ekonomi

Mitet e socializmit shqiptar: pjesa e VI

(pjesë e serisë  1, 2, 3, 4, 5)

1

“Programi i bunkerizimit qe veçse tregues i paranojës së sëmurë të Hoxhës.”

Regjimi gjysmë-shekullor socialist i Hoxhës me shokë ka bërë aq shumë gafa, padrejtësi e idiotësi ndër vite sa është fare e kotë të shtohet kjo listë tepër, tepër e gjatë duke dënuar pa të drejtë edhe ato pak raste kur ky regjim në fakt veproi në mënyrë pak a shumë racionale. Një rast i tillë është pikërisht programi i bunkerizimit të vendit.

Është tashmë de rigeur dënimi i gjerë i këtij programi masiv të ndërmarrë në dekadën e fundit të pushtetit socialist si një fiksim qesharak dhe paranojak në skaj i Hoxhës i cili shihte armiq pas çdo cepi dhe ushtri e flota të gatshme për të përpirë Shqipërinë e vogël pas çdo kilometër kufiri. Dhe në të vërtetë, a nuk u vërtetua natyra qesharake e këtij fiksimi nga fakti që askush nuk e sulmoi realisht Shqipërinë e vogël, me gjithë retorikën tonë të ashpër e të bezdisur si për fuqitë perëndimore ashtu dhe ato lindore?

Ja që ky opinion i prerë e bardh e zi duhet të kualifikohet fuqimisht.

Së pari, duhet kuptuar që cilado masë mbrojtëse rezulton e suksesshme pikërisht kur nuk përdoret, pra kur arrin të rrisë koston e një sulmi të mundshëm në atë masë që e shtyn agresorin të heqë dorë paraprakisht. Argumenti që bunkerizimi ishte shpërdorim masiv burimesh pikërisht sepse askush nuk na sulmoi është një argument skajshmërish naiv. Sikur të që mes nesh sot, Hoxha do përgjigjej: pikërisht pra!

2
Autografet të Premteve

Por shumëkush do mbetet i pabindur nga ky argument: “hë pra zotërinj, kush na e varte aq shumë sa të sulmonte Shqipërinë vogël qesharake?”

Edhe ky është një opinion naiv që tradhton një botëkuptim disi të cekët të marrëdhënieve ndërkombëtare: secili vend në çdo kohë rrezikon së paku në parim të bie pre e detyrimit ushtarak nga të tretë në çastin që interesat e tij bien ndesh me interesat e vendeve të tjera. Dhe sa më shumë masa mbrojtëse të ketë ndërmarrë një vend, aq më shumë mund të ngulë këmbë tek interesi i tij pa u frikësuar nga pasojat ushtarake.

2
Gjella me kripë dhe kripa me karar ama

Le të marrim një shembull, një histori alternative ku Shqipëria ndërmerr një program të gjerë bunkerizimi i cili, le të supozojmë, rezulton efektiv (ose mendohet gjerësisht si i tillë nga të huajt). Por ndryshe nga historia reale, Shqipëria jonë alternative çuditërisht nis e bëhet shumë më kërkuese për të drejtat e Shqiptarëve në Jugosllavi. Nëse përçapjet diplomatike nuk mjaftojnë, ato kombinohen me financimin e drejtpërdrejtë të grupeve politike në Jugosllavi apo diasporë, si dhe, in extremis, armatosjen, stërvitjen dhe strehimin në zonën kufitare të grupeve të caktuara militante, të cilat mund të përdoren paralelisht me dy metodat e tjera.

3

Duke kombinuar këto masa, Tirana synon të sigurojë në afat të mesëm ruajtjen e statusit të posaçëm të Dardanisë e madje zgjerimin e tij në atë të Republikës në vitet e fundit të Jugosllavisë federale.

Jugosllavët do mund të përgjigjeshin fare lehtë ndaj një cënimi të tillë faktik të sovranitetit të tyre me mjete ushtarake (duke u kujdesur të mos përshkallëzonin situatën deri në luftë të hapur), por tashmë do mendohen më gjatë për shkak se një sulm i tillë do qe shumë më i kushtueshëm për ta: aty ku më parë kufiri qe i hapur, tashmë kemi një vijë të fortifikuar dhe ajo që do kish qenë një ekspeditë e thjeshtë ndëshkimore për të shkatërruar kampet guerrile në veri të vendit do mund të kthehej në luftë të hapur e tepër të shtrenjtë për palët. Tirana do mund të shtyjë programin e saj shumë më në skaj në këto kushte, aty ku më parë mund veçse të angazhohej në retorikë të padobishme.

Nëse mendoni që ky skenar është tërësisht fantazioz, vini re që kjo është pak a shumë ç’u përpoqën të bënin Shqipëria dhe Jugosllavia gjatë luftës civile greke, gjatë së cilës i dhanë mbrojtje, strehë si dhe furnizuan forcat komuniste. Mirëpo në 49-ën e largët, Shqipëria nuk zotëronte ndonjë fortifikim të hairit në kufi dhe grekët e gjetën të lehtë, të arsyeshme e të dobishme të mësynin gjerësisht kufirin jugor në një aksion blic, duke rrezikuar dhe shkëputjen e krahinave të tëra në jug. Që nga ky episod, Tirana e kuptoi që nuk luhet me zjarrin, dhe ruajti një qëndrim “korrekt” (ndonëse retorikisht të bezdisur) në rajon. Ndryshimi i vetëm me skenarin tonë fantazioz është që Shqiptarëve nuk u prishej fort puna për fitimtarët e luftës civile në Greqi, por do u kish interesuar shumë mbështetja e bashkëkombësve në Jugosllavi.

Kështu pra, kritikët e bunkerizimit ose dhe të shpenzimeve (relativisht) të larta ushtarake të Shqipërisë socialiste duhet të kuptojnë që këto shpenzime nuk u hodhën në vepra e mjete që mbetën të papërdorura për shkak se askush nuk na sulmoi: ato qenë investime që i lejuan Shqipërisë të sillej shumë më lirshëm nga çdo mund të qe sjellë ndryshe. Se si vendosi regjimi të përdorte këtë liri, kjo është çështje tjetër.

1
Më në fund mund të realizojmë endrrën shekullore të Kombit Shqiptar: financimin e lëvizjeve guerrile në Afrikë

Por si ithtarë të liberalizmit e të lirisë edhe për të gabuar, nuk mund të themi që programi qe i kotë sepse i lejoi Hoxhës lirinë për të gabuar (rëndë) në arenën ndërkombëtare (e di, një zbatim disi ironik i parimeve të liberalizmit).

Fundja, askujt nuk i shkon ndër mend të kritikojë programe të ngjashme fortifikimi të ndërmarra nga Zviceranët apo Izraelitët, megjithëqë arsyet e tyre qenë të njëjta me ato të Hoxhës dhe askush nuk sulmoi realisht as Zvicrën. Por çuditërisht, Zviceranët na u treguan largpamës që u fortifikuan duke ruajtur pavarësinë gjatë Luftës së fundit Botërore, ndërkohë që ne u treguam idiotë e paranojakë kur kërkonim armiq pas çdo cepi.

4
Ndonëse të tyret janë padyshim më seksi

Argumenti real kundër programit të bunkerizmit është ai i kosto-përfitimit: a mund t’ia lejonte vetës Shqipëria skajshmërish e varfër e atyre viteve  një shpenzim të tillë ekstravagant që pak ose aspak vende e kanë përsëritur?

Nga këndvështrimi i ngushtë i regjimit, përgjigjja është një “po” e prerë: klasa sunduese jetonte në luks relativ dhe standardi i saj i jetës nuk do cënohej nga programi i bunkerizimit. Për ta, liria e veprimit dhe masa e shtuar e sigurisë që fitohej nga këto shpenzime qenë më se të vlefshme e të justifikuara.

Nga ana e interesit të gjerë të Shqiptarëve, përgjigja është më pak e qartë. Është e vërtetë që kapitali i derdhur në dhjetëra-mijëra bunkerë mund të qe përdorur për ndërtimin e veprave të mëdha infrastrukturore, qoftë në transport, energjetikë, tregti të jashtme, industri e kushedi se n ç’fushë tjetër.

Por nga ana tjetër, regjimi skandalozisht i paaftë i Hoxhës më shokë arriti të shpërdoronte në mënyrë qesharakë fonde shumë më të mëdha të derdhura në vite për po këto qëllime, fonde të krijuara nga sakrificat dhe mundi i një brezi të tërë shqiptarësh. Standardi i përgjithshëm i jetës që aq i ulët në ato vite nuk rridhte dhe aq nga stoku i ulët i kapitalit (siç ndodh sot) sesa nga shpërdorimi masiv i atyre burimeve të rralla. Gjasat janë që edhe vrulli bunkerizues, po të qe derdhur në ekonomi, sërish do kish krijuar veçse një vrimë edhe më të madhe në ujë.

6.jpg
Sikur të kishim kyrsyer ca te bunkerët

Kështu, nuk mund të themi me siguri nëse vrulli bunkerizues qe një shpërdorim fondesh nga këndvështrimi i shqiptarit të kohës, po të kemi parasysh cilësinë e ulët të klasës sonë sunduese. Por me siguri duhet të pranojmë që këto masa nuk u morën më kot dhe të ushqyera veçse nga paranoja e thellë një individi, por duket se u menduar mirë si mënyra më e lirë për të fituar liri më të madhe veprimi. Në duar më të afta, ndofta kjo liri do mund të ish përdorur në mënyrë më efektive.

1