Uncategorized

Për një politikë monetare racionale

Etjon Basha

Thelbi i ekonomisë bashkëkohore

Paraja është thelbi i sistemit ekonomik bashkëkohor. Pa mirëfunksionimin e sistemit monetar një ekonomi do degradonte në nivelin e shoqërisë neolitike brenda një kohe të shkurtër. Shumica dërmuese e popullsisë njerëzore do vdiste urie nëse nesër sistemi monetar global do shkatërrohej. Nëse ndonjë ekonomist vë në dyshim kaq gjë, dëshmon veç se ç’kuptim të vakët ka për ekonominë.

E pra, nëse në çdo fushë tjetër të ekonomisë mund të tolerohen deri diku gafat, sistemi monetar duhet ruajtur me çdo kusht i paprekur. Nëse çdo lloj politike tjetër ekonomike mund dhe të lihet pas dore ose të formulohet nga persona të pa-aftë, politika monetare duhet të jetë maksimalisht efektive.

Cila është pra, politika monetare aktuale në Shqipëri dhe Kosovë dhe a e kalon ajo qoftë dhe një test minimal logjik?

Politika jonë aktuale monetare

Në Shqipëri politika monetare formulohet dhe zbatohet nga Banka e Shqipërisë. Aktualisht në Shqipëri tenderi ligjor është Leku, ndonëse qarkullimi i Euros tolerohet. Qëllimi publik i politikës monetare është ruajtja e inflacionit në nivelet 3%±1%, por një hetim i shpejtë i kursit të këmbimit Lek/Euro dëshmon se qëllimi i vërtetë i politikës monetare në Shqipëri është ruajta e këtij kursi në nivele të afërta. Para se kursi i synuar të zhvendosej gjatë 2010-ës në nivelin aktual të 138 lekëve për Euro dhe duket se këtë vit do zhvendoset sërish në 140), është synuar të ruhet në nivelin 136 lekë/euro. Një llogari e thjeshtë e koefiçentit të variacionit të kursit gjatë vitit 2010 dëshmon që BSh-ja në fakt ka arritur të realizojë politikën e saj reale monetare me shumë sukses.

Kosova nuk ka tender ligjor vendor dhe as i lejon Bankës Qendrore të caktojë politikën monetare, por kjo nuk do të thotë që Kosova nuk ndjek politikë monetare. Në fakt, Kosova ndjek politikën monetare më të thjeshtë të mundshme: adoptimi i një monedhe të huaj! Politika monetare e tenderit ligjor në Kosovë (Euroja) vendoset nga Banka Qendrore Evropiane në Frankfurt. Pra, Kosova ka deleguar politikën e saj monetare.

A janë këto zgjedhje, ose së paku njëra prej tyre, racionale apo mund të bëjmë më mirë se kaq kur vjen çështja te skeleti i ekonomisë sonë?

Politika irracionale

Dhe këtu i rikthehemi një prej zbulimeve më të mëdha ekonomike të të gjitha kohërave: çështja e pamundësisë së llogaritjes racionale në kushtet e një ekonomie socialiste. Siç kemi trajtuar më parë, në kushtet kur nuk ekziston treg për një produkt/shërbim, alokimi i tij në mënyrë racionale- pra, duke kënaqur maksimalisht kërkesat e publikut – është e pamundur. Misesi dhe Hajeku e zhvilluan argumentin për ekonominë socialiste (ku nuk ekziston treg për asnjë produkt a shërbim) ndërsa Rothbardi e përgjithësoi atë edhe në rastin e monopoleve të plota. Teoria nuk është hedhur poshtë kurrë.

Ç’lidhje ka kjo teori me politikën tonë monetare? Thjesht, politika monetare në Shqipëri dhe Kosovë zbatohet në kushtet e monopolit monetar! I ashtuquajturi tender ligjor, ose monedha të cilën qytetarët janë të detyruar ta pranojnë në shkëmbime mes njëri-tjetrit, ekziston si në Shqipëri (Leku) ashtu dhe në Kosovë (Euroja). Dhe për sa kohë shohim që politika monetare në Shqipëri e Kosovë formulohet në kushte monopoliste, atëherë që këtu mund ti vëmë kapak artikullit dhe të pranojmë që politika jonë monetare nuk është racionale, pasi në këto kushte nuk ka se si të jetë!

Atëherë qëllimi i parë dhe i fundit i Shqipërisë dhe Kosovës në fushën monetare duhet të jetë krijimi i një tregu monetar, në kushtet e të cilit dhe vetëm në kushtet e të cilit Shqipëria dhe Kosova mund të gëzojnë një politikë racionale monetare.

Tregu monetar dhe politika racionale monetare

Me dy hapa të thjeshtë mund të kalojmë nga sistemi aktual i monopolit monetar në një treg funksional monetar.

Së pari, duhet ndjekur propozimi i Hajekut për eliminimin e menjëhershëm të tenderit ligjor! Që tani e tutje gjykatat si në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të akordojnë zhdëmtime monetare në monedhën në të cilën kontrata nën shqyrtim është hartuar, dhe çdo lloj privilegjimi tjetër i Lekut ose Euros para valutave të tjera duhet eliminuar. Ky amendim i thjeshtë ligjor do krijonte në çast kushtet për lindjen e tregut monetar.

Së dyti duhet çliruar Banka e Shqipërisë nga kufizimet e pronësisë publike: ajo, bashkë me monopolin e printimit te Lekut (jo monopolit mbi politikën monetare ama!) duhet shitur në ankand ndërkombëtar sa më shpejtë! Për aq kohë sa BSh-ja do mbetet në pronësi shtetërore, ndonëse do operojë në një treg të lirë monetar, sërish do menaxhohet me stilin burokratik që karakterizon shtetin kudo. Vetëm nëse vendoset nën kufizimet si të një tregu monetar, ashtu dhe të nevojës për të sjellë fitime (që janë treguesit e vetëm të vlerës), politika monetare e BSh-së do optimizohet. Kjo masë vlen vetëm në Shqipëri pasi në Kosovë Banka Qendrore nuk ka monopol prodhimi paraje, dhe në fakt operon thjesht si rregullator bankar dhe aspak si Bankë Qendrore e mirëfilltë (çka nuk do të thotë që e lëmë BQ-në pa gjë: sfidën time për rregullimin financiar mund ta gjeni këtu)

Ç’të mirë do na sillnin këto dy masa?

Do zgjidhej një herë e mirë dilema monetare: cila politikë monetare është më e mira? Të gjesh dy ekonomistë që bien dakort mbi këtë pikë është arritje e madhe. Jo vetëm mes liberalëve dhe ekonomistëve me prirje etatiste ekziston një hendek i madh në këtë pikë, por dhe vetë shkollat e mendimit liberal nuk bien dakort në këtë pikë. Monetaristët e Milton Fridmanit propozojnë rregullin e k%-it, Hajeku donte qëndrueshmëri të fuqisë blerëse ndërsa Rothbardi ishte për qëndrueshmëri të ofertës monetare.

Vetëm tregu i lirë monetar do na tregojë politikën më të suksesshme. Në një Shqipëri pa monopol monetar, dikush do përdorë valutën që menaxhohet sipas parimeve Fridmaniste (që deri tani ka të ngjarë të jetë Franga Zvicerane), e dikush valutën që menaxhohet sipas parimeve Rothbardiane (që tani për tani nuk ekziston, por mund të lindë në një treg pa tender ligjor). Kush do zgjedhë monedhën  e duhur do fitojë, ndërkohë që të tjerët do humbasin. Në pak kohë mbarë tregu do dyndet tek valuta që jep efektin praktik më të mirë. Ja ku fare lehtë shmangen qindra mijëra faqet e shkruara mbi problemet monetare!

Por shumë më e rëndësishme se kjo do jetë siguria që Shqipëria dhe Kosova do gjejnë më së fundmi në një sistem monetar të menaxhuar në mënyrë racionale dhe efektive, duke fituar kornizën më të mirë për zhvillimin ekonomik afatgjatë dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Një sistem i tillë nuk do mund të përmirësohej dot: ai do ishte tërësisht optimal e do maksimizonte efektivitetin e politikës monetare në hapësirën shqiptare.

Nëse paraja është zemra e ekonomisë moderne, sistemi ynë monetar nuk i duhet lënë besëtytnive të shekujve të kaluar, por i duhet dorëzuar pa vonesë racionalitetit, efiçencës dhe disiplinës së tregut dhe llogaritjes ekonomike. Kudo tjetër gafat edhe mund të kalohen, por jo këtu. Pa sistemin monetar më të mirë të mundshëm, shanset që Shqiptarët të arrijnë mirëqenien perëndimore janë të pakta, megjith dëshirën e mirë dhe përpjekjet e përditshme.

EDIT: Plani i mësipërm është zgjeruar disi në një postim më të vonë. Ndërkohë që për një version më “europian” (dhe disi më pak ambicioz) shih këtu.