Obsesioni i panevojshëm me bilancin tregtar

Bardhyl Salihu

Pothuajse çdo i dyti shkrim i cili merret me problemet ekonomike në Kosovë ia atribuon atyre bilancin negativ tregtar si shkak. Idetë merkantiliste në shkrimet e “analistëve” kosovarë janë ndonjëherë edhe më të shpeshta se demagogjia autarkike e Hugo Chavezit në Venezuelë. E vërteta është që arsyeja pse Kosova është vendi më i varfër në Evropë s’ka pothuajse asgjë të bëjë me bilancin negativ tregtar, dhe madje, të gjitha “zgjidhjet” që këta “analistë” i ofrojnë vetëm sa do ta përkeqësonin gjendjen ekonomike.

Bilanci tregtar është dallimi në mes vlerës monetare të eksporteve dhe importeve në një ekonomi gjatë një periudhe. Atëherë kur vlera e eksporteve është më e madhe se e importeve, bilanci tregtar njihet si “pozitiv” (apo si “suficit tregtar”). Atëherë kur ndodhë e kundërta, bilanci tregtar njihet si “negativ” (apo si “deficit tregtar”). Kosova në llogaritjet e fundit (nëntor 2010) ka një bilanc mjaftë negativ, përkatësisht, ajo importon 1,94 miliard Euro mallra në vit kurse eksporton vetëm 166 milion Euro—një përqindje e mbulimit prej 8.5%.

Ekzistojnë disa arsyeje pse një deficit tregtar shihet si jo vetëm negativ por edhe shkatërrues për ekonominë. Shumica nga këto arsyeje datojnë qysh nga koha e mesjetës, në periudhën e artë të merkantilizmit. Edhe pse liberalizmi klasik evropian i shekullit të 19-të i varrosi këto ide, sot e kësaj dite ka ende ekonomistë e analistë të cilët besojnë se vlejnë por në një formë më ndryshe.

Arsyeja e parë, me të cilën edhe lindi ideja që importet janë të këqija kurse eksportet të mira, është fakti që sa më shumë që një vend i shet tjetrit, aq më shumë para do të përfitoj. Të verbëruar pas parasë, këta ekonomistë erdhën në përfundimin e gabuar që një vend pasurohet nga shitja dhe jo nga blerja. Megjithatë, ky mendim e anashkalon krejtësisht esencën dhe rolin e parasë, faktin që paraja shërben vetëm si mjet i shkëmbimit në mes mallrave. Individët nuk e dëshirojnë paranë për ta konsumuar atë direkt, por për ta shkëmbyer me mallra dhe shërbime të cilat pastaj ua plotësojnë nevojat. Paraja si e tillë nuk plotëson kurrfarë nevoje sepse s’mund të konsumohet fizikisht. Një vend i cili ka paratë e botës por nuk i ka mallrat apo shërbimet s’ka ekonomi fare. Sipas pikëpamjes jo-logjike të merkantilizmit, sot Zimbabve do të duhej të ishte vendi më “i pasur” sepse Banka Qendrore dikur shtypi bankënota me vlerë deri Z$100 trilion.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me gjoja “rrezikun” që vjen nga blerja dhe abstenimin nga shitja. “Nëse Kosova vazhdon të importoj (blej) e të mos eksportoj (shes), ose të eksportoj fare pak, ne do të shëndrrohemi nga prodhues në konsumatorë të varur”, shpesh arsyetohet. Por si është e mundur të blihet pa u prodhuar? Si është e mundur të blihen mallra nga Maqedonia apo Serbia pa prodhuar diçka në shkëmbim? Edhe në rastin më të keq kur në Kosovë nuk do të prodhohej asgjë, numri i importeve do të ishte zero sepse nuk do të kishte me çka të mbulohen. Koncepti i bilancit tregtar është thjeshtë pseudo-problem i krijuar prej tendencës për të mbajtur statistika në mes shteteve. Askush nuk brengoset, për shembull, për bilancin tregtar në mes Prishtinës dhe Pejës, apo Filanit dhe Fistekit. Përderisa kufijtë mund të kenë rëndësi në kuptimin politik apo historik, ata nuk janë fare të rëndësishëm në kuptimin ekonomik.

Arsyeja e tretë ka të bëjë me mbrojtjen e prodhuesve vendorë. Shpesh thuhet që mbrojtja e prodhuesve vendor ndaj konkurrencës së huaj është akt patriotik i cili duhet të ndërmerret nga Qeveria. Por, përtej tingëllimit të këndshëm fshihet një e vërtetë e hidhur. Të mbrosh prodhuesin vendor do të thotë njërën nga këto: të përcaktosh tarifa apo kufizime të cilat e dekurajojnë importin dhe ja ulin konkurrencën prodhuesit vendor, apo t’i subvencionosh ata prodhues që dëshiron t’i mbrosh. Që të dyja duhet të bëhen ose në barrën e konsumatorit ose në barrën e taksapaguesit. Nuk ka formë të mbrojtjes për të cilën s’ka kosto, dhe ironikisht, në çdo rast kosto duhet të bartet nga vetë kosovarët. Në rastin e tarifave dhe kufizimeve, sasia e mallrave të huaj do të zvogëlohej dhe çmimet do të rriteshin duke i dëmtuar kështu konsumatorët. Në rastin e subvencioneve, do të dëmtoheshin taksapaguesit të cilëve u janë marrë paratë me dhunë për t’i financuar këto subvencione. Pra, në secilin rast do të kishte një humbës dhe një fitues, që të dy nga Kosova. Prandaj është idiotike të thuhet që masat anti-tregtare janë masa patriotike kur nga to përfitojnë një grup i zgjedhur i ndërmarrjeve në kurriz të konsumatorëve dhe taksapaguesve kosovarë.

Arsyeja e katërt ka të bëjë me ruajtjen dhe nxitjen e vendeve të punës. Shpesh thuhet që nëse nuk u “garantojmë” shitje prodhuesve vendorë, ata do të kenë më pak të ardhura dhe si rezultat do të punësojnë më pak punëtor. Pra, duke e lënë tregun të lirë t’i importoj mallrat e huaja, ne po kontribuojmë në rritjen e papunësisë. Por, kjo menjëherë na nxisë të pyesim: pse s’po blejnë konsumatorët vullnetarisht vetëm nga vendorët nëse punësimi i kosovarëve është qëllim i tyre? Kërkesat e Qeverisë na qenkan pra në kundërshtim me vendimet e konsumatorëve, të cilëve u takon e drejta e plotë të vendosin se ku do t’i shpenzojnë paratë e tyre. Ky megjithatë është problem minor, sepse problemi kryesor qëndron tek produktiviteti. Nëse Qeveria e Kosovës përcakton tarifa dhe kufizime duke dekurajuar importin e mallrave të huaja, atëherë në tregun kosovar do të krijohej një situatë ku konfigurimi i ekonomisë do të ishte i tillë që prodhuesit vendor, të cilët para tarifave ishin më pak efikas, do të futeshin në treg në vend të prodhuesve të huaj të cilët para tarifave ishin më shumë efikas. Pra, nga një situatë ku tregu i ka përcaktuar faktorët e prodhimit: fuqinë punëtore, kapitalin dhe burimet natyrore në linjat më profitabile (produktive), Qeveria do t’i ri-shpërndante ato në linjat të cilat nuk korrespondojnë me kërkesat e konsumatorëve. Si rezultat, një pako e qumështit që do të blihej për 1 euro, tani do të duhej të blihej për 1.20 për shkak të rënies në sasi të qumështit si rezultat i tarifave apo kufizimeve. Këto 20 cent shtesë që konsumatorët do të duhej t’i shpenzonin për qumësht do të mund të shpenzohesin në industritë tjera ku do të krijonin vende të reja pune. Pra, me tarifa dhe kufizime, Qeveria nuk e ka rritur numrin e të punësuarve por thjeshte e ka trazuar tregun duke i bartur faktorët nga njëra anë në tjetrën. Në fakt, nëse e marrim parasysh efektin neto në ekonomi, e shohim që ky konfigurim jo-produktiv rezulton në një prodhim (output) më të vogël se sa në rrethanat e përcaktuara nga tregu.

Natyrisht, ekzistojnë edhe shumë arsyeje tjera për vendosjen e tarifave dhe kufizimeve të cilat s’mund të diskutohen të gjitha. Ekziston, megjithatë, një rrethanë ku bilanci tregtar mund të jetë problematik. Kjo rrethanë ekziston në një sistem monetar të arit ku bankat komerciale veprojnë në sistem të rezervave frakcionale. Nëse në një situatë të tillë Banka Qendrore e rritë sasinë e parave letër në qarkullim duke shkaktuar kështu rritje të çmimeve (inflacion), eksportet do të dekurajoheshin për shkak se do të bëheshin më të shtrenjta kurse importet do të rriteshin sepse do të bëheshin më të lira. Rritja e deficitit do të duhej të paguhej në ari dhe sasi të arit do të dilnin nga vendi. Kjo natyrisht do ta ulte sasinë e arit në bankat komerciale me rezerva frakcionale duke i vënë ato në presion dhe në rrezik të falimentimit. Në këtë situatë ato do të detyroheshin ta kontraktojnë sasinë e parave letër që e kanë shtypur në masë duke shkaktuar recesion dhe duke e restauruar bilancin tregtar me kthimin e arit në vend. Ky skenar, megjithatë, është i pamundur në Kosovë sepse Kosova fatmirësisht nuk ka politikë monetare dhe fatkeqësisht nuk vepron në sistem të arit por në atë të parasë letër.

Është e rëndësishme të edukohen njerëzit përgjegjës në ministritë përkatëse të cilat merren me vendosjen e tarifave dhe kufizimeve dhe ta shohin që kosovarët do të përfitojnë më së shumti atëherë kur kufijtë hapen dhe lëvizja e mallrave bëhet krejtësisht e lirë. Lëvizjet anti-tregtare vetëm sa na përkujtojnë thënien aq të çmuar të Frederic Bastiatit: “Atëherë kur mallrat nuk i kalojnë kufijtë, do t’i kalojnë ushtritë.”

5 thoughts on “Obsesioni i panevojshëm me bilancin tregtar

  1. Trajtimi yt i deficitit tregtar eshe pak i hutuar. Fillimisht, ju perdoreni argumentin klasik se tregetia eshte e mire per te gjithe pa marre parasysh kontekstin se si ne realitet zhvillohet tregetia mes dy vendeve. Kjo eshte nje pikepamje qe vuan nga thjeshtesia e tepruar dhe zhveshja e problemit nga kompleksiteti i tregetise nderkombetare. Psh. Kosova importon produkte te subvencionuara nga vendet e tjera (kryesisht Serbia, Maqeodnia) qe automatikisht i shkel rregullat e tregtise se lire mes ketyre vendeve. Per kete arsye argumenti yt se duhet bere pune ne permiresimin e ambientit te biznesit (pajtohem) per te zvogeluar deficitin tregetar eshte gjysmak dhe nuk do te adresonte problemin e deficitit perderisa rregullat e tregtise se lire jane jashte kontrollit te kosoves. Pikepamjet e tua tjera karshi tatimeve, konsumimit, etj. jane jo-kritike dhe me teper reciklim i argumente standarde te teorise ekonomike neoklasike qe nuk kontektualizojne realietin ekonomik ne Kosove.

  2. Frank,

    Faleminderti për komentin.

    Nëse Bardhyli dhe ti më lejoni, do shtroj një pyetje: nëse qeveria e Serbisë (apo çdo vendi tjetër) parapëlqen t’u vjedhë dhunshëm para qytetarëve të saj për të financuar bukën që eksporton në Kosovë (për të marrë një shembull çfarëdo), përse duhet të mërzitet konsumatori Kosovar se buka po i serviret më lirë nga çdo vinte në një treg tërësisht të lirë? Fundja, Serbët po paguajnë për këtë bukë, jo ne. Ç’të keqe ka këtu për ne?

    Qëllimi final i çdo ekonomie nuk është prodhimi, por konsumi. Nëse do mund të jetonim pa prodhuar fare, por veç duke konsumuar, secili do e paprapëlqente këtë mundësi. Pra, nëse e gjithë bota do “çmendej” dhe nga inati i madh ndaj Kosovës do vendoste të subvenciononte 100% çdo eksport të sajin për në Kosovë, a nuk do lumturoheshim sepse çdo gjë do ishte falas në Kosovë, duke i falur qytetarëve të saj standartin më të lartë të jetesës në botë?

    Sigurisht, ky është një rast i skajshëm, por mekanizmi është po i njëjti. Subvencionet e huaja për eksportet janë një e mirë për konsumatorin tonë, dhe një e keqe e madhe për qytetarin e huaj.

  3. Frank,

    Faleminderit per komentin.

    Definicioni i tregtise se lire nuk eshte ai qe percaktohet ne marreveshjet ne mes shteteve. Definicioni i tregtise se lire eshte i thjeshte: largimi i ndalesave, kuotave, dhe tarifave doganore. Subvencionimi i eksporteve nga nje shtet, si i tille, nuk perben shkelje te tregtise se lire. Mund te perbej shkelje te CEFTA-se, por CEFTA, perkunder emrit, nuk eshte e barabarte me tregtine e lire.

    Natyrisht, Serbia e shkel tregtine e lire ne forma tjera, p.sh., duke ndaluar eksportin e produkteve te Kosoves ne Serbi dhe tranzit, si dhe duke vene kuota dhe tarifa. Por, argumenti i tregtise se lire eshte qe, *edhe* ne rastet kur nje shtet njeanesisht dhe fatkeqesisht e shkel tregtine e lire, *prape* eshte e leverdishme per vendin tjeter qe te adoptoje tregti te lire nga ana e tij. D.m.th. te kete tregti te lire te njeanshme.

    Nese ke ne mendje thjeshtezime tjera te cilat mendon se i kam bere, te lutem me trego qe t’i adresoj. Sa i perket politikes se subvencionimit te eksporteve, nuk kam cka t’i shtoj analizes se Etjonit.

Leave a Reply