Një propozim modest mbi kthimin e pronës

Etjon Basha

Problemet e kohëve të fundit me kohezionin e partisë krysore në pushtet kanë risjellë në vëmendjen e publikut problemin madhor të pronës. Dhe meqë hekuri është i nxehtë, le ta rrahim.

Problemi i pronës në Shqipëri ka lindur pasi në të shkuarën transferimi pronësisë së tokës behej më shpesh me dhunë (publike ose private) sesa me transaksione të lira. Ndonëse padyshim problemin madhor e ka krijuar regjimi socialist me shpronësimet masive të 45-ës, edhe qeveria Zogiste iu nështrua opinionit publik (ndonëse Hans Hopa do thoshte që në fakt Mbreti synonte një aleancë me fshatarësinë për dobësimin e klasës së bejlerëve) duke zbatuar një reformë (fatmirësisht të paplotë) agrare.

Problem?

Kështu, pas dy shpronësimesh qeveritare, tri luftërash totale, ndërrimit me dhunë të disa regjimeve si dhe banditizmit të vijueshëm spontan a të sponsorizuar, nuk është fare çudi që sot mbi të njëjtën copë toke mund fare mirë të rezultojnë dy a tri tapi të ndryshme nga periudha të ndryshme, secila plotësisht e vlefshme.

Kjo situatë ka qenë shkatërrimtare për zhvillim ekonomik të Shqipërisë pasi regjimi aktual i paqartësisë pronësore pa dyshim ka shkurajuar investime të pallogaritshme vendase edhe të huaja.

Që ky regjim paqartësie pronësore të marrë fund, duhet zbuluar reforma pronësore më e thjeshtë dhe praktike e mundshme.

1) Problemet e reformës aktuale

Parimi aktual që qeveria po ndjek në çështjen e pronës është ‘kthimi dhe kompensimi’: prona origjinale u duhet kthyer ish-pronarëve kudo që ajo të jetë e lirë dhe në mos, ata duhen kompensuar, qoftë në formë monetare, qoftë me prona shtetërore tjetërkund.

Që kjo reformë nuk po funksionon, kjo duket fare qartë. Pasiguria pronësore vijon të mbretërojë thuajse kudo në Shqipëri duke shkurajuar investimet, dhe shtresa e ish-pronarëve vetëm sa është acaruar nga keq-menaxhimi i saj.

Ndonëse mund të thuhet që reforma në parim nuk ka ‘faj’ për keqmenaxhin e saj nga ana e qeverisë, kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Një reformë e tillë tejet komplekse do ish e vështirë për tu zbatuar edhe në vendet më të zhvillluara, dhe padyshim që do pësojë shtrëmbërime të mëdha në praktikë. Por ‘kthimi dhe kompensimi’ vuan nga një probleme edhe më madhore në parim: kthimi ose kompensimi pronësor.

Fakti është që shumica dërmuese e pronarëve fillestarë të 45-ës kanë vdekur, dhe përfitues mund të jenë vetëm trashëgimtarët e tyre. Fakt është gjithashtu që në shumicën e rasteve sot kemi të bëjmë me trashëgimtarët e brezit të dytë, osë nipërit dhe mbesat e pronarit origjinal. Pra, copa e tokës që do kthehet (qoftë toka origjinale e qoftë një sipërfaqe kompensuese) do ndahet mes një gjysmë duzine kushërinjsh! Sa prej tyre kanë interes në manazhimin aktiv të pronës? Sa prej tyre ndodhen në Shqipëri? Si mund të manaxhohet një pronë kur çdo vendim nënkupton unanimitetin e kaq shumë pronarëve?

Me të vërtetë që Shqipëria ka traditë të fortë me vendimet konsensuale

Faktet në praktikë dëshmojnë që gjasat që prona të mirëmënaxhohet në këto kushe janë thuajse zero. Zonë të tëra me potencial të madh në bregdet mbeten të pashfrytëzuara sepse kthimi i pronave ka krijuar pikërisht situatën ku çdo vendim duhet të marrë miratimin e një gjysmë duzine kushërinjsh që nuk para e kanë shumë për zemër njëri-tjetrin. Mbarë organizmi shoqëror feudal në Evropë u shkatërrua, siç vinte në pah Ludvig von Misesi, pikërish nga copëzimi i tokës mes trashëgimtarëve.  Ç’ironi e fatit që kjo situatë u shkaktua pikërisht nga masat e një qeverie që pretendonte të luftonte ‘shoqërinë feudale’!

Kjo situatë është veç një parodi e parimit të pronës së lirë, e tillë që dhe majtistët më të thekur do e besonin me vështirësi. Shoqëria bejlere e 45-ës, po të kishte qenë e lirë te evolonte spontanisht, kurrë nuk do kish arritur në një regjim të tillë. Ç’kuptim ka pra imponimi i këtij regjimi tërësish jo-prakitik në emër të ‘kompensimit’? Qëllimi duhet të jetë çlirimi i forcave të tregut, jo eliminimi i tyre!

Dhe nuk po vijoj me dhjetra problemet e tjera që zbatimi rigoroz i kthimit të pronës do nënkuptonte për Shqipërinë. Mjafton të thuhet që një rikthim i tillë i plotë veç do sillte konflikte sociale të përmasave të 97-ës, e do diskreditonte plotësisht e një herë e mirë parimin e pronës private.

 

2) Një propozim modest

Reforma që unë do propozoja do përbëhej nga tri pjesë.

Së pari, cdo copë toke e mbetur në pronësi shtetërore duhet shitur në ankand të hapur, ka apo s’ka pronarë të pretenduar!

Këta pronarë nuk duhet të kenë asnjë farë përparësie në ankand. Nëse për ndonjë sipërfaqe të veçantë të mos tregohet interes nga askush, ajo do kthehet në tokë të lirë pa pronarë, dhe kushdo do ta vendosë i pari në përdorim ekonomik do ta përfitojë. Kombinuar me reformën e privatizmit të pyjeve, shtetit tonë të dashur do i mbeten në pronësi vetëm tokat e objekteve të domosdoshme shtetërore, e asnjë metër katror më shumë.

Së dyti, Kuvendi duhet të amendojë në çast Kodin Civil për të shtuar që gjykatat nuk do konsiderojnë më të vlefshëm kundërshimitim e pronësisë duke sjellë tapi ta para 91-shit si provë!

Shkurt, nëse një shoqëri private hidhet në gjyq nga një ish-pronar i pretenduar sepse i paska ‘zënë tokën’, gjyakat nuk do pranojë tapinë e 45-ës si provë! Vetëm nëse toka është zënë me pa të drejtë pas 1991-it çështja do shqyrtohet.

Me një reformë të vetme, pasiguria pronësore në Shqipëri do merrte fund. Tashmë çdo metër katror toke në Republikë do ishte pronë private, dhe askush nuk do mund ta kundërshtonte këtë pronësi me dokumenta të para 91-shit. Vini re që amendimi do duhet të jetë i përgjithshëm, e të zbatohet jo vetëm për raste kur pronarët e rinj janë të huaj, ose kur ata kanë fituar tokën me ankand. Çdo pronar në Shqipëri duhet të çlirohet një herë e mirë nga frika e shpronësimit në emër të kompensimit. Mbetet veç një hap i fundit.

Së treti, shteti do merrte përsipër detyrimin e kompensimit monetar të ish-pronareve, deri në një kufi të caktuar (kompensimi proporcional do ishte qesharak).

 Kostoja monetare nuk do ishte e tepërt, pasi shitja masive e tokave publike (që sot nuk shiten dot  ose shiten me çmime qesharake nga frika e daljes së ish-pronarëve) në ankand do sillte fonde të stërmëdha në buxhet. Por edhe nëse kostoja do rezultonte e madhe, shteti do mund ta shpërndante atë në kohë, pa penguar ndërkohë shfrytëzimin e lirë të tokave në vend. Në rastin më të keq, ky qo ishte një çmim më se i arsyeshëm për tu paguar për çlirimin e ekonomisë Shqiptare nga çarku i pasigurisë pronësore.

 

3) Përfundim

Reforma aktuale e pronësisë ëshët jo-praktike dhe shumë e vështirë për tu manaxhuar. Ajo jo vetëm po dështon të zgjidhë problemin e pasigurisë së pronësisë, por do e përkeqësojë situatën nëse zbatohet realisht ndonjë ditë.

Zgjidhja e vetme e problemit të pasigurisë së pronësisë është flakja në çast i mbarë konceptit të kthimit të pronës, ose kompesnimit fizik. Kompensimi monetar është e vetmja rrugë që Shqipëria ka për ta lënë pas një herë e mirë trashëgiminë e shëmtuar socialiste. Raste tragjike si ai i Kakomesë kurrë më nuk duhen lejuar të ndodhin në një vend të qytetëruar.

PS: Vini re që autori juaj i dashur është vetë trashëgimtar ish-pronarësh, në mënyrë që të shmangim akuzat e një-anshmërisë ndaj pronarëve të rinj. Gjtihashtu, vini re që problemet e krijuara nga shtetëzimet socialiste në Evropën Lindore janë trajtuar nga ekonomistë të mëdhenj të traditës Austriake, si Mërrei Rothbard dhe Hans Hopa (artikujt e linkuar). Propozimet e tyre nuk i trajtova pasi, për mendimin tim, janë fort jo-praktike dhe, nëse do qenë zbatuar në kohën e tyre, do kishin sjellë një luftë civile në Shqipëri. Lexuesi kurreshtar patjetër që duhet ti shohë këto dy propozime, e të vendosë vetë mbi këtë çështje.

6 thoughts on “Një propozim modest mbi kthimin e pronës

  1. Etjon,

    Nuk mendoj se kompensimi monetar eshte i drejte nga pikepamja etike sepse kompensimi i viktimes duhet te behet nga agresori. Ne rastin e shtetit, nuk eshte agresori por taksapaguesi ai i cili detyrohet ta paguaj viktimen.

    Pjesa tjeter e analizes eshte shume e mire, vecanerisht per shkak se eshte praktike.

  2. Ke shume te drejte Bardhyl, dhe ne fakt kete pike e trajtoja me ne detaje tek versioni i pare i shkrimit. Por ne emer te shkurtimit te postimit, mu desh ta lija jashte diksutimin.

    Problemi i vetem eshte qe nje pjese e ish-pronareve tashme jane kompensuar disi, dhe te mbyllje si pa te keq kompensimin e pjeses se mbetur do ishte politikisht e pamundur. Tek shkrimi i pare shprehesha qe nese do ta kisha pasur ne dore reformen ne 1991-in, nuk do ktheja asnje meter katror ose lek.

    Pra, ndonese eshte vertete jo-etike te vjedhesh taksapaguesin e gjore per te shlyer nje krim te bere nga tjeterkush, ne praktike asnje qeveri nuk do mund te vepronte ndrsyhe e te shpresonte te mbetej ne pushtet per te perfunduar reformen. Keshtu, ne emer te kesaj reforme jetike, mendova qe kjo shkelje mund dhe te tolerohet.

    Nje faktor qe e zbut pak fare problemin eshte qe fondet per kompensimin monetar do vijne nga shitja e prones shteterore, e jo direkt nga taksat. Sa per alternativen e kthimit total, 1 me 1 te pronave te vjetra, jam i bindur se kjo do ishte recete per lufte civile.

  3. Absolutisht Etjon. Mendoj se ekziston nje hendek i madh ne mes asaj cka eshte etike dhe asaj cka eshte strategjike. Shume gjera qe do te ishin joetike, jane te domosdoshme ne menyre qe te mbahet nje pushtet qe sjelle liri sadopak. P.sh., me perpara do te beja kampanje si nje minarkist ne menyre qe ta aplikoj sadopak nje liri ekonomike se sa si nje anarkist, me c’rast nuk do kisha gjase fare te zgjidhesha. Natyrisht, kjo nuk e ndryshon faktin qe pozita e dyte eshte e vetmja kompatibile me normat etike kurse e para jo.

    Mendoj se kjo fushe kerkon studim me te gjere ne teorine libertariane: si te behet balanci ne mes respektimit te normave etike dhe koncesioneve te domosdoshme per qellime strategjike. Per libertarianin e rendomt, kjo pyetje renkon nga nje utilitarizem i paskrupullt i cili i hedh te gjitha parimet poshte. Por une mendoj se eshte fakt i realitetit me te cilin secili libertarian i cili don ndryshime ne praktike duhet te perballet.

    Se fundi, meqe sic e the ti kompensimi do te vije nga shitja e pronave shteterore, kjo e zgjidhe pothuajse tere verejtjen qe e pata une.

Leave a Reply