Uncategorized

Përmbytjet në veri: ku është tregu i lirë kur duhet?

Etjon Basha

Vajti tashmë java e dytë që zona të gjëra në veri të vendit, rreth qytetit të Shkodrës, gjendet nën ujë. Edhe pa kaluar rreziku,duket qartë që dëmet e shkaktuar për banorët janë të jashtëzakonshme. Edhe nëse përmbytje të tilla nuk përsëriten më, dhe kjo nuk duket shumë e besueshme, jeta nuk do jetë kurrë më e njëjta për këta banorë.

Dhe sigurisht që debati mbi ç’duhet bërë në këtë rast, dhe të tjera si ky, gjallon. Nga moria e pyetjeve që shtrohen, ne do diskutojmë vetëm njërën, që më bëri veçanërisht përshtypje. Diku në një forum, dikush pyeti se si kishte mundësi që në Shqipëri shoqëritë e sigurimeve nuk paguajnë në të tilla raste thuajse fare dëmshpërblime, duke ia lënë tërësisht barrën shtetit? A nuk është kjo një provë e qartë që tregu i lirë është inferior, dhe tragjikisht inferior në të tilla raste, ndaj ndërhyrjes publike? Ç’rëndësi kanë teoritë ekonomike kur praktika po vërteton në mënyrë dramatike se vetëm ndërhyrja qeveritare mund të përballojë barrën fiskale të zhdëmtimit?

Kjo është një pyetje me shumë vend, dhe na jep mundësi të shtjellojmë në praktikë shumë koncepte teorike. Le ta hetojmë çështjen hap pas hapi.

 

Pse nuk dëmshpërblehen banorët nga tregu i sigurimeve? Nëse dikush nuk dëmshpërblehet nga shoqëria e sigurimit, kjo në dy dhe vetëm dy raste mund të ndodhë. Së pari, nëse personi në fakt nuk është siguruar fare. Së dyti, nëse personi është siguruar, por shoqëria po i bën bisht detyrimit të saj kontrakual.

Le të trajtojmë këtë rastin e dytë të parin, një çështje për gjykatë. Shumëkush këtu mund të pretendojë, dhe me shumë të drejtë, që gjykatës do i duheshin muaj, në mos dhe vite, për të dalë në vendim, ndërkohë që biznesi ose banesa e siguruar janë shkatërruar dhe pronari ka nevojë për para tani. Vërejtja është me vend, por këtu duhet të mbajmë parasysh dy probleme. Së pari, është në vetë interesin e shoqërisë së sigurimeve të respektojnë kontratën, edhe po të supozojmë që gjykata nuk ekziston fare, pasi në ë kundërt, emri i keq do përhapet dhe klientela do largohet në shoqëri të tjera. Nëse kjo në Shqipëri nuk ndodh dhe aq, faji është i kufizimit të konkurrencës në tregun  sigurive nga rregullimi financiar. Nëse klienti ka pak zgjedhje mes shoqërive, atëherë çdo shoqëri miun të abuzoje më shumë me të.

Pra që këtu arrijmë në përfundimin tonë të parë: rregullimi i tregut të sigurimeve duhet eliminuar, dhe këtë pikë e kemi argumentuar më parë.

Së dyti, dhe kjo është çështja kryesore, nëse gjykatat duan vite për të marrë vendim ky problem do mund të zgjidhej fare lehtë nëse shteti realisht do interesohej. Në raste të tilla mund të amendohet legjislacioni në fuqi duke shtuar që asnjë çështje tregtare nuk do merret parasysh nga gjykatat nëse më parë nuk është trajtuar nga një zyrë private arbitrimi.

Zyra të tilla, që besojeni apo jo egzistojnë dhe në Shqipëri, janë ‘gjykata private’ ku me shumë pak kosto (mendoni që nuk nevojitet as avokat)  dhe më së shumti në dy javë një vendim merret për çështjet e natyrës tregtare. Ç’është më e mira, këto zyra janë tërësisht private dha varen nga klientët e tyre, pra kanë interes për të zgjidhur çështjet në mënyrë sa më të drejtë, për efekt emri të mirë. Nëse gjykata do shihej si apel për vendimin e arbitrazhit privat, në vetëm dy javë shoqëria do paguante shumën kontraktore, nëse realisht është ajo që po thyen kontratën, dhe më tej le të vendosi gjykata, pas muajsh, nëse kjo shumë duhet rikthyer.

Ja pra ku arrijmë në propozimin tonë të dytë: asnjë gjykatë nuk duhet të trajtojë çështjet tregtarë para se për to të jetë shprehur një zyrë arbitrazhi, e huaj apo vendase.

Tani, raste kur shoqëria nuk paguan detyrimin kontraktor mund të ketë por, në praktikë nuk janë aq të shpeshta, veçanërisht për raste sigurimi prone. Përgjigja e saktë për pyetjen “pse shoqëritë e sigurimit nuk dëmshpërblejnë në raste të tilla fatkeqësish natyrore?”, është teza e dytë: sepse askush nuk sigurohet! Pse ndodh kjo?

Shumë është argumentuar që tek Shqiptarët ende mungon ‘kultura e sigurimit’. Në terma të sakët ekonomikë, mund të thoshim që preferencat kohore të shqiptarëve janë ende relativisht të larta. Kjo do të thotë që, mesatarisht, një pronar biznesi vlerëson më shumë primin e sigurimit sesa dëmshpërblimin e mundshëm që do merrte në rast fatkeqësie. Pra, për të, është më mirë të mos paguajë, le të themi 5 lekë çdo vit se sa të përfitojë, le të themi 1000 lekë dëmshpërblim potencial.

Por nëse kjo është realisht situata, atëherë cilët jemi ne për të thënë ndryshe? Ama nëse Beni ka pasur mundësi për të shmangur fatkeqësinë që i ndodhi, ose së paku efektin e saj negativ financiar, e megjithatë nuk e ka bërë këtë për efekt preferencash vetjake, si mund të detyrohen të tjerët të paguajnë për të mbuluar gabimin e tij?

Ndofta nëse fatkeqësia do ishte tërësisht e paparashikueshme, ndofta mund të mendohet se ekzistonte një detyrim moral për të ndihmuar. Nëse nesër shpërthen një vullkan në Tiranë, mund të argumentohet që asnjë person racional nuk do kish mundur ta parashikonte një katastrofë të tillë, pra dhe nuk mund të konsiderohet ‘fajtor’ për mosmarrjen e masave paraprake. Por rasti në fjalë nuk është aspak i tillë. Përmbytjet në zonën e veriperëndimit të Shqipërisë ndodhin përvit, ndonëse jo në këto përmasa. Para një viti, në janar 2010 një situatë e ngjashme kaploi të njëjtën zonë. Dhe tani, pikërisht pas një viti, me një rregullsi që na bën të çuditemi, ndodh e njëjta gjë. Nëse biznesi shkodran e dinte mirë që kot përmbytje jo vetët mund të ndodhin, por mund të ndodhnin pikërisht në këtë stinë, pse nuk mori masat minimale, duke u siguruar? Më tej, a mund të detyrohen gjithë të tjerët të paguajnë për pakujdesinë trashanike të këtyre banorëve?

Por vijojmë. Ndofta shoqëritë e sigurimit nuk ofrojnë sigurim për përmbytjet në Shkodër? Do ishe shumë e kuptueshme nëse, pas ngjarjeve të Janarit (dhe akoma me shumë në të ardhmen), asnjë kompani të mos merrte përsipër riskun e sigurimit kudër përmbytjes në veri. Por edhe nëse kjo do ishte ajo që realisht e pengoi sigurimin masiv në Shkodër (ju siguroj që nuk është ky shkaku, por le të supozojmë), atëherë sërish banorëve i mbetej mundësia e vetësigurimit: nga të ardhurat mund të hiqnin një pjesë, duke ditur që egziston mundësia e humbjeve të mëdha nga përmbytjet. Madje kjo mundësi është aq e madhe, sa askush nuk i siguron këto humbje!

Pse, pra, nuk u morr nj masë e tillë? Pse askush nuk e vrau mendjen për të ardhmen e tij? Sigurisht për shkak të preferencave të larta kohore. Është e drejta e çdo individi të vendosë vetë për masën e riskut që do të mbajë përsipër. Por ajo që nuk është kurrkund e drejtë, është që pasi një fatkeqësi nis e ndodh me aq rregullsi sa mund të konsiderohet tashmë e sigurt dhe sërish banorët nuk përpiqen fare për të ndihmuar veten, si mund të pretendohet që të tjerët të paguajnë për këtë gabim.

Por ndofta banorët janë tejet të varfër, dhe biznesi po ashtu, dhe nuk mund të përballojnë as primin e sigurimit e as të kursejnë diçka? Sërish do egzistonin masa që mund të merreshin. Një traditë e mirë e vjetër shqiptare, dhe tani po e kuptoj se sa e vlefshme ka qenë, ishte që katet e para të shtëpive thuajse kurrë nuk viheshin në përdorim të vazhdueshëm. Në rast përmbytjeje, asgjë nuk dëmtohej në këto kate, pasi ato ishin ose fare bosh, ose mbanin mallra që mund të lëvizeshin lehtë në katet e sipërme. Pse, pra, ngulet këmbë në banesa e biznese mundësisht çdo gjë me vlerë, nga elektro-shtëpiaket tek makineritë prodhuese, të mbahen në kat të parë? Një masë elementare sigurie, që ka shekuj që praktikohet, nuk është zbatuar, ndonëse përmbytjet janë të përvitshme në këtë zonë.

Dhe sërish, fakti që banorët janë të varfër nuk përbën argument pasi dëmshpërblimi publik nuk është pa kosto. Po të parafrazojmë ekonomistin Milton Fridman do thoshin që asgjë nuk gjendet falas. Si dëshpërblimi nga sigurimet, si ai nga shteti kanë kosto dhe këto kosto duhen paguar. Ndryshimet e vetme mes këtyre dy modeleve janë: 1) cila kosto është, sic dallonte Turgoja, e dukshme dhe cila është e padukshme , 2) cili është, në agregat, zgjidhja më e lirë dhe 3) kush paguan dëmshpërblimin, ata që përfitojnë apo palë të treta që nuk kanë lidhje fare?

Eficenca e prodhimit privat në çdo fushë nuk mund të vihet më në dyshim. Mund të themi me siguri që dëmshpërblimi nga tregu i sigurimeve do ishte më i lirë se ai nga shteti: primet janë më të ulëta se taksat. Së dyti, në rastin e sigurimeve, këtë kosto më të ulët e paguajnë përfituesit, ndërsa në rastin e dëmshpërblimit publik atë e paguajnë jo-përfituesit. Por shumica e njerëzve nuk i sheh këto dy argumente, pasi gënjehen nga fakti që kostoja e lartë e dëmshpërblimit shtetëror është e padukshme. Megjithatë ne e dimë që vetëm se një kosto është e padukshme, kjo nuk do të thotë se ajo nuk duhet paguar.

Pra, pasi heqim vellon e kostos së padukshme, argumenti që primet janë të shtrenjta dhe shqiptarët nuk kanë para për ti paguar nuk qëndron: primet janë zgjidhja më e lirë që mund të gjendet për problemin e fatkeqësive natyrore. Nëse vetë të interesuarit nuk kanë dëshirë apo mundësi për ti paguar, si mund ti paguajnë ato të pa-interesuarit, po aq të varfër?

Ajo që mund të këshillojmë në këtë situatë, është sërish eliminimi i rregullimit të tregut të sigurimeve, pasi konkurrenca e rritur do sigurojë që primet do jenë më të ulëtat e mundshme. Veçanërisht më vlerë do jetë eliminimi i detyrimit për tu siguruar vetëm me kompani të liçensuara në Shqipëri.  Në një çast konkurrenca në treg do shumëfishohet nëse biznesmenit shqiptar i lejohet të kërkojë primin më të ulët në mbarë botën, jo vetëm në Shqipëri. Për shoqëri të huaja, sigurimi i përmbytjeve në Shqipëri do kish vlerë për efekt diversifikimi të riskut, i cili është një problem themelor kur diskutohet për sigurimin e fatkeqësive natyrore.

Por vijojmë. Egziston një arsye e fundit se pse sigurimi ndaj fatkeqësive natyrore është kaq i ulët në Shqipëri: garancia implicite shtetërore e dëmshpërblimit. Presioni i madh publik në raste fatkeqësish natyrore e bën thuajse të sigurt që një farë dëmshpërblimi publik do ofrohet në këto raste. Dhe pse do duhet të sigurohet dikush nëse e di me siguri që shteti (kupto: gjithë ne të tjerët) do paguajë për të? Akoma më keq, pse duhet të marrë masa mbrojtëse dikush, edhe në raste fatkeqësisht të sigurta si përmbytjet në veriperëndim, nëse e di që dëmi do i paguhet pa kosto?

Kjo mund të jetë pengesa kryesore që sigurimi i fatkeqësive natyrore has në Shqipëri. Me një garanci të tillë, subvencionohet pakujdesia, gabimet trashanike si ato që biznesi në Shkodër bëri, dhe në përgjithësi preferencat e larta kohore. Nuk mjafton që Shqiptarët mendojmë pak për të ardhmen, por tashmë duhet tatuar ata që mendojnë në afat-gjatë për të subvencionuar preferencat e larta kohore!

Ja pra ku vimë tek rekomandimi ynë i tretë: duke nisur nga përmbytja aktuale në veriperëndim e në vijim, arka e shtetit nuk duhet të paguajë më asnjë qindarkë dëmshpërblim!

Nëse kjo mund t’ju duket një masë mizore në rastin e banorëve fatkeq, mbani parasysh disa konsiderata. Së pari, edhe dëmshpërblimet aktuale paguhen më shumë vonesë dhe më këste. Praktikisht ato nuk ndihmojnë farë banorët fatkeq kur ata kanë nevojë, por thjesht i paguajnë ata më vonë për të ‘mos u ankuar shumë’. Ky nuk është ‘dëmshpërblim’, bor blerje heshtjeje!

Së dyti, publiku i gjerë shqiptar është dëshmuar shumë bujar në raste të tilla. Fondet e mbledhura vullnetarisht, jo me dhunën shtetërore, kanë dhënë ndihmesë të madhe për përmirësimin, atëherë kur duhet, e gjendjes. Këto ndihma vijnë në kohë dhe realisht shërbejnë. Mund të pritet që ndihma private vetëm do rritej nëse garancia e dëmshpërblimit publik do hiqej.

Së treti, shteti ende ka mundësi të ndihmojë banorët pa dhunuar askënd. Ajo që shteti mund të bëjë, pa thyer asnjë parim morale pa nxitur mendësinë afat-shkurtër dhe pakujdesinë në të ardhmen, është të rikthejë, në bazë individuale,  taksat që kanë paguar për n vitet e fundit bizneset dhe banorët e zonave të përmbytura. Moratoriumi fiskal mund dhe të shtyhej dhe në të ardhmen.

Fatmirësisht qeveria shqiptare nuk ndoqi shembullin e tmerrshëm të qeverisë amerikanë gjatë stuhisë Katrina, kur shitja ‘spekulative’ me çmime të larta të artikujve të përditshëm (që nuk gjendeshin më askund) u ndalua tërësisht. Kjo masë thjesht uli ofertën e këtyre mallra në zonat që kishin aq shumë nevojë për to. Në Shqipëri as shitja e mallrave e as shitja e transportit nga banorët vendorë nuk u ndalua, por thjesht iu shtua ndihma publike. Kjo mund të jetë dhe masa më pozitive e marrë (ose mv saktë, e pamarë) nga qeveria në këtë kohë të vështirë.        

Pra, për të përfunduar mund të themi që shtetit nuk i është lënë aspak barra e dëmshpërblimit në raste fatkeqësish natyrore nga tregu privat: është pikërisht ndërhyrja shtetërore që e pengon zgjerimin e sigurimit ndaj katastrofave. Tregu i sigurimeve do nisë të marrë përsipër zhdëmtimin në raste fatkeqësish natyrore kur të çlirohet nga kufizimet e rregullimit financiar, subvencionimi shtetëror i preferencave të larta kohore dhe pakujdesisë do reshtë, ndihma ‘publike’ do kufizohet në kthimin e asaj që është vjedhur mes taksave, si dhe kur trajtimi i ankesave do i lihet tregut të lirë, dhe vetëm më pas gjykatave. Deri atëherë, do kemi një treg sigurimesh që funksionon vetëm për sigurimin e automjeteve, por jo për rast e të tilla madhore, të cilat kanë qenë dhe arsyeja kryesore në botë e krijimit të kësaj industrie.