ekonomi

Një surprizë e këndshme

Etjon Basha

Teksa po ‘qarkulloja’ në ueb para ca ditësh më ra në dorë një studim tejet interesant, “Matja e rritjes ekonomike nga hapësira” (“MEASURING ECONOMIC GROWTH FROM OUTER SPACE”, J. Vernon Henderson, Adam Storeygard, David N. Weil, NATIONAL BUREAU OF ECONOMIC RESEARCH, 2009.).

Ideja thelbësore e studimit është që,

Prodhimi i Brëndshëm Bruto [ose GDP] është ndryshorja më e rëndësishme në analizat e rritjes ekonomike. Problemet parimore me përcaktimin e GDP-së, e jo më me matjen e përdorimin të tij për qëllime praktike janë mëse të njohura për çdo fillestar në ekonomi.

Gjithashtu, problem më vete përbën fakti se GDP-ja shpesh matet keq, veçanërisht në vendet në zhvillim. Në krahasim me vendet e zhvilluara, në vendet në zhvillim një pjesë shumë më e vogël e aktivitetit ekonomik kryhet në suazën e sektorit formal, shkalla e integrimti ekonomik dhe barazisë ndër-rajonale të çmimeve janë më të kufizuara dhe, mbi të gjitha, infrastruktura statitikore qeveritare është e dobët. Gjithë këto faktorë e vështirësojë tej mase matjen e GDP-së (vlerës totale të shtuar, në çmime vendase) (f.3, përkthim i lirë).

Problemet me vetë konceptin e GDP-së i ka trajtuar Bardhyli më parë, e kështu që po ta linim me kaq thjesht do kishim edhe një zë që i shtohet korit të atyre që nuk parapëlqejnë të mbështeten në të dhënat zyrtare për matjen e ‘rritjes ekonmike’. Por autorët krijojnë një tregues të tërthortë tejet interesant të rritjes: shkalla e ndriçimit të vendit natën, e matur nga satelitët e posaçëm!

Pa i hyrë fare detajeve teknite të studimit, dua të ndaj atë që më bëri përshtypje. Në faqe 53, autorët paraqesin një grafik interesant, ku çdo vendi i bashkangjitet rritja ekonmike ‘zyrtare’ në 1992-2006 dhe rritja e matur me metodën e propozuar.

Dhe, ç’të shohim?

Vendi ynë i dashur na paskish pasur rritjen e dytë më të shpejtë ndër gjithë vendet e përfshira në atë periudhë, thonë satelitët.

Ndërkohë që shifrat zyratre të rritjes dëshmojnë për një rritje të përbërë vjetore prej pak a shumë 6%, analiza e ndriçimit dëshmon për një rritje të përbërë vjetore prej pak a shumë 12%.

Dhe kjo megjith’ katastrofën që ishte 1997-a!

Me një normë të tillë, standarti i jetesës është dyfishuar çdo 6 vjet, e jo çdo 12 vjet siç lënë të kuptohet shifrat zyrtare!

Mendoni, nëse mospërfshirja e sektorit informal e përgjysmon rritjen reale, kjo mund veç të thotë që: 1) sektori informal na paska qenë shumë i madh, 2) sektori informal qenka rritur shumë shpejt ose 3) të dy të mësipërmet.

Jo, zotërinjtë Henderson, Storeygard dhe Weil nuk janë paguar nga qeveria Shqiptare për këtë studim. Ndonjëherë mund të jetë e vështirë të pranohet, por pesimizmi masiv që mbetet endemik mes Shqiptarëve mbi progresin e bërë që prej rënies së sistemit socialist ëshët tërësisht i pabazuar (ose më saktë, i bazuar në tensione rajonale, jo në analizë llogjike). Sado e vështirë të jetë për tu pranuar, Shqipëria paska ecur që nga 92-shi.

PS: Nëse ndonjë punonjës i Kryeministrisë na lexon, më lëjoni ti propozoj të komisionojë autorët të bëjnë matjet e rritjes me anë të ndriçimit në bazë tremujore, në Shqipëri dhe në Kosovë, për t’ia bashkangjitur