ekonomi

Një qasje ndryshe ndaj informalitetit

Të drejtat autoriale i mbanë Gazeta Jeta në Kosovë

Informaliteti është ajo pjesë e ekonomisë e cila nuk tatohet apo monitorohet në çfarëdo forme nga qeveria. Biznese informale janë ato të cilat nuk i deklarojnë të gjitha të hyrat në mënyrë që t’i shmangen pagesës së tatimeve apo nuk afarojnë në përputhje me rregullat e sigurisë, higjienës, hapësirës, etj.

Si në vendet tjera të varfra, edhe në Kosovë ekonomia karakterizohet me një informalitet tepër të përhapur. Disa përllogaritje e vlerësojnë atë të jetë 40 për qind, mirëpo natyra e fshehtë e informalitetit e bën vlerësimin preciz tepër të vështirë.

Informaliteti është i dëmshëm sepse duke i rënduar bizneset selektivisht e pamundëson konkurrencën e lirë dhe fer. Në anën tjetër, informaliteti e privon Qeverinë nga të hyrat tatimore pa të cilat funksionet bazë të saj nuk mund të ofrohen.

Qasjet e Qeverive të njëpasnjëshme për adresimin e informalitetit nuk kanë prodhuar shumë rezultate pozitive deri tani. Arsyeja për këtë qëndron në përdorimin e forcës si mjet për detyrimin e bizneseve të formalizohen. Agjencitë tatimore dhe rregullatore të Qeverisë nuk i kanë resurset e mjaftueshme dhe stafin profesional, kompetent e të pa-korruptuar për ta formalizuar ekonominë me forcë.

Por edhe po ta kishte Qeveria një buton magjik i cili me një të shtypur e formalizon përnjëherë ekonominë, një gjë e tillë nuk do të ishte e dëshirueshme.

Mos harroni që të qenit formal përbën një barrë financiare për biznesin. Rrjedhimisht, formalizimi i përnjëhershëm i ekonomisë do të shkaktonte krizë të madhe me efekte domino. Shumica dërrmuese e bizneseve nuk do ta përballonin barrën financiare dhe do të detyroheshin ta ulin prodhimin apo të mbyllen. Bizneset që kanë qenë të planifikuara të themelohen do të shtyheshin për më vonë. Numri i të punësuarve të regjistruar dhe atyre joformalë do të binte dukshëm si dhe reduktimi i shitjeve do të ndikonte keq tek bizneset tjera në formë zinxhirore, duke e zhytur tutje ekonominë në greminë.

Nga kjo del që shkaktari kryesor i informalitetit është barra apo vështirësia e të qenit formal. Bizneset nuk janë demonë të cilët me çdo kusht duan të mos i binden ligjit. Ato veprojnë sipas kushteve në të cilat duhet të afarojnë. Kur kushtet janë të vështira, ato detyrohen të veprojnë në mënyra joligjore për të mbijetuar. “Hapësirat ligjore”, shkruan ekonomisti Ludwig von Mises, “janë vrimat nëpërmes të cilave merr frymë lirshëm [ekonomia e tregut]”.

Pra, në vend që të merret me simptomën, Qeveria duhet të merret me shkaktarin. Në shkencën e ekonomisë ky parim nuk përbën ndonjë risi. Ekonomisti amerikan Arthër Lafër e ka zbërthyer këtë problem qysh në vitet 80-të duke e dëshmuar që barra e të qenit formal—jo formalizimi me forcë—e përcaktojnë nivelin e informalitetit. Laferi e futi këtë nocion në përdorim si këshilltar ekonomik i Presidentit Ronalld Regan kur edhe qeveria më e fuqishme në botë përballej me informalitet të lartë. Në vend që të mbledhë të gjitha agjencitë për zbatimin e ligjit dhe ta fillojë një fushatë të dhunës ndaj bizneseve, Regani ndoqi këshillën e Laferit dhe e zvogëloi barrën e të qenit formal. Normat tatimore u zvogëluan nga 70% në 28% por të hyrat eksploduan nga $36.3 milion në $353 milion!

Qeveria e re e Kosovës ka vepruar ngjashëm me programin për shpërblimin e mbledhësve të kuponëve fiskalë. Përkundër të metave të kësaj metode, si kuponët e falsifikuar që u lëshuan nga disa biznese, megjithatë kjo përbën një përpjekje më inteligjente për të nxitur formalizimin.

Por mbi të gjitha, Qeveria duhet të përqendrohet në reformimin e sistemit tatimor dhe rregullator në mënyrë që barra e të qenit formal të jetë e përballueshme për bizneset. Kjo nënkupton eliminimin, thjeshtësimin, transparencën dhe zvogëlimin e tatimeve dhe rregullave që qeverisin afarizmin. Pa një qasje të tillë e cila e largon vetë arsyen pse bizneset i ikin formalitetit, as regjimi më policor nuk mund ta formalizojë një ekonomi të tërë.