ekonomi, politikë

Një vështrim kundër BE-së së mitizuar

Të drejtat autoriale i mbanë Gazeta Jeta në Kosovë

Bardhyl Salihu

Mbështetja e fuqishme popullore për anëtarësimin e Kosovës në BE rrallë herë është shoqëruar me ndonjë analizë të kostove dhe përfitimeve. Kjo i ka lënë hapesirë krijimit të përshtypjes në opinionin publik që anëtaresimi në BE është shërim univerzal për të gjitha problemet socio-ekonomike.

Fakti që BE-ja po kalon momentet më të vështira prej krijimit duhet të na bëj të ndalemi dhe të ri-mendojmë për një moment. Cilat janë kostot dhe përfitimet e anëtarësimit në BE? Disa i druhen kësaj pyetje për shkak se në kontekstin e Kosovës vlerësimet kritike ndaj BE-së mund të duken anti-Perëndimore. Por nuk ka asgjë më Perëndimore se sa vlerësimi objektiv i interesave kombëtare.

Natyrisht, kur flasim për BE-në, është më e lehtë të përmenden aspektet e saj të mira. Ndër karakteristikat më të spikatura të BE-së për të cilat Kosova duhet të aspirojë janë orientimi drejt paqes dhe lëvizja e lirë.

Përkushtimi i vonuar i vendeve evropiane ndaj paqes, pas tragjedive që i pësoi kontinenti, ka qenë vetë shtytësi kryesor i integrimit. E lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve, dhe kapitalit është parakusht për krijimin e një ekonomie dinamike në të cilën konkurrenca e lirë mundëson jo vetëm llojshmërinë më të madhe të produkteve dhe shërbimeve por edhe cilësinë dhe çmimet më të volitshme. 

Në këtë kuptim, largimi nga këto dy parime bazë të BE-së nënkupton kthimin tek një Evropë mesjetare të luftës dhe proteksionizmit.

Por kjo pjesë është e qartë. Ato që rrallë herë diskutohen në Kosovë janë arsyet pse Kosova nuk duhet ta shoh BE-në si një utopi. Vetëm pse gjendja ekonomike në Kosovë është e rëndë, nuk do të thotë që anëtarësimi në BE do ta zgjidhë atë. 

Kosova duhet të përcaktohet në mes anëtarësimit si zgjidhje potenciale për problemet socio-ekonomike apo ndjekjes së ndonjë modeli më ndryshe.

Në aspektin ekonomik, BE-ja nuk është një shembull që duhet ndjekur. Ajo ende nuk është rimëkëmbur mirë nga kriza financiare e vitit 2008 sepse rritja ekonomike mbetet e ulët (1.4 përqind) kurse papunësia e lartë (9.8 përqind). 

Problemet strukturore ekonomike të cilat e kanë shkaktuar krizën janë po të njejtat të cilat po e pllakosin shërimin.

Mënyra se si sistemi monetar është i ndërtuar nuk është e mirë. Qeveritë e papërgjegshme si ajo greke bëjnë shpenzime përtej të hyrave buxhetore falë bonove qeveritare, të cilat bankat komerciale i blejnë sepse Banka Qendrore Evropiane i pranon si kolateral për hua.

Kjo skemë e BQE-së e shpërndanë pasurinë nga mbajtësit e euros tek vendet e papërgjegjshme. Në BE Kosova ose do të ishte ndër qeveritë e papërgjegjshme që zhyten në borxh ose do të ishte de fakto financuese e ekstravagancës së vendeve si Greqia.

Problem tjetër i madh është niveli i lartë i rregullimit të tregut. BE-ja është aq e dhënë pas ndërhyrjeve më mikroskopike në treg sa që deri vonë e ka përcaktuar edhe sa të shtrembëruara duhet të jenë bananet.

Me disa përjashtime, rregullimi i tregut i pengon ndërmarrësit të veprojnë, inovojnë, e të jenë konkurrentë dhe llogaritet t’i kushtojë ekonomisë evropiane rreth €928 miliard. 

Adoptimi i rregullave të BE-së jo vetëm që do të ishte i dëmshëm për konkurrueshmërinë e ekonomisë kosovare, por nuk do të ishte as i mundshëm pasi që kostot administrative të agjencive, shërbyesve civil, e inspektorëve do të ishin të papërballueshme për buxhetin e vendit.

Edhe pse Komisioni Evropian është tërhequr rishtazi nga harmonizimi i tatimeve, ai megjithatë vazhdon ta sheh konkurrencën tatimore si “rrezik” që duhet kontrolluar. Brenda BE-së Kosova mund të hasë në kundërshtime nëse në një të ardhme adopton tatime të thjeshta dhe të ulëta për të tërhequr investimet nga vendet tjera anëtare.

Ana pozitive e të gjithë kësaj është që Kosova me shumë gjasë do të lirohej përkohësisht nga implementimi i disa aspekteve të vështira të BE-së. Ajo madje do të ishte neto përfituese e parave falas nga taksapaguesit evropianë, më shumë se sa përfiton tani si vend në zhvillim. Por është diskutabile nëse këto përfitime afatshkurtëra i arsyetojnë vështirësitë ekonomike afatgjate të anëtarësimit.

Natyrisht, në gjykimin e kostove dhe përfitimeve të anëtarësimit nuk duhet të merren parsysh vetëm faktorët ekonomik. Faktorë tjerë si marrëdhënia e veçantë e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare si dhe roli i saj në luftimin e krimit dhe korrupsionit duhet të peshohen.

Për shembull, refuzimi i Kosovës të anëtarësohet në BE për arsye ekonomike mund t’i acarojë marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare dhe potencialisht të ndikojë keq në proceset të cilat ajo i ndërmjetëson (shtetformimin, normalizimin e marrëdhenieve me Serbinë, njohjet, etj.).

Në anën tjetër, është vështirë të argumentohet që anëtarësimi në BE do ta luftojë krimin dhe korrupsionin duke pasur parasysh rezultatet e misionit EULEX si dhe hetimeve aktuale të cilat mund ta implikojnë atë drejtpërdrejtë në krime.

E gjithë kjo duket e parëndësishme për momentin sepse gjasat e pranimit madje edhe si vend kandidat janë gati zero. BE-ja po kalon nëpër një moment turbulent për shkak të letargjisë ekonomike, krizës greke, si dhe kërkesës britanike për reformim të thellë me kusht që të mos largohet. 

Mbi të gjitha, asnjëherë më fort se sot nuk ka mbizotruar sentimenti anti-imigrant, i cili edhe pse i pa arsyeshëm, është mjaftë i fuqishëm për të garantuar që zgjerimi nuk do të ndodhë. Por nëse Kosova mund ta sigurojë disi liberalizimin e vizave, do të përfitonte nga një aspekt shumë i mirë i BE-së pa u përballur me kostot e saj.