ekonomi

Pjesa II: Tatimi në burim (akcizat, tatimi i xhiros, TVSh-ja)

Etjon Basha

(vijon nga pjesa i)

Shënim: Në këtë seri shkrimesh termi “tatim në burim” merr kuptim të ndryshëm nga i zakonshmi. Këtu nënkuptojmë tatimin në burim si tatimin e xhiros së shoqërive private, burimi unik nga i cili rrjedhin gjithë të ardhurat e tjera (paga, fitime, interesa, qera, etj.), ndërkohë që kuptimi i zakonshëm fiskal i tatimit në burim është ai i mbajtjes së tatimit që në disbursimin e të ardhurës (p.sh., që nga punëdhënësi kur paguan punëtorin ose që nga banka kur paguan interesin), një inovacion i ekonomistit të mirënjohur Milton Fridman që përdoret në rastin e atyre tatimeve që këtu i kemi klasifikuar në pjesën e parë të kësaj serie, pra tatimeve të të ardhurave. I mëposhtmi nuk është diskutim i “tatimit në burim” sipas terminologjisë fiskale shqiptare! [Tetor 2016]

 

 

Edhe këto tatime synojnë vjeljen e një pjese të të ardhurave të shoqërisë. Mirëpo, si përmirësim ndaj tatimeve të të ardhurave, tatimet në burim nuk përpiqen të ndajnë të ardhurat sipas burimeve të ndryshme, por synojnë të zbulojnë e të tatojnë burimin unik të gjithë të ardhurave:  xhiroja e shoqërive private.  Duke shmangur labirintet ligjore të tatimeve të të ardhurave, tatimet në burim së paku thjeshtojnë shumë vjeljen e tatimit dhe parashikueshmërinë e tij, si dhe kufizojnë shtrembërimet në treg.

Kështu, nuk ka më nevojë për një aparat aq të stërholluar spiunimi financiar në kushtet kur vetëm xhiroja  e shoqërive privatë tatohet. Ndonëse njëfarë kontrolli mbi vërtetësinë e shifrave të shitjes duhet sërish, aparati tatim-mbledhës thjeshtohet shumë në krahasim me atë që kërkohet nga tatimet e të ardhurave, ku duhet të nisë puna e stërholluar për të ndarë burimet individuale të të ardhurave, diskutuar kostot e zbritshme, veprimet kontabile, etj.

Forma më e thjeshtë e këtyre tatimeve është akciza, një tatim përpjesëtimor (ose fiks) që vendoset mbi mallra të caktuara. Ndonëse përmirësim ndaj tatimit të të ardhurave, akcizat janë forma më e papërshtatshme e tatimeve në burim. Praktike për tu mbledhur (pak a shumë), akcizat megjithatë i ngarkojnë barrën tatimore vetëm mallrave të caktuara, duke shtrembëruar strukturën e tregut. Më tej, në praktikë akcizat vendosen mbi mallra kërkesa e të cilave është inelastike: për cdo rritje çmimi, sasia e tregtuar bie me aq sa të ardhurat totale të shitësve megjithatë të rriten. Por ndodh që disa për këtyre mallrave, si p.sh. nafta, janë jetike për fuksnionimin e një shoqërie moderne dhe akcizat, duke rritur dukshëm koston e tyre, sjellin humbje të mëdha efiçence në mbarë ekonominë, pas sjellë fitime të krahasueshme në shtet. Nëse kjo duket disi e vështirë për tu besuar, le të presim pak muaj për të parë efektin e madh që rritja e qënësishme e akcizës së naftës do ketë në ekonomi prej Janarit të ardhshëm.

Gjithashtu, duke qenë se pika e parapëlqyer e vjeljes së akcizës është Dogana, këtyre mangësive u duhet shtuar edhe tendenca e akcizave për të mbytur tregtinë e jashtme në vende të vogla. Për Shqipërinë dhe Kosovën, mirëqenia të cilave kufizohet fort nga egzistenca e Doganave, akciza kthehet në një tatim tejet negativ pasi kërkon ngritjen e një sistemi të fortë Doganor.

Një version i përgjithësuar e i përmirësuar i akcizës eshët tatimi i xhiros, i cili sot për sot vilet vetëm tek biznesi i vogël. Ndonëse sërish ky tatim sjell shtrembërime në treg, së paku nuk ndëshkon shoqëritë e suksesshme duke u marrë një pjesë të fitimit. Në një këndvështrim, mund të themi që tatimi mbi xhiron e kthen shtetin në një kosto variabël si gjithë të tjerët për biznesin, duke lehtësuar disi vendimmarrjen racionale në treg.

Gjithashtu, duke tatuar shoqëritë, shpërndarja reale e barrës tatimore i lihet tregut: po të mbajmë parasysh që shoqëritë tregtare janë veç sajesa ligjore, barra reale tatimore është ajo që i bie individëve në fund të ditës. Përkthimin e kësaj barre për tek individët e veçantë, qofshin punëtorë a qofshin pronarë, tatimi i xhiros ia lë në dorë tregut.

Një mangësi e tatimit të xhiros është arbitrariteti i vjeljes: nuk është aspak e qartë se çfarë përfshin termi “shoqëri private”, të cilat mund të shkojnë nga shoqëri të mëdha anonime në tregtarë ambulantë apo persona të vetëpunësuar në shtëpi. Tatimi i xhiros do duhet të vendosë kritere të sakta mbi cilat subjekte duhen tatuar, e kritere të tilla do jenë gjithnjë të paplota, duke shtuar një masë arbitrariteti dhe inefiçense në sistem.

Një version edhe më i përparuar i tatimit në burim është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, pas të cilit shoqërive u lejohet të zbresin nga shitjet e tyre blerjet e ndryshme tek shoqëri të tjera, dhe vetëm diferenca i nënshtrohet tatimit. TVSh-ja sjell rreth gjysmën e të ardhurave tatimore në buxhetin tonë të dashur (ku vilet tek shoqëritë “e mëdha”, duke zëvendësuar tatimin mbi xhiron), dhe pesha e saj në financat e thuajse çdo vendi është madhore. Pozitive në këtë skemë është që kostot e vjeljes minimizohen edhe më, duke qenë se shoqëritë e tatuara kanë vetë interes të tregohen korrekte në mbledhjen e faturave tatimore nga furnitorët. Ndonëse ky sistem nis të “thyhet” në “skajet” e strukturës së prodhimit, ku shoqëritë që shesin produkte finale konsumatorit nuk kanë se kujt ti japin llogari dhe shoqëritë që punojnë me lëndë të para të papërpunuara nuk kanë se ku të kërkojnë llogari, është tërësisht e mundur që sistemi tatimor i një vendi që mbledh vetëm TVSh të kufizohet në pak inspektorë që kryejnë inspektime surprizë të rastësishme, duke ulur masivisht si koston dhe inefiçencën e vjeljes. Një vend i tillë do mund ti lejonte qytetarëve dhe shoqërive të tij një masë të gjerë privatësie financiare, një e mirë e padëgjuar sot për sot.

Gjithashtu, TVSh-ja është shumë më e lehtë për tu përballuar në krahasim me tatimin e xhiros. Një shoqërie me një xhiro prej 10 Milionë Eurosh do ti duhej të paguante 1 Milion pas tatimit të xhiros prej 10%, ndërkohe që furnitorit të tij të vetëm që realizon një xhiro prej 8 Milionësh do i duhej të paguante 800’000 Euro. Mirëpo furnitori është në fakt në një pozitë shumë më të mirë sesa klienti i tij më i madh, pasi (në  këtë shembull) nga xhiroja e tij më e vogël nuk zbritet asnjë kosto për furnitorë të dytë, duke i lënë atij 8’000’000 Euro të ardhura për të shlyer kostot e punës në karahsism me vëtm 2’000’000 që i mbeten klientit të tij.

Një TVSh ekuivalente prej 18% do tatonte shoqërinë e madhe me 360’000 Euro dhe furnitorin e saj nominalisht më të vogël me 1’440’000 Euro. Të dy shoqëritë do e kenë shumë më të lehtë të paguajnë këto shuma në krahasim me një përqindje fikse mbi xhiron, që mund të detyrojë shoqëri të mëdha të mbyllen fare në pamundësi për të paguar.

Gjithë e gjithë, mund të themi që vjelja e një pjese të madhe të të ardhurave tatimore në formën e TVSh-së është zhvillim për tu mirëpritur në shoqëritë bashkëkohore. Sikur tarifat e TVSh-së të rriteshin disi (siç do shohim më poshtë) dhe sikur përjashtimet e ndryshme të eliminoheshin tërësisht për të zëvendësuar gjithë tatimet e tjera aktualisht në fuqi në Shqipëri dhe Kosovë, kjo do qe një reformë madhore për tu përshëndetur. Nëse kërkojmë një tatim më të arsyeshëm se edhe TVSh-ja, do duhet të eksperimentojmë me forma të paprovuara më parë. Si për shembull…

(vijon pjesa iii)