politikë

Pasojat e zgjedhjeve në Amerikë për Kosovën

Ky artikull është botuar fillimisht në Sbunker me 11 mars 2016

Një gjë që e bën Amerikën të jashtëzakonshme është ndikimi i përhapur i zgjedhjeve të saj presidenciale. Si superfuqi ekonomike dhe ushtarake me mbi 800 baza anembanë globit, zgjedhjet amerikane kanë aq shumë pasoja për botën saqë është pothuajse e padrejtë që vetëm amerikanët votojnë në to.

Lidhshmëria politike e Kosovës me Amerikën është njëri prej shembujve më të spikatur të këtij ndikimi. Fati i kosovarit të zakonshëm do të përcaktohet më shumë nga ai që zgjidhet President në Amerikë sesa nga posti më i lartë politik në vend. Nëse si kosovarë nuk mund të votojmë në këto zgjedhje, së paku të mendojmë për pasojat e tyre tek ne dhe ta dimë se çka të presim.

Deri tani në garë për nominimin e partisë Republikane janë personaliteti mediatik Donald Trump, i cili kryeson, përcjellë nga Ted Cruz, Marco Rubio dhe John Kasich. Tek Demokratët gara është shumë më e thjeshtë. Kryesuese është ish Zonja e Parë dhe ish Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, e cila rivalizohet nga Bernie Sanders.

Pikëpamjet e kandidatëve dallojnë, jo vetëm nga njëra parti në tjetrën, por edhe përbrenda. Megjithatë, për Kosovën të rëndësishme janë vetëm pikëpamjet mbi politikën e jashtme. Cilët kandidatë do të vazhdojnë ta përkrahin? Cilët do të jenë më të ashpër me Serbinë dhe Rusinë? Cilët do ta përqendrojnë vëmendjen më shumë në Lindjen e Mesme dhe luftimin e ISIS-it? Për cilët Kosova nuk është fare në horizont?

Është vështirë të thuhet, sidomos duke marrë parasysh prirjet e politikanëve për të ndryshuar (dukshëm madje) pasi të zgjidhen. Por duke gjykuar pikëpamjet e shfaqura mbi politikën e jashtme deri tani, mund të japim vlerësimin cili është kandidati më i mirë për Kosovën.

Kuptohet, vlerësimin e kandidatëve nga pikëpamja e interesit të Kosovës. Një kandidat i mirë për Amerikën nuk do të thotë që gjithashtu është i mirë për Kosovën dhe anasjelltas. Për shembull, mendoj që kandidati më i mirë për Amerikën ka qenë Rand Paul (tani i tërhequr). Megjithatë, për shkak se politika e tij e jashtme është politikë e mosintervenimit, Kosova nuk do të përfitonte fare nga ai.

Nga kjo rrjedh kriteri kryesor i vlerësimit: kandidatët që janë në interesin e Kosovës janë kandidatët intervenues në politikën e jashtme. Ata që e shohin rolin e Amerikës si një lloj polici dhe gjykatësi botëror që ndërhynë në vende të ndryshme për të ndalur të këqijat, për të vënë drejtësinë në vend dhe për të imponuar vlerat e saj (lirinë, demokracinë, etj.).

Në Amerikë këta politikanë quhen “hawks” (shqip: sokola). Ata zakonisht janë  konservatorë dhe karakterizohen nga agresiviteti dhe durimi i shkurtuar me vendet që sfidojnë hegjemoninë amerikane, si Rusia, Kina, Irani, shtetet socialiste Ameriko-Latine, etj. Për shembull, George W. Bush ka qenë i tillë dhe nën presidencën e tij Kosova e ka fituar pavarësinë.

Për krahasim, Barack Obama është më ndryshe. Edhe pse ka shfaqur disa tipare të Bushit në politikën e jashtme duke vazhduar prezencën në Irak, zgjeruar atë në Afganistan, ndërhyrë ushtarakisht në Libi, bombarduar Jemenin, Pakistanin e tani edhe Sirinë me drona dhe aeroplanë luftarakë, ai megjithatë është treguar më i durueshëm dhe diplomatik gjatë mandatit të dytë. Ai ia ka hapur dyert Kubës socialiste dhe ka bërë marrëveshje me Iranin për programin bërthamor, e cila ia largon sanksionet dhe ia liron mbi 100 miliardë dollarë të ngrira në bankat jashtë vendit.

Nën udhëheqjen e Obamës edhe Serbia ka marrë trajtim të butë. Obama e ka afruar më shumë se kurrë Amerikën me Serbinë, ia ka hapur rrugën për anëtarësim në BE, kanë nënshkruar marrëveshje teknike me NATO-n, si dhe ia ka plotësuar kërkesat për Gjykatën Speciale dhe autonominë serbe në Kosovë. Përderisa Bushi thoshte “mjaft është mjaft, Kosova duhet të jetë e pavarur”, Obama i thotë Presidentit serb Tomislav Nikolic që është “plotësisht i kënaqur me atë që po bën Serbia dhe që e di se ata janë faktor stabiliteti në Ballkan”.

Edhe pse Obama e ka ruajtur mbështetjen amerikane për Kosovën, së paku nominalisht, me fjalime shabllon të përkrahjes, gjendja në terren flet ndryshe. Zelli i mbështetjes që e kishte Kosova në kohën e Bushit dhe kundërshtimi i tij i patrembur ndaj Rusisë nuk është më. Në parim, prandaj, është në interes të Kosovës që Republikanët t’i fitojnë zgjedhjet në Amerikë. Por siç do ta shohim, zgjedhjet e këtij viti mund të përbëjnë një përjashtim të këtij parimi.

Le të fillojmë me kandidatin Republikan i cili në gjykimin tim i konvenon më së paku Kosovës. Fjala është për vetë kryesuesin Donald Trump. Trump jo vetëm që nuk ka shfaqur asnjë formë rezistence ndaj Rusisë, ai madje ka thënë që ka simpati për Vladimir Putinin dhe që i pëlqen të punoj me të mbi problemin e Sirisë. Trump ka thënë gjithashtu që Amerika duhet të bashkëpunojë me Rusinë në luftimin e ISIS-it. Nën Presidencën e tij gjykoj se Kosova do të merrte fare pak përkrahje pasi ai me shumë gjasë do ta përdorte si karrotë për ta afruar Rusinë në çështjet madhore si ISIS-i dhe Kina, në të cilat ai është emocionalisht i investuar. Një makth i vërtetë.

Prognoza ime është që Trump do ta fitojë nominimin e partisë, fatkeqësisht, dhe kjo është arsyeja pse në këto zgjedhje parimi që Republikanët janë më të mirë për Kosovën mund të gjejë përjashtim.

Kandidati i dytë Republikan që do t’i përshtatej më së paku Kosovës është konkurrenti i dytë, Ted Cruz. Cruz është tepër i prirë për të investuar në Lindjen e Mesme dhe luftimin e ISIS-it dhe si Trump ka ftuar Rusinë që t’i bashkohet në aleancë. Agresioni rus në Evropë dhe përdorimi i “Armëve të Imigrimit në Masë” për ta dëmtuar BE-në nuk përbëjnë shqetësim as për Trump as për Cruz. Notë negative, pra.

Pas tij vjen John Kasich. Edhe pse kundërshtimet e tij ndaj Rusisë kanë qenë disi të moderuara dhe të paelaboruara, ai megjithatë e njeh këtë nevojë. Ndër të tjera ka thënë që Amerika duhet t’i armatosë dhe përgatisë forcat ukrainase në luftë ndaj paramilitarëve rusë. E keqja është që Kasich do të dalë nga gara së shpejti.

Dhe krejt në fund vjen kandidati që unë mendoj se është dukshëm më i miri për Kosovën. Marco Rubio. Senatori 44-vjeçar nga Florida është kundërshtari më i ashpër i Rusisë dhe agresionit të saj në Evropë dhe Siri. Ai ka identifikuar me mençuri planin strategjik rus në Siri për t’i eliminuar eksponentët më pak të dhunshëm në mënyrë që në fund të mbetet zgjedhja në mes Assadit si e keqja më e vogël dhe ISIS-it brutal në anën tjetër. Gjykoj që nën Presidencën e tij Kosova do të merrte përkrahjen më të madhe të mundshme, brenda suazave të arsyes, dhe natyrisht nëse klasa politike kosovare di ta shfrytëzojë.

Tek Demokratët vlerësimi është më i thjeshtë. Ndjekësi i Hillary-t, Bernie Sanders, është kandidati më mosintervenues në garë. Sipas tij Amerika nuk duhet të përfshihet në aventura ushtarake anembanë globit por të përqendrohet në diplomaci. Përderisa kjo pikëpamje mund të jetë me meritë dhe e drejtë — për amerikanët — nuk është fare në interesin e Kosovës.

Çka në lidhje me Hillary-n? Simpatia e shqiptarëve për të shpërtheu me shpalljen e kandidaturës së saj falë asaj që ka bërë burri i saj për ne. Intuitivisht mund të duket që Hillary është opsioni më pro-kosovar, por gjërat janë pak më të komplikuara.

Edhe pse ajo ka premtuar që do t’i bëj ballë Putinit për ta “kufizuar, përmbajtur dhe dekurajuar” agresionin rus në Evropë, besimi në fuqinë e saj për ta bërë një gjë të tillë vihet në pikëpyetje nga politika e saj e “resetimit” të marrëdhënieve me Rusinë kur ishte Sekretare e Shtetit. Sipas disa gjykimeve ajo politikë e paraqiti Amerikën si të dobët dhe në ngutje për të negociuar.  Në të njëjtën periudhë u rrit edhe toleranca amerikane ndaj Serbisë dhe filloi kontestimi i elementeve të pavarësisë së Kosovës.

Për më tepër, Hillary është kritikuar vazhdimisht për rolin e saj si Sekretare për shkak të dy skandaleve të mëdha. Së pari, nën detyrën e saj u vra brutalisht ambasadori amerikan në Libi, skandal në të cilin u shpërfaq mospërfillja e normave të sigurisë dhe reagimi i ngathët. Për këtë ajo u detyrua të japë dorëheqjen. Së dyti, Hillary tregoi pakujdesi të madhe kur përdori e-mailin e saj privat për të dërguar mesazhe zyrtare, 22 prej të cilave përmbanin dokumente top sekrete.

Rekordi i saj në politikën e jashtme, prandaj, nuk është shumë i mirë. Rreziku i kësaj është që Hillary-t si Presidente do t’i mungojë guximi për të intervenuar, pikërisht ajo që nuk na duhet neve.

Është paradoksale që kosovarët do të preket më shumë nga këto zgjedhje në të cilat janë spektatorë sesa në ato ku janë pjesëmarrës. Kjo flet për ndikimin amerikan në botë, veçanërisht në Kosovë, dhe është shenjë pozitive duke pasur parasysh alternativat e rrezikshme që i kanosen vendit. Meqë vendimi është në dorën e dikujt tjetër, më e mira që mund të bëjmë është ta shfrytëzojmë maksimalisht ndihmën që na ofrohet.