ekonomi

Paradigma tragjike që shoqëria dhe ekonomia zhvillohen nga Shteti

Një veti që vazhdimisht e kam vërejtur tek popujt më pak të zhvilluar, si shqiptarët, është që në vend se të ketë llojshmëri në mendime, ka llojshmëri në fakte. Për shembull, po ti pyesësh 10 shqiptarë për të kaluarën historike (faktet), do ti marrësh 9 përgjigje të ndryshme. Por po t’i pyesësh për rolin ose meritat e ndonjë figure historike (mendimin personal), pothuajse të gjithë do të japin përgjigjen e njëjtë. Në botën e zhvilluar Perëndimore, faktet kuptohen pothuajse njëjtë nga të gjithë. Janë opinionet ato të cilat ndryshojnë. Shqiptarëve duket sikur edukimi i dobët nuk i ka dhënë atyre bazën e fuqishme dhe besimin e duhur për të krijuar mendime personale që ndryshojnë nga ato të tjerëve. Si rezultat, mendimet e tyre, sidomos ato për problemet shoqërore dhe ekonomike, kolektivizohen dhe shpesh janë shumë të ngjashme.

Njëri prej këtyre mendimeve të përbashkëta e tejet të shpeshta është paradigma që Shteti është përgjegjës ose katalizator i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Nuk ka dyshim që shqiptarët besojnë tepër në Shtet dhe e shohin atë si sinonim të shoqërisë. Kur Shteti është i “fortë”, edhe ata janë. Zhvillimi i shoqërisë do të thotë zhvillimin e Shtetit. Pothuajse në çdo rast kur në lajme (në internet) ceken problemet ekonomike të Kosovës, lexuesit do të komentojnë me frazën: “Ne nuk kemi shtet”. Në ato lajme ku të arriturat ekonomike të ndonjë shoqërie tjetër përmenden; lexuesit shpesh do të përgjigjen me: “Ah, shtet i fortë”. Ky mendim madje thellohet aq shumë sa që roli i Shtetit nuk mbetet më vetëm si mjet por shëndrrohet në qëllim. P.sh. shpesh i kam dëgjuar disa duke thënë se këtë apo atë duhet ta bëjmë “për Shtetin”, e jo për vet individin apo shoqërinë.

Evropianët, si krahasim, e gjejnë një rol të konsiderueshëm për Shtetin por asnjëherë nuk e shohin atë si prodhues përfundimtar të mirëqenies ose planifikues të shoqërisë së “drejtë”. Anglo-saksonët, në anën tjetër, historikisht e kanë parë Shtetin si një institucion të pamoralshëm dhe joefikas i cili duhet të kufizohet sa më shumë që është e mundur. Nga e morën shqiptarët këtë ide krejtësisht tjetër nga ajo e evropianëve dhe anglo-saksonëve për rolin e Shtetit në shoqëri? Mendimi im personal është i dyfishtë; së pari, dominimi i kulturës së Lindjes që është në përgjithësi shumë më kolektiviste se ajo Perëndimore, dhe nën dy, periudha e socializmit në të cilën Shteti mori rol thelbësor në organizimin ekonomik të shoqërisë në Kosovë e sidomos në Shqipëri. Megjithatë, arsyeja e saktë për pritjet që shqiptarët i kanë tek Shteti duhet të kërkohet nëpërmes studimeve të thella historike, sociologjike dhe psikologjike dhe shpresoj që në të ardhmen kjo arsye do të hedhet në dritë.

Duke qenë se shqiptarët kanë besim aq të madh në Shtetin, ata e fajësojnë pikërisht atë për pakënaqësitë shoqërore dhe ngecjen ekonomike. Kjo është pasojë që rrjedh logjikisht. Shqiptarët e shohin standardin e tyre të ulët të jetesës si rezultat të “dobësisë” së Shtetit, një term të cilin rrallë kush nga ata lodhet ta definoj. Ndoshta një definicioni i mirë i kësaj dobësie do të ishte korrupsioni. Si rezultat, Shqiptarët vazhdimisht mendojnë se problemet mund të zgjidhen vetëm atëherë kur Shteti të “forcohet”, do të thotë, të lirohet nga korrupsioni. Vetëm kur në Shtet të vijnë individë të pa korruptuar do të punësohen ekspertë të cilët do ta vënë këtë makinë të planifikimit shoqëror në lëvizje siç duhet. Vetëm atëherë mund të ketë zhvillim shoqëror dhe ekonomik.

Paradigma shqiptare për rolin e Shtetit është tragjikisht e gabuar. Ta kërkosh zhvillimin e shoqërisë apo ekonomisë nga Shteti do të thotë të kërkosh planifikim qendror si në rrafshin etik edhe në atë ekonomik. Është e pamundur të përfshihet këtu i tërë argumenti kundër Shtetit dhe pasojave shkatërrimtare të tij. Megjithatë, është e mundur që logjikisht, me pak fjalë, të demantohet ideja idealiste që nëse ka vullnet të mjaftueshëm mund të ketë shtet të pa korruptuar.

Korrupsioni lind dhe vdesë me Shtetin

Shqiptarët idealistë të cilët presin aq shumë nga Shteti duhet ta kuptojnë që vetë Shteti si rregullim institucional e prodhon dhe zhvillon korrupsionin. Korrupsioni nuk është rezultat i ndonjë mungese të përvojës në shërbimin publik apo i ndonjë erozioni moral të shoqërisë, ai është thjeshtë trajtë e pandarë e Shtetit. Sa më i madh dhe më i përfshirë që është Shteti në shoqëri, aq më i madh është korrupsioni. Vetë definicioni i korrupsionit nënkupton shpërdorimin e fondeve publike, dhe sa më shumë që Shteti merr fonde nga sektori privat dhe i bartë ato në sektorin publik, aq më shumë para do të kenë politikanët për t’i shpërdoruar.

Fakti që korrupsioni ndryshon në nivele, p.sh. është shumë më i ulët në Evropën Perëndimore se sa në atë Lindore, nuk do të thotë që mund të shkëputet si fenomen nga institucioni i Shtetit. Në sektorin privat s’mund të ketë korrupsion pikërisht për faktin se prona i takon individit i cili i merr vendimet për të. Në Shtet, çdo vendim të ciln politikanët ose burokratët e marrin vlen për pronën e dikujt tjetër (p.sh. licencat për ndërtim të shtëpive) apo për pronën të cilën Shteti e ka marrë dhunshëm nën kontroll (p.sh. taksat). Si rezultat, qasja që burokratët e kanë ndaj pronës së huaj është thelbësisht ndryshe nga ajo që e kanë për pronën e tyre.

Megjithatë, problemi kryesor te ideja që Shteti mund të pastrohet nga korrupsioni është që nuk ka mekanizëm kontrollues. Nëse korrupsioni i prek të gjithë pjesëtarët e Shtetit, si është e mundur që t’i gjejmë ata pjesëtarë të cilët na bindin se nuk do të korruptohen dhe do t’i kontrollojnë të tjerët? Si është e mundur që nga një bashkësi e njëjtë të gjinden elemente që janë të ndryshme? Është e pamundur që të krijohen mekanizma kontrolli, në formë hierarkie, të cilët e mbikëqyrin zinxhirin e vendimmarrjes në Shtet dhe e mbajnë korrupsionin nën kontroll. Kush do t’i kontrolloj këta mekanizma kontrollues? Apo thjesht do të duhet t’i besojmë? Çka do t’i ndaloj këta mekanizma të bashkëngjiten me vet të korruptuarit si bashkëpunëtorë? Mos vallë e drejta ynë për të votuar dhe për t’i larguar ata nga pozita si dënim për imoralitetin e tyre? Por ne veç e kemi një mekanizëm të tillë, i cili quhet demokraci, e i cili nuk na ka sjellë rezultatet që po i kërkojmë në praktikë.

 

Nuk mund të ketë Shtet dhe të mos ketë korrupsion njëkohësisht. Ato janë produkte komplementare të cilat e nxisin dhe rrisin njëra tjetrën. E vetmja zgjidhje e drejtë është sistemi i tregut të lirë në të cilin shërbimet shkëmbehen në mënyrë vullnetare. Duke qenë se secili është kontrollues i pronës së tij, nxitja e secilit individ për ta përdorur atë pronë në mënyrën më efikase dhe në mirë të gjithë shoqërisë do të jetë maksimale. Konkurrenca e lirë e rritë kualitetin, inovacionin dhe i ulë çmimet për çfarëdo shërbimi që është fjala, qoftë prodhimi i Coca Colës apo edhe ofrimi i shërbimeve të mbrojtjes. Shteti, i cili në të vërtetë është vetëm sinonim i dhunës dhe planifikimit qendror, ka vetëm rol negativ në shoqëri.