Uncategorized

Pjesa I: Tatimet mbi të ardhurat (tatimi mbi të ardhurat personale, tatim fitimi, tatimi i fitimeve nga kapitali)

Etjon Basha

 

(vijon nga hyrja)

Tatimet mbi të ardhurat synojnë të kanalizojnë një pjesë të të ardhurave të (parimisht) çdo personi tek buxheti i shtetit. Në varësi të burimit të të ardhurave, kemi të bëjmë me tatimin mbi të ardhurat vetjake, tatim-fitimin, tatimin e vlerësimit të kapitalit, etj. Ndonëse të ardhurat personale janë sot burimi themelor i buxhetit të shtetit modern, kjo formë tatimi megjithatë ka shumë mangësi.

Së pari, qoftë kur mbahet në burim e qoftë kur mblidhet me vetë-deklarim, vjelja e tatimit mbi të ardhurat kërkon ngritjen e një aparati të tërë “inteligjence” dhe hetimi, për të caktuar imtësisht të ardhurat vetjake, fitimet dhe kostot e shoqërive. Përveç kostove të mëdha që një sistem i tillë nënkupton, ai gjithashtu duhet hedhur poshtë si një ndërhyrje brutale në privatësinë financiare të gjithsekujt.

Së dyti, është relativisht e lehtë të “shtrembërosh” bazën tatimore me këtë lloj tatimi: skema të panumërta gjallojë nëpër botë përmes së cilave individë e kompani zhvendosin të ardhurat nga pagat ose shitjet në zëra të “sigurt” si bonuse. Tatimi mbi të ardhurat krijon nxitje për grupe interesi për të shtuar ato që njihen si “loopholes”, përjashtime nga më të ndryshet për këtë apo atë formë të ardhure. Kur shkojnë në ekstrem (dhe është thjesht çështje kohe para se sisteme të tilla tatimore të shkojnë në ekstrem), vihemi para kodeve tatimore si ai amerikani, ku qindra mijëra faqe ligjesh i kushtohen përjashtimeve të ndryshme. Ndonëse nuk po mërzitemi shumë në parim që shtetit tonë të dashur po i tkurret baza tatimore, fakti qëndron që skema të tilla sjellin kosto të mëdha në kohë dhe para për mbarë ekonominë dhe e bëjnë sistemin tatimor të paparashikueshëm.

Por problemi kryesor me tatimin mbi të ardhurat (por jo vetëm) vjen me efektin që sillet tek nxitja për të punuar: sa më e lartë norma tatimore, aq më e lartë pjesa e transaksioneve efiçente që nuk mund të kryhen. Për të marrë një shembull, le të supozojmë që Edi paguan Saliun 5’000 Euro për ti rindërtuar shtëpinë (batutë e hollë kjo). Për Edin, shtëpia e ripërtërirë vlen 5’200 Euro, ndërsa për Saliun koha dhe materialet që do harxhojë vlejnë 4’800 Euro. Normalist ky transaksion ia vlen të kryhet, mirëpo nëse supozojmë që Saliu i nënshtrohet një tatimi mbi të ardhurat prej 10%, rezulton që ai do fitojë vetëm 4’500 Euro nga kjo punë, më pak se kostoja reale e tij prej 4’800 Euro. Në këto kushte, ky transaksion nuk do kryhet.

E mësipërmja është kosto neto, pasi gjithkush humbet dhe askush nuk përfiton: Edi mbetet me 5’000 euro që i vlerëson me pak se shtëpinë e rindërtuar (humbet 200 Euro), Saliu mbetet me kohë të lirë dhe materiale që i vlerëson më pak se 5’000 euro (humbet 200 euro) dhe shteti nuk fiton asgjë pasi transaksioni nuk kryhet e nuk mund të tatohet. Mbarë shoqëria humbet në tërësi 400 Euro. Se sa i madh do jetë ky efekt në praktikë varet nga shumë faktorë, kryesor mes të cilëve do jenë tarifat reale tatimore: sa më të larta, aq më shumë transaksione efiçente nuk do kryhen.

Tjetër shtrembërim që sjellin gjithë format e tatimit të të ardhurave lind nga efekti i pashmangshëm i “ndëshkimit” të individëve ose shoqërive të suksesshme, ndërkohë që ato të pasuksesshmet kursehen.

Më tej, tatimet mbi të ardhurat shtrembërojnë strukturën e tregut me anë të trajtimit të diferencuar të të ardhurave të ndryshme. Të ardhurat nga pagat mund të tatohen më shumë ose më pak se ato nga kapitali duke shtrembëruar shpërndarjen e këtyre faktorëve në sistemin e prodhimit. Shembull i skajshëm i këtij shtrembërimi përbën tatimi i dyfishtë: ndodh që fitimi i shoqërisë tatohet së pari nag tatim fitimi, e më tej pjesa që i shpërndahet pronarëve tatohet sërish si e ardhur personale, duke krijuar nxitje artificiale për mos-shpërndarjen e fitimit duke krijuar shoqëri tepër të mëdha dhe inefiçente në treg. Nëse qoftë edhe njëri prej këtyre tatimeve (i të ardhurave dhe fitimeve) është progresiv, shtrembërimi është maksimal. Vetëm nëse të dy tatimet janë të sheshtë e më të njëjtën tarifë (siç do mbeten edhe për pak ditë në Shqipëri) mund të themi që efekti në treg minimizohet.

Dhe duke qenë se prekëm temen e progresivitetit, le të ndalemi pak më shumë në këtë pikë. Përparësi e tatimit të sheshtë është që kufizon më pak “mobilitetin shoqëror”: një tatim progresiv kërkon një pjesë gjithnjë e në rritje të të ardhurës, duke kufizuar aftësinë e qytetarit për të ngritur shkallët e mirëqenies.

Mbrojtësit e tatimit progresiv mbi të ardhurat arsyetojnë që sa i pasur të jetë dikush, aq më shumë pronë ka e aq më shumë mbështetet tek mbrojta e shtetit. Kështu të pasurit realisht i takon të paguajë më shumë. Kundër-argumentet janë të shumta: së pari, edhe pas tatimit të sheshtë i pasuri në fakt paguan më shumë. Së dyti, në treg nuk shohim shumë raste kur më të pasurit paguajnë një përpjesëtim më të madh të të ardhurave (kjo do shkatërronte tregun, siç kemi vënë në dukej më parë). Sa janë gjasat që kjo formë pagese jetë efiçente për shtetin? Ka forma shumë më të mira tatimore nëse shqetësohemi që pagesa për shërbimet e shtetit të jetë përpjesëtimore me përfitimin vetjak, disa prej të cilave do i diskutojmë më poshtë. Megjithatë, duhet pranuar që argumenti kryesor i ithtarëve të tatimit progresiv – ai i dobisë marxhinale rënëse të të ardhurave – realisht qëndron. Është e vërtetë që tatimi i shumave të vogla “djeg” shumë më fort se tatimi i të ardhurave “stratosferike”.

Le të themi tani dy fjalë mbi strukturën e re tatimore që do zbatohet vitin që vjen në Shqipëri: ajo që pritej ndodhi dhe tarifat e reja  të tatimit mbi të ardhurat vetjake janë të tilla që nuk mund të shprehemi me bindje nëse sistemi i ri është përmirësim në krahasim me të vjetrin. Megjithëse duket se barra totale tatimore do jetë më e ulët pas këtyre tarifave, mbeten efektet e tjera negative të tatimit progresiv të diskutuara më sipër. Secili të gjykojë vetë nëse balanca e këtij ndryshimi është pozitive apo negative.

Duke lënë mënjanë çështjen e progresivitetit, duhet përmendur një efekt tjetër negativ i tatimit mbi të ardhurat, i vënë re nga ekonomisti David Friedman: kur shteti mbështetet fuqimisht mbi këtë tatim, ai nxitet të kufizojë në maksimum lirinë e jashtme të lëvizjes. Friedmani analizon se si harta e Evropës ka ndryshuar ndër shekuj, duke vënë re që sa më shumë të ardhura nga kjo formë tatjmi mblidhen, aq më shumë nisin kufijtë e shtete të zgjerohen e të përputhen me ato kombëtare, për të maksimizuar koston psikologjike të emigrimit. Për një ithtar të flaktë të kantonizmit si autori juaj, kjo është mangësi e madhe.

Duhet përmendur që së paku tatimi i të ardhurave nxit shtetin të rrisë të ardhurat mesatare në shoqëri, pasi kjo rrit edhe bazën e tatueshme. Nga an tjetër, ndodh shpesh që mënyra më e lehtë për të rritur fluksin e të ardhurave është thjesht konsumi i stokut të kapitalit në shoqëri, një gabim i rëndë ky që sjell varfërim real. Kështu, në përpjekjeje për të rritur fluksin e sotëm të të ardhurave, masa të caktuara mund dhe të sjellin zvogëlimin e  pasurisë reale të shoqërisë.

Në përfundim mund të themi që tatimi mbi të adhurat, qoftë i sheshtë e qoftë progresiv, vuan nga mangësi të mëdha: është infeçent, i kushtueshëm për tu mbledhur, shtrembërues i tregut dhe vështirësues i pasurimit të çdo qytetari, potencialisht nxitës i konsumit të kapitalit dhe i formimit të super-shteteve që kufizojnë lirinë e lëvizjes. Mund të thuhet që, ndër gjithë format e sotme të tatimit, ai mbi të ardhurat është më i pakëshillueshmi.

Debat i kotë, zotërinj
Debat i kotë, zotërinj

(vijon pjesa ii)