ekonomi

Parimi i çuditshëm i bashkëpunimit politik

Etjon Basha

1

Ashtu si me cilëndo fe dominante, është shumë argëtuese të hetosh kontradiktat e brendshme të demofilisë së skajshme të botës moderne, e cila prej 20 vitesh edhe shqiptarëve po iu imponohet fuqishëm. Dhe pak të tilla kontradikta bien më fort në sy (për keq) sesa parimi absurd i “bashkëpunimit politik”.

Gjatë javëve që rrodhën para marrjes së statusit të vendit kandidat, por veçanërisht pas kësaj ngjarjeje dhe në kulm gjatë vizitës pompoze të Presidentit në ikje të Komisionit Europian, mediat e çfarëdo lloji kanë buçitur me mesazhin e famshëm të bashkëpunimit: nëse Shqipëria jonë e dashur do ka ndër mend të shkojë gjëkundi, partitë politike duhet ti lënë mënjanë ndasitë e thella e të bashkëpunojnë vrullshëm në të mirë të integrimit të vendit. Vetëm kështu, pretendohet, mund të lëmë pas tranzicionin e famshëm.

Ndër shumësinë e besimeve të çuditshme e dogmatike të demofilisë, ai i bashkëpunimit politik apo i “bipartizanizmit” siç njihet në ShBA, është padyshim më qesharaku: nëse të dy (apo të gjitha) partitë bashkëpunojnë njëtrajtësisht, përse na u dashkan partitë? Përse u dashka të votojmë, nëse cilido kandidat që do fitojë këshillohet të ndjekë po të njëjtat politika në bashkëpunim me ata që do humbasin? Ç’u ndodhi gjithë atyre fjalëve të bukura (dhe qesharake) mbi të mirat e konkurrencës politike nëse po kësaj konkurrence i vihet shqelmi në emër të bashkëpunimit? Në treg “bashkëpunimi” njihet më tjetër emër: kartelizim në dëm të konsumatorit.

Sipas këtij standardi, Partia e Punës në 90-ën mund të kishte thënë që do lejonte parti të tjera opozitare, sa kohë që ato “bashkëpunonin” me të në të mirë të popullit Shqiptar! Sigurisht, kjo do kish qenë qesharake.

Apo jo?
Apo jo?

Është për tu çuditur që ata që trumbetojnë me të madhe demokracinë si dhuratën më të madhe të Zotit/Historisë/Universit si dhe sistemin qeveritar më të mirë të mundshëm nuk gjejnë asgjë të çuditshme kur, pak çaste pasi na mallëngjejnë me të tilla lirizma na thonë që demokracia funksionoka vetëm kur partie bashkëpunojnë, pra janë saktësisht të njëjtat.

Një demofil i vërtetë duhet të mirëpresë plotësisht e pa rezerva konkurrencën dhe diskordancën politike, sado e ashpër të jetë, sa kohë që situata nuk shkon në dhunë. Një demofil i vërtetë duhet të kërkojë që të kemi sisteme zgjedhore sa më përpjestimore, një numër sa më të madh partish në Kuvend si dhe një përputhje sa më të madhe mes ideve dhe qëllimeve të partive me ato të elektorateve të tyre, duke nënkuptuar që një Kuvend i tillë “ideal” do qe shumë i paqëndrueshëm dhe konfrontativ, aspak skenë “bashkëpunimi” mes partive. Nëse një vizion i tillë nuk ju tërheq, atëherë mjaft më me gënjeshtra dhe pranojani së paku vetes që për demokracinë e vërtetë as ju nuk keni aspak opinion të mirë.

Mund të kundërshtohet që bashkëpunimi kërkohet vetëm kur bie fjala tek “çështjet madhore”, dhe jo në çdo vendim të vogël. Së pari, ja që ky pretendim është i gënjeshtërt. Një herë e një kohë, tek arenat e bashkëpunimit përfshihej vetëm integrimi vendit në BE, me argumentin që shumica dërmuese e elektoratit mbështeste pa rezerva këtë hap (në fakt të gjitha partitë Kuvendore e jashtë-Kuvendore në Shqipëri janë dukshëm pro integrimit, duke kënaqur kërkesën popullore). Mirëpo së fundmi skema e politikave ku na u dashka bashkëpunimi është zgjeruar vrullshëm dhe dukshëm: tashmë duhet që të mos pipëtijë as një zë kritik kur vjen fjala për Reformat Territoriale, Zgjedhore, Administrative e në njëmijë e një fusha të tjera.

Në fakt, kam harruar se kur qe hera e fundit që “bashkëpunimi” mitik nuk është përdorur për ti kërkuar Kuvendit të mos diskutojë dhe aq dhe të vijojë me miratimin e masës së ditës, sado të vockël apo e parëndësishme të qe ajo.

Ja pra që pretendimi që bashkëpunimi prek’ka thjesht çështje tejmadhore është i gënjeshtërt, një hile semantike që është përdorur në fillim sa për ta përfshirë këtë koncept të çuditshëm në vorbullën e opinionin publik: tashmë që, pas dekadash përsëritjeje monotone, ky parim nuk na tingëllon më aq i çuditshëm, befasisht në çdo fushë na u dashka bashkëpunim absosult.

Por edhe nëse pranojmë për efekt analize që bashkëpunimi kërkohet realisht vetëm në çështje madhore, si na qenka që për të tilla çështje madhore (që janë pikërisht më të rëndësishmet) nuk duhet të diskutohet fare, ndërsa për çikërrima administrative të parëndësishme na u lejuaka njëfarë debati?

Sërish, Shoku Alia në kohën e tij fare mirë mund të kish lejuar opozitarizmin, me kusht që për çështje madhore si, fjala vjen, socializmin, pronësinë publike mbi mjetet e prodhimit apo mbylljen e kufijve, partitë të bashkëpunonin si një trup i vetëm. Le të kishte debate kur vinte fjala tek emërimi i zëvendës sekretarit të komitetit të fshatit të Armenit. Ç’ofertë “tunduese” për një “kuadër organik bashkëpunues”! “Thanks, but no, thanks”.

Apo jo?
Apo jo?

Kështu pra, këmbëngulja e madhe e kohëve të fundit për të kërkuar “bashkëpunim politik” mes palëve në Shqipëri duhet tu hapë sytë shqiptareve mbi faktin që feja e tyre e re e demofilisë është kundërthënëse në vetë thelbin e saj: nuk mund të kemi edhe demokraci, edhe bashkëpunim politik. Secili le të bëjë, mes këtyre dy tipareve, zgjedhjen e tij.