ekonomi

Nëse historia na mëson ndonjë gjë… (Pjesa 2 nga 3)

Etjon Basha

Pretendime madhështore

Artikulli në dy fjalë

Të thuash që demokracia është zbatimi në polikë i sistemit të konkurrencës së lirë është diçka shumë serioze. Shumë argumente janë hedhur në favor të demokracisë, aq shumë në fakt sa sot thuajse askush më nuk e vë në dyshim superioritetin e kësaj forme organizimi i politik. Mirëpo nga moria e këtyre argumenteve, thuajse të gjithë janë thjesht demagogji ku ngarkesa emocionale zëvendëson argumentet. Dy dhe vetëm dy argumente në favor të demokracisë meritojnë trajtim nga ana teknike. Njëri prej tyre, argumenti që demokracia shmang luftën civile, fatkeqësisht nuk mund të trajtohet këtu.

Argumenti tjetër, që demokracia është thjesht zbatimi në politikë i sistemit të konkurrencës, meriton trajtim të gjerë. Kjo sepse, nëse realisht kjo tezë qëndron, atëherë demokracia është sistemi polik më i mirë që mund të gjendet. Kur një ekonomi ndodhet në konkurrencë të lirë, pa asnjë pengesë ligjore për hyrjen e operatorëve të rinj në treg, atëherë mund të themi që kjo ekonomi po operon në maksimumin e saj. E njëjta gjë vlen për demokracinë: nëse demokracia është konkurrencë e lirë politike, atëherë vendi ka sistemin politik që më mirë i përgjigjet nevojave të tij. Nuk ia vlen më të mendosh për përmirësime, por thjesht të punosh ‘brenda sistemit’.

Ky ishte dhe arsyetimi i mendimtarëve liberalë të shekullit të XIX. Me demokratizimin e shoqërisë, vendi arrinte stadin më të lartë të mundshëm të zhvillimit, ku burimet do shfrytëzoheshin në maksimum dhe prosperiteti do maksimizohej. Tashmë që bota perëndimore ka një shekull që jeton me demokracinë liberale, le të shohin nëse këto pretendime madhështore i kanë qëndruar kohës. A është pra realisht demokracia përgjigjja universale për problemet e organizmit njerëzor?

Shembulli i përhershëm: telefonia celulare

Supozojmë që ndodhemi në gjendjen e shkuar të monopolit të një shoqërie mbi telefoninë celulare në vend. Pamë se si kjo situatë ishte shakatare e shërbimit të dobët dhe tarifave të larta. Tani, dikush del në skenë me propozimin që të liberalizohet tregu. Çdo 4 vjet abonentët to dërgojnë një SMS tek një numër i caktuar duke votuar shoqërinë që do ofrojë shërbimin celular për 4 vitet e ardhshme. Shoqëri konkurruese mund të formohen por nuk mund të operojnë derisa të votohen nga përdoruesit. Dhe ja ku kemi një sistem plotësisht demokratik.

Nga këndvështrimi i gjendjes së tregut aktual e kuptojmë shumë mirë që ka diçka që nuk shkon këtu. Pse duhet të ruhet monopoli celular, po thjesht të ndërrohen shoqëritë çdo 4 vjet? Nuk mund të operojnë gjithë operatorët së bashku, dhe konsumatori të abonohet aty ku dëshiron? Po le ta ndjekim shembullin pak më gjatë.

Supozojmë se, tani për tani, shoqëria X Mobile është ‘në pushtet’. Supozojmë se mbulimi i territorit është 40%. A do investojë X Mobile në këto 4 vjet për të rritur mbulimin? Pse duhet ta bëjë këtë? Për të humbur gjithë investimin për 4 vjet, kur një shoqëri tjetër të mund të ‘vijë në pushtet’?

Po tarifat do ulen? Pse vallë, kur mjafton të ulen tarifat 3 muaj para ‘zgjedhjeve’, ose madje dhe të premtohet një ulje fill pas zgjedhjeve dhe ja ku u bindën abonentët për të votuar.

Cilësia do rritet? E përse? Kur konsumatori nuk mund të krahasojë kompanitë me njëra-tjetrën, të vetmet kritere që mbeten për të zgjedhur janë çikërrimat e marketingut. Cila shoqëri ka ngjyrat më të bukura, emrin më bombastik apo drejtorin më karizmatik, këto konsiderata dalin në plan të parë.

Shkurt ky sistem “konkurrence” nuk nxit investimet, por shpërdorimin e kapitalit; hedh çështjet e cilësisë dhe çmimit në plan të dytë dhe nxit aktorët, jo prodhuesit e ndershëm, të konkurrojnë me spektakël marketingu e jo me shërbim. Shkurt hesapi, një palaçollëk nga fillimi deri në fund.

Saktësisht të njëjtat konsiderata zbatohen për ‘konkurrencën demokratike’. Hans Herman Hoppe në veprën “Demokracia, Zoti që dështoi” jep saktësisht këto argumente kundër demokracisë. Shumicat nuk kanë interes për të ruajtur kapitalin e vendit, por për ta shpërdoruar sa më vrullshëm, pasi në 4 vjet dikush tjetër mund tua marrë nga duart. Nuk kanë rëndësi veprat, por premtimet pasi votuesi nuk ka si të krahasojë kandidatët veçse nga fjalët dhe spektakli që japin.

Dhe ka më shumë. Sot e dimë që abonentë të ndryshëm kanë kërkesa të ndryshme për telefoninë celulare. Biznese të mëdha duan mbulim të gjerë, roaming të pakufizuar dhe paketa të gjëra grupi, dukë lënë çmimin në plan të dytë, ndërsa shumë abonentë individualë vlerësojnë çmimin mbi të gjitha. Kush do “fitojë” nga zgjedhjet? Askush! Të dy palët do përpiqen të bëjnë lëshime për t’iu afruar 50%-shit magjik (më mirë të të plotësohen disa nga kërkesat se sa asnjëra!). Askush nuk kënaqet, por askush nuk bie dakord se çfarë mund të përmirësohet. Krijohet një gjendje e njohur ku kompanitë përpiqen të ‘kapin’ 50%-shin magjik të konsumatorëve dhe kështu nxitet uniformiteti në shërbim, në vend të eksperimentimit dhe shumëllojshmërisë. Gjithë kompanitë duken njësoj, gjithë ofertat janë të njëjta. Abonentë humbasin tërësisht besimin në ndryshim dhe pak e më pak votojnë kur vjen koha. A nuk ngjan kjo me situatën politike që njohim dhe duam aq shumë? Tani mendoni sikur, si në jetën reale, të mos kemi 2, por dhjetëra grupe preferencash të ndryshme. Kaos tërësor!

Por ne nuk ndalemi këtu! Ç’bëhet sikur asnjë kompani të mos arrijë dot 50% të ‘votave’? Cili do hyjë në koalicion me cilin? Po sikur asnjë koalicion të mos formohet dot, ose të mos zgjasë dot më shumë se pak muaj? Nxitja për të shpërdorur kapitalin e vënë do ishte edhe më e madhe dhe konkurrenca reale me shërbim do zëvendësohej tërësisht nga marketingu dhe reklama.

Të gjithë këto argumente qëndrojnë. Por të gjithë janë argumente që dëshmojnë mungesën e nxitjes për të vepruar në dobi të konsumatorit. Po edhe nëse do supozojmë që, mrekullisht, një kompani që realisht do veç të kënaqë konsumatorin dhe nuk interesohet fare për fitimin, fiton këto zgjedhje, sërish gjendemi para një vështirësie tjetër: si mund të kënaqen abonentët?

Duhet ulur çmimi apo rritur cilësia? Sa nga njëra e sa nga tjetra? Duhen kënaqur abonentët individualë apo ato institucionalë? Duhet rritur mbulimi apo duhet forcuar kapaciteti? Nga ana teknike, qindra e qindra vendime dalin e mbeten pa përgjigje. Mes tyre mund të zgjidhet vetëm në mënyrë tërësisht arbitrare: kompania, edhe më qëllimet më të mira, nuk ka se si të dijë që po kënaq maksimalisht konsumatorin me zgjedhjet që bën.

Në një treg realisht konkurrencial asnjë nga këto vështirësi nuk qëndron: konkurrenca e detyron shoqërinë të ulë çmimet e të rrisë cilësinë, konsumatori kalon lehtë nga një shoqëri që ofron shërbim të dobët në një që ofron cilësi më të lartë, pa pritur as 5 minuta, jo më 4 vjet; marketingu nuk pi ujë para shifrave. Secili konsumator drejtohet tek shoqëria që më mirë i afrohet kërkesave të tij, dhe shoqëria që specializohet më shumë fiton edhe më shumë. Edhe 1000 grupe preferencash të ndryshme të ketë, kaosi në prodhim nuk do mbizotërojë.

Së fundmi, një shoqëri e kupton nëse po bën zgjedhje të sakta apo jo, thjesht nga testi i fitimit: nëse po firon para, atëherë po i jep konsumatorit më shumë nga ç’merr në tarifa. Shoqëria ka nxitje që të ofrojë vlerën më të lartë dhe ka teknika për ta njohur se cila është kjo vlerë: ajo që siguron fitimin më të madh.

Nga këndvështrimi i konsumatorit të një tregu të telefonisë të lëvizshme disi më të liberalizuar, këto i kuptojmë thjeshtë. Askush sot nuk do propozonte dot, pa u vënë në lojë, një ‘liberalizim’ të tregut të telefonisë së lëvizshme në vija të tilla ‘demokratike’.  Por kur vjen fjala për një treg që ka që kur nuk mbahet mend që operon në kushte monopoli (qoftë edhe monopol me rotacion), kur vjen fjala tek tregu politik pra, atëherë këto përfundime duken të çuditshme e të pavenda.

Por ja që logjika ekonomike vlen njësoj për çdo treg, produkt, kohë e vend. Dhe logjika ekonomike flet qartë: demokracia NUK është konkurrencë politike por thjesht një monopol me rotacion. Nëse ky sistem është apo jo më i mirë se monopoli pa rotacion i monarkisë, kjo është çështje pa shumë rëndësi. Rëndësi ka që demokracia dështon pa ekuivok në atë që premton. Çdo gjë që arrin, e arrin aksidentalisht.

Dhe nëse nuk qe demokracia qe e ngriti Evropën nga barbarizmi në qytetërim (kapitalizmi lindi nën monarkitë absolute), pyetja mbetet: cili qe ky sistem, që i përafrohej aq shumë konkurrencës politike, që është përgjegjës për supremacinë e qytetërimit evropian? Kësaj pyetjeje i rikthehemi në pjesën e fundit të artikullit.

Pjesa 1

Pjesa 3