ekonomi

Nacionalizmi, regjistrimi i popullsisë dhe evolucioni kulturor (pjesa 1 nga 3)

Etjon Basha

Nacionalizmi shqiptar duket se po gatitet për një ‘rikthim’ madhor. Dështimi spektakolar i regjimit nacional-socialist 50 vjeçar të Partisë së Punës duket se i ‘ftohu’ gjakrat nacionalistë për 20 vite. Po ja që mendësia e shqiptarit të mesëm duket se po anon sërish nga nacionalizmi disi më militant, veçanërisht jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë. Ky rizgjim ka gjetur së fundmi një kauzë të madhe për tu përqendruar: regjistrimi etnik dhe fetar i popullsisë në Shqipëri, proces që do nisë në 1 Tetor.

Nacionalistët kanë hedhur akuza shumë të forta mbi këtë proces, duke e “demaskuar” atë si një manovër për të kthyer Shqipërinë në satelit të fqinjit tonë jugor, ose madje dhe për ndarjen e vendit. Mbrojtësit e regjistrimit i kanë injoruar fare këto akuza, duke i rrekur ti paraqesin kundërshtarët si të papjekur dhe barbarë. Por akuza të tilla të forma nuk mund kurrsesi të kalohen në heshtje: ato duhen shqyrtuar në detaje për të vërtetuar nëse qëndrojnë apo jo.

Baza e gjithë postimit do jetë një ndër kryeveprat e ekonomistit të madh Ludwig von Mises: “Qeveria e Plotfuqishme” (Omnipotent Government). Libri është shkruar teksa Lufta e Dytë Botërore që e kish detyruar Misesin të largohej nga atdheu i tij po shkatërronte Evropën. Në të autori bën një analizë të plotë nacionalizmit në përgjithësi, dhe nacionalizmit Gjerman në veçanti. Se me sa mprehtësi Misesi arrin të dallojë ato që edhe sot mbeten probleme të mëdha, ndonëse disi më të fashitura, në Evropë (mbi të gjitha në Evropën qendrore dhe lindore) është e habitshme. Çdokush që mund të lexojë në gjuhën angleze duhet me patjetër të njihet me këtë kryevepër, që mund të gjendet falas në adresën e Institutit Ludwig von Mises (linku më sipër). Ndërkohë një zbatim në rastin e nacionalizmit shqiptar besoj se e kam dhënë më poshtë.

Së fundmi, një sqarim personal.  Jam në dijeni që çështja e rregjistrimti etnik dhe fetar ngjall emocione të forta për këto, dhe jam i bindur që shumica dërmuese e atyre që mund të lexojnë këtë postim do mbeten shumë të pakënaqur, të fyer madje, prej tij. Reagimi i shpeshtë që haset kur shpalosen pozicione si të mëposhtmet në problemet e nacionalizmit është akuza e ‘tradhtarit’. Kështu do qe mirë të sqarohej që nacionalizmi në vetvete nuk është aspak negativ, dhe në fakt nuk ndryshon nga dashuria për familjen.

Problemi nis aty ku dashuria për familjen barazohet dhe shprehet me  urrejtjen ndaj familjeve të tjera.

Të sulmosh fizikisht dhe të shtypësh dikë sepse nuk mban mbiemrin tënd do konsiderohej nga të gjithë si barbarizëm. Por mjafton që ‘familja’ të zgjerohet ca derisa të përfshijë kombin, dhe ja ku i njëjti qëndrim nga barbar na u ktheka në progresiv dhe trimëri. Për mua të dy qëndrimet janë të njëjta: barbarizma që duhen lënë pas krahëve.

Në këtë frymë, le të analizojmë akuzat madhore që  hidhen ndaj procesit të regjistrimit etnik dhe fetar. 

Është mirë të kujtojmë që gjithë mendimet e shprehura më poshtë janë tërësisht personale.

1)      Ç’është kombi? A mund të ‘matet’ objektivisht kombësia?

Thuajse çdo përkufizim i kombit është i vagullt dhe nuk lejon vërtetimin objektiv të kombësisë së dikujt. Për ti thjeshtuar gjërat, këtu do i qëndroj përkufizimit të Misesit:

me komb do kuptojmë bashkësinë e personave që mendojnë në të njëjtën gjuhë

Pas këtij përkufizimi, gjithë Shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe emigracion, janë Shqiptarë pasi mendojnë shqip. Gjermanët, Austriakët dhe pjesa më e madhe e Zviceranëve janë Gjermanë pasi mendojnë gjermanisht. Gjithashtu dikush që ka lindur dhe jeton në Shqipëri por ama ka aq njohuri të thelluara për gjuhën frënge sa mendon, në jetën e përditshme, në frëngjisht është francez, aspak shqiptar.

Nuk është vendi këtu të mbrojnë këtë përkufizim të kombit; le të mjaftojë fakti i pamohueshëm që gjuha në të cilën personi mendon ndikon fuqishëm në strukturën e tij të të menduarit. Dallimi mes dy kombesh është i madh pikësish falë ‘sistemeve operative’ të ndryshme që mendjet e ndryshme përdorin.

Teoritë e ndryshme të ‘prejardhjes’ ose dhe gjenetike të kombit janë të papranueshme në kontekstin bashkëkohor. Të pretendosh se dikush është Shqiptar sepse prindërit e tij janë Shqiptarë nuk është zgjidhje por thjesht kthim i problemit nj hap ëmë pas. Ç’i bën prindërit Shqiptarë pra?

Gjithashtu, kur flasim për konstitucionin gjenetik të një grupimi, mund të flasim më së shumti par raca, por jo për kombe. Përbërja gjenetike e një kombi ndryshon vijimisht pa ndryshuar vetë kombin: francezët e mesjetës ishin shumë të ndryshëm gjenetikisht nga francezët e sotëm, por ama francezë mbeteshin. Ilirët ishin me siguri gjenetikisht të ndryshëm nga Shqiptarët bashkëkohorë, pasi evolucioni gradual, përkëmbimet seksuale dhe dyndjet masive kanë ndryshuar fuqishëm përbërjen e tyre gjenetike.

Nëse pranojmë rezultatet e disa studimeve pas të cilave Shqiptarët dhe kroatët kanë një përqindje të njëjtë stoku gjenetik Ilir, sigurisht nuk do mund të arrinim në përfundimin që kombet Shqiptare dhe Kroate (nëse egziston një komb kroat) janë një! Shqipja rrjedh nga ilirishtja, serb-kroatishtja jo. Kombi është entitet kulturor, pra gjuhësor, dhe jo gjenetik.

Sipas përkufizimit tonë është realisht e pamundur të vërtetosh objektivisht se ç’kombësi ka i anketuari: kritikët e regjistrimit kanë të drejtë kur pretendojnë që anketimi i kombësisë nuk është ‘objektiv’, pasi asnjë alternativë nuk mund të jetë e tillë. Nga të gjitha alternativat e mundshme (dhe praktike), pyetja e thjeshtë është mënyra disi më e saktë për t’iu përfaruar kombësisë: dikush që mendon në shqip me shumë gjasa do pranojë se është i etnisë shqiptare. Nuk ka asnjë mënyrë më të mirë për të ‘matur’ përkatësinë etnike në një grup të madh njerëzish veç anketimit të thjeshtë.

Është e vërtetë që kritikët e regjistrimit nuk propozojnë ndonjë mënyrë më objektive për vërtetimin e etnisë, por pikërisht për shkak të subjektivitetit të çështjes duan ta eliminojnë tërësisht këtë pyetje. Por këta kritikë duhet të kuptojnë që duke eliminuar pyetjen nuk e shmangin atë, por detyrojnë  këdo të shpallet Shqiptar. Më duket gjithnjë e habitshme se si, pasi me të drejtë kritikojnë politikat shoviniste të shkuara dhe shpesh dhe të tashme të fqinjëve tanë që kurrë nuk u shëruan nga ultra-nacionalizmi, tanët janë të parët që propozojnë imitimin e përpiktë të po këtyre politikave në emër të ‘reciprocitetit’. Por ja që politika e ‘reciprocitetit’ me barbarët të kthen në barbar. Shqiptarët mund dhe duhet të ngrihen mbi nivelin e fqinjëve.

Pjesa 3

Pjesa 2