Uncategorized

Pafytyrësia e pabesueshme e universiteteve publike

Etjon Basha

Mbrëmë në edicionin kryesor të lajmeve më zuri veshi një lajm që më la pa fjalë:

një shoqëri gjermane po bën vlerësimin e universiteteve Shqiptare, dhe pritet të botojë përfundimet e studimit të saj në fillim të Korrikut. Ç’ka këtu për tu skandalizuar? Lejomëni të sqarohem.

Qëkur edhe në vendin tonë më në fund morri vrull industria e institucioneve private të arsimit të lartë, eksponentë me pozitë nëpër universitete publike, publicistë e analistë e  në përgjithësi gjithë dynjaja nisën të çirreshin me të madhe se këto universitet private prodhonin diploma ma hesap, shisnin provimet dhe madje dhe tituj, dhe së paku ishin të një cilësia shumë më inferiore ndaj universiteteve publike. Dhe vijonte pa vonese kërkesa thuajse unanime për mbylljen e këtyre ‘fabrikave të diplomave’ që po na cenoni cilësinë e arsimit të lartë a ku ta di unë se çfarë.

Para se të vijoj dua të bëj një parantezë: edhe nëse këto pretendime qëndrojnë (dhe nuk ka rëndësi fare nëse qëndrojnë apo jo), kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë që këto universitete duhen mbyllur. Në pak kohë tregu do përshtatet dhe ndaj ‘inflacionit’ të diplomave siç përshtatet ndaj inflacionit monetar, duke skontuar diplomat e atyre universiteteve që i lëshojnë “pa hesap”. Nis realisht njerëzit i kanë kaq zët këto universitet, mjafton të shkojnë tek ato publike (që janë shumë më të lira) dhe ja ku u bë kjo punë, nuk ka pse të mbyllim me dhunë universitetet private.

Tani vijojmë. Qeveria me sa duket i mori seriozisht këto pretendime, por për ndonjë arsye të mistershme dhe me siguri falë ndonjë mrekullie, nuk mendoi ti mbyllte universitetet private vetëm sepse aksh Dekan e kërkonte. Qeveria mendoi të kontraktonte një firmë të huaj të specializuar, gjermanët tanë, për të renditur cilësinë e universiteteve në Shqipëri. Vini re që renditja nuk nënkupton në asnjë mënyrë akreditimin, të paktën tani për tani, dhe është thjeshtë një opinion i vlerësuesit që nuk do mbyllë e as do i tërheqë licencën ndonjë fakultetit. Sikur të mos ishte paguar me para të vjedhura (taksa) do të ishte një vlerësim tërësisht vullnetar dhe për tu mirëpritur.

Dhe ç’ndodh tani që më në fund Dekanët e dashur të universiteteve publike kanë shansin të tregojnë “në shesh të burrave” e se sa cilësorë janë ata në krahasim më mashtruesit që drejtojnë universitetet private? Refuzojnë të marrin pjesë në vlerësim!

Po, po, e lexuat mirë: shumica e Universiteteve Publike ne Shqipëri, me në krye Universitetin e Tiranës (nga i cili autori juaj nuk ruan as kujtimin më të vogël pozitiv) refuzojnë të krahasohen në mënyrë transparente e nga një vlerësues ekspert me konkurrentët privatë!  Mos ndofta do pranonin të krahasoheshin vetën nëse vlerësimin do ta bënin vetë ata?

Dhe nuk mbaron me kaq: një akademik i njohur në këtë Universitetin e Tiranës, që para jo shumë kohësh mbante një post tepër të rëndësishëm në hierarkinë e UT-së, kur u pyet nga media se si ka mundësi që pasi janë çarë duke kërkuar mbylljen e universiteteve private me pretendimin e cilësisë së ulët (së paku në krahasim me UT-në), tani është pikërisht UT-ja që refuzon të krahasohet, zotëria u përgjigj pa pikë turpi, që universiteti publik nuk mund të krahasohet me një privat në këto kushte. Por u dashka- dëgjoni, dëgjoni- të mbyllen paraprakisht Universitetet Private, dhe vetëm pastaj mund të vijojë vlerësimi!

Të dashur, nuk po shpik asnjë fjalë nga vetja, të gjitha rrjedhin nga pafytyrësia e tmerrshme e universiteteve publike.

Në postimin tim “Të ndajmë socialistët e sinqertë nga bandat e kriminelëve” argumentova që në fakt askush nuk beson realisht në idiotësirat socialiste që propagandon, dhe që mjafton të vini çdo socialist që njihni përballë zgjedhjes për të vënë në praktikë bindjet e tij dhe do shihni se si tërhiqet turpshëm para sfidës. Ja pra ku na serviret shembulli i radhës, dhe këtë herë hapur fare, në fushën e arsimit.

Mbrëmë u shpall kapitullimi intelektual i brezit të akademikëve Shqiptarë që janë mësuar të rrojnë në kurriz të taksapaguesit e duke drejtuar katedrat e tyre si tu dojë qejfi: ata vetë pranuan që nuk e përballojnë dot konkurrencën nga kolegët e tyre që zgjodhën rrugën e tregut të lirë, dhe tashmë u ka mbetur vetëm ti bëjnë thirrje ta hapur Shtetit të mbyllë me dhunë këto konkurrentë të rrezikshëm. Dhe kam frikë, se herët e vonë jo vetëm do ndodhë realisht kështu, por edhe që thuajse askush nuk do shohë ndonjë gjë të gabuar këtu!