ekonomi

Mitet e socializmit shqiptar: pjesa e V

Etjon Basha

(në vazhdën e shkrimeve 1,2,3,4)

Sikur të mbyllim ca kisha e xhami, mërziteni o çuna?
Sikur të mbyllim ca kisha e xhami, mërziteni o çuna?

Vizita e së Dielës së shkuar të Papës në Shqipëri i dha rast shumëkujt të krenohej me traditën e tolerancës fetare që mbizotëron në Shqipëri. Mes atyre që krenohen ka pasur çuditërisht edhe nga ata nostalgjikë të regjimit socialist që kanë pretenduar që një pjesë jo e vogël të tolerancës së sotme fetare është krijuar, me apo pa dashje, nga fushata e egër e luftës ndaj fesë në të cilën u angazhuan Hoxha&co. (ironikisht, pikërisht ajo fushatë që u dënua ashpër gjatë vizitës së papës) Argumenti thelbësor duket të jetë ky: brezi i lindur nën regjimin socialist është dukshëm më pak fetar se brezi paraardhës. Nëse ky brez, i cili ruan sot tolerancën fetare, do të ish rritur thjesht në ndikimin e prindërve dhe nuk do i qe nënshtruar fushatës anti-fetare socialiste, pretendohet që Shqipëria do qe shumë më pak tolerante sot.

Para se të hetojmë se sa qëndron ky argument, duhet të themi që ai bie kryekëput ndesh me etikën liberale. Edhe nëse e marrim të mirëqenë (tani për tani) këtë vijë mendimi, fushata e dhunshme e mbylljes së objekteve të kultit e në përgjithësi të fesë së organizuar mbetet një thyerje e rëndë e parimit të mos-sulmit dhe si e tillë duhet dënuar edhe nëse pretendohet që ka sjellë të mira gjysëm shekulli pas faktit.

Ekzistojnë qindra e mijëra thyerje të të drejtave individuale të cilat mund të arsyetohen, së paku në teori e së paku nga një grusht njerëzish, si të domosdoshme pasi sjellin aksh të mirë në të ardhmen, por një komb do tregohej naiv në kulm nëse do besonte secilin prej këtyre argumenteve. Ndonëse mund të ndodhë herë pas here që ndonjë masë të thyeje etikën liberale e megjithatë të përmirësojë dukshëm situatën e përgjithshme (standard i dyshimtë e tejet i vështir për tu matur), rregulli i përgjithshëm është që etika liberale ecën hap pas hapi me mirëqenien e përgjithshme. Më mirë të ndjekim thuajse verbërisht këtë kod etike e të humbasim ndonjë rast të rrallë për të përmirësuar lehtë mirëqenien e përgjithshme sesa ti hyjmë rrugës pa krye të thyerjes së lirisë individuale duke besuar në argumente të “së mirës së përgjithshme”. Rrugët e ferrit shtrohen me argumente të së mirës së përgjithshme.

Po mirë pra, a qe fushata e ashpër anti-fetare e rrëgjimit socialist pikërisht një nga këto masa të rralla që, ndonëse në kundërthënie me etikën liberale, sërish sollën të mira pas faktit? Aspak! Përkundrazi, mund të argumentohet fare lehtë që kjo fushatë e përkeqësoi balancën fetare në Shqipëri për së paku tre arsye.

Së pari, pak’kush e mendon se si paska mundur regjimi të ndërmarrë këtë fushatë aq të egër në kushtet e një popullsie që e merrte fenë seriozisht. Le të mendojmë për një çast çdo ndodhte sikur në Arabinë Saudite apo Amerikën Latine të sotme të vinte në pushtet një qeveri që do ndërmerrte qoftë dhe një të dhjetën të masave që komunistët shqiptarë ndërmorën kudër fesë. Në kushtet e një popullsie realisht fetare, kjo qeveri do rrëzohej dhunshëm dhe brenda ditës nëse do i vinte tritolin ndonjë xhamie apo kishe në këto vende. Si ka, pra, mundësi që në Shqipëri nuk pati kurrfarë rezistence të organizuar ndaj masave të tilla? Sa kohë kemi kujdes të mos biem në kurthin e konceptimit të regjimit socialist si një regjim që u mbajt në këmbë me dhunë, do kuptojmë lehtë që popullsia e atyre viteve në Shqipëri nuk kishte ndonjë ndjenjë kaq të theksuar fetare që para ndërmarrjes së fushatës komuniste. Pra, regjimi socialist nuk morri një popull fundamentalistesh myslimanë, ortodoksë e katolikë  që thereshin përditë mes vedi për ti kthyer në qytetarë tolerantë evropianë, por gjeti një popullsi tolerante dhe relativisht afetare dhe la një popullsi që, në rastin më të mirë, mbeti po aq tolerante dhe afetare.

Madje, duke ngacmuar torbën e emocioneve fetare që deri asokohe qenë relativisht të fjetura, rregjimi mund të ketë ndikuar në rilindjen e rrymave më fondamentaliste pas viteve ’90. A do kishte rënë pre aq lehtë e këtyre ndikimeve fondamentaliste ajo pjesë e popullsisë që faktikisht i përqafoi ato në kushtet kur tradita e organizuar fetare në Shqipëri do kish mbijetuar e do ish zhvilluar vetiu? Përgjigja merret lehtë me mend.

Së dyti, duke vonuar zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, regjimi socialist i ka lënë shumë më tepër hapësirë ndjenjave të forta fetare. Është tashmë fakt i mirënjohur që sa më e pasur të jetë një shoqëri, aq më pak tentojnë ndjenjat fetare të shkojnë kah ekstremizmit dhe imponimit të dhunshëm. Ndonëse një herë e një kohë Gjermania është djegur fund e krye për shkak të luftërave fetare mes katolikëve dhe protestantëve, është tejet e vështirë të përfytyrosh gjermanët e sotëm që luftojnë për të imponuar besimin e tyre individual. Madje dhe vende që e lidhin shumë fort identitetin e tyre kombëtar me fenë, si Greqia apo Izraeli, kanë përjetuar prej zhvillimit ekonomik një fashitje të ndjenjave fetare tek brezat e rinj.

Edhe në ketë këndvështrim regjimi socialist ka përkeqësuar, jo përmirësuar, gjendjen e tolerancës fetare në Shqipëri. Duke i lënë shqiptarët shumë më të varfër nga çdo kishin qenë nën çdo regjim tjetër gjysmë-kompetent, Hoxha lejoi që sot ndjenjat e skajshme fetare të kenë shumë më tepër hapësirë për tu përhapur.

Së treti, duket një e vërtetë e pamohueshme, ndonëse fort e papëlqyer për mendësinë moderne perëndimore, që toleranca fetare lulëzon më lehtë në kushtet e ndarjes fizike mes popullsive praktikuese. Kështu, pjesë jo të vogël në tolerancën e vijuar fetare në Shqipëri ka pasur dhe zakoni i ndarjes së rreptë (ndonëse vullnetare) të lagjeve fetare prej njëra-tjetrës. Duke u takuar kryesisht nëpër pazare për të bërë tregti, besime të ndryshëm e kishin shumë më të  lehtë të toleronin të tjerët, sa kohë që këta të tjerët nuk shqetësonin njeri. Me politikën famëkeqe të zhvendosjes së brendshme të popullsisë, regjimi socialist i dha fund kësaj praktike që kishte evoluar lirshëm në shoqërinë shqiptare. Duke “përzierë” shtresa të gjëra të shoqërisë që nuk kishin aspak dëshirë të përziheshin, kjo politikë rriti tensionet ndër-fetare, nënë iluzionin që, tashmë që kishat e xhamitë qenë shembur dhe që askush nuk kish bëre rezistencë, praktika disa-shekullore të tolerancës mund të falkëshin sepse identitetet kulturore-fetare qenkëshin zhdukur.

Ndonëse lëvizja e lirshme e popullsisë gjatë viteve ’90 riktheu një farë balance (duke shkuar deri aty sa të kthente zona të tëra historikisht miske në një-fetare), edhe sot vijojnë efektet e periudhës kur besime të ndryshme e detyruar të “bashkëjetonin” në kuptimin e plotë të fjalës.

Për të gjitha këto arsye, mund të themi që toleranca fetare në Shqipëri është sot më e dobët nga çdo kish qenë në mungesë të regjimit socialist, aspak më e fortë. Ato masa ta ashpra dhe në thyerje të të drejtave individuale që u morën gjatë luftës ndaj fesë, regjimi mundi ti ndërmerrte vetëm në sajë të mungesës së ndjenjave të forta fetare në popullsinë e përgjithshme, ndërkohë që këto dhe të tjera politika të Hoxhës mbollën farat e mosbesimit ndër-fetar që ndofta ende nuk e kanë dhënë efektin e tyre të plotë. Sidoqoftë, Shqipëria nuk ka përfituar aspak nga lufta fetare e regjimit socialist.

Seriozisht, prinsit përfundim tjetër nga ky blog?
Seriozisht, prinsit përfundim tjetër nga ky blog?