Uncategorized

Pjesa III: Tatimet mbi kapitalin

Etjon Basha

(vijon nga pjesa ii)

Shënim: për të mos u ngatërruar me tatimin e fitimeve nga kapitali, që në fakt është tatim të ardhurash.

Problemi themelor me gjithë format e tatimeve mbi të ardhurat është që, siç diskutuam, mund të nxisin shtetin të marrë masa që shkaktojnë konsumin e kapitalit në përpjekje për të rritur fluksin e të ardhurave dhe, si pasojë, bazën tatimore. Kjo nxitje eliminohet me tatimet ndaj kapitalit, të cilat nxisin shtetin të maksimizojnë stokun e kapitalit në shoqëri.

Në çdo këshdvështrim tjetër, tatimi i kapitalit është ekuivalent me atë të të ardhurave, pasi çdo fluks të ardhurash mund të konvertohet në kapital dhe, anasjelltas, kapitali mund të konvertohet në fluks të ardhurash. Kështu, tatimi i kapitalit është thjeshtë një tjetër formë e tatimit të të ardhurave.

Nga shumë skema të mundshme të tatimit të kapitalit, këtu do diskutojmë vetëm njërën: tatimin e vlerës së vetëshpallur të pasurisë së paluajtshme (TVVPP). Pas kësaj skeme, çdo pronar i pasurisë së paluajtshme (tokë bujqësore, truall, ndërtesë, fabrikë, apartament, pasuri nëntokësore, etj.) deklaron vetiu dhe publikisht vlerën që pasuria e tij ka për të. Mbi këtë vlerë paguhet një tatim i sheshtë mujor (le të themi prej 0.16% në muaj). Por, në ndryshim nga tatimet e ngjashme që vilen sot, pronari është i detyruar ta shesë pronën e tij me çmimin e vetë-deklaruar kujtdo që tregohet i gatshëm ti paguajë në dorë shumën e shpallur.

TVVPPja është një version i evoluar i propozimit të mendimtarit të shekullit të XIX Henry George, i cili këshillonte zëvendësimin e gjithë taksave e tatimeve me një taksë të vetme ndaj tokës. Nëse Xheorxhizmi (siç njihet lëvizja masive që Henri Xhorxhi krijoi) propozonte vetëm tatimin e tokës, kjo skemë propozon tatimin e çdo pasurie ta paluajtshme pasi transferimi i pronësisë së tokës pa transferuar dhe pronësinë e pallatit të ndërtuar mbi të është shumë e vështirë në praktikë (çka është vënë në dukje me mijëra herë nga procesi i kompensimit të ish-pronarëve në Shqipëri). Ndërkohë, detyrimi për të shitur tokën me çmimin e vetëshpallur nxit pronarët të shpallin vlerën e drejtë (sipas tyre) të pronës.

Ndonëse Xheorxhistët mendonin se tatimi i truallit nuk shtrembëron aspak tregun, duke qenë se trualli është e mirë natyrore që nuk mund të shtohet, analiza e tyre është hedhur poshtë në ketë këndvështrim. Megjithatë, nuk mund të mohohet që tatimi i truallit dhe “pasurive natyrore” është ndër tatimet që shtrembërojnë më pak tregun.

Tjetër përparësi e një skeme të tillë do të qe menaxhimi tejet i lehtë. Nevoja për inspektorë tatimorë do zhdukej. E vetmja punë që do duhej bërë për të menaxhuar TVVPPnë do qe ngritja e një programi ku vlera e vetëdeklaruar e çdo prone në Shqipëri të shfaqej publikisht. Çdo pronar thjesht do dërgonte vetiu çdo muaj tek ndonjë llogari e posaçme shumën e tatimit që dëshiron të paguajë, duke specifikuar vetëm numrin serik të pronës për të cilën po paguhet tatimi. Vlera e pronës do llogaritej automatikisht nga shuma e paguar. Kështu, nëse supozojmë një normë tatimore prej 0.16% në muaj, një apartament për të cilin paguhen 150 euro në Dhjetor do vlerësohej automatikisht në sistem me 92’500 Euro. Kushdo do mund ta blinte pronën duke derdhur këtë shifër në një llogari të posaçme, që më pas do i transferohej pronarit aktual. I gjithë ky sistem do qe fare i thjeshtë në zbatim, dhe në parim secili prej këtyre transaksioneve do mund të bëhej në mënyrë anonime. Nevoja për çfarëdolloj kontrolli do zhdukej, duke i lënë të qetë qytetarët në privatësinë tyre financiare. Nga ana tjetër, skema gjithashtu do zëvendësonte plotësisht nevojën për mbajtjen e një regjistri të veçantë hipotekor.

Më tej, zbatimi i një tatimi të tillë do e kthente tregun e tokës në Shqipëri në një treg shumë dinamik. Veçanërisht po të lidhej me reformat e propozuara tjetërkund për kompensimin e ish-pronarëve, TVVPPja do siguronte që prona në Shqipëri të ishte gjithnjë në duar të pronarit që e vlerëson atë më shumë. Probleme si toka të papërdorura prej vitesh, pronarë jo-aktivë që jetojnë jashtë shtetit dhe pronave të ndara mes 100 trashëgimtarësh do merrnin fund.

Kur përkufizuam, në fillim të këtij shkrimi, shtetin si pronarin efektiv të truallit të një vendi, kjo qe më shumë se një metaforë. Shteti realisht mund të mendohet (formalizohet) si një korporatë (mutual company më saktësisht) që zotëron pronësinë reale (sovranitetin) mbi truallin e një vendi, dhe e menaxhon këtë pronësi për qëllimet e saj. Duke zëvendësuar morinë e tatimeve të sotme me këtë skemë të thjeshtë, të ardhurat shtetërore do përputheshin me natyrën e këtij institucioni: të ardhura qeraje që vilen nga pronari i tokës.

Kjo do qe një përgjigje e parë ndaj kundërshtisë që TVVPPja do i ngarkonte padrejtësisht koston e shtetit vetëm një klase të caktuar asetesh, duke shtrembëruar tregun. Sa i takon pjesës së pasurive të paluajtshme që janë të pa-prodhueshme (trualli, toka bujqësore, rezervat minerare, etj.), shtrembërimi është minimal për shkak të vështirësisë së prodhimit të sasive të reja. Ndërkohë që vlera e kapitalit total të një shoqërie ndikon drejtpërdrejt (ndonëse jo 100%) në rritjen e vlerës së pronës së paluajtshme. Ndonëse këto përgjigje nuk shmangin dot plotësisht kundërshtimin, ato sidoqoftë sigurojnë që të ketë një lidhje të qenësishme mes bazës tatimore të TVVPPsë dhe stokut të kapitalit në shoqëri.

Më tej, kemi folur më parë mbi efektin të ekstrenalitetet kanë për shumë investime. Kemi parë se si një pronar i madh zvogëlon efektin e këtyre eksternaliteteve, ndërkohë që shumë pronarë të vegjël vuajnë nga inefiçenca të ndryshme për shkak të tyre. Vjelja e TVVPPsë do e vinte qeverinë në pozitë për të vjelë përfitimet nga këto eksternalitete. Nëse ngritja e një parku të madh në mes të Tiranës do hiqte nga qarkullimi sipërfaqe të mëdha toke që mund të përdoreshin për ndërtim, ai gjithashtu do rriste vlerën e pronave eksiztuese. Nëse efekti neto do qe pozitiv, ndërtimi i parkut do ndërmerrej. Kështu, menaxhimi territorial do shkëputej nga arbitrariteti i “standardeve mjedisore” e planeve të zhvillimit duke iu nënshtruar racionalitetit të tregut.

Më tej, pushteti i shpronësimit “për interesa publike” do i hiqej një herë e mirë shtetit. Në kushtet kur çdo pronë në Republikë do afishonte publikisht vlerën e saj, projekt të mëdha nuk do mund të bllokoheshin me nga pronarë kryeneçë. Në këto kushte, nëse qeveria (apo cilido investitor privat) do vendoste të ndërmerrte ndonjë projekt madhor, do duhet të blinte pronat ekzistuese me vlerën e drejtë, e jo me ndonjë shifër të caktuar arbitrarisht. Kjo do lejonte sipërmarrjen private të përfshihej në ndërtimin e veprave të mëdha infrastrukturore për qëllim fitimi, duke e lehtësuar buxhetin nga një barrë e rëndë dhe ekonominë nga një mangësi e madhe.

Së fundmi, shitja e “pasurive natyrore”, aq e debatuar nga publiku i gjerë, do bëhej më e kuptueshme, tashmë që pronarit do i duhej të shprehet publikisht vlerën e pronës duke paguar një tatim mujor mbi të. Me pak fat, veshët do të na binin rehat nga dallga etatistë që shpërthen me çdo privatizim të ri.

Megjithatë, kjo skemë ende do kishte disa mangësi. Së pari, do ishte e vështirë të bëhej kalimi shpejtë dhe pa fërkim i pronës nga një pronar në tjetrin, veçanërisht në Shqipëri. Megjith që propagandojnë ideale përgjithësisht etatiste, Shqiptarët ndihen ende shumë të lidhur me pronën  vetjake, veçanërisht atë të paluajtshme. Gjasat që një tatim si ai që diskutohet këtu të mirëpritet do qenë të pakta, veçanërisht nëse ai do shihej si niëanshëm dhe jo i zbatueshëm universalisht.

Së dyti, mbetet e paqartë se si mund të rregullohet prona shtetërore në një skemë të tillë. Pavarësisht se ç’mund të thonë nga teori fare të çuditshme që dëgjohen herë pas here, shteti nuk paguan taksa, por thjesht regjistron zëra pa vlerë nëpër pasqyra financiare. Nuk do kishte kuptim të thoshim që shteti do paguante taksën për pronat e paluajtshme në kushtet kur çdo qeveri do e kishte fare të lehtë ti “paguante” vetes shuma marramendëse për çdo pronë, duke e fryrë pa masë vlerën e tyre.

Së treti, ende kemi një efekt negativ mbi nxitjen për të punuar, një shembull të së cilës morëm kur diskutuam tatimet mbi të ardhurat. Së paku ky efekt zvogëlohet shumë, për të njëjtën barrë tatimore, me TVVPPnë.

Megjithatë, duke pasur parasysh përparësitë teorike që TVVPPja ka, zbatimi i saj në Shqipëri e Kosovë do ishte përmirësim i dukshëm ndaj shumësisë aktuale të tatimeve të ndryshme që më së paku nxisin konsumin e kapitalit.

Duke pasur parasysh që në Shqipëri, taksa e pronës aktualisht mblidhet (në një masë të vogël) nga pushteti vendor, rruga më e arsyeshme për të zbatuar këtë skemë do qe e mëposhtmja. Së pari, pushteti vendor do duhej konsoliduar në nivel Qarku, duke u përpjekur maksimalisht për të krijuar njësi kulturalisht homogjene por dhe të vetëmjaftueshme nga ana fiskale.

Për shembull...
7 kundër Tebës

Më tej, këto Qarqe të reja do fitonin të drejtën të zbatonin skemën e mësipërme të tatimit të pronës. Masa e këtij tatimi do duhej vendosur e tillë që të mbulonte plotësisht jo vetëm tatimet egzistuese vendore (të cilat do duheshin eliminuar) por dhe grantet e qeverisë qëndrore. Tatimet e tjera të mbledhura nga qeveria qëndrore do mbeteshin të pandryshuara (nëse edhe ato do zëvëndësohehsin me një TVSh universale aq më mirë).

Ndonëse jo fort ambicioz në pamje të pare, një plan i tillë do të qe hapi i parë drejt Kantonizimit të Hapësirës Shqiptare. Duke zëvendësuar morinë e Komunave e  Bashkive  shpesh infektive me pak Qarqe (kantone) kulturalisht homogjene, fiskalisht të vetëmjaftueshme e të financuar me një formë tatimi që maksimizon nxitjen për të mirëmenaxhuar territorin, njësitë e qeverisjes vendore në Shqipëri do ktheheshin për herë të parë në aktorë seriozë politikë. Nga pozitat e pavarësisë fiskale ato do e kishin më të lehtë të negocionin reforma të mëtejshme në të ardhmen.

Zbatimi i tatimit të pronës në nivel Qarqesh do sillte edhe një efekt të mëtejshëm pozitiv: vetë Qarqet do mund ti paguanin qeverisë qëndrore tatim për pronat e tyre, duke shmangur një defekt të kësaj skeme të diskutuar më sipër. Kuptohet që procesi i privatizimit të pronës “publike” do shpejtohej dukshëm në kushtet kur për çdo metër katror toke “publike” do duhej paguar taksë. Dhe ndryshe nga taksat e zakonshme që institucionet publike “paguajnë” në buxhet, në këtë rast do kishim të bënim me një shpenzim real në kushtet kur Qarqet do qenë aktorë të mëvetshëm ndaj qeverisë.

(vijon pjesa iv)