Miti që shteti është zgjidhja

Bardhyl Salihu

(Përgjigje ndaj shkrimit “Dy mitet e sektorit privat” nga Besnik Pula)

Ideja që Qeveria e Kosovës është e udhëhequr nga principet e tregut të lirë është njëra prej thënieve më pavenda që mund të thuhet sot për të. Vetëm pse Qeveria e ka përpiluar një dokument të shkurtër në të cilin e parashtron synimin për të privatizuar ndërmarrje publike, që përbën veçse një imtësinë të një plani liberal të mirëfilltë, nuk do të thotë fare qe ky plan do të vihet në veprim. Të gjithë e dimë sa pak nga synimet dhe ligjet e shkruara deri më tani janë implementuar. Ne i përqeshim haptazi synimet e Qeverisë për ta mbajtur fjalën, si për shembull premtimin për rritjen e pagave në sektorin publik, por tani papritmas z. Pula na qenka i bindur që ata e kanë me mend ta realizojnë planin e tyre “liberal”.

Qeveria mund të ketë shkruar që “si masë ndërhyrëse përfshihet vetëm privatizimi i aseteve publike”, por deklaratat e vazhdueshme të ministrit Besim Beqaj e kanë bërë të qartë që fjala është vetëm për dy privatizime kryesore: PTK-në dhe Distribucionin e KEK-ut. Pra, karakterizimi i planit ekonomik të Qeverisë si synim për privatizim në shkallë të gjerë, siç lë të kuptohet z. Pula, është thjeshtë i gabueshëm.

E gjithë ideja e një Qeverie me principe “liberale” bie në ujë dhe as që mund te diskutohet me seriozitet kur i lëmë anash talljet dhe i hapim sytë për ta shikuar realitetin: Qeveria ka vënë taksa të larta në krahasim me pasurinë e qytetarëve nga të cilët i merr ato (më të varfrit në Evropë); e ka aplikuar TVSH-në e cila është praktikisht taksë e shitjes dhe pasoja afatgjate e së cilës (përveç rritjes së çmimeve) është zvogëlimi neto i pagave; ka vënë licenca në shumë sektorë të ekonomisë duke i dhënë privilegje monopoliste disa prodhuesve në dëm të konsumatorëve sa i përket çmimit dhe kualitetit (rasti i fundit ka qenë tenderi absurd me mishin e importuar); ka krijuar barriera administrative për ambientin biznesor duke e bërë të vështirë hapjen e bizneseve të reja dhe menaxhimin efikas të atyre ekzistente (shembull konkret është komplikimi ne kodin fiskal i cili nuk e lejon kalimin nga partneriteti në sh.p.k. me lehtësi); i ka penguar vazhdimisht investitorët e huaj te cilët janë shpresa e vetme për gjenerimin e kapitalit dhe sjelljen e njohurisë profesionale; kundërmon nga korrupsioni i cili synon ta zhvatë çdo para publike të marrë nga taksapaguesit; shpërndanë subvencione për grupet e ngushta të interesit si dhe për ndërmarrjet publike të cilat vazhdimisht kanë dështuar t’i ofrojnë edhe shërbimet më elementare (si KEK-u rrymën, Ibër-Lepenci ujin, Hekurudhat transportin, Higjiena mbledhjen e mbeturinave, e madje edhe Policia sigurinë). Ndërhyrjet dhe pengesat e Qeverisë në ekonomi nuk kanë fund, kështu qe karakterizimi i saj si “liberale” apo edhe “neoliberale” nuk mund të jetë më i gabuar.

Z. Pula vazhdon duke thënë, me të drejtë, që sektori privat në Kosovë përshkohet nga dobësi të mëdha strukturore. Por një karakterizim i tillë nuk nënkupton patjetër që mungesa e dinamikës është trajtë natyrore e sektorit privat si i tillë. Po të ishte kjo e vërtetë, sektori privat do të ishte i varfër gjithkund në botë. Më tej z. Pula vazhdon duke thënë që në Kosovë numri i madh i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme e pengon ekonominë në shkallë, gjë që nuk është e vërtetë sepse zgjerimi relativ i prodhimit mund të ndodhë në të gjitha ndërmarrjet pa marrë parasysh nga madhësia. Në fund, ekonomia në shkallë e mundëson zvogëlimin e kostove mesatare kur kostot totale janë fikse, që është gjë e mirë, por nuk është gjeneratori kryesor i zhvillimit ekonomik.

Z. Pula vazhdon duke thënë që sektori privat vuan nga mungesa e kapitalit, prapë me plotë të drejtë. Por tani ai e harruar pyetjen kryesore: si do ta krijoj Qeveria kapitalin? Duke e nxjerrë lepurin nga kapela? Qeveria nuk i ka paratë e veta—të gjitha duhet ti marrë nga taksapaguesit e gjorë të Kosovës. Nëse në mes këtyre taksapaguesve (në “ekonominë” e tyre) nuk ka kapital te mjaftueshëm, atëherë aq më pak mund të merret nga ta e të ri-shpërndahet nëpërmes ndonjë banke shtetërore. E vetmja mënyrë nga e cila shteti mund të gjenerojë “kapital” shtesë është ulja artificiale e normës së interesit nëpërmes politikave monetare të bankës qendrore. Një akt i tillë, megjithatë, do të kishte pasoja apokaliptike përshkak se me uljen artificiale të interesit nuk lindin papritmas më shumë të mira kapitale, por nxitet konsumi bashkë me zgjerimin në industritë kapital-intensive pas së cilës përfundimi i ciklit të biznesit dhe ardhja e recesionit është e pashmangshme.

Z. Pula vazhdon me “mitin” e dytë, duke thënë që pronësia nuk ka rëndësi për menaxhimin dhe efiçiencën e ndërmarrjeve. Një thënie e tille është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me shkrimet e shumta të ekonomistëve për dështimet e socializmit—pronësisë totale shtetërore—në rrafshin e kalkulimit ekonomik si dhe atë të nxitjes individuale për të ofruar shërbime apo të mira. Socializmi do të duhej të ishte gjallë sikur pronësia të mos kishte rëndësi, e madje i tërë ky debat mbi privatizimin as qe do të ndodhte sepse Qeveria veç do t’i kishte rezultatet në anën e saj. Por ja që nuk i ka, dhe alternativat private janë pakrahasim më të mira se ato shtetërore.

Për ta mbështetur këtë pikë, z. Pula i citon disa tregime “suksesi” si Telekom Sllovenia apo korporatën energjetike çeke CEZ. Por përkrahësit e tregut të lirë nuk thonë që shteti kategorikisht nuk mund të ketë sukses në menaxhim; ata thonë që tregu është më i mirë në garë me sektorin shtetëror. Pra edhe nëse PTK-ja fiton miliona nën menaxhimin shtetëror, kjo nuk do të thotë që ky është menaxhimi optimal. Duke e futur fshehtazi këtë pikë, z. Pula i lë pa i cekur shembujt e panumërt të dështimit të menaxhimit nën “pronën” shtetërore, përfshirë edhe shembujt e pashmangshëm në Kosovë. Së dyti, z. Pula nuk e cekë që niveli i korrupsionit dhe kushtet praktike në shtetet si Sllovenia dhe Republika Çeke nuk mund të krahasohen me situatën në Kosovë.

Në pyetjen se ku do të ishin Sllovenia dhe Çekia sot sikur në plan ta kishin privatizimin e gjerë, und mund t’i përgjigjem me shembujt e ekonomisë më të lirë në botë, Hong Kong-ut, e cila rishtazi i nxori shifrat rekord të ulëta të papunësisë, si dhe shembullin e ekonomisë së dytë më të lirë, Singapur-it, e cila ka pasur rritje 16% të PBB-së mu në periudhën e krizës ekonomike. Thirrja e z. Pula për mbajtjen nën kontrollin shtetëror të industrive kryesore është thirrje që zgjon sentimente nacionaliste, por që nuk i bënë ballë rezonit ekonomik. Nëse dëshirojmë t’i shqelmojmë të huajt të cilët kanë kapital dhe njohuri profesionale pakrahasim më shumë se ne, mund ta bëjmë, por mos u habitni kur performanca ekonomike bie pingul në fundërrinë. Kosovës nuk i duhet nacionalizmi ekonomik, filozofi e cila e ka gjetur vdekjen në fund të viteve 30-të.

E vërteta është qe sektori privat në Kosovë është i varfër për të njëjtat arsye themelore që sektori privat në Tanzani apo kudo tjetër është i varfër: mungesa e mjeteve kapitale. Me qenë së ngritja e kapaciteteve kapitale dhe njohurisë profesionale është e vështirë të arrihet “për brenda”, për shkak të ardhurave tejet të ulëta që nuk e mundësojnë kursimin (gjeneratorin e kapitalit) si dhe për shkak të ngecjes në edukimin e lartë, këto kapacitete duhet te gjenerohen nga jashtë, d.m.th, nga investimet e huaja direkte dhe edukimi kualitativ. Vetëm aplikimi i mirëfilltë i praktikave të tregut të lirë—duke e zvogëluar sektorin publik, rregullimin ekonomik si dhe barrierat tregtare—mund të krijoj një ambient biznesor i cili është miqësor ndaj investimeve të huaja direkte.

3 thoughts on “Miti që shteti është zgjidhja

  1. Shume interesant pretendimi qe CEZ-i qenka histori suksesi per manaxhimin publik kur ceket qe duan te konkurojne me kete shoqeri gjobiten dhe futen ne burg.

    Kur te shoh nje shoqeri publike qe konkuron baraz me nje private e ne keto kushte ta dale fitimtare ndermarja publike, atehere do i jap shume te drejte zotit Pula. Deri atehere ligjet e ekonmise qendrojne, sic kane bere qe ne filim te qyteterimit…

Leave a Reply