ekonomi

Post mortem: kush përfitoi nga reciprociteti tregtar?

Etjon Basha

Tashmë që vendimi për ndërmarrjen e masave të reciprocitetit tregtar ndaj Bosnjës dhe Serbisë është marrë, këto masa kanë për të qëndruar në fuqi shumë më gjatë nga ç’mendon shumëkush. Serbia (dhe si pasojë dhe Bosnja) nuk ka për tu tërhequr nga embargoja ndaj mallrave Kosovare pa një marrëveshje përfundimtare mbi Kosovën. Dhe nëse Beogradi është seriozisht i gatshëm të pranojnë vetëm ndarjen e Kosovës si opsion (se ri-aneksimin nuk e kërkon më seriozisht njeri), gjasat janë që gjendja e krijuar do vijojë gjatë.

Kështu pra, kush do përfitojë nga kjo luftë tregtare që sapo ka nisur?

1)     Qytetarët e Kosovës?

Qytetarët e Kosovës nuk kanë si të përfitojnë nga kjo situatë, dhe këtë çështje e ka trajtuar Bardhyli (1, 2) më së miri. Këtu dua vetëm të shtoj një pretendim interesant që kam dëgjuar të debatohet: realisht qytetarët e Kosovës do humbasin nga reciprociteti tani për tani, por ama ata do përfitojnë në afat të gjatë pasi masat e reciprocitetit do nxisin Serbinë dhe Bosnjën të heqin embargon, dhe kështu mirëqenia në Kosovë do rritet. Kështu, duhet sakrifikuar pakëz mirëqenie sot për të përfituar më shumë në të ardhmen.

Le ta marrim si të mirëqenë, tani për tani, që ky plan “gjenial” realisht ka për funksionuar. Sa do jetë ‘norma e interesit’ në këtë ‘transaksion’? Sakrifica e sotme do na rikthehet me 110% nesër? 130%? 150%? Në sa kohë? Një vit, pak muaj apo disa vite? Është e pamundur të llogariten këto shifra, pasi një duzinë e mirë parimesh bazë të ekonomisë do duhej të thyheshin para se të arrinim të realizonim këtë llogari.

Por më tej, supozojmë që një shifër e tillë – le të themi që me reciprocitetin do arrijmë një ‘kthim’ prej 20% në bazë vjetore, që nuk do ishte kthim aspak i keq – është llogaritur. Kush na garanton që ky kthim ‘ia vlen’? Ia vlen për kë? Për mua personalisht? Për Presidentin e Kosovës? A duhet shtruar kjo pyetje para Kuvendit? Kush i ka zgjedhur deputetët si përfaqësues optimalë të preferencave kohore të qytetarëve të Kosovës?  Duhet shtruar çështja në referendum? Dyshoj që shumica dërmuese e qytetarëve në Kosovë (apo dhe gjëkundi tjetër) do kuptonin se ç’është kjo pyetje e ndërlikuar financiare që po u shtrohet. Skenari është qesharak, e megjithatë shumë më racional se mënyra faktike se si u mor vendimi për reciprocitet: pa asnjë lloj baze!

Por problemi themelor i kësaj linje arsyetimi është edhe më i dukshëm: vetë ‘plani’ është qesharak! Serbia dhe Bosnja nuk do të eliminojnë embargon sepse na u frikësuan shumë nga masat e reciprocitetit Kosovar. Realiteti i hidhur është që Kosova, sot për sot, është shumë më tepër e varur nga tregtia me Serbinë nga ç’është Serbia e varur nga tregtia me Kosovën (kjo nuk do të thotë që Serbia nuk humbet nga kjo luftë fëminore).

Edhe nëse varësia Serbe nga tregu Kosovar do qe shumë më e lartë, sërish shteti Serb s’do qe menduar dy herë para vënies së embargos pasi, për të përsëritur idenë e Bardhylit, embargoja është politike, jo ekonomike. Të nxitur nga nacionalizmi, Serbët nuk do ndalen kurrsesi nga reciprociteti për të dëmtuar Kosovën, qoftë dhe duke dëmtuar veten si pasojë. Madje, edhe nëse ndonjë kokë më e qetë në Beograd dhe Sarajevë deri tani po mendonte heqjen e embargos (pretendim i dyshimtë), reciprociteti Kosovar e eliminoi një herë e mirë këtë mundësi. Tani do dukej ‘tradhti’ dhe ‘përulje para rebelëve shqiptarë’ kthimi pas.

Pretendimi që duke vënë në jetë masa të reciprocitetit tregtar Serbia dhe Bosnja do kthehen në rrugën e tregtisë së lirë është aq qesharak, sa dyshoj që dhe ata që e përdorin të besojnë realisht në të.

2)     Nacionalizmi shqiptar?

Po mirë, argumentojnë të tjerë, ndofta realisht mirëqenia në Kosovë do bjerë nga reciprociteti, por kjo rënie do jetë fare e vogël (pretendohet që çmimet nuk qenkan rritur ‘dhe aq shumë’) dhe do ia vlejë pasi kjo kundërpërgjigje përbën një fitore të pastër për nacionalizmin shqiptar! Shqiptarët nuk kanë më pse ti nënshtrohen tekave të Serbëve, por gjetën kurrajo të pranojnë sfidën e tua kthejnë me të njëjtën monedhë! Nëse ata nuk duan të tregtojnë një herë, ne njëqind herë! A nuk ia vlen të paguajmë pak qindarka më shumë në supermarket për këtë ringjallje të nacionalizmit shqiptar?

Fabula mund të duket interesante, por është saktësisht e anasjellta e së vërtetës. Nëse masat e reciprocitetit dëshmuan diçka, ishte që shumë pak shqiptarë e marrin seriozisht nacionalizmin.

Le ta marrim si të mirëqenë që realisht çmimet nuk janë rritur ‘me tepri’ pas reciprocitetit. Kështu, sakrifica e mirëqenies për shqiptarin e mesëm në Kosovë nuk paska qenë dhe aq e madhe, ndërkohë që përfitimi ‘psiqik’ nga riafirmimi i krenarisë kombëtare paska qenë shumë i madh. Atëherë përse u desh mbyllja e detyruar e kufijve?

Përse nuk mund të organizohej një bojkot vullnetar – jo i detyruar – ndaj mallrave Serbe? Përse të mos nisej një fushatë sensibilizimi duke sqaruar ‘përfitimet kombëtare’ si dhe sakrificën në formë çmimesh pakëz  më të larta që bojkoti do sillte? A nuk do ishte cilido shqiptar i gatshëm të paguante pak më shumë për mallin italian e të bojkotonte atë Serb po t’i ish kërkuar?

Fakti që një ide e tillë, me sa di unë, as u diskutua, dëshmon për dy mundësi. Ose, nacionalistëve as u shkon nëpër mend që egzistoka një rrugë vullnetare si alternativë ndaj dhunës shtetërore, ose në fakt askush nuk besonte se një fushatë e tillë do mund të kish sukses.

Në rastin e parë, nacionalistët duhet të kuptojnë që shqiptarët nuk janë në pozitë të luajnë lojën e dhunës, as në Ballkan e as gjëkundi, pasi po të vijë çështja për dhunë, kundërshtarët e lirisë shqiptare do jenë në vijimësi më të fortë se përkrahësit e saj dhe shtetet (jo domosdoshmërish kombet) fqinjë do jenë gjithnjë më të fuqishëm se Shqipëria dhe Kosova, të ndara apo të bashkuara qofshin. Mendësia etatsite e dhunës i shkon për shtat këtyre kombeve fqinje që, megjithëse kanë qenë fëmijët e llastuar si të lindjes ashtu dhe të perëndimit për 150 vjet sërish mbeten gjysmë-barbarë, dhe aspak shqiptarit që dëshiron të lerë barbarizmin ballkanik pas krahëve.

Në rastin e dytë, nacionalistët vetëm sa pranojnë humbjen e kauzës së tyre: nëse shqiptarët nuk binden dot të shpenzojnë ca qindarka më shumë në ditë ‘për kombin’ as që bëhet fjalë të pranojnë sakrifica reale nesër, nëse do të lindë nevoja. E vërteta është e thjeshtë: nuk mund të luftosh njëkohësisht dhe ndaj nacionalizmit të huaj dhe ndaj popullit tënd. Prioriteti i nacionalistëve duhet të jetë sensibilizimi masiv ndaj ideologjisë që pretendojnë të përcjellin, jo sponsorizmi i masave që cenojnë, qoftë me një qindarkë, mirëqenien e Shqiptarëve. Sa më shpejtë ta kuptojnë këtë nacionalistët tanë, të sinqertë por të nxituar, aq më mirë do jetë për kombin Shqiptar.

3)     Tregtarë specifikë?

Një vëzhgues cinik dhe me formim ekonomik, duke kuptuar kotësinë e reciprocitetit tregtar në çdo fushë, do mund të mendonte se të vetmit që do mund të përfitonin prej një mase të tillë do ishin pak tregtare që, duke ‘nuhatur’ opinion në favor të masave të reciprocitetit, nxituan të krijonin lidhje me vende të treta, dhe u vunë në pozitë të përfitonin prej çmimeve të larta para konkurrentëve të tyre.

Nuk di të them nëse realisht ka pasur ‘sponsorë’ që kanë pasur për zemër interesin vetjak pas vendosjes së reciprocitetit. Mundet shumë mirë që kjo të ketë ndodhur.

Por ‘përfituesit’ prej reciprocitetit, nëse vërtetë ekzistojnë, nuk janë faktorë vendimtarë në këtë mes. Faktori vendimtar është opinioni i gjerë publik që ishte pro në shumicë reciprocitetit (megjithëse nuk ishte i gatshëm ta ndërmerrte vullnetarisht bojkotin tregtar). Nëse dikush u tregua aq i shkathët sa të përfitonte nga kjo padije e përgjithshme, aq më mirë për të!

Si përfundim mund të themi që reciprocitetit tregtar është një masë e pambrojtshme nga ana ekonomike. Shanset që të nxisë qeveritë Serbe dhe Boshnjake të heqin embargon ndaj Kosovës janë zero ndërkohë që dëmi ndaj mirëqenies së qytetarëve më të varfër në Evropë është i pamohueshëm. Si masë ‘nacionaliste’, reciprociteti dëshmon, në rastin më të mirë, vetëm për dobësinë e ndjenjës nacionaliste mes Shqiptarëve, dhe në rastin më të keq, për drejtimin e rrezikshëm që po merr ky nacionalizëm.

Por koha për tu ankuar tashmë kaloi: reciprociteti është ulur mes nesh për të mbetur gjatë.