Uncategorized

Përfitimet ekonomike të bashkimit kombëtar

Bardhyl Salihu

Çështja e bashkimit kombëtar është intuitive. Shqiptarët—dikur në një regjion gjeografik të përbashkët—u ndanë me dhunë nga njëri tjetri dhe në mes të tyre u gjembuan kufij që i dhanë rrjedhë të ndryshme historisë së regjioneve të ndara. Por, duke mbetur popull i njëjtë me gjuhë e traditë, shqiptarët mbetën vazhdimisht të gravituar ndaj ekuilibrimit natyral të tyre: bashkimit kombëtar. Përtej drejtës së pakontestueshme të secilit individ për vetëvendosje, ekzistojnë edhe së paku 4 argumente ekonomike pse bashkimi kombëtar do të ishte i leverdishëm.

1Pengesat tregtare

 

 

Ekzistimi i kufijve në mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe shteteve tjera ku jetojnë shqiptarët (Maqedoni, Serbi, Mal të Zi dhe Greqi) nënkupton gjithashtu ekzistimin e pengesave tregtare në mes qarkullimit të lirë të mallrave dhe kapitalit. Këto pengesa tregtare janë të kompozuara prej tarifave doganore (lloj takse) dhe kuotave, të cilat janë kufizime sasiore të mallrave që mund të importohen/eksportohen.

Qysh në shekullin e 19-të, ekonomistët klasikë erdhën në përfundim që pengesat tregtare kanë vetëm rol negativ për ekonominë, pa marrë parasysh për cilën anë të kufirit bëhet fjalë. Deri në atë periudhë, ishte ideja e merkantilizmit ajo e cila mbretëronte si udhërrëfyes ekonomik; ide e cila e bëri të famshëm postulatin aq të gabuar që kinse eksportet janë të mira kurse importet e këqija. Idetë e gabuara janë të tilla shpesh sepse bazohen mbi premisa të gabuara. Edhe ideja e merkantilizmit ishte e bazuar në premisën e gabuar që vetëm paraja nënkupton pasuri. Pra, kur një vend shet (eksporton), ai merr para në këmbim të mallrave, dhe meqë vetëm paraja qenka pasuri, “eksporti e pasuron”. Në anën tjetër, kur një vend blen (importon), atëherë ai jep para në këmbim të të mirave, gjë që sipas merkantilistëve e bënë vendin “më të varfër”.

E vërteta është që paraja është vetëm mjet i shkëmbimit i cili e mundëson tregtinë e mallrave me pak pengesa. Njeriu nuk e kërkon paranë për ta konsumuar direkt, sepse letra nuk hahet, por për ta vënë në shkëmbim për të mirat tjera. Janë pikërisht ato të mira—si shtëpia, vetura, telefoni, ushqimi, rrobat, etj.—që përbëjnë shumën e pasurisë së njeriut. Nëse do të gjendeshim në shkretëtirën e Saharës ku nuk ekziston asnjëra nga këto, nuk do të na duheshin as paratë e botës sepse nuk do të kishim për çka t’i shkëmbenim. Pra, inkurajimi i shitjes dhe dekurajimi i blerjes është këshillë e gabuar. Njeriut i duhen të dyja sepse vetëm kështu mund të jetë pjesë e prodhimit në sistemin kompleks të ndarjes ekonomike të punës.

Largimi i pengesave tregtare jo vetëm që do t’i bënte çmimet më të lira, sepse do të rritej sasia e produkteve në treg e cila më parë ishte e dekurajuar nga tarifat dhe kuotat doganore, ai do të mundësonte edhe kalimin e lirshëm të kapitalit. Kapitali është faktori kryesor që mundëson prodhimin e të mirave konsumuese shtesë dhe nga i cili varet mirëqenia e qytetarëve të një vendi (kapitali i investuar për kokë banori). Me largimin e pengesave tregtare do të përmirësoheshin dukshëm “investimet e huaja direkte”, përveç që këto tani nuk do të ishin të huaja por do të vinin nga një regjion i cili më parë trajtohej si i huaj.

Edhe pse jo drejtpërdrejtë i lidhur me pengesat tregtare, largimi i kufijve do të mundësonte lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore. Një lëvizje e tillë do të kontribuonte në barazimin e nivelit të pagave duke përmirësuar balancin në tregjet që dikur ishin të izoluara dhe të mbrojtura nga konkurrenca e huaj.

Krejt kjo do të qonte në përmirësimin e efikasitetit dhe rritjes së konkurrencës. Nëse para bashkimit ka pasur përfitim për personin X që ta kryej punën Y sepse ai ishte më i miri, hapja e kufijve e mundëson ardhjen e mjeteve kapitale si dhe fuqisë punëtore Z e cila mund ta kryej punën Y më mirë. Kjo konkurrencë më parë nuk ka qenë e mundur, dhe tani si rezultat rritet kualiteti dhe zvogëlohen kostot e prodhimit.

2Pengesat e dyfishta: taksat, licencat dhe rregullacionet

Përveç pengesave tregtare, shteti paraqet edhe pengesa të “brendshme” në ekonomi. Ato shtrihen në fushën e taksave, licencave dhe rregullacioneve. Zhdukja e plotë e tyre do të ishte akti ideal, por një veprim i tillë është politikisht pothuajse i pamundur. Megjithatë, largimi i kufijve do të mundësonte reduktimin e tyre në një. P.sh. nëse një kompani nga Shqipëria më parë është dashur të paguaj TVSh-në edhe në Shqipëri edhe në degën e saj në Kosovë, pas bashkimit ajo do të paguante vetëm një herë dhe kështu do ta kishte më të lehtë për ta përballuar barrën fiskale. E njëjta vlen edhe për licencat, të cilat janë pengesa të kota burokratike nga të cilat dëmtohen konsumatorët e përfitojnë kompanitë e mëdha në dëm të atyre të mesme dhe të vogla. Kompania X nuk do të kishte nevojë më që të hynte në procesin e mundimshëm e të korruptuar të licencimit edhe në Shqipëri edhe në Kosovë; këtë do ta bënte vetëm një herë. Kjo vlen edhe për përmbushjen e çfarëdo rregullacioni tjetër ekonomik për të cilin e njëjta procedurë do të duhej të përsëritej dy herë me të gjithë problemet dhe kostot e të parës.

Kjo që u tha, megjithatë, i ka dy përjashtime. Njëri përjashtim është rasti kur qeveria e re do t’i reduktonte pengesat e dyfishta në një por do t’i mbante ato në nivelin absolut të mëparshëm. P.sh. nëse TVSh ka qenë 20% në Shqipëri dhe 16% në Kosovë, qeveria do t’i bashkonte në një por do ta mbante nivelin absolut 36%. Një hap i tillë nuk do të kishte asnjë efekt pozitiv përpos ndoshta që do t’i zvogëlonte kostot administrative.

Përjashtimi i dytë është rasti kur dallimet në taksa dhe pengesa tjera për bizneset e nxisin transferimin e prodhimit nga një vend në tjetrin. P.sh. taksat relativisht të ulëta të Sllovakisë në Bashkimin Evropian e nxisin transferimin e prodhimit në Sllovaki nga vendet tjera me taksa më të larta si Franca, Holanda apo Danimarka. Një dallim i tillë në taksa është i mire sepse bënë presion tek politikanët e vendeve me taksa të larta që ta ristrukturojnë kodin fiskal në mënyrë që prodhuesit kryesor të rikthehen dhe ta punësojnë fuqinë punëtore lokale. Mu për këtë arsye tani në BE po bëhet shumë zhurmë për unifikimin e nivelit të taksave në mënyrë që investitorët të mos kenë ku të ikin. Një unifikim i tillë në rast të bashkimit kombëtar, pra me të njëjtat nivele absolute, do të ishte negativ dhe në rast të tillë ndarja do të ishte më e mirë sepse e mundëson prodhuesin shqiptar të vendoset ose në Shqipëri ose në Kosovë varësisht nga ambienti biznesor më i favorshëm. Megjithatë, nuk ka dëshmi që prodhimi ka lëvizur shumë nga Shqipëria, ku barra fiskale është me rënde, e ka ardhur në Kosovë, ku pengesat janë më të vogla. Ndoshta sepse dallimet janë të vogla, por kryesorja mbetet që konkurrenca fiskale nuk ka luajtur rol aq pozitiv kështu që bashkimi kombëtar zor se do të ndikonte negativisht në këtë aspekt.

3Rreziku i normave të këmbimit valutor

Rreziku i paqëndrueshmërisë së normave të këmbimit valutor paraqet problem tjetër. Duke qenë se në Kosovë përdoret Euro kurse në Shqipëri Leku, tregtia në mes dy vendeve do të duhej të ndodhte nëpërmes shkëmbimit valutor. Kur një biznesmen nga Shqipëria dëshiron të blej mallra në Kosovë, ai duhet t’i këmbej Lekët në Euro, gjë që e rritë kërkesën për Euro duke e forcuar atë kurse e dobëson Lekun. Si rezultat i forcimit të Euros, fuqia blerëse e atyre të cilët mbajnë Euro rritet. Por, nëse Banka Qendrore e Shqipërisë e rritë sasinë e parave në qarkullim, atëherë Leku zhvlerësohet më tej duke e bërë më të vështirë blerjen e mallrave të denominuara në Euro për shkak të ndryshimeve në normën e këmbimit. Në anën tjetër, Banka Qendrore e Kosovës nuk bënë politikë monetare dhe si rezultat çdo zhvlerësim i Euros është nën mëshirën e Bankës Qendrore Evropiane. Edhe pse Banka Qendrore e Shqipërisë ka mbajtur një qëndrim më konservativ se ajo Evropiane, megjithatë regjionet do të përfitonin në unifikimin e valutës duke i larguar rreziqet e këmbimit.

Sistemi monetar ideal do të ishte jo ai që ekziston sot nëpër botë, paraja letër me rezerva frakcionale, por standardi i arit me rezerva 100%. Një sistem monetar i tillë jo vetëm që do të garantonte fuqinë blerëse të Lekut të unifikuar duke i mbrojtur qytetarët nga inflacioni, ai edhe do të parandalonte krizat ekonomike të cilat janë pasojë e manipulimit të normave të interesit. Në fund, monopoli i Bankës Qendrore do të duhej të zhdukej.

4. Konkurrenca politike

Përveç që bashkimi kombëtar do të kishte pasoja pozitive direkte në ekonomi, ai do të kishte edhe pasoja indirekte nëpërmes nxitjes së konkurrencës politike. Me qenë se të gjitha pengesat për zhvillimin ekonomik vijnë nga shteti, është në interes të mirëqenies së qytetarëve që shteti të jetë i paralizuar tek ndërhyrjet ekonomike. Një gjë e tillë mund të realizohet kur në skenën politike ekzistojnë aq shumë divergjenca sa që ato qojnë në një kolaps legjislativ. Një kolaps i tillë e shuan mundësin e krijimit të ligjeve të reja që përbëhen barrë e ekonomisë.

Shembull është situata në Kongresin e Shteteve të Bashkuara sot. Përderisa Demokratët e kanë pushtetin, Republikanët i kanë dy dhomat në Kongres (Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve). Si rezultat i dallimeve ideologjike (edhe pse për mendimin tim tejet nominale), ka ardhur tek një bllokim në nxjerrjen e ligjeve të reja, apo ajo që në anglisht njihet si “gridlock”. Kjo ka pasur efekte pozitive përshkak se e ka kursyer ekonominë amerikane, e cila edhe ashtu e dërrmuar nga kriza, nga intervenime shtesë që vetëm sa do ta përkeqësonin. Është e mundshme që në një Shqipëri të bashkuar divergjenca e madhe politike të qonte në të njëjtën situatë me pasoja pozitive.