Përmbysja e Perëndimit
Nga James P. Worthington (përkthyer në shqip)
Në një ditë shkurti në vitin 1970, Yuri Bezmenov u përzie në turmën e disa hipive amerikanë të cilët po niseshin për në Athinë dhe la gjithçka prapa për t’u larguar nga Bashkimi Sovjetik. Për shtatë vite ai kishte qenë operativ në shërbimin sekret sovjetik (KGB), i postuar në ambasadën sovjetike në Delhi me mision propagandistik për ta përhapur komunizmin në Indi. Jeta si dëshmitar i afërt i makinacionave sovjetike, të cilat ia kishin imponuar edhe gruan me të cilën duhej të martohej, ia kishte larguar iluzionet për sistemin socialist. I dëshpëruar thellësisht, ai kishte vendosur të dezertonte në Perëndim.
Me të kaluar në anën tjetër të Perdes së Hekurt, Bezmenovi iu nënshtrua legjitimimit nga inteligjenca amerikane për një kohë dhe më pas e fitoi azilin politik në Kanadë. Aty, dhe më vonë në ShBA, Bezmenovi filloi një fushatë të gjatë aktivizmi politik për ndriçimin e metodave propagandistike të KGB-së. Sipas Bezmenovit, në pamundësi për ta fituar Luftën e Ftoftë ushtarakisht, teknologjikisht dhe ekonomikisht, Bashkimi Sovjetik po përpiqej t’i përmbyste Amerikën dhe vendet e tjera Perëndimore kapitaliste nga brenda.
Në demaskimin që ai ia bëri ish-regjimit të tij, ai i renditi disa metoda të luftës speciale që përfshinin propagandën e hapur dhe të fshehur (atë që sot e njohim si lajme të rreme) si dhe provokimin dhe manipulimin e demonstratave masive, me qëllim ngjalljen e dyshimeve dhe minimin e besimit të popullatës në institucionet e shtetit dhe shoqërisë.
Këto kujtime janë rikthyer si jehonë në kohët moderne. Rusia, Kina dhe aleatët e tyre janë duke zhvilluar dhe ndjekur metoda të reja por shumë të ngjashme për ta përmbysur Perëndimin.
Imigrimi i pakontrolluar
Imigrimi legal dhe ilegal në Perëndim është në kulmet e tij historike. Vetëm prej vitit 2021, në ShBA janë futur 6.4 milion imigrantë—më shumë se popullatat individuale të 33 shteteve amerikane. Në Britani migrimi neto në vitin 2023 ishte 685,000, kurse në BE plot 2.3 milion imigrantë janë futur në vitin 2021.
Ky imigrim masiv nuk është i shtyrë vetëm nga dëshira për një jetë më të mirë. Sipas raportimit të The Telegraph, Putini është duke përdorur formacione ushtarake private në Afrikë (rreth 15,000 paraushtarë) për ta kontrolluar dhe shndërruar në armë migrimin në Evropë. Ata i nxisin dhe kanalizojnë turmat e emigrantëve drejt Evropës. Ishulli italian i Lampeduzës është pushtuar krejtësisht nga imigrantët afrikanë kurse Polonia i ka vendosur mijëra trupa ushtarake në kufi me Bjellorusinë, i cili si shtet satelit i Rusisë, është duke i dërguar Polonisë imigrantë të dhunshëm me pasoja fatale për ushtarët polakë.
Përmbysja e Perëndimit nëpërmjet imigrimit të shfrenuar e të pakontrolluar është duke u materializuar në dy rrafshe. Në radhë të parë, pa paragjykim për shumicën e imigrantëve të ndershëm, një pjesë e imigrantëve në Perëndim janë njerëz me besime dhe sjellje thellësisht jokompatibile me vlerat Perëndimore të demokracisë, lirisë dhe krishterimit. Ata janë të dhunshëm dhe jotolerantë dhe duan që në vendet Perëndimore t’i imponojnë politikat, besimet dhe kulturat e vendeve nga kanë ikur. Në zgjedhjet e fundit lokale në Britani, elektorati i imigrantëve të tillë ishte aq i madh sa që fitues dolën shumë islamistë që në sjellje dhe dukje i ngjanin Talibanëve dhe që për fushatë zgjedhore nuk i kishin hallet e rrugëve e shkollave komunale por luftërat në Lindjen e Mesme dhe rikthimin e Sheriatit.
Rrafshi i dytë nëpërmjet të cilit imigrimi i pakontrolluar po e përmbysë Perëndimin është rritja, si pasojë e të parës, e përkrahjes popullore për partitë e ekstremit të djathtë. Kjo është vërejtur në çdo palë zgjedhje kombëtare dhe evropiane në Angli, Francë, Gjermani, Austri e Hungari. Një ndër problemet kryesore me partitë e ekstremit të djathtë është se ato janë thuajse pa dallim të infiltruara nga agjenturat ruse. Le Monde dhe gazetat e tjera kanë raportuar për adhurimin ideologjik që ato e kanë për diktatorët si Putini, kurse BBC ka raportuar për milionat e shpenzuara nga Rusia për blerjen e politikanëve dhe personave të tjerë me ndikim në Perëndim. Një numër i madh i tyrë janë kongresistë amerikanë e politikanë të rëndësishëm në partitë e ekstremit të djathtë.
Në këtë kuptim, Putini po e ndjekë një strategji të dyzuar, nëpërmjet së cilës e nxitë imigrimin e pakontrolluar në Perëndim duke i shkaktuar dëmet e cekura, për të përfituar pastaj nga rritja e përkrahjes politike për partitë e ekstremit të djathtë, nga të cilat priten politika më të favorshme për të. Përfaqësuesit e këtyre partive (si Orbani) kanë shprehur publikisht përkrahje për Putinin apo së paku janë distancuar nga ndihma ushtarake për Ukrainën (shembull Le Peni).
Në këtë pikë vërehet një dinamikë interesante në krahasimin mes imigrimit të pakontrolluar në ShBA dhe atij në Evropë. Për shkak të kufizimeve operacionale dhe teknike si dhe prezencës amerikane në Meksikë, Putini nuk ka arritur ta shtrijë aty rrjetin e tij paraushtarak të migrimit si armë. Rrjedhimisht, emigrimi meksikan në Amerikë e ka ndjekur një valë në përputhje më të përafërt me zhvillimet sociale dhe ekonomike, ndryshe nga frekuencat e imigrimit në Evropë. Një faktor tjetër kyç në këtë pikë është fakti se, përderisa në Evropë nga rritja e imigrantëve përfitojnë politikisht partitë e ekstremit të djathtë, në ShBA përfitojnë Demokratët, kundërshtarët aktual të Putinit.
Ideologjia “woke”
Termi “woke” (i zgjuar, i vetëdijshëm) është përdorur në mesin e viteve 1900 në ShBA për personat që kanë qenë të informuar, edukuar dhe të vetëdijshëm për padrejtësitë dhe pabarazitë racore në shoqërinë amerikane. Si çdo evoluim i izmave, edhe ky term e ka marrë një konotacion bashkëkohor i cili karakterizohet me disa ide të drejtësisë sociale të cilat i përqafojnë të rinjtë amerikanë, siç janë avokimi për barazi racore, kundërshtimi ndaj seksizmit apo promovimi i të drejtave të komunitetit LGBTI. Përderisa shumë nga këto karakteristika nuk përmbajnë asgjë që mund të bëhet brum i përmbysjes shoqërore, janë tri elemente të kësaj ideologjie që janë të rrezikshme.
E para është cenzura e lirisë së shprehjes që woke-istët e mbështesin. Ata duan ta ndalojnë shprehjen e lirë të mendimeve politikisht jokorrekte dhe duan që në shkolla e universitete të krijohen “hapësira të sigurta” ku njerëzit që ofendohen nga liria e shprehjes së dikujt të mund të strehohen. Nga kjo është krijuar një klimë e ofendimit që ka ndërmarrë përmasa epidemike ku çdo kush ofendohet nga çdo gjë.
Kjo cenzurë bie ndesh me parimet tradicionale Perëndimore të lirisë. Liria e shprehjes, përveç se e drejtë elementare, është parakusht për zhvillimin e shoqërive të hapura. Liria e shprehjes e mundëson plasimin, rafinimin dhe eliminimin e ideve, varësisht nga meritat e tyre përparimtare. Cenzura e lirisë së shprehjes, edhe atëherë kur dikush mund të ofendohet nga ajo, i përmbysë shoqëritë Perëndimore sepse i shndërron ato në monolitet totalitare të cilat u shkatërruan nga pesha e kalbjes së tyre.
Elementi tjetër i rrezikshëm tek woke-istët është shpërfillja e realitetit objektiv. Ata thonë se dukja biologjike e një personi nuk e përcakton gjininë e tij; se një person mund të identifikohet si çfarëdo gjinie (apo “gjëje”) që dëshiron dhe që numri i gjinive nuk është detyrimisht i kufizuar. Shkenca e njeh kaherë ekzistencën e personave transgjinorë që nuk janë as meshkuj as femra, por nocioni i “fluiditetit gjinor” ku një person mund të bëhet çfarë të dojë është një shpikje imagjinare.
Implikimet e kësaj shpikjeje imagjinare shkojnë përtej çmendurisë individuale; ato paraqesin rrezik shoqëror kur në tualetet e vajzave futen meshkuj që “identifikohen” si vajza apo kur në garat ku garojnë vetëm femrat futen edhe meshkujt që “identikohen” si femra. Liria e shprehjes duhet ta njohë të drejtën e secilit të imagjinojë se çfarë të dojë për vetveten; por ajo nuk i obligon të tjerët të bëhen pjesë e asaj imagjinate.
Elementi i tretë i rrezikut tek ideologjia woke është vlerësimi se meritokracia është në thelb e padrejtë dhe se përzgjedhjet e individëve në shkollë, punë, sport, art e kulturë duhet të bëhen jo mbi bazën e meritës por të llojshmërisë, barazisë dhe gjithpërfshirjes (korniza DEI—Diversity, Equity, Inclusion). Përderisa mund të argumentohet se aplikimi i parimit të meritokracisë nuk është bërë në mënyrë të drejtë për shkak të padrejtësive sistemike që pa dyshim ekzistojnë në botën Perëndimore, eliminimi i tërësishëm i meritokracisë dhe zëvendësimi i saj me një princip të dhembshurisë veçse ka filluar të prodhojë rezultate të dëmshme në shumë sfera të jetës.
Ushtria amerikane ka raportuar për ulje të disiplinës dhe performancës së përgjithshme. Aplikimi i DEI e ka ulur gatishmërinë ushtarake në shumë mënyra, si për shembull duke e dobësuar kohezionin nëpërmjet theksimit të dallimeve racore, etnike apo seksuale; e ka dobësuar autoritetin udhëheqës duke futur mëdyshje nëse vendimet e tij janë të bazuara në meritë apo në përmbushje të kuotave; e ka obliguar personelin ushtarak të shërbejë në specialitete apo fusha për të cilat nuk është i trajnuar apo i gatshëm; dhe i ka larguar kohën dhe resurset nga aktivitetet e trajnimit dhe zhvillimit të armëve që kontribuojnë në gatishmërinë ushtarake. Nuk ka mëdyshje që efekte të tilla të dëmshme të jenë ndjerë në çdo organizatë tjetër që kryen funksion esencial, si në polici apo në inteligjencë.
Zbatimi i meritokracisë mund të jetë i dhimbshëm për ata që nuk i fitojnë pozitat që i kërkojnë në shoqëri, por ai është i vetmi mekanizëm nëpërmjet të cilit një shoqëri mund të vëjë në pozita njerëz kompetentë që i kryejnë detyrat me sukses. Largimi nga meritokracia detyrimisht përcillet me ulje të shkallës së suksesit, të rendimentit dhe të përformancës së përgjithshme, për çfarëdo detyre që bëhet fjalë. Dhe për këtë çmimin e paguan e gjithë shoqëria.
Shantazhi i Trumpit dhe Republikanëve
Në mesin e ligjërimeve të Bezmenovit, rëndësi e veçantë iu kushtua praktikës së kahmotshme të Bashkimit Sovjetik për rekrutimin e Perëndimorëve. Gjatë vizitave të tyre në Moskë apo kudo tjetër në bllokun socialist, vizitorët e rëndësishëm Perëndimorë (politikanë, figura publike, udhëheqës të bizneseve të mëdha apo të shoqatave me ndikim) u bënë sistematikisht subjekt i vëzhgimit dhe mbledhjes së informatave. Individëve të caktuar që ishin më naivë apo më të cënueshëm iu dhurua alkoholi dhe seksi për t’i cytur në aktivitetete ilegale apo së paku moralisht të dënueshme. Shumë prej tyre ranë pre dhe ndaj tyre u ruajt material fotografik komprometues—ajo që në rusisht njihet si “kompromat”.
Pas shumë raportimeve të gazetave prestigjioze ndërkombëtare (The Guardian, BBC, The New Yorker, Politico, etj.), nuk është më konspirative të thuhet se ish-presidenti amerikan dhe aktualisht kandidati për president, Donald J. Trump, është njëri ndaj të cilëve Putini dhe Rusia kanë kompromat. Vizita e parë e Trumpit në Bashkimin Sovjetik në vitin 1987 ishte supozuar të lidhej me hapjen e një hoteli, por raportohet të jetë në realitet masa e parë aktive e KGB-së për rekrutimin e tij. Inteligjenca amerikane e ka vërtetuar ndërhyrjen e Putinit dhe Rusisë në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016 në favor të Trumpit, të cilat ai i fitoi. I gjithë aktiviteti retorik dhe politik i Trumpit ka qenë në mbështetje të marrëdhënieve më të mira me Putinin. Në samitin e Helsinkut, Trumpi tha publikisht se më shumë i besonte Rusisë se sa inteligjencës së qeverisë që ai e udhëhiqte. Në një rast tjetër ai tha se Rusia mund t’i bënte çfarëdo dreqi që dëshironte cilitdo vendi anëtar të NATO-së, anëtarët e së cilës ai i ka kritikuar vazhdimisht dhe largimin nga e cila e ka lënë të hapur duke e quajtur atë të “tejkaluar”. Nga zëvendës-presidenti i tij i zgjedhur, J.D. Vance, e deri tek shumë zyrtarë tjerë të Partisë Republikane në Amerikë, rreshtimi i tyre në anën e Rusisë dhe kundër Ukrainës ka qenë shumë i zëshëm. Ata e kanë kundërshtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën mbi bazën se ato resurse i duhen vetë Amerikës, por nuk e kanë sqaruar se në fakt ato armë blihen nga prodhuesit amerikanë dhe fondet mbesin në Amerikë ku i mbështesin të punësuarit amerikanë.
Putini ka arritur që bastionin konzervator të kundërshtarëve historik të Bashkimit Sovjetik ta shndërrojë në përkrahës me një aleance të çuditshme me krishterët e djathtë në Amerikë. Nëse Trumpi dhe aleatët e tij vijnë në pushtet, siguria e Evropës rrezikon të braktiset në duart e lira të Putinit e ai të vazhdojë me projektin personal të ri-ndërtimit të perandorisë sovjetike me karakteristika moderne. Kjo nënkupton pushtimin e Ukrainës, kërcënimin e shteteve Baltike, si dhe hapjen e vatrave të reja të konfliktit në Evropë dhe në Ballkan nëpërmjet klientëve të tij Bjellorusisë dhe Serbisë. Mëdyshjet që Trumpi i ka shprehur edhe ndaj gatishmërisë për mbrojtjen e Tajvanit janë poashtu trimërim i Kinës për ta konsideruar seriozisht kthimin e Tajvanit me forcë ushtarake.
Pasojat e kësaj politike të dobët ndaj Putinit dhe Kinës mund të duken të parëndësishme për Amerikën me arsyetimin se ato e prekin vetëm Evropën dhe Tajvanin, por në një analizë më të thellë ato shtrihen edhe në vetë Amerikë. Business Insider ka raportuar se si një luftë e mundshme në mes të Kinës dhe Tajvanit do të kishte pasoja të tmerrshme për ekonominë amerikane. Tajvani është prodhuesi numër një në botë i gjysmëpërçuesve, çipave që përdoren në thuajse çdo pajisje elektronike, prandaj “një skenar i tillë me gjasë do të kishte efekte kataklizmatike në ekonominë amerikane nëse furnizimi global i çipave çrregullohet”.
Përveç kësaj, me rikthimin e Trumpit vetë sistemi amerikan i kundërpeshave të pushtetit rrezikon të dobësohet nga tendencat e tij diktatoriale. Kujtojmë se Trumpi, një kriminel i dënuar, e mbështeti turmën e 6 janarit që e sulmoi selinë e Kongresit, pasi ai nuk e pranoi dorëzimin paqësor të pushtetit duke e akuzuar pa fakte fituesin e zgjedhjeve se i kishte vjedhur ato. Ngjashëm si Putini dhe diktatorët e tjerë për të cilët ai ka shprehur adhurim të hapur, Trumpi e ushqen kultin e personalitetit, i cili është evident edhe në mesin e turmave MAGA që e përkrahin atë.
Demokratët ia kanë lehtësuar Trumpit rrugën drejt rikthimit në Shtëpinë e Bardhë me ri-kandidimin e Bidenit, i cili për shkak të moshës 81-vjeçare dhe vështirësive kognitive që janë evidente po bën gafa të vazhdueshme.
Gjasat e Perëndimit për ta shmangur përmbysjen varen nga aftësia e tij introspektive për t’i evidentuar këto rreziqe dhe për të ndërmarrë veprime ndaj tyre. Si shumë brenga në jetë, edhe këto mund të mos materializohen ashtu siç janë duke shpresuar kundërshtarët e Perëndimit. Por kjo është një çështje shumë e rëndësishme për t’u lënë në duart e fatit.