në injorancë dhe terr mendor, kushtet e një stalle të madhe në formën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Nëse disa fabrika të stër-vjetëruara u ngritën me mundin e disa brezave, ato sërish u sakrifikuan për ti blerë këtij regjimi pesë vjet më shumë kohë.
Nëse, duke njohur gjithë këto fakte – që nuk ka shqiptar që nuk i njeh mirë – ende sot mbesin nga ata që idealizojnë këtë regjim, kjo veçse flet për nevojën urgjente të kantonizimit të Hapësirës Shqiptarë. Le ti shkojë Qesarit ajo që i takon Qesarit.

3 thoughts on “Mitet e socializmit shqiptar: pjesa e IV”