Përrallat e së shkuarës dhe gafat e së tashmes
Etjon Basha
Nëse do të na duhej të veçonim besimet që na ka dëmtuar më shumë ne Shqiptarëve që prej Pavarësisë e deri më sot, dy të tillë do qëndronin mbi gjithë të tjerët. I pari, që ruajtja dhe zhvillimi i identitetit kulturor rajonal tregon prapambetje dhe duhet harruar në favor të një identiteti e kulture monolitike shqiptare, dhe së dyti, që shqiptarët kanë arritur të fitojnë ndonjë betejë më peshë gjatë këtij shekulli vetëm me forcat e tyre.

Dëmin e madh që besimi i parë i ka sjellë kombit do ta diskutojmë tjetër herë. Në këtë postim, dua të shohim se si përrallat mbi dy-tre ngjarje të rëndësishme të shekullit të shkuar na kanë nxitur dhe akoma po nxisin disa prej nesh në ca vendim-marrje shumë dritëshkurtra.
Episodi i parë është njohja e Pavarësisë së Shqipërisë së cunguar. Miti kombëtar na mëson që kjo u arrit kryesisht falë luftës heroike të shqiptarëve që shtynë mbrapsh ushtritë pushtuese Serbe, Greke e Malazeze. Kjo është përrallë, dhe përrallë fyese. Nëse e besojmë realisht këtë, do na duhet të pranojmë që Shqiptarët që mbetën jashtë kufijve të 1913-ës na paskëshin qenë të dobët e anemikë meqë nuk arritën të çliroheshin vetiu si ne të tjerët nga kthetrat e ushtrive fqinje.

Kjo është çmenduri, pasi Perandorinë Osmane e shkundën nga themelet (si dhe jo rrallë e shpëtuan nga rrënimi) pikërisht kryengritjet e Shqipërisë së veriut, e kryesisht Kosovës, ndërkohë që në Shqipërinë e jugut ose të mesme (prej nga është autori juaj i dashur) nuk mbahet mend ndonjë kryengritje prej shekujsh. Të pretendosh që krahinat e Beratit dhe Elbasanit shporrën hordhitë Greke e Serbe ndërkohë që Kosova iu nënshtrua vetiu Serbisë është qesharake. Por ja që ky mit mbijeton.
E vërteta është e ndryshme: Shqipëria i mbijetoi Luftës së Parë Ballkanike vetëm falë ndërhyrjes energjike të Austro-Hungarisë dhe Italisë. Shqiptarët me tërë mend luftuan ashpërsisht dhe heroikisht por kurajoja nuk zëvendëson dot numrat dhe përgatitjen teknike në luftën bashkëkohore. Pavarësinë nuk ia kemi borxh vetes, por dy fuqive Adriatike të kohës.
Episodi dytë është Lufta (më saktë beteja) e famshme e Vlorës: miti na mëson që një grusht luftëtarësh part time arritën të ‘hidhnin në det’ ushtritë pushtuese Italiane. Në fakt, siç vinin në pah analistët më largpamës që në ato vite (shih kujtimet e Eqrem Bej Vlorës) një luftë e tillë me Italinë do kish qenë vetëvrasje pasi ky vend do mund të dërgonte në Shqipëri më shumë ushtarë nga ç’kishim ne banorë, në rast nevoje. Ushtria Italiane u tërhoq pasi ishte paralizuar nga humbja diplomatike e Luftës së Parë Botërore, propaganda socialiste dhe lufta civile që po niste në vend. Gjasat janë që edhe pa aksionin e Vlorës ajo do ish tërhequr në peshën e shkatërrimit të rendit publik në Itali.
Sërish, kjo nuk do të thotë që Lufta e Vlorës nuk ishte realisht heroike dhe faktikisht brilante, por thjesht që heroizmi dhe shkathtësia taktike nuk mjaftuan për të zmbrapsur Italianët. Madje Bernd Fischer argumenton se miti që Shqiptarët kishin mundur lehtësisht Italianët dëmtoi Shqipërinë Zogiste më shumë se çdo gjë tjetër: opinioni publik nuk kuptonte se përse Mbreti i nënshtrohej fuqisë italiane dhe presioni publik anti-italian rritej vijimisht. Ndofta pa këtë presion, i lindur nga iluzioni se shqiptarët nuk kishin se pse ti druheshin fuqisë ushtarake Italiane, historia do kish shkuar disi më ndryshe.

Episodi i tretë është pa dyshim çlirimi i Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtu miti arrin kulmin dhe krijimtarisë i lihet dorë e lirë. Nuk kemi pse merremi me debatin nëse realisht pati luftë intensive mes njësive partizane dhe ushtrive Italiane dhe Gjermane, apo nëse e vetmja luftë në ato vite ishte ajo civile (unë personalisht nuk kam dyshimin më të vogël).
Fakti që ka rëndësi dhe që askush me dy fije informacion mbi ecurinë e luftës nuk ka se si ta vë në dyshim është që si tërheqja Italiane ashtu dhe ajo Gjermane u diktuan tërësisht nga zhvillime të jashtme. Partizanët shqiptarë mund të luftonin heroikisht sa të donin, por nëse amerikanët dhe sovjetikët nuk do kishin qëndruar në portat e (përkatësisht) Italisë dhe Gjermanisë, Shqipëria do kish mbetur e pushtuar derisa ta ishte parë e arsyeshme.
Episodi i fundit na sjell në Luftën e Kosovës, ku Ushtria Çlirimtare Kombëtare organizoi një luftë të shkëlqyer guerile. Megjithatë, fakti i thjeshtë është që ushtritë Serbe sërish ia arritën, pas 100 vitesh përpjekjesh, të boshatisnin Kosovën, dhe nëse NATO-ja nuk do ish tërhequr prej hundësh nga Amerikanët dhe Britanikët në këtë konflikt, gjasat e UÇK-së për të çliruar një Kosovë të shpopulluar do ishin shumë, shumë të ulëta, dhe më së paku do kërkonin dekada. Nuk mund të dyshohet që pa UÇK-në ndërhyrja e NATOs (nëse do ish arritur) do kishte dështuar në synimet e saj. Megjithatë, vetëm kjo lëvizje, sado brilante dhe heroike, nuk mjaftoi për të çliruar Kosovën.
Përse i përmend këto episode? Sepse historia e ndikimit të mitit të Luftës së Vlorës në epokën Zogiste duket se po përsëritet. Të mashtruar nga mitet që na mësojnë që shqiptarët vijimisht ia kanë dalë të mundin ushtri të stërmëdha e të mirëpërgatitura, lëvizje të caktuara në trevat shqiptare po ndërmarrin sot hapa provokativë që mund të konsiderohen veç si idiotësi.
Por ja që mitet e sukseseve ushtarake të Kombit tonë, sado të këndshme për egon, janë të pavërteta e të rrezikshme. Nëse një grup i vogël por me ndikim në rritje në trevat shqiptare vijon të kërkojë me të madhe marrjen e masave që mund të interpretohen vetëm si casus belli nga fqinjët tanë të dashur, do e kuptojnë tepër vonë që mitet e mësipërme janë pikërisht të tilla: përralla nacionaliste që nxisin vetëbesimin dhe synime politike, aspak realitete.
Dhe nëse në të shkuarën shqiptarët kanë bërë si kanë bërë dhe kanë gjetur aleatë të jashtëm që kanë kufizuar dëmin që ky vetëbesim absurd ushtarak na ka sjellë, situata sot është shumë më e rrezikshme. Perëndimi që nxori Kosovën nga pushtimi Serb po mbyllet sot gjithnjë e më shumë në fanatizëm fetar, shqetësime buxhetore dhe inerci dhe nuk do dëgjonte kurrë të mbronte një komb që perceptohet si mysliman. Nëse gjaknxehtit në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë ia arrijnë qëllimit dhe nxisin luftën me një a disa prej fqinjëve tanë, do ta kuptojmë nga përvoja e hidhur që heroizmi e patriotizmi kanë nja tre shekuj që nuk mjaftojnë me për të fituar luftërat, qoftë dhe luftërat e drejta dhe ndaj armiqve barbarë. Të verbuar nga ideologjia nacionaliste këto lëvizje fokusohen në probleme tretësore dhe humbasin tërësisht ato që janë problemet strategjike reale, dhe madje tejet urgjente, të kombit Shqiptar.
Nder shkrimet me te mira Etjon, dhe jo vetem sepse me pelqen shkenca e historise shume. Me te thene kete, duhet te them gjithashtu qe edhe ne kohen kur isha tejet i verberuar pas nacionalizmit epik shqiptare mendoja se “historia” qe na tregohej ishte kryesisht nje perralle qesharake propagandistike. Paramendo se cka mendoj tani per te! 🙂
Faleminderit Bardhyl. Edhe mua me duket shume interesante historia (jona ne vecanti), dhe shoh qe fatkeqesissht eshte pikerisht historiografia dega me e pazhvilluar e disiplinave shoqerore tek ne. Ata pak historiane qe vijojne te botojne jane teresisht nen ndikimin e ideologjise se socializmit, dhe te vetmet studime interesante qe mund te gjesh jane nga autore te huaj.
Sikur kjo te mos mjaftonte, sapo ndonjeri prej ketyre autoreve origjinale boton dicka, sulmohet nga masat histerike nacionaliste. Akoma e kam te fresket kujtimin e lincimit publik te Schmidit se guxoi te hidhte hipotezen qe Skenderbeu nuk leshonte reze lazer nga syte 🙂
Personalisht po bindem qe nje historiografi me guximatre do i bente me mire liberalizmit te ne sesa edhe vete teoria ekonomike. Keshtu, ndofta postimet historike, edhe nga ne qe pa dyshim nuk jemi historiane, kane ndonje vlere, se paku per te nxitur kuriozitetin.
Pajtohem plotesisht. Ne shkrimin tim “Kush duhet ta shkruaj historine?” pjeresisht u morra edhe me kete problem kur thash qe shteti ka nxitje te madhe ta shtremberoj historine ne favor te nje verzioni heroik nacionalist-etatist, pikerisht per ta ruajtur legjimitetin e tij ne syte e masave.
Por mendoj se edhe po qe se historia do c’lirohej nga okupimi shteteror, kultura e rrezistences ndaj se vertetes nese ajo nuk eshte kompatibile me heroizmat shqiptare do te shkaktonte presion tek intelektualet.
Megjithate, keshtu se paku nje pjese e intelektualeve te vertete te cilet merren me te verteten e jo me deshirat subjektive te publikut (si Schmidti apo Fischeri) do gjenin guximin ta thonin ate cka mendojne se ka ndodhur.