Paga minimale do ta rrisë papunësinë

Bardhyl Salihu

Këshilli Ekonomik Social (KES) e ka marrë përsipër përgjegjësinë për përcaktimin e një page minimale për të gjithë punëtorët në Kosovë. Diskutimet rreth nivelit të pagës minimale po zhvillohen në mes dy sindikatave kryesore dhe përfaqësuesve të biznesit, por askush nuk po merret me pyetjen thelbësore: a duhet të ketë pagë minimale në Kosovë fare?

Sot literatura ekonomike është pothuajse unanime në mendimin që pagat minimale shkaktojnë papunësi. Politikanët kryesisht i implementojnë dhe i rrisin pagat minimale për të fituar vota nga injoranca e elektoratit i cili nuk i din pasojat e një politike të tillë kurse mendon se politikanët po kujdesën për të.

Para se ta shpjegojmë procesin se si pagat minimale shkaktojnë papunësi, pyetja e pare logjike që secili duhet t’i parashtroj vetës (pa marrë parasysh a është studiues i shkencës së ekonomisë) është kjo: nëse ne kemi mundësi t’i rrisim pagat thjeshtë nëpërmes krijimit të një ligji të ri, atëherë ku qenka rëndësia e punës fizike të cilën e kemi bërë deri tani për t’i fituar ato? Pse mos ta shkruajmë një ligj i cili thotë se secili duhet ta ketë pagën minimale 1 miliard euro? A nuk do ta nxirrnim popullin shqiptar nga skamja me këtë akt magjik?

Siç do ta shohim, një akt i tillë, sado fisnik, nuk mund të vij sikur të ishte dhuratë nga parajsa. Si çdo akt tjetër shtetëror, edhe ky duhet të vijë me një kosto shumë të lartë—dikush duhet të paguaj për të. Iluzioni që shteti mund t’i zgjidh problemet ekonomike është përkujtues i thënies aq të vërtetë të ekonomistit francez Frederic Bastiat: “shteti është trillimi i madh nëpërmes të cilit secili dëshiron të jetoj në barrën e secilit”.

Mënyra se si paga minimale shkakton papunësi

Paga është një çmim. Sikurse çmimi i bukës apo i veturave, edhe paga përcaktohet nga oferta dhe kërkesa. Oferta përbëhet prej individëve të cilët janë të gatshëm të punojnë për një çmim të caktuar, kurse kërkesa përbëhet prej bizneseve të cilat janë të gatshme t’i punësojnë këta individë për një çmim të caktuar. Aty ku oferta dhe kërkesa ekuilibrohen, d.m.th. barazohen, të gjithë ata të cilët duan të punojnë për çmimin e tregut do të gjejnë punë kurse të gjitha ato biznese të cilat dëshirojnë ta punësojnë dikë do të gjejnë punëtorë.

Le të marrim shembull që çmimi i tregut i cili e ekuilibron ofertën dhe kërkesën është paga prej 250 euro. Për një çmim të tillë punësohen 1 milionë shqiptarë. Të gjithë ata të cilët kanë dëshiruar të punësohen për këtë çmim janë në punë, kurse të gjitha ato biznese të cilat kanë dashur të marrin punëtorë i kanë gjetur ata.

Çka ndodhë nëse paga prej 250 eurove rritet? Nëse një rritje e tillë ndodhë nëpërmes rritjes së pagës minimale, p.sh. deri në 300 euro, atëherë logjikisht e kuptojmë që më shumë individë të cilët më parë nuk kanë qenë të interesuar të punësohen (si studentët apo ata që e kanë vlerësuar punën e tyre mbi 250 euro) do të vendosin të futen në tregun e punës duke e rritur ofertën. Në anën tjetër, kërkesa e bizneseve për punësim do të zvogëlohet sepse tani ato duhet të paguajnë më shumë nëse dëshirojnë ta punësojnë dikë.

Nga figura lartë e shohim që oferta për punë si rezultat i rritjes së pagës e ka rritur numrin e punëtorëve të interesuar në 1,200,000 (natyrisht, të gjithë numrat janë vetëm për ilustrim). Në anën tjetër, paga e rritur e ka zvogëluar kërkesën e bizneseve për punësim në vetëm 700,000 punëtorë. Dallimi në mes ofertës prej 1,200,000 punëtorëve dhe kërkesës së bizneseve për vetëm 700,000 punëtorë është teprica e tregut, 500,000 punëtorë, apo ajo që e njohim në përditshmëri si papunësi.

Kështu, në vend se paga minimale t’i ndihmojë punëtorëve të Kosovës, ajo praktikisht ja ndalon atyre punësimin nëse prodhimtaria e tyre nuk e justifikon pagën prej (në rastin tonë) 300 eurove. Çdo biznes i cili e punëson dikë me prodhimtari më të ulët se paga minimale do të pësoj humbje, dhe si rezultat, asnjë biznes nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Në treg do të rritet oferta për punë artificialisht, por edhe do të shkurtohet kërkesa e bizneseve në formë drastike.

Goditen më të dobëtit

Paga minimale i godet pikërisht individët më të dobët të shoqërisë: të rinjtë pa përvojë pune, invalidët, të moshuarit, nënat shtatzënë, prindërit e vetëm, etj. Të gjitha këto shtresa të shoqërisë kanë një prodhimtari më të ulët si rezultat i “të metave” të tyre. Rritja e pragut për ta nuk do t’i garantoj atyre një pagë më të lartë; thjeshtë do t’i nxisë bizneset që të mos i punësojnë këta individë. Edhe pse prodhimtaria e tyre e ulët nënkupton rroga më të ulëta, ata megjithatë e kanë mundësinë të garojnë për to në një treg të lirë dhe të punësohen. Në rastin e intervenimit në treg nëpërmes pagës minimale, ata e humbin edhe këtë mundësi të vogël. Pra, pagat minimale mund të trajtohen si ligje anti-punësim të cilat i godasin shtresat më të dobëta të shoqërisë.

Kosova veç e ka një papunësi të frikshme e cila luhatet rreth 45%, paramendojeni pasojën e pagave minimale. Mënyra më e mirë për rritjen e pagave në afat të gjatë është kursimi dhe pastaj investimi i kursimeve në mjetet e reja kapitale. Mbi të gjitha, tregu i punës si dhe të gjitha tregjet tjera kanë nevojë për lirinë e tyre funksionale, e jo për intervenimin arbitrar të shtetit. Të gjitha tentimet magjike për t’i bërë shqiptarët më të pasur nëpërmes dhunës së shtetit do të jenë të kota sepse ndeshen me ligjet themelore ekonomike të cilat s’mund të anashkalohen.

5 thoughts on “Paga minimale do ta rrisë papunësinë

  1. Te pakten paga jone e dashur minimale ne Shqiperi nuk zbatohet aq rigorozisht, por kam frike se ne Kosove do zbatohet me shume perpikmeri.

Leave a Reply to Bardhyl N. Salihu Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *