Uncategorized

Për një reformë reale të pensioneve (pjesa 2 nga 3)

Etjon Basha

(vijon nga pjesa e parë)

Reforma që propozohet këtu është e tillë: së pari, gjithë kontributet në sistemin e sigurimeve shoqërore duhen zeruar, duke përfshirë ato që paguhen nga punëdhënësit. Pensionet në Shqipëri do duhen paguar 100% nga buxheti i shtetit. Së dyti, çdo shtetas shqiptar me pasaportë të vlefshme e me rezidence në Shqipëri do përfitojë një pension fiks mujor prej 19’000 lekësh nga çasti që mbush moshën e caktuar, pa asnjë kusht apo favor tjetër. Çdo pension i veçantë për profesione të caktuara mbi këtë shumë do duhet eliminuar në çast. Fund.

E sqaruar kështu, kjo reformë duket thjesht utopia majtiste e radhës, ku secili do ndihmohet falas nga shteti pa kurrfarë ndikimi në buxhet. Mirëpo një analizë e thjeshtë e shifrave dëshmon që një skemë e tillë nuk është aspak e pamundur për tu financuar.

Apo jo?
Apo jo?

Sipas të dhënave të Instat-it, në vitin 2013 në Shqipëri jetonin rreth 164’000 meshkuj të moshës 65 vjeç e sipër si dhe 249’000 femra të moshës 60 vjeç e sipër. Në total pra, një popullsi prej 413’000 personash në moshë pensioni. Do supozojmë që të gjithë këta persona janë shtetas shqiptarë rezidentë (në mos qofshin, aq më mirë).

Ndërkohë tek adresa e Ministrisë së Financave, le të marrim të dhënat e Buxhetit të po këtij viti (tabela 6). Do shohim që fondi i alokuar për sistemin e Sigurimeve Shoqërore (C45 dhe C47) ka qenë 95’814 Milionë Lek. Një llogari fare e thjeshtë na dëshmon që fondi ekzistues i Sigurimeve Shoqërore mjafton për ti dhënë çdo shtetasi shqiptar në moshë pensioni një pension prej 19’332 Lekësh në muaj. Kjo shifër mund të rrumbullakoset në 19’000 lekë në muaj për të lënë fonde për shpenzimet (e pakta) të menaxhimit të skemës.

Ndërkohë nga ana e të ardhurave, shohim që fondet që vijnë nga kontributet në sistemin e  sigurimeve shoqërore (C20) janë rreth 51’799 Milionë lek, shifër prej së cilës duhen zbritur 9’698 milionë kontribute që paguhen prej vetë buxhetit për të punësuarit në sektorin publik (C34). Pra, po të eliminohen tërësisht gjithë kontributet e punëdhënësit e punëmarrësit në sistemin e Sigurimeve Shoqërore, duhet gjetur një mënyrë për të sjellë 42’101 milionë lekë të ardhura shtesë në buxhet. Duke qenë autori juaj ithtar i madh i TVSh-së, propozoj që kjo shumë të fitohet përmes rritjes së TVSh-së në masën 25% si dhe zvogëlimit të numrit të  produkteve e shërbimeve të përjashtuara prej saj (idealisht në zero). Nëse mbetet një pjesë e kësaj shume e pambuluar në këtë mënyrë, mund të zvogëlohen shumë zëra shpenzimesh në buxhet nga pak për të rrumbullakosur përfundimisht diferencën.

Kështu, nga ana teknike, një skemë pensionesh ku çdo qytetar rezident në moshë pensioni përfiton një shumë mujore prej 19’000 lekësh, pavarësisht vjetërsisë në punë e kritereve të tjera të tilla, e që për më tepër financohet plotësisht prej buxhetit të shtetit është fare e mundur teknikisht. Tashmë le të shohim nëse do qe një përmirësim nga skemës aktuale.

Një problem madhor, i cekur në një seri të posaçme postimesh, i sistemit të kontributeve shoqërore në Shqipëri e gjetkë është inefiçenca e madhe e kësaj forme tatimi. Le të supozopjmë që një punëdhënsës është i gatshëm të paguajë deri në 55’000 lekë në muaj për një punëtor, ndërsa punëmarrësi është i gatshëm të pranojë vendin që ofrohet për çdo pagë nga 50’000 lekë në muaj e më sipër. Normalisht, dy palët do binin dakort lehtë për të lidhur kontratën e punës për cilëndo pagë prej 50’000 deri në 55’000 lekë në muaj. Mirëpo, nëse supozojmë që për çdo të punësuar punëdhënësi duhet të paguajë rreth 25% të pagës bruto si kontribut ndërsa punëmarrësi nuk ngarkohet me asnjë kontribut si dhe që nuk kemi tatime të tjera, do shohim që krijohet një “çarje” mes asaj që paguan punëdhënësi dhe asaj që përfiton punëmarrësi.

Kështu, ndonëse i punësuari përfiton një pagë mujore prej, le të themi, 50’000 Lekësh, punëdhënësit ai i kushton më tepër, 62’500 lekë. Punëtori nuk e justifikon këtë “pagë” me produktiviteti e tij dhe shoqëria që e punëson del me humbje prej marrjes së tij në punë. Dhe paga nuk mund të ulet më për të pasqyruar produktivitetin real të të punësuarit pasi ky fundit nuk pranon të punojë për më pak se 50’000 lek në muaj (argumenti mund të thellohet edhe më me supozime mbi vlerën që pensioni  shtetëror ka për të punësuarin, por ky postim nuk është vendi për analiza tejet të thella). Pra, ndonëse produktiviteti i të punësuarit mund të jetë rreth 55’000 lek në muaj, punëdhënësi nuk mund ta ofrojë këtë pagë  dhe i punësuari nuk mund të pranojë atë që mund ti ofrohet. Si përfundim, kontrata e punës nuk lidhet, buxheti nuk përfiton gjë dhe pensioni nuk jepet.

Efekte të tilla janë të pashmangshme me cilindo formë tatimi, mirëpo në rastin e Shqipërisë efekti i kontributeve shoqërore është shumëfish më i rëndë sepse “papunësia” (ndonëse vullnetare) është problem shumë më madhor në Shqipëri se në shumë vende të tjera. Kështu, çdo masë që ul punësimin në vendin tonë duhet eliminuar sa më parë, dhe sistemi i kontributeve shoqërore është ndër masat kryesore që ulin punësimin në Shqipëri.

Një sistem sigurimesh shoqërore si ai që propozojmë më sipër do eliminonte inefiçencën madhore të kontributeve, duke kompensuar rënien ne të ardhurave me rritjen e TVSh-së.  Në pamje të parë mund të duket se ajo që po bëjmë këtu është thjesht zëvendësimi i një forme tatimi me një tjetër, e që efekti i manovrave të tilla në tregun e punës nuk ka se si të jetë i madh.

Por ja që kjo analizë do qe kryekëput e gabuar, pasi TVSh-ja, në dallim me kontributet shoqërore, nuk paguhet në përpjesëtim më pagën e çdo të punësuari, por në tërësi për gjithë shoqërinë. Kështu, as numri i të punësuarve e as fondi i pagave të një shoqërie nuk ndikojnë fare në masën e TVSh-së që duhet paguar, çka nënkupton që kjo formë tatimi nuk sjell shformime të tregut të punës. Eliminimi i kontributeve do qe realisht i kotë nëse diferenca në buxhet do kompensohej me rritjen e tatimit mbi të ardhurat personale, një formë tatimi që gjithashtu krijon shformime në tregun e punës. Kështu, që reforma që propozojmë këtu të sjell efektin maksimal pozitiv, është jetike që tatimi që rritet të mos jetë tatimi mbi të ardhurat vetjake, por TVSH-ja. Nëse kjo reformë do shoqërohej dhe me abrogimin e Kodit të Punës dhe të pagës minimale, efekti në tregun e punës do qe maksimal dhe shqiptarët do mund të përkthenin maksimalisht stokut e tyre të varfër të kapitalit në paga më të larta. Por edhe e lënë më kaq, kjo reformë do ndikonte fuqishëm në rivlerësimin e stokut të punës në Shqipëri, një rivlerësim për të cilin shoqëria ka nevojë të madhe.

Efekti i dytë pozitiv i reformës së mësipërme do që zvogëlimi masiv i burokracisë së lidhur me menaxhimin e sistemit të sigurimeve shoqërore. Sistemi aktual mbështet mbi një matricë të gjërë informacioni pasi kërkon nga çdo i punësuar (së paku në teori) të dhena mbi kontributet mujore përgjatë dekadave në punë, numrin e viteve në punë, pagat mujore, etj., dhe të gjitha këto në kushtet kur personi gjatë jetës së tij profesionale mund të ketë ndryshuar disa herë vendin e punës. Mbledhja dhe ruajtja e të dhënave të tilla për qindra mijëra të punësuar nuk është aspak e lehtë, aq më pak kur përfshihet dhe nevoja për të llogaritur e rillogaritur përfitimet çdo herë që Këshilli i Ministrave ndryshon ndonjë presje në skemë (pra, thuajse përvit). Një sistemi tillë j vetëm kërkon një aparat të gjerë burimesh njerëzore për tu menaxhuar, por dhe ka kosto të larta për qytetarët dhe shoqëritë në terma kohe raportimi.

Sistemi që propozojmë këtu do eliminonte pjesën dërmuese të gjithë këtyre kërkesave. E vetmja punë e cila do kryhej do qe shpërndarja e pensionit fiks mujor në pikat e Postës Shqiptare apo bankave të nivelit të dytë, si dhe rakordimi mujor i pagesave me buxhetin e alokuar. Nuk do ishte fare çudi të Instituti i Sigurimeve Shoqërore të mund të punonte fare lehtë me një duzinë punonjësish për të kryer një punë kaq të lehtë, me gjithë kursimet në buxhet që kjo do nënkuptonte. Më tej, të çliruar nga detyrimi për raportime të stërholluara mujore e për ruajtën e të dhënave disavjeçare, qytetarëve dhe shoqërive do u hiqej një barrë jo e lehtë administrative që paguhet në kohë të humbur dhe stres.

Efekti i tretë do qe ai i racionalizimit të vetë sistemit të sigurimeve shoqërore. Sistemi aktual ka degraduar në një mish-mash që sjell kosto në shoqëri dhe as që përmbush së paku qëllimin e tij origjinal, ai i eliminimit të varfërisë së skajshme tek mosha e tretë. Dhe në fakt, edhe pasi gjithë sektori prodhues dhe jo-prodhues (pra shtetëror) në vend i nënshtrohet çdo muaji punës angari të llogaritjes së shifrave të kërkuara për “mbarëvajtjen” (siç thuhet) e sistemit të sigurimeve shoqërore, sërish përballemi me shtresa të gjëra që përfitojnë pensione qesharake ose dhe asnjë pension fare.

Për të ndihmuar këto shtresa pastaj ngrihen zëra të indinjuar që kërkojnë ngritjen e skemave nga më të ndryshmet për të ndihmuar minoritetet, minatorët, shtëpiaket, etj.  Ky teatër qesharak ku shteti sillet sikur ka ngritur një sistem privat (por të falimentuar pas çdo standarti të arsyeshëm kontabël) pensionesh ku thjesht secili është i detyruar të kontribuojë, e ku qytetarët paguajnë aq sa duhet pa ndonjë shpresë se do shohin kthime të arsyeshme duhet të marrë fund: duhet pranuar një herë e mirë që pensionet publike nuk janë, sa kohë ekzistojnë, një version shtetëror i një institucioni privat, por një skemë e rishpërndarjes së pasurisë. Nëse nisë të trajtohet për atë çka në fakt është, ndofta ka shpresa që skema e pensioneve mund të funksionojë “lehtë” dhe pa i prishur shumë punë ekonomisë produktive, duke qenë njëkohësisht shumë e parashikueshme dhe e kuptueshme për çdo qytetar.

Efekti i katërt do ishte izolimi i pensioneve nga luhatjet demografike si plakja e popullsisë dhe tkurrja e forcës së punës. Sistemet aktuale të pensioneve mbështeten mbi tatimin e të ardhurave nga puna (pagat) dhe në çastin që këto të ardhura nisin të bien apo të mos rriten aq shpejt sa pritej, krijohen deficite që cënojnë mbarë skemën (mangësi e theksuar vecanërisht në skemat “pay as you go”). Skema që propozohet këtu e shmang këtë problem pasi financon pensionet jo nga të ardhurat e punës, por nga gjithë fondi i të ardhurave në shoqëri. Pa ripërsëritur shumë veten, mjafton të rikujtojmë që TVSh-ja është tatim në burim dhe si i tillë taton burimin unik të gjithë të ardhurave në shoqëri, qofshin ato paga, qera (renta), interesa apo fitime, kështu që financimi i skemës së pensioneve prej një tatimi të tillë do i mundësonte një vendi me forcë pune në tkurrje por stok kapitali në rritje (praktikisht çdo vendi perëndimor) që të paguante fare pa problem pensionet, pavarësisht popullsisë në rënie. Kjo, nga ana tjetër, do sigurojë që, kur të vijë çasti që edhe Shqipëria të bëhet vend tërheqës për emigrantët e huaj, skema e pranimit të tyre të jetë e mirëmenduar dhe racionale, dhe jo një zgjidhje e çastit e shtyrë nga nevoja urgjente për fryrjen e forcës së punës për të financuar pensionet.

Së fundi, le të diskutojmë disa kundërshti që mund të ngrihen ndaj kalimit në një skemë të tillë “të sheshtë” pensionesh.

(vijon pjesa e tretë)