ekonomi

Pesë reforma për ringjalljen e Tregut Kapital (dhe Kapitalizmit) Shqiptar

Etjon Basha

Kur Murray Rothbard pyeti profesorin e tij, ekonomistin e madh Ludwig von Mises, se si mund të dallonte, me një pyetje të vetme,  një ekonomi socialiste nga një ekonomi kapitaliste, Misesi u përgjigj: egziston bursa?

Tregu i kapitalit në fazën më të lartë të zhvillimit, bursa, është pra treguesi kryesor i funksionimit të sistemit kapitalist në një vend. Një qeveri socialiste ka dështuar në përpjekjejet e saj nëse bursa ende egziston. Një qeveri liberale ka dështuar në përpjekjet e saj nëse bursa nuk funksionon. Kështu, ekonomia e parë kapitaliste në histori, sipas këtij testi të shpejtë, ka qenë ekonomia Hollandeze e shekullit të XVII, pasi bursa e parë u hap në Amsterdam më 1602 (ndonëse jo gjithë historianët ekonomikë bien dakort).

Që këtu mund të themi që, megjith zhvillimet e mëdha që ne Shqiptarët kemi parë që nga rënia e Murit të Berlinit, ende jetojmë në socializëm pasi as Shqipëria e as Kosova nuk gëzojnë bursë funksionale.

Nuk ka pse të jetë kështu. Megjith ndërhyrjen shkatërrimtare të shtetit në Hapësirën Shqiptare, ndërhyrje që vonon dhe ngadalëson zhvillimin, sërish është e qartë që ekonomitë e shoqërisë shqiptare, veçanërisht në Shqipëri, janë më të lira se ato në shumë vende të tjera në kontinent. Nëse ekonomia sklerotike dhe korporatiste e fqinjit tonë jugor ende suporton një bursë pak a shumë funksionale, Shqipëria dhe Kosova pa dyshim mund të suportojnë të tyren!

Problemi pra qëndron tek vetë Bursa e Tiranës, jo tek ekonomia në përgjithësi. Si mund të çlirohet potenciali i këtij institucioni jetik? Më poshtë disa propozime modeste:

Reforma #1, privatizimi i Bursës së Tiranës

 Bursa e Tiranës është manaxhuar, që në fillimet e saj, nga shteti. Nuk është pra, ndonjë çudi e madhe që jemi në dekadën e dytë të ‘operimit’ të kësaj burse, dhe ende nuk është rregjistruar asnjë titull për tregtim! Rëndësi madhore ka privatizimi tërësor i këtij institucioni, pasi për sa kohë BT-ja do qëndrojë nën menaxhimin publik, shanset që ajo të shohë aktivitet janë zero. Megjithatë një lexues i informuar mund të mendojë, dhe me shumë të drejtë, që në kushtet aktuale BT-ja është e pavlerë, dhe askush nuk do përpiqej ta blente. Çka na sjell tek propozimi i dytë…

Reforma #2, transferimi i sovranitetit tek blerësi

Privatizimi i BT-së do jetë i suksesshëm, madje shumë më tepër se gjithë privatizimet e tjera të kryera deri tani, nëse së bashku me institucionin e bursës shitet dhe sovraniteti mbi rrethinat e ngushta të saj. Ç’vlerë mund të ketë kjo masë? BT-ja aktualisht nuk funksionon për dy arsye: së pari, menaxhimi publik është i pa-aftë  të drejtojë institucionin themelor kapitalist, dhe kjo e metë rregullohet me anë të privatizimit. Së dyti, menaxhimi publik është i pa-aftë të rregullojë institucionin themelor kapitalist. Privatizimi i BT-së do ishte fiktiv nëse ajo do mbetej nën thundrën e rregullimeve shtetërore, që shtohen dita-ditës dhe mbysin insiativën e lirë.

Që BT-ja të funksionojë, është jetike që pronari i ri i saj të ketë sovranitet plotë mbi territorin e ngushtë rreth bursës (së paku për një afat të gjatë kohe, të themi 50 ose 99 vjet) në mënyrë që bursa të vetë-rregullohet. Ftoj ata që tmerrohen nga ideja e një burse të vetë-rregulluar të shqyrtojnë argumentin tim kundër rregullimit financiar të detyruar. Në çdo rast, edhe nëse dikush nuk bindet nga ky argument, le të mendojë që zgjidhja nuk është mes një burse të rregulluar dhe një burse të vetë-rregulluar, por mes një burse të vetë-rregulluar dhe një burse inegzistente.

E çliruar nga dhuna shtetërore, BT-ja tashmë do kishte liri totale për të eksperimentuar me organizmin më të mirë të mundshëm, në mënyrën racionale të tregut. Cilat duhet të jenë kushtet e regjistrimit të shoqërive? Duhen pranuar shoqëri nga Shqipëria, apo edhe nga Kosova, rajoni apo dhe mbarë globi pa kufizim? Duhet binjakëzuar Bursa e Tiranës më ndonjë bursë të huaj, të mbetet e pavarur apo të transferohet tërësisht në Vjenë (siç është propozuar disa herë)? Bursa duhet të funksionojë në lek, euro, franga, flori apo pa valutë standarde? Cili duhet të jetë niveli i hetimit të shoqërive pjesëmarrëse (këtu nuk jemi adhurues të ligjeve kundër “pastrimit të parave”, siç mund ta keni kuptuar). Aksionet e vetë BT-së ku duhen tregtuar?

Dhe deri këtu jemi vetëm tek pyetjet e njohura. Mendoni se sa e sa inovacione që deri më sot as i marrim dot me mend (me shumë mundësi të drejtuara tek tërheqja në bursë e kapitaleve të vogla që gëzojnë Shqiptarët, dhe jo vetëm të multi-milionerëve) do krijoheshin gradualisht nga një bursë e lirë për të evoluar?

Shansi i vetëm që BT-ja jo vetëm të funksionojë, por të funksionojë shumë më lehtësisht se çdo bursë homologe,është privatizim total i saj, në formë (privatizimi i zakonshëm) dhe në substancë (cedimi i sovranitetit). Dhe në këto kohë vështirësish të mëdha buxhetore, shitja e bursës+sovranitet do shumëfishonte çmimin e shitjes, i cili mund të merrej si një shumë e vetme ose si pagesa të paracaktuara vjetore përgjatë afatit të cedimit të sovranitetit.  Duket vështirë për tu besuar, por cedimi i sovranitetit mbi pak qindra metra katrorë në qendër në Tiranës (çka nuk ndryshon fare nga hapja e çdo ambasade, e cila gëzon sovranitet mbi ndërtesën e saj) mund të bëjë diferencën mes një privatizimi të dështuar që do parodizohet nga majtistët për vite me radhë dhe suksesit më të madh në historinë ekonomike të Shqiptarëve.

Reforma #3, balancimi i buxhetit

Bonot e thesarit janë investimi i parë, në terma përfitueshmërie, për biznesin në Shqipëri (fatmirësisht, mesa di unë, Kosova ende nuk i ka hyrë rrugës së emetimit të bonove). Në tregun financiar Shqiptar shohim një rast të dukshëm të efektit të crowdign out: investimi publik zvogëlon atë privat, dhe për sa kohë tregu i bonove do mbetet masiv saç është (në kushtet e ngushticës fiskale në kontinent, përfitueshmëria e bonove tona vetëm do rritet), nxitja për të krijuar dhe investuar në tituj pronësie private do jetë e pakët. Zgjidhja e dukshme e këtij problemi është balancimi i buxhetit (një alternativë do ishte dhe falimentimi strategjik i propozuar nga disa ekonomistë liberalë, por këtë skenar do e diskutojmë tjetër herë), çka do hidhte hapin e parë drejt zvogëlimit të impaktit të borxhit në tregun e kapitalit, dhe do lironte hapësirat e nevojshme për linden e investimeve alternative (dukshëm, titujt e pronësisë, ose aksionet).

Reforma #4, rritja e maturitetit të borxhit

Edhe nëse buxheti do balancohej që nesër, sërish tregu i bonove nuk do asgjësohej, përderisa qoftë dhe një qindarkë borxhi publik mbetet e pashlyer. A mund ta zvogëlojmë edhe më tregun e borxhit publik, për ti lënë sa më shumë vend tregut privat të kapitalit? Rothbardi, duke diskutuar problemin e crowding out të shkaktuar në ShBA nga borxhi federal, propozoi një reformë të thjeshtë por të rëndësishme, rritjen e maturitetit të borxhit publik. Aktualisht një pjesë e mirë e borxhit publik Shqiptar emetohet në formë bonosh një-vjeçare ose, së shumti, obligacione 2 ose 3 vjeçare (shteti Shqiptar ka emetuar vetëm një herë obligacione 7-vjeçare, dhe ky është maturiteti maksimal i borxhit tonë publik deri sot). Kjo do të thotë që mesatarisht, në diçka më shumë se një vit, i gjithë borxhi publik shqiptar rifinancohet, pra kalon nga sistemi financiar.

Lejomëni të sqarohem më në detaje: nëse defiçiti ynë publik do ishte 5 lek, dhe i gjithë borxhi i deritanishëm do ishte 100 lek, maturiteti një-vjeçar do nënkuptonte që sivjet në treg do hidhen 105 lek bono ndërsa, nëse maturiteti do ishte, le të themi 5 vjet, këtë vit do hidheshin në treg vetëm 5 lek +(100 lek/5vjet)=25 lek! Pra, sa më i lartë të jetë maturiteti i borxhit, aq më pak ndërhyn qeveria në tregun financiar për të financuar veten, dhe raportet duhet të jenë pak a shumë proporcionale.

Zgjidhja optimale, siç propozonte Rothbardi, do ishte emetimi i të ashtuquajturave consoles, ose obligacione pa maturitet, që thjesht paguajnë interes në përjetësi. Këto instrumente, që emetoheshin nga qeveria Britanike në shekullin e XIX kur ende respektohej tregu i lirë, e lejuan tregun financiar në Londër, City-n e famshme, të mos mbytej në tregun e  borxhit, por të mbetej qendër globale financiare në vijimësi, shumë dekada pasi vetë Britania humbi pozitat e saj drejtuese në ekonominë globale. Por nëse konsolat mund të emetohen nga qeveria e ShBA-së, është shumë e dyshimtë nëse ndonjë investitor do i pranonte nga qeveria Shqiptare. Së paku pra, le të ri-nismi emetimin e obligacioneve 7-vjeçare që u dëshmua sukses i madh kur u provuar për herë të parë. Parimisht, do mund të ulnim përmasat e tregut të borxhit publik pesëfish!

“Problemi” i vetëm i kësaj reforme do ishte që, parimisht, rritja e maturitetit të borxhit do rriste dhe interesin që qeverisë do i duhej të paguante. Së pari, nëse interesi mbi borxhin do rritet, qeveria vetëm sa do bindej me fortë për nevojën e balancimit të buxhetit, para se dhe Shqipëria të arrijë në pikë të hallit si disa ekonomi të tjera në kontinent. Së dyti, kurbat e interesave në kontinent kanë ca kohë që sillen shumë “çuditshëm” dhe nuk do ishte fare çudi nëse rritja e maturitetit të borxhit të sillte ulje të interesit kështu siç po venë punët në Evropë. Së treti, rritja e maturitetit do izolonte përkohësisht koston e  borxhit publik nga luhatjet e tregut financiar, një përmirësim shumë i vlefshëm. Së fundmi, edhe nëse realisht kostoja e borxhit do rritej, a nuk do ishte ky një çmim i vogël për tu paguar për të nxitur bursën jetike?

Reforma #5, marrëdhënia e drejtpërdrejtë me Bankën e Shqipërisë

Lejomëni të sqaroj si funksionon Banka e Shqipërisë. Deficiti buxhetor në 2009-ën ka qenë 50 miliardë lek. Në po atë vit, fitimi i Bankës së Shqipërisë (fitimi i lindur indirekt nga krijimi i parasë nga hiçi) ishte 5,7 miliardë. Po ti biem shkurt, mund të supozojmë që BSh-ja gjatë 2009-ën ka krijuar 6 miliardë lek nga hiçi (shifrat nuk janë jetike, ka rëndësi parimi). Bukur, tani këto 6 miliardë lek BSh-ja i hedh në qarkullim duke blerë bono thesari nga bankat e nivelit të dytë. Kështu, qeveria gjatë 2009-ën hodhi ne treg 50 miliardë lek bono, dhe në një çast të dytë, BSh-ja bleu 6 miliardë lek bono: shkurt 56 miliardë lek transaksione në tregun e kapitalit.

Mendoni ç’do kish ndodhur nëse BSh-ja, në vend që “ti binte nga Kina”, do kishte blerë që në çastin e parë 6 miliardë lek bono: do ishin emetuar vetëm 44 miliardë lek bono, dhe nuk do kishim pasur transaksione në një çast të dytë. Pra, me një ndryshim simbolik transaksionet parazitare (crowding out-i) në tregun financiar mund të ulen me 56 miliardë lek- 44 miliardë lek= 12 miliardë lek, ose me 21.4% (kjo strategji funksionon vetëm sa kohë egziston defiçiti, dhe një buxhet i balancuar do lejonte BSh-në të mos printonte fare para!).

Problemi i vetëm më këtë reformë, që do lindte dhe në rastin e balancimit të buxhetit, do ishte që fitimet e bankave të nivelit të dytë do binin dukshëm (se pse nuk mund të sqarohet në një postim të thjeshtë), çka do i shtynte këto banka të bënin presion të madh për rikthimin e sistemit aty ku ishte. Praktikisht, nuk dyshoj fare që qeveria do vendosë interesat e kartelit bankar para atyre të tregut të gjerë financiar në Shqipëri, por sidoqoftë se hedhim ide nuk bëjmë keq.

Reformat e mësipërme kanë një qëllim të vetëm: asgjë më pak se nxitja e Revolucionit Kapitalist në Shqipëri dhe Kosovë! Pa bursë, ekonomitë e Shqiptarëve do mbeten përherë të dobëta, disi irracionale, dhe pre e lehtë për rregullimin publik dhe kartelizmin.

Vetëm me anë të një burse realisht të lirë dhe një tregu monetar racional si dy përbërësit themelorë të sistemit nervor ekonomik, vetëm me anë të reforme radikale financiare pra, do mund të lëmë pas krahëve shekuj prapambetjeje dhe varfërie, dhe do mund të jemi të qetë që trauma ekonomike që sapo ka nisur në kontinent nuk ka për të arritur edhe tek Shqiptarët. Ka ardhur koha që edhe Shqiptarët ti përgjigjen thirrjes revolucionare të kapitalizmit që u hodh me 1602!