Uncategorized

Nëse historia na mëson ndonjë gjë…(pjesa 3 nga 3)

Venediku mesjetar

Etjon Basha

Mbetemi të bindur që, nëse Franca e ka humbur lirinë e saj në dy raste të ndryshme tashmë, dhe ka parë se si Republika e saj demokratike kthehej në diktaturë dhe demokraci ushtarake, faji nuk është i popullit, por i centralizimit politik.

Mikail Bakunin

Kthim te tregu politik

Duke pasur parasysh diferencën mes konkurrencës reale në telefoninë celulare dhe monopolit me rotacion që trajtuam më sipër, fillon të duket më e qartë se si mund të zbatohet konkurrenca edhe në tregun politik: me anë të  copëzimit politik!

 

Sa më të vegjël territorialisht të jenë shtetet, pra dhe sa më shumë shtete të ketë në një zonë të caktuar, aq më konkurrencial është sistemi politik.

Urojme qe, ne kete pike, kjo harte te jete shume me kuptimplote per lexuesin

Le ti shohim sërish, një për një, kundërshtitë që patëm për demokracinë, dhe të testojmë me po atë standard të rreptë edhe sistemin e copëzimit politik.

Së pari, a ka interes një shtet në kushtet e copëzimit të lartë politik, të ruajë kapitalin, njerëzor dhe fizik? Në fakt sundimtari në këto kushte nuk ka fare zgjidhje: ai duhet të përpiqet maksimalisht për të ruajtur kapitalin vendit. Ç’ndodh nëse qytet-shteti i Firences dyfishon taksat? Qytetaret lëvizin dy orë larg për në qytet-shtetin e Gjenovës, ku taksat janë më të ulëta. Cili do ishte aq i pa-aftë, në këto kushte, sa të abuzonte me tatimet? Pak rëndësi ka nëse sundimtari pëlqen taksat e ulëta, lirinë individuale e të tjera si këto: nëse ai nuk i kënaq kërkesat e qytetarëve, ata largohen shumë thjesht. Qytetarët, siç thuhet sot, votojnë me këmbë shumë më mirë se me votë.

Ja se si, në këto kushte, edhe sundimtari më gjakatar përpiqet me sa ka mundësi të kënaqë dëshirat e qytetarëve të tij. Nëse qytetarët dëshirojnë një regjim me taksa të ulëta dhe liri të gjëra individuale, sundimtari do përpiqet t’ua sigurojë, ose do falimentojë. Nëse ata preferojnë një komunitet ku taksat janë më të larta por gjithashtu dhe shërbimet publike janë të gjëra, sundimtari do përpiqet të krijojë një shtet social.

Qytetarët nuk kane nevojë të presin 4 vjet për të zgjedhur një qeveri që më mirë i përshtatet kërkesave të tyre, por mund të lëvizin në çast për një shtet tjetër. Në këtë mënyrë, jo vetëm individi ka në dorë të adresojë menjëherë atë që nuk pëlqen në qeverisje, por mund ta bëjë këtë pavarësisht nga tjerët, ndërkohë që në demokraci dëgjohet vetëm zëri i shumicës. Në këto kushte demagogjia dhe premtimet boshe nuk pinë më ujë: ajo që ka rëndësi janë veprat praktike, jo fjalimet e qëndisura. Nuk është çudi që politika siç e njohim sot të zhdukej në një regjim qytet-shtetesh (qytet-shtetet moderne të Singaporit dhe Hong Kongut, ndonëse vende me standarde mbi-perëndimore në mirëqenie, kanë sisteme politike ‘autoritare’ dhe ‘jo demokratike’:pikë shtesë për autoritarizmin!).

Nuk vihet re kurrfarë tendence për uniformitet mes qeverive, madje lëvizja e qytetarëve forcon tendencën për diversifikim të regjimeve të veçanta: aty një parajsë fiskale kapitaliste, këtu një regjim social.

Më tej, qeveria tashmë ka se si të kuptojë nëse po kënaq qytetarët apo jo: lëvizja e tyre dëshmon suksesin apo dështimin e saj. Një emigrim neto kapitali (fizik dhe njerëzor) nënkupton humbje, ndërsa një imigrim neto kapitali nënkupton fitim.

Aftësia për të njohur situatën reale gjithashtu forcohet në një shtet të vogël, dhe bashkë me të dhe aftësia për të mirë-qeverisur. Në një vend të madh gjithshka matet me gjuhën e statistikave.  Ndërkohë që qeveria e një vendi të vogël e sheh situatën në terren dhe nuk ka pse të varet nga shifra, realiteti pas të cilave mbetet i fshehur. Dhe nëse qeveria ka informacion të plotë mbi gjendjen reale, dhe aftësia për të qeverisur më mirë rritet. Pak kush mund të vë në dyshim që Lihtenshtajni mund të qeveriset shumë më lehtë se Zvicra, Zvicra shumë më lehtë se Franca dhe Franca shumë më lehtë se Rusia (që në fakt, nuk mund të qeveriset dot).

Por vijojmë: në një vend të vogël izolacionizmi dhe nacionalizmi ekstrem janë thuaje të pamundur.  A do ti shkonte ndër mend Durrësit të pavarur të bllokonte eksportin nga bota po të vendoste tarifa doganore proteksioniste? Popullsia do vdiste nga uria në pak javë. Po luftëra të përgjakshme për të shpëtuar ‘racën durrsake’ a mund të përfytyrohen? Teprimet më të përgjakshme të shekullit të XX mund të ndodhin vetëm në një regjim vendesh të mëdha (më poshtë e trajtojmë këtë pikë më gjerësisht).

Shumë flitet sot për ‘ndarje pushtetesh’. Shumëkush me këtë term nënkupton sistemin amerikan të “checks and balances”. Mirëpo ndarja reale e pushteteve mund të ndodhë vetëm në një regjim shtetesh të vogla. Një shtet i vogël shumë shërbime nuk i ofron dot vetë. Mbrojta është një fushë e tillë, politika monetare një tjetër. Kush na siguron që të dy këto shërbime duhen ofruar nga i njëjti sipërmarrës (qeveria qendrore), siç ndodh sot? Pse mos të zgjedhim një ofrues për mbrojtjen, dhe një tjetër për politikën monetare? Biznesi vendime të tilla i merr për ditë: vendimet e “outsourcing”-ut. Pse nuk i shkon në mendje asnjë shteti sot të bëj të njëjtën gjë? Pse të ofrojë vetëm x shërbim nëse kushton më lirë ofrimi nga një palë e tretë ( qeveria amerikane e ka kuptuar kaq gjë, dhe në kushtet e ngushticës së madhe fiskale dhe ushtarake në Irak i ka deleguar shumë nga verimet luftarake shoqërive private të mbrojtjes). Një shtet i vogël ka mundësi pra të diversifikojë shërbimet e veta, dhe të krijojë një treg real për ofrimin e tyre, çka do sillte gjithë të mirat e konkurrencës. Çmimi i mbrojtjes do binte e cilësia do rritej. Fusha të tilla që mund të “outsource”-ohehsin janë të panumërta: mbrojta, politika monetare, rrejti elektrik, rrjeti telefonik, shërbimi policor, projektimi dhe ndërtimi i veprave publike, sistemi shëndetësor, arsimi. Shkurt thuajse çdo fushë e imagjinueshme, për të cilat sot për sot varemi nga “Shqipëria sh.p.k.”, duam apo s’duam.

Dinamikat e një regjimi qytet-shtetesh do ishin shumë interesante për tu vëzhguar: cilët do kishin më shumë sukses, parajsat fiskale super-kapitaliste apo shtetet sociale? Më shumë vlerë së qindra mijëra faqet e shkruara mbi këtë temë do kishte testi i konkurrencës reale në fushë. Cili sistem polik është më i përshtatshëm, demokracia, monarkia, apo një miks? Nacional-socializmi, kapitalismi, fashizmi apo socializmi? Teokracia, shteti laik apo ateist? Sërish vetëm konkurrenca mund të na e tregojë. Dhjetëra debatet që mbushin auditoret e shkencave politike në mbarë botën do merrnin përgjigje të menjëhershme nga vëzhgimi i rezultateve të konkurrencës shtetërore. Potenciali për risi në këto kushte është thuajse i pafundme.

Shkurt, sa më të vegjël e të shumtë të jenë shtetet, aq më shumë i largohen modelit të shtetit e aq më fort i afrohen modelit të një biznesi: varen nga fitim-humbja, konkurrojnë për ‘klientelë’, diversifikohen në treg, konkurrojnë me inovacion, etj.

Lexuesi i vëmendshëm do ketë kuptuar që ka diçka të fundit që nuk shkon këtu: konkurrenca plotësisht e lirë nënkupton kosto zero kalimi mes operatorëve në treg, ndërkohë që lëvizja nga një shet në një tjetër, sado të vegjël të jenë ata, nënkupton të paktën disa kosto, si shitja e shtëpisë, largimi nga mjedisi i  zakonshëm, largimi nga miqtë, ndërrimi i punës, etj. Është e vërtetë që të lëvizësh nga Tirana për në Shkodër (ose nga Shqipëria në Kosovë) është e lehtë, ose të paktën shumë më e lehtë se sa lëvizja nga Shqipëria në Itali, gjatë së cilës emigranti duhet të heqë dorë – përveçse nga puna, shtëpia, rrethi shoqëror, ndofta dhe familja –  nga mundësia për ti rritur fëmijët e tij si Shqiptarë. Gjermani i shekullit tët XIX që largohej nga Hamburgu për në Lubek nuk hiqte dorë nga kultura e tij Gjermane. Një regjim qytet-shtetesh eliminon një ndër kostot kryesore të emigracionit: dorëzimin e kulturës kombëtare. E megjithatë sërish kostot e lëvizjes egzistojnë, ndërkohë që në një treg tërësisht konkurrencial (p.sh. tregu i bukës) kalimi nga një operator në tjetrin behët pa tërësisht pa kosto ( ose, së shumti, me kostot e kërkimit të ofertave më të mira).

Që një regjim qytet-shtetesh nuk përfaqëson një treg politik tërësisht konkurrencial pra, kjo është e qartë. Mirëpo kalimi nga regjimi i sotëm i shteteve-kombe, largimi nga të cilët e detyron emigrantin të heqë dorë nga kultura e tij kombëtare, në një regjim qytet-shtetesh do ngjante me kalimin nga një treg telefonie celulare me një operator në një treg me 10 operatorë: sërish egzistojnë licensat që kufizojnë hyrjen në treg e operatorëve të rinj, por tregu është shumë më i liberalizuar dhe efiçent, ndonëse jo maksimalisht efiçent.

Një regjim tërësisht i lirë politik, ku kostot e hyrjes në treg dhe ndërrimit të operatorëve do ishin zero, mund të jetë vetëm një regjim shoqërish mbrojtëse jo-territoriale: sistemi i njohur si anarki!

Mirëpo ky term është denigruar dhe demonizuar aq shumë, sa më mirë po i shmangim (tash për tash) 40 faqe me shpjegime që duhen dhënë në mbrojtje të anarkisë, dhe po i mbahemi një regjimi qytet-shtetesh si idealit tonë politik. Fundja kalimi nga ky regjim në një regjim ideal anarkik do ishte shumë, shumë më i thjeshtë nga ç’është në ditët tona.

Nëse Historia na mëson ndonjë gjë…

Ja cili është pra, sekreti i Evropës: që pas rënies së Perandorisë Romake asnjë pushet qëndror nuk arriti të ripushtonte kontinentin, i cili mbeti për shumë gjatë i ndarë në mijëra qytet-shtete dhe dukata. Konkurrenca mes këtyre regjimeve për të tërhequr qytetarë (pra dhe taksa) vuri themelin e lindjes së konceptit të pronës private në kontinent. Asnjë nga lëshimet që u fituan nga shtetet në kontinent nuk lindi nga mirëdashja e princave apo parlamenteve vendorë, por nga ngushtica financiare e regjimeve të vogla, për t’i shpëtuar së cilës ata detyroheshin të promovonin regjimin më të mirë që mund të konceptonin.

Zonat ku decentralizmi arriti kulmin qenë dhe zonat ku zhvillimi eci me hapa të mëdha. Pellgu i Italisë veriore ishte zona më e decentralizuar me dhjetëra qytete e principata që konkurronin për qytetarë. Kultura dhe pasuria e Italisë së veriut, e vënë në këtë periudhë, nuk ka nevojë për tu përmendur.

Gjermania qe një tjetër zonë që ruajti ndarjen deri vonë, në fakt deri në fund-shekullin e XIX. Gjermania mbetet edhe sot qendra industriale e kontinentit, ndërkohë që kompozitorët, filozofët, shkencëtarët e shkrimtarët gjermanë mbushin faqet e historisë. Që ky vend arriti të luftonte dy herë ndaj mbarë botës, dhe dy herë të arrinte pranë fitores, nuk është veçse dëshmi e kapitalit së stërmadh që decentralizimi i la këtij kombi. Shpirti militarist fitoi mbi “kombin e poetëve dhe filozofëve”, siç njihej Kombi Gjerman deri në mes të shekullit të XIX, vetëm pas bashkimit, kundër të cilit me aq urtësi shprehej vetë Gëtja i madh.

Hollanda me provincat e saj të pavarura zgjoi Evropën nga letargjia mesjetare dhe krijoi konceptin e kapitalizmit modern. Evropa nuk do ishte ajo që është sot, pa Hollandën e shekullit të XVI.

Por edhe jashtë Evropës decentralizimi bëri çudira, për aq sa zgjati. Historia e Qytetërimit Kinez është historia e alternimit mes pushtetit të qendërzuar perandorak dhe shteteve të vogla. Çdo herë që Kina binte në decentralizim, kapitalizmi lulëzonte dhe shkenca e arti arrinin majat. Në fakt, tashmë dihet që Revolucioni Industrial mund të kishte ndodhur në Kinë qysh prej shekullit të X nëse nuk do ish penguar nga qeveria qendrore e fuqishme. Nëse Kina nuk do ish bashkuar në një Perandori të vetme, historia e botës do kish shkuar shumë, shumë ndryshe.

Rast edhe me “të skajshëm” përbën Japonia. Japonia gjithashtu, gjatë mesjetës së vonë e deri në shekullin e XIX mbeti e ndarë në principata të lidhura dobët. Që Japonia ishte i vetmi vend lindor që u industrializua me fuqitë e veta dhe i bëri ballë inkursionit evropian, duke u ngritur në rangun e një fuqie të madhe, është sërish vërtetim i fuqisë çliruese që një regjim i decentralizuar mund të ketë.

Greqia klasike nuk ishte shet i bashkuar, por regjim qindra qytet-shtetesh në konkurrencë me njëri-tjetrin.

Edhe vetë pasuria e zhvillimi i qytetërimit të parë të njohur, ai Sumer, nga i cili ka rrjedhur thuajse çdo koncept i joni, mbështetej në egzistencën e shumë qytet-shteteve të pavarura që kurrë nuk ranë nën një sundimtar qendror. Vetëm kur Perandoria Babilonase arriti të bashkonte rajonin, pesha e zhvillimit kaloi tjetërkund.

Bota gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte e ndarë në vetëm 50 shtete, centralizimi më i madh në historinë e njerëzimit. Bota e sotme, ku askujt nuk i shkon më ndër mend të ‘pastrojë racën’ (mirë, thuajse askujt) e të kolektivizojë pronën, të hedhë miliona të rij në pushtime shkretëtirash apo të bombardojë qytete të tëra me armë atomike a konvencionale, bota jonë më e qytetëruar pra, është e ndarë në mbi 200 shtete. Le të urojmë që në 50 vjet, mijëra shtete do mbulojë faqen e dheut.

Më tej, as ushtritë e NATO-s e as spiunazhi i ndërlikuar nuk ndikuan në rënien e regjimeve socialiste sa ndikoi emigrimi në masë, i cili nga fundi i viteve ’80 nuk mund të përmbahej më. Shembull me interes është Kina, e cila liberalizoi ekonominë e saj që në mes të viteve ’80 duke i siguruar vetes pozitën mes vendeve të fuqishme sot. Që qeveria Kineze u detyrua ta bënte këtë pasi pasuria e Hong Kongut fqinj nuk kish se si të fshihej më nga kinezët e varfër, kjo është më pak e njohur.

Situata me Gjermaninë Lindore dhe Berlinin Perëndimor ishte e ngjashme. Hong Kongu dhe Berlini perendimor kanë kontribuar më shumë nëmirëqënien tonë në shekullin e XXI se çdo shoqëri tjetër e kohëve moderne.

Por le ta lëmë historinë dhe të shohim botën aktuale: nga mbarë kontinenti Evropian tashmë në krizë, vetëm Zvicra po del e fituar. Që qeveria qendrore e Zvicrës është shumë e dobët në krahasim me kantonet e fuqishme, nuk është aspak një rastësi. Në fakt, Zvicra dhe mikroshtetet Europiane janë pasardhvsit realë të kulturës europiane, aspak super-shtete-kombe që shvmtojnë hartën e Evropës sot.

Cka mbetur nga Madhështia Evropiane

Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu nuk janë veçse një aleancë ushtarake e shtatë shteteve të vogla të pavarura. Nuk ka nevojë ti bëjmë reklamë zhvillimit të Dubait këtu.

Sidoqofte, per te qene te sigurt…

 

Shtetet më të pasura (për frymë) në botën e sotme janë shtete të vogla: Lihtenshtajni, Dubai, Monakoja, Luksemburgu, Andorra, Brunei, Katari, Panamaja, Bahreini, etj. Në fakt gjë e rrallë janë shtetet e vogla varfra.

Shkurt historia, praktika bashkëkohore dhe teoria konvergojnë në një të vërtetë të madhe: decentralizmi politik sjell zhvillim dhe pasuri, si fizike ashtu dhe kulturore. Centralizimi sjell luftë dhe shkatërrim.

Zbatim praktik

Sado interesante të jenë leksionet e historisë, zbatimet praktike kanë gjithmonë më shumë interes. Ç’mund të mësojnë Shqipëria dhe Kosova nga një lexim i tillë i historisë?

Mësimi më i madh – dhe, për këtë artikull, i vetmi që do diskutojmë – që duhet nxjerrë me urgjencë është që hyrja në Bashkimin Evropian do ishte ndër gabimet më të mëdha të historisë sonë.

Pamë se si zhvillimi i kontinentit tonë u shkaktua nga mungesa e një perandorie unitare mbarë-evropiane: e pra, një Perandori e tillë po lind sot, dhe konkurrenca politike më në fund do zëvendësohet në Evropë nga monopoli. Rënia aktuale dhe kriza e kontinentit tonë nuk janë rastësore, por pasojat e para të gabimeve të bëra kohë më parë. Për aq kohë sa BE-ja do egzistojë, Evropa veç do varfërohet e do nënshtrohet ndaj fuqive të huaja.

Por nëse evropianëve nuk kemi se si tu mbushim mendjen që të heqin dorë nga ky projekt shkatërrimtar, vetes kemi ç’i themi. Të tërheqim pra, sa më shpejt kandidaturën nga kjo Perandori moderne. Si lirinë e tregtisë dhe atë të lëvizjes tashmë i kemi. Kosova gjithashtu mund ti përfitojë në një kohë të shkurtër. Por nuk kemi pse ti nënshtrohemi diktatit burokratik të Brukselit. Zvicra dhe Norvegjia e kanë kuptuar këtë prej kohësh. Rezistenca ndaj futjes së një kushtetute evropiane është simptomë e një zgjimi të përgjithshëm, ndonëse tepër të vonuar, të kombeve evropianë.

Nuk duhet të trembemi nga ky që na duket si një propozim i marrë: të tërheqim kandidaturën nga anëtarësimi në BE?!  E padëgjuar! Mos jemi barbarë, të paqytetëruar, anadollakë, apo komunistë ne këtu?! Aspak! Pikërisht sepse këtu vlerësojmë lirinë individuale dhe zhvillimin kulturor e ekonomik, pikërisht se çmojmë aq lart arritjet e qytetërimit të madh evropian dhe duam të përfshihemi realisht në këtë rrjedhë, pikërisht për këtë arsye propozojmë këtë masë. Bashkimi Evropian është vdekja e modelit evropian, largimi përfundimtar nga decentralizimi që i fali madhështinë këtij kontinenti. Mbarë kontinenti po përsërit sot gabimet e gjermanëve dhe italianëve. Duhen lënë pas fjalimet demagogjike e propaganda e Brukselit, e nuk duhen ngatërruar dëshira për të lëvizur e tregtuar lirshëm me mundësinë për të humbur lirinë. Logjika ekonomike dhe zhvillimi historik na flasin qartë. Qoftë e thënë të dimë ti dëgjojmë para se të jetë tepër vonë.

Duke na trajtuar me respekt pasi respekton të drejtat tona, ai [shteti i vogël] na lejon, individualisht apo me cilindo të kemi dëshirë, të zgjedhim jetët tona, të realizojmë qëllimet tona e idenë tonë për vetveten, me aq sa kemi mundësi, duke u ndihmuar nga të tjerë individë me po këtë shkallë dinjiteti. Si mund të guxojë ndonjë shtet apo grup njerëzish të bëjë më shumë se kaq? Ose më pak!

Robert Nozick, “Anarchy, State and Utopia”

 

Pjesa 1

Pjesa 2