politikë, shkencë

Për një reformë reale arsimore (pjesa 2 nga 2)

Etjon Basha

(vijon nga pjesa 1)

Le ta nismi analizën e përfitimeve që zbatimi i sistemit të kuponëve do kish nga këndvështrimi i “partnerit” tonë në kompromis, etatistit mesatar shqiptar.

Për prindërit shqiptarë, përftimi i madh i sistemit të kuponëve do jetë rritja e qenësishme e cilësisë së shërbimit nëpër shkolla. Të vëna para presionit të konkurrencës me mijëra institucione të tjera, shkollat tona 9-vjecare nuk do mund ti lejojnin më vetes luksin e shpërfilljes tërësore të kërkesave të klientëve të tyre të vërtetë, prindërve. Duke pasur si nxitjen ashtu dhe mjetet (menaxhimin autonom të buxhetit të tyre) për tu përmirësuar, është e sigurt që në një kohë fare të shkurtër pamjet e shkollave të shkatërruara që i ekspozojnë nxënësit në mëshirën e elementëve natyrorë dhe ngricës apo dhe i lajmeve mbi kurset private që aksh mësues kërkon si kusht për dhënien e notës do rrallohen në maksimum.

Më tej, sistemi i kuponëve do kish edhe një përparësi të mëtejshme, këtë herë nga këndvështrimi i publikut të gjerë: kthimi i stafit mësimor nga të punësuar në pronarë. Mjaft lotë krokodili janë derdhur mbi gjendjen e vështirë ku u gjendkërka mësuesi i thjeshtë, i cili e paska të vështirë të jetojë me rrogën e pakët që i jepet.

1

Bukur pra, le ti kthejmë këta mësues të përvuajtur por dashamirës në pronarë të shkollave e të shohim se sa mirë arrijnë të menaxhojnë vendin e tyre të punës. Le ti vendosin vetes rroga të majme nëse arrijnë të tërheqin aq nxënës sa ti mbulojnë këto shpenzime. Nga këndvështrimi i prindërve, sa kohë egziston liria e plotë për të lëvizur fëmijën në shkolla të tjera, gjithshka tjetër është detaj. Nga këndvështrimi shtetit, sa kohë shkolla plotëson kriteret e programit publik, gjithshka tjetër është detaj.

Kundërshtia që do mund të ngrihej nga publiku do ishte që kjo skemë privatizon plotësisht arsimin, dhe nëse ka një biznes që shqiptarët e kanë tmerr, ai është padyshim shkolla private. A nuk do kthehen edhe shkollat tona publike në kopje të këqija të shkollave 9-vjecare private, ku nuk bëhet mësim dhe nota jepet pa hesap?

Duhet të tregohemi fare të sinqertë kur përballemi me kritika të tilla: ato nuk janë veçse shfaqje mjerane të mendësisë së klasës së ulët. Në pamundësi për ti dërguar dhe fëmijët e tyre në shkolla ku ata trajtohen jo si angari e bezdisur por si klientë që duhen respektuar, shumica e shqiptarëve reagon duke kritikuar pa hesap dhe logjikë pikërisht shkollat private. Mbetem i bindur që në kushtet kur çdo shqiptar do mund ti dërgojë fëmijët në shkolla që së paku ndjenjë presionin e konkurrencës, magjikisht do zhduket inati i madh ndaj shkollave private.

Bukur, po nga këndvështrimi liberal, ç‘përfitime do sillte një skemë e tillë?

Dy përparësi të mëdha do kishte sistemi i kuponëve në krahasim me sistemin aktual.

Së pari, impakti i prerjes së dhjetëra-mijëra vendeve të punës në shtet për ti rikrijuar në sektorin privat, do ishte i jashtëzakonshëm për mendësisë mesatare në Shqipëri. Me një lëvizje të vetme shteti ynë i dashur do tkurrej me mbi 90%, një reformë para së cilës tkurrjet e mefshta e të frikësuara të së shkuarës zbehen tërësisht. Kjo nuk mund veçse të jetë një fitore e madhe për liberalizmin në Shqipëri.

Në pamje të parë, mund të duket që mësuesit-pronarë të shkollave 9-vecare do ishin punonjës të sistemit privatë vetëm nominalisht, pasi buxheti i tyre do rridhte sërish nga ministria e arsimit, së paku në masën më të madhe e së pakë në vitet e para. Ç‘kuptim do kish pra, të flisnim për “sektor privat” në këto kushte?

Ja që pamja e parë është shtrembëruese. Fakti është që mësuesit e ish-shkollave publike në një sistem kuponësh do jenë plotësisht të punësuar në sektorin privat sepse skema e re do ndryshojë katërcipërisht nxitjet e tyre. Sot, mësuesi “e ka keq” derisa të punësohet në ndonjë shkollë, por nëse e kalon këtë “sprovë”, më tej është i lirë ti gëzohet punës relativisht komode, pagesës relativisht të lartë e pushimeve të zgjatura, madje dhe të përpiqet të “mjelë” sa më shumë lekë nga familjet e nxënësve duke ofruar kurse privatë në këmbim të notës. Individët që kanë aq formim moral sa ti bëjmë ballë tundimit për të neglizhuar mësimin e shtrënguar artificialisht notën janë të rrallë, dhe në vijim do rrallohen edhe më. Çdo përpjekje e vijuar e mësuesve si profesion i drejtohet jo përmirësimit të shërbimit nëpër shkolla por lobimit për rritjen e radhës të buxhetit për arsimin, e kanalizuar në rritje pagash për vetë ata.

Përkundër, mësuesi në një sistem plotësisht privat (ndonëse të financuar me kuponë) ka nxitjen maksimale për të ofruar vlerën më të lartë të shtuar për prindërit pasi vetëm kështu mund të rrisë buxhetin e shkollës së tij (“së tij” këtu ka kuptim të plotë, pasi ai vetë është pronar i saj). Ndonëse paratë vijnë nga taksapaguesi, ato kontrollohen nga prindërit. Nëse një shkollë e lë veten të bjerë në nivel të papranueshëm krahasuar me alternativat e saj të afërta, nuk do qe fare çudi që kjo shkollë ta gjendej pa as një nxënës, duke falimentuar e hedhur stafin në rrugë. I gjithë zelli që sot hidhet në lobing e kurse private do shpenzohej shumë më mirë për të rritur përftimin nga ora e mësimit, brenda kornizave të programit mësimor të unifikuar e të kërkesave të prindërve.

Edhe nxitja në marrje në punë do ndryshonte rrënjësisht në një sistem me kupon. Nëse sot punësimi në arsim është kthyer në një “mision të pamundur” për arritjen e së cilit paguhen në mënyrë private mijëra euro, një sistem shkollash private do kish nxitjen maksimale për të punësuar thjesht stafin më të kualifikuar.

Fundja, mjafton edhe vetëm një mësues i keq për të zëruar përpjekjet e dhjetë mësuesve të mirë, veçanërisht në kushtet kur kalimi nga një shkollë në tjetrën është i lehtë e i lirë (në mos falas). Është e vërtetë që mbetjet e sistemit aktual klientelist nuk kanë si të zhduken brenda ditës, dhe madje që kalimi i pronësisë në dorë të vetë stafit mësimor mund të nxisë aty për aty edhe nepotizmin e ngushtë familjar në çastet e para të zbatimit të kësaj reforme. Por këto do jenë zhvillime të çastit, të cilat presioni i vijuar i konkurrencës pritet ti “krasisë” e eliminojë tërësisht më kohën. Sidoqoftë, eliminimi i këtyre mangësive do ishte shumë më i shpejtë në sistemin e kuponëve sesa në sistemin e sotëm.

Kështu, ndonëse mund të duket që privatizimi i sistemit arsimor do qe thjesht nominal në kushtet e financimit të vijuar nga buxheti i shtetit, fakti është që, përkundrazi është kontrolli shtetëror ai që mbetet nominal në kushtet kur financimi kalon nga miratimi i prindërve.

Së dyti, efekti afatgjatë në buxhetin shtetëror do ishte tejet pozitiv. Në çastin e parë të privatizimit, situata e buxhetit nuk do ndryshonte fare, duke qenë se të njëjtat fonde do i kalonin të njëjtave shkolla, por thjesht duke kaluar nga “filtri” i prindërve. Në afat më të gjatë ama, presioni i madh e i vijuar i sindikatave të arsimtarëve dhe i prindërve që kërkojnë përmirësim të kushteve për fëmijët e tyre do kanalizohej nga Ministria për tek vetë shkollat. Pra, trendi i rritjes së buxhetit publik do zgjidhej nga trendi i rritjes së cilësisë së arsimit.

Është e vërtetë që një farë lidhjeje mes tyre do vijojë të egzistojë, në formën e kompensimit më të lartë për shkollat me çmim më të shtrenjtë. Por ky presion do qe shumë më i përballueshëm në krahasim me “koalicion spontan” të sotëm ku prindër e mësues bashkohen për të kërkuar shpenzime më të larta. Në një sistem privat, presioni i madh do ushtrohet mbi vetë shkollat, e vetëm së dyti mbi shtetin për rritjen e shumës së kompensueshme.

Pra, vetëm në kushtet e një sistemi kuponësh mund të kufizohet rritja afatgjatë e buxhetit të arsimit, pasi në kushtet aktuale kërkesa e vijuar për rritjen e cilësisë së arsimit (një kërkesë normale dhe universale për një shoqëri në pasurim të vijuar) është thjesht e papërballueshme afat të gjatë.

Është e vërtetë që sistemi i kuponëve lë shumë për të dëshiruar nga këndvështrimi liberal. Kontrolli i programit mësimor i lihet sërish shtetit, i cili mbetet po aq i lirë ta përdorë atë për përhapjen e mendësisë etatiste tek brezi i ri. Më tej, kontrolli do mbetet edhe tek organizmi i provimeve te Lirimit e Maturës, edhe në rastin ideal kur gjithë kontrollet dhe ndërhyrjet e tjera do eliminoheshin plotësisht. Së fundmi, financimi i mbarë sistemit do varej fillimisht dhe në masë të madhe nga taksapaguesi.

Këto janë mangësi reale por të pashmangshme në kushte reale të mendësisë shqiptare. Alternativa ndaj sistemit të kuponëve nuk është privatizimi i plotë e i pakompromistë i arsimit, por vijimi i arsimit plotësisht publik, ku fryrja galopante e buxhetit dhe shërbimi i varfër do vijojnë të mbeten probleme madhore. Mënyrë tjetër për ta ndalur sistemin aktual arsimor nuk ka. Dhe kushdo që e njeh qoftë dhe në mënyrë të përciptë sistemin e sotëm arsimor publik në Shqipëri nuk mund veçse të bie dakord që ai duhet ndalur sa më shpet të jetë e mundur.