Uncategorized

Miti i subvencioneve

Bardhyl Salihu

Njëri prej grupeve më të privilegjuara të tregtarëve në Kosovë—vreshtarët—janë ngritur sërish me kërkesat e tyre absurde. Duke e shfrytëzuar mendimin e përhapur në Kosovë që subvencionimi është ekonomikisht i leverdishëm si dhe duke kërcënuar indirekt me vandalizëm ngjajshëm si herën e fundit kur e thyen objektin e kompanisë Stonecastle, vreshtarët janë në pozitë të mirë për t’i rifituar privilegjet e vjetra. Ka ardhë koha që miti i subvencionimit të ekspozohet.

Subjektiviteti i vlerës

Argumenti më i shpeshtë për subvencionim është ideja që ekzistojnë disa produkte “strategjike” të cilat duhet patjetër të favorizohen mbi produktet dhe shërbimet tjera. Termi “produkte strategjike” vjenë nga teknokracia, një filozofi totalitare që thotë se shoqëria duhet të dirigjohet nga një shtet i cili përbëhet prej ekspertëve të fushave të ndryshme të shoqërisë. Këta ekspertë pastaj i definojnë disa produkte dhe shërbime “strategjike” të cilat sjellin “rritje” ekonomike më të madhe se sa produktet tjera si dhe janë në pajtueshmëri më standardet morale të përcaktuara nga shteti. Një politikë e tillë është aplikuar në Spanjë në regjimin e Frankos, me rezultate totalisht katastrofale.

Ku është problemi? Problemi me idenë e “produkteve strategjike” është tek injorimi i postulateve më themelore të shkencës ekonomike. Një postulat i tillë është fakti që vlera e të gjitha produkteve dhe shërbimeve në ekonomi përcaktohet në mënyrë subjektive. Vetëm individi mund ta përcaktojë se cilat produkte i përmbushin më së miri kërkesat e tij. Nga shfaqja subjektive e këtyre kërkesave pastaj formohen çmimet të cilat janë norma të shkëmbimit dhe mund të konsiderohen të jenë objektive.

Pra, ideja që rrushi, qumështi, apo veturat janë produkte “strategjike” nuk ka kuptim fare sepse nuk ekziston një baze racionale për të bërë një vlerësim të tillë. produktet janë produkte “strategjike” vetëm përderisa i shërbejnë kërkesave subjektive të individëve. Por, për ta caktuar se cilat produkte i shërbejnë kërkesave të individëve duhet të ekzistoj një treg në të cilin këta individë mund t’i shfaqin preferencat. Subvencionimi i disa produkteve nëpërmes procesit politik i injoron tërësisht këto kërkesa individuale në favor të grupeve të interesit të përzgjedhura për arsyeje që s’kanë të bëjnë fare me kënaqjen e kërkesave të konsumatorëve.

Ekonomiksi i subvencioneve

Por, a nuk sjellin subvencionet së paku rritje ekonomike? Aspak, madje e bëjnë të kundërten. Ta keni në konsideratë që me subvencionim nuk kemi krijim shtesë të prodhimit por vetëm ri-shpërndarje të burimeve ekzistente nga një vend në tjetrin. Në mënyrë që vreshtarët të subvencionohen, shteti duhet t’i marrë paratë nga diku. Këtë duhet ta bëjë nëpërmes TVSh-së apo tarifave doganore dukë i varfëruar konsumatorët, nëpërmes taksës në të hyra personale duke i varfëruar punëtorët, apo nëpërmes taksës së korporatave duke i varfëruar bizneset që krijojnë vende pune. Pra, cila do mënyrë që zgjedhet, dikush duhet të paguaj për të dhe në realitet nuk do të ketë prodhim shtesë por vetëm bartje të burimeve tek vreshtarët nga ata që paguajnë.

Rritja ekonomike mund të vijë vetëm kur i shtohet diçka totalit, e jo kur brenda totalit të caktuar bëhen ndryshime në komponim. Jo vetëm që subvencionimi nuk i shton diçka totalit duke e ndryshuar komponimin, ai madje i hjekë. Kjo ndodhë sepse grupet e shoqërisë nga të cilat merren të ardhurat nëpërmes taksave për t’ju dhënë vreshtarëve tani kanë më pak nxitje të prodhojnë kur e dijnë që një pjesë e prodhimit tyre nuk do t’i takojë fare. Për shembull, bizneset ju kundërpërgjigjen kostove shtesë të taksave duke larguar punëtorë ose duke e zvogëluar prodhimin. Rezultati përfundimtar i subvencioneve është tkurrja e jo rritja ekonomike.

Problem tjetër me subvencionet është dëmi që ato i bëjnë mekanizmit të çmimeve. Kur rritet kërkesa për një produkt të caktuar, rritet edhe çmimi i tij. Rritja e çmimit paraqet mundësi të re për përfitim, gjë që i nxitë sipërmarrësit e orientuar nga përfitimi të futen në treg dhe ta përmbushin kërkesën deri në pikën kur nuk është më profitabile të prodhohet aty. Subvencionimi e dëmton këtë proces tejet të rëndësishëm përshkak se i dënon prodhuesit e suksesshëm duke i taksuar kurse i shpërblen prodhuesit e dështuar.

Tregu është rigozor kur është fjala tek kualiteti dhe çmimet: sipërmarrësit duhet të garojnë vazhdimisht për përfitim duke i ndryshuar për së miri këta dy parametra. Sipërmarrësit e suksesshëm shpërblehen me përfitim kurse të dobëtit i kanë ditët e numëruara. Mirëpo, kur subvencionimi hynë në skenë rregullat e lojës ndryshojnë. Tregtarët e subvencionuar si vreshtarët nuk kanë më nxitje të prodhojnë produkte kualitative kur e kanë të garantuar shitjen dhe janë të mbrojtur nga humbja. Si rezultat, kualiteti i tyre bie dhe kjo përbën një varfërim ekonomik tjetër.

Etika e subvencioneve

Faktori etik është i rëndësishëm po aq sa ai ekonomik. Ka raste kur një akt mund të jetë ekonomikisht i leverdishëm, por nga pikpamja etike është i papranueshëm. Shembull konkret është kostoja tejet e lirë e punëtoreve të mitur, por të cilët e rrezikojnë seriozisht shëndetin në minierat e Kinës apo Indisë. Përveç që subvencionimi nuk është ekonomikisht i leverdishëm—madje siç e pamë është i dëmshëm—ekzistojnë edhe problemet etike me të.

Problemi themelor është që duhet të realizohet me dhunë. Po të ishte subvencionimi proces ku konsumatorët solidarizohen me vreshtarët duke i blerë produktet e tyre vullnetarisht—siç ndodh në treg të lirë—atëherë nuk do të kishte problem fare. E vërteta është që për subvencionim nevojitet mbledhja e dhunshme e taksave të cilat nga pikpamja etike nuk mund të konsiderohen asgjë më pak se haraç apo reket.

Problem tjetër etik është që subvencionimi sygjeron që disa tregtarë janë individë më të rëndësishëm të shoqërisë se tregtarët tjerë apo konsumatorët. Edhe pse ky mund të mos jetë fare qëllimi politik i skemës së subvencioneve, një gjë e tillë ndodh faktualisht përshkak se statusi i të subvencionuarve ngritet në skllavopronarë mbi statusin e skllavit që i mbetet atyre që paguajnë. Është totalisht e papranueshme nga pikpamja etike që dikush të rroj në kurriz të tjetrit si parazit.

Argumenti etik—apo më mirë të them emociononal—që vreshtarët duhet t’i mbajnë familjet e tyre dhe si rezultat duhet patjetër të përfitojnë është absurd sepse kjo vlen për secilin tregtar që ka familje. Të gjithë e kanë këtë problem dhe kjo nuk i bënë vreshtarët të veçantë. Përafërsisht e njejta vlen edhe për argumentin që vreshtarët e bartin rrezikun e pamundësisë për ta shitur produktin në treg. Secili sipërmarrës që del në treg për të shitur e bartë një formë të rrezikut përshkak se çdo shitje i përket së ardhmes, dhe meqë e ardhmja është pasigurtë, çdo shitje bëhet spekulative. Ky rrezik nuk mund të zhduket, vetëm të bartet nga ata të cilët kanë vendosur të futen në treg (vreshtarët) tek ata që nuk janë futur fare (taksapaguesit), gjë që është totalisht e pamoralshme.

Përfundimi

Vreshtarët duhet përfundimisht të ndalojnë së kërkuari privilegje monopoliste në mënyrë që ta akomodojnë pamundësinë e tyre profesionale për të shitur. Në anën tjetër, shteti duhet të pushoj së rënduari qytetarët më të varfër të Evropës me taksa të dhunshme e destruktive dhe duhet t’i shuaj të gjitha skemat subvencioniste. Jo vetëm vreshtarët, por të gjithë tregtarët tjerë duhet të garojnë për përfitim duke i zvogluar çmimet apo duke e rritur kualitetin në konkurrencë të hapur me kundërshtarët e tyre, e jo duke përfituar përkrahje institucionale në dëm të tjerve.