ekonomi

Postimi im përmbyllës

1

Vëmë bast?

Erdhi dita që dhe autori juaj i dashur të provojë fatin në emigrim, duke vijuar e forcuar traditën krenare të Kombit Shqiptar dhe gjithnjë duke ndjekur dhe vetë këshillat që i kam dhënë lexuesve për të synuar së pari botën anglo-saksone.

Dhe duke qenë se secili prej nesh e njeh mirë aftësinë e medias bashkëkohore për të “shitur” një version të realitetit që, ndonëse bindës nga largësia, përputhet më shumë me qëllimet e vetë medias sesa me realitetin në teren, mbështetja veçse në këtë burim për të njohur situatën në Hapësirën Shqiptare do e bënte çdo autor qesharak. Shkëputja fizike dhe afatgjatë nga Shqipëria duhet me doemos të sjellë dhe ndërprerjen e shkrimeve për të shmangur situatën e sa e sa bashkëkombësve dashamirës që shkruajnë për problemet shqiptare nga largësia e emigracionit dhe e gjejnë veten thjesht duke i bërë jehonë frymës së medias, pa kontribuar ndonjë gjë origjinale në debatet e ditës. Kështu pra, ky do jetë me doemos postimi im i fundit në blog.

Për të mos lënë me kaq këtë postim përshëndetës, më poshtë do përmbledh shkurtimisht pak pika ndër të shumtat që kanë mbetur pa u trajtuar ndër vite në këtë blog, duke qenë se puna për këto postime tashmë kishte nisur me kohë. Sigurisht, “shkurtimisht” është një term relativ dhe ky mund fare mirë të përfundojë si postimi më i gjatë në blog.

Ashtu si për çdo postim tjetër, idetë e mëposhtme janë të miat dhe nuk ndahen domosdoshmërish nga Bardhyli.

Le ta nismi me…

1_Idetë kryesore

Së pari, të më lejohet të përsëris shkurt idetë kryesore që kam mbrojtur në blog.

Cilësia e jetës në Shtetet Shqiptare është tejet e ulët për një shkak të vetëm e kryesor: stoku ynë i kapitalit për frymë është po aq i ulët. Në fakt ky stok është aq i varfër sa fatkeqësisht Republika dhe Dardania sërish kanë rënë nën mesataren botërore në terma të prodhimit të brendshëm për frymë.

2
Cuq-cuq-cuq

Mendoni për një çast se çfarë do të thotë kjo: sikur të zgjidhnim në mënyrë rastësore njërin prej mbi shtatë miliardë banorëve të këtij rruzulli, ku përfshihen miliarda kinezë e indianë, si dhe qindra miliona afrikanë, gjasat janë që ky banor i rastit sërish do gëzonte një standard jete më të lartë se shqiptari mesatar. E pra, në këtë pikë jemi katandisur.

Nëse kjo mangësi do rregullohet ose së paku zbutet do shohim që, si me magji edhe 1001 problemet e ndryshme që na mërzisin çdo ditë do nisin po ashtu të zbuten. Kështu, përpjekjet maksimale mendore tonat e në veçanti klasës sonë sunduese duhet të shkojnë për pasurimin financiar të shqiptarëve, duke lënë mënjanë objektivat e tjerë afat-shkurtër.

Dhe duhet të jetë e qartë për këdo tashmë që rruga më e shpejtë dhe e drejtë për të zhvilluar një vend paraqitet nga idetë e liberalizmit ekonomik e të krijimit të një tregu ta papenguar nga arbitrariteti e favoritizmi, ndërhyrja e rëndë publike dhe marrëdhëniet informale me shtetin. Matja e ecurisë në këtë sipërmarrje është relativisht e thjeshtë po të fokusohemi në secilin prej shumë indekseve që përpilohen periodikisht nga institucione të mirënjohura globale, të tillë si indeksi Ease of Doing Business. Sa më shumë ti afrojmë vendet tona me “frontin” e këtyre indekseve, aq më shpejt do pasurohemi dhe aq më shumë “çudira” do shohim në terma të cilësisë së jetës.

Ndërmarrja e reformave të gjëra liberale mund (dhe, në terma të qëndrueshmërisë afat-gjatë elektorale të këtyre reformave, duhet) të kombinohet fare lehtë edhe me masa të kontrolluara e të mirëmenduara të natyrës sociale në një Kompromis të Madh (1, 2, 3, 4, 5) mes Liberalizmit dhe Etatizmit, duke marrë shkas nga modelet Skandinave apo Gjermane.

Ndonëse Bashkimi Europian, pavarësisht fillimeve të tij, nuk është sot ndonjë model i madh liberal, ai sërish mbetet një alternativë e mirë në krahasim me sistemin ekonomik që do duhej të zbatonim nëse do merrnim në konsideratë vetëm mendësinë e shqiptarëve. Sidoqoftë, puna për të arritur në grushtin e vendeve më liberale brenda BE-së, të cilëve vërtetë u prishin punë kufizimet e Unionit, është aq e madhe sa gjasat që shqiptarët ta bëjnë në kohë janë të vogla. Kështu, ka arsye të mira për shqiptarët për tu përfshirë në Bashkim dhe për të punuar brenda tij për pasurim dhe krijim e një tregu të hapur e liberal, në masën që kjo lejohet nga struktura e BEsë.

Megjithatë kjo nuk duhet as të na tërheqë vëmendjen nga Plani A i bashkimit kombëtar, pra ai i Integrimit (dhe, nëse gjykohet e mundur, Kantonizimit të mëtejshëm) të Hapësirës Shqiptare, e as të na bëjë të harrojmë faktin që BE-ja vetë do bie e do shpërbehet në një të ardhme. Ajo ditë do duhet ti gjejë shqiptarët e përgatitur, të integruar mes tyre, me komandë unike ushtarake e të gatshëm për të ruajtur lirinë e kufijtë me dhunë të organizuar në kushtet kaotike të shpërbërjes së një perandorie të madhe.

Brenda këtij plani afat-gjatë gjejnë vend postimet e mia në këtë blog, të shpërndara nëpër vite dhe në evolucion të vijuar si kanë ardhur.

Por nëse i mësipërmi është urimi dhe dëshira ime për Shqiptarët, cila është pritshmëria ime e vërtetë?

2_Qofsha i gabuar, ose çfarë do vija bast që do ndodhë vërtetë

Përtej dëshirës më të mirë për të parë zhvillimet e mësipërme, druaj se Shqipëria nuk do ndërmarrë hapat drejt një programi zhvillimi liberal, e as do përpiqet të zhvillohet ekonomikisht para çdo objektivi tjetër, qoftë dhe brenda një sistemi etatist. Nëse do mendoja kështu, nuk do largohesha nga vendi.

Ajo që druaj që do ndodhë është që Shqiptarët do sillen rrotull vijimisht në batakun etatist, duke i kthyer sytë për çdo çështje të vogël nga Shteti, ushtruar presion për shtimin e radhëve të tij e fryrjen e buxheteve. Ditë pas dite, nuk do mbetet fushë ku dora publike të mos ndërhyjë dhe ankesat për ndërhyrje edhe më të madhe të mos ndihen. Ndonëse vetë do kërkojnë masa të tilla, qytetarët do ankohen ditë pas dite për kushtet e vështira të jetës, pa kuptuar që është vetë mendësia e tyre që do shpie në këto kushte. Gjithnjë e më shpesh do dëgjohet togafjalëshi magjik “nuk bëhet Shqipëria me Shqiptarë”. Epo, ndofta.

Duke përfituar nga kjo mendësi, qeveritë e sotme e të nesërme do përqendrohen në një program korporatizimi të tregut dhe favori formal apo infrormal do e dorëzojë konsumatorin shqiptar në dorën e pak kompanive të përzgjedhura, pjesëmarrja në të cilat as do të mundësohetbursë.

Në këto kushte, presioni për rritjen e stokut të kapitalit për frymë do kanalizohet në uljen e popullsisë, jo në rritjen e stokut kapital. Ndonëse kushtet e sotme janë të vështira, fluksi migrator shqiptar do rinisë. Situata do përmirësohet dukshëm vetëm pas përfshirjes së vendit në Bashkimin Europian dhe largimet masive të krahut të punës që do mundësohen me këtë rast. Kështu, raporti kapital/punë do rritet në nivele më të pranueshme dhe jeta në Shqipëri do behët më e lehtë për klasën e mesme, e tillë sa ajo do mbetet.

Kështu, Shqipëria do kthehet në një version të Greqisë pas krizës, duke eksportuar rini për arsimim dhe punë e duke jetuar në kushte komode me bujqësi, turizëm e remitanca në qytete të vogla por më të jetueshme, dhe borxh të fryrë që shpërthen në kriza fiskale herë pas here. Së paku le të mbahet në kontroll të rreptë imigracioni ekstra-komunitar, për të shmangur kthimin e qendrave të qyteteve në geto të pajtueshme apo të transportit publik në kurthe të papërdorshme (mendoni se tek ne do kërkojnë të vijnë më të mirët?). Por edhe në këtë pikë kam dyshimet e mia.

Të jetë vallë ky Vizioni Ideal për të cilin çirren majtistët? Le ta gjykojnë vetë ata që do na e sjellin këtë vizion. Unë, ashtu si Pilati, i lava duart.

Tashmë mbeten vetëm të sqarohen disa çështje disi më të detajuara, të tilla si…

3_Politika Monetare

Kemi diskutuar shpesh në këtë blog problemet monetare që i paraqiten shqiptarëve në Republikë dhe, disi më pak, Dardani. Kemi parë rëndësinë e jashtëzakonshme të sistemit të shëndoshë monetar për mundësimin e llogaritës racionale në treg, dhe kemi propozuar me forcë marrjen e masave që do rikthenin një masë të gjerë konkurrence monetare. Më tej, kemi propozuar një plan të parë reforme monetare të bazuar mbi rikthimin e Standardit të Arit (ndonëse ky plan duket fare jo-praktik në kushtet e sotme politike kur synohet me të drejtë integrimi në BE dhe, si pasojë, Eurozonë). Së fundmi, kemi propozuar ndryshimin e mbarë mekanizmit të transmetimit monetar bazuar mbi normat e interesit, duke këshilluar adoptimin e mekanizmit më të thjeshtë, drejtë, neutral dhe transparent të luhatjes së kursit zyrtar me Euron.

Mbetet të cekim shkurtimisht vetëm targetin optimal që duhet të synojë Banka e Shqipërisë kur ndryshon kursin e Euros. Fatkeqësisht do na duhet të shmangim shtjellimin e teorisë mbështetëse (Monetarizmi i Tregut) e do hyjmë drejt e në temë, duke renditur në shkallë rritëse të dëshirueshmërisë targetet monetarë, nga më jo-optimali tek më optimali:

  1. Ruajtja e kursit fiks me Euron, tani e përgjithmonë (më saktë, deri në çastin e hyrjes në Eurozonë): target shumë i thjeshtë, me historik të mirë suksesi, veçanërisht në kushtet e aderimit eventual në Eurozonë, por megjithatë më pak racionali në kushtet e sotme, pasi sërish do i linte Shqiptarët të vuanin urinë për kërkesë agregate të shkaktuar nga Banka Qëndrore Europiane, ndonëse një farë përmirësimi do vinte nëse vlera fillestare e kursit fiks caktohet dukshëm mbi shifrat e sotme.
  2. Status Quo-ja, targeti i sotëm, ruajtja e normës vjetore të inflacionit në kufijtë 2-4%: target disi më i ndërlikuar por më fort i lidhur me shëndetin makroekonomik. Shumë e vështirë të shmangen luhatjet periodike dhe afat-shkurtra të cilat në afat të gjatë megjithatë shkaktojnë devijime të mëdha.
  3. Përmirësimi i targetit të sotëm: targetohet jo norma e rritjes së indeksit të çmimeve të konsumit (pra, inflacioni), por vetë niveli i çmimeve të konsumit (p.sh., “në Gusht 2018 Indeksi të jetë 200”). Përmirësim i dukshëm i gjendjes së sotme për shkak se inflacioni mbi ose nën target i një periudhe kompensohet në periudhën tjetër dhe dalja nga “shinat” bëhet shumë e vështirë.
  4. Si më sipër, por targetohet indeksi i çmimeve të prodhimit, jo ato të konsumit. Kështu shmanget ndikimi i politikës monetare nga faktorë realë/të ofertës agregate (importi) duke lënë vetëm faktorët nominalë/të kërkesës agregate (prodhimi i brendshëm).
  5. Targetohet jo thjesht indeksi i çmimeve të brendshme, por indeksi i vlerës nominale të prodhimit të brendshëm bruto (pra çmimi x sasia e prodhimit të brendshëm). Duke qenë se statistikat e Prodhimit të Brendshëm Bruto në Shqipëri mblidhen rrallë, botohen me vonesë të madhe, rishikohen shpesh dhe kanë besueshmëri të ulët, indeksi real që duhet përdorur do jetë baza nominale (pa axhustime) tatimore e TVSh-së, e cila mund të llogaritet fare lehtë në mënyrë të saktë çdo muaj: politika monetare do synonte ta mbante këtë bazë tatimore të rritje të vazhdueshme me x% në bazë vjetore. Përfitimet për lehtësinë e planifikimit buxhetor do qenë të mëdha, por mangësia do qe tek eliminimi i efekteve të Kurbës së Laferit (pra, çdo rritje e TVSh-së me x% do rrite realisht të hyrat me po x%, pas asnjë efekt negativ mbi bazën e tatueshme), së paku në terma nominalë.
  6. Së fundmi, sistemi më optimal: vendoset një kurs fiks fillestar me Euron (le të themi 150 që nesër, për ti dhënë një shtysë të domosdoshme kërkesës agregate), si dhe një llogari qëllimore pranë Bankës së Shqipërisë ku secili (ose së paku secila bankë e nivelit të dytë) mund të depozitojë Euro, e në mënyrë automatike në llogarinë vetjake i kthehet shuma e domozdoshme e lekëve pas kursit zyrtar. Kursi zyrtar rishikohet në intervale të paracaktuara (le të themi, të Mërkurat e para dhe të treta të çdo muaji) në të tillë mënyrë që vlera në Lek e kësaj depozite në Euro të rritet gjithnjë me X% në bazë vjetore. Metoda është jashtëzakonisht e thjeshtë për tu zbatuar, neutrale, transparente dhe do siguronte një menaxhim të mirë të ofertës së Lekut. Është e pamundur që, sa kohë zbatohet me përpikmëri sistemi, të kemi rënie të mëdha të kërkesës agregate të tilla si ajo që Shqiptarët pësuan në vitin 2011. Më tej, do ishte krejt e thjeshtë të konvertohej ky sistem në një kurs final fiks me Euron në çastin që kjo do bëhej e domosdoshme sipas termave të Mastrihtit. I vetmi kujdes do duhej bërë me caktimin fillestar të normës së dëshiruar të rritjes, në mënyrë që ajo të jetë e përputhshme me kriteret e Mastrihtit. Ashtu si dhe trageti i parafundit, ky sistem do i mundësonin qytetarit mesatar të kuptonte shpejtësinë e rritjes ekonomike reale përtej shifrave zyrtare: thjesht duke vëzhguar ecurinë e çmimeve në treg sipas intuitës së tij (rënie çmimesh=rritje ekonomike dhe anasjelltas). Vini re që ky është thjesht një version i përshtatur i planit tim fillestar të rikthimit të Standardit të Arit, me ndryshimet e diktuara nga realiteti gjeopolitik.

Të kombinuara me mekanizmin e transmetimit të bazuar mbi kursin e këmbimit si dhe një treg të hapur ndaj konkurrencës monetare (së paku me Euron), secili prej këtyre trageteve do siguronin që Shqiptarët do vuajnë veçse nga problemet reale të ekonomisë, e jo nga problemet madhore nominale, të cilat sot për sot janë po aq në mos edhe më të mëdha.

4_Plani Zh: Götterdämmerung

Gjasat e një rikthimi ushtarak të Serbisë në Dardani janë të pakta, por fatkeqësisht rriten dita ditës për shkak të shumë zhvillimeve ndërkombëtare që nuk mund ti analizojmë në kaq pak vend. Të gjendur mes këtyre zhvillimeve si dhe dy lëvizjeve kulturore-politike të brendshme të kundërta por njësoj dobësuese, edhe mund të ndodhë që shqiptarët të vihen sërish para skenarit apokaliptik të rinisjes së spastrimit etnik në Dardani, këtë herë pa pasur asnjë aleat real ndërkombëtar. Edhe për këtë eventualitet të skajshëm duhet të ekzistojë një plan që do siguronte që Kombit Shqiptar megjithatë ti vinte dëmi më i vogël i mundshëm.

Plani që do propozoj më postë është po aq i skajshëm dhe do mund të nxirret nga sirtarët më të thella të ministrive në Tiranë veçse në kushtet më të egra kur vihet në pikëpyetje mbijetesa e Kombit. Një plan i fundit, Plani Zh (nuk do shkruaj fare për mundësinë e një plani edhe më të skajshëm, për tu ndërmarrë kur edhe qyteti i fundit shqiptar do ndodhej nën rrethim).

3
Analogjia e duhur historike

Plani Zh: nëse Dardania bie sërish pre e spastrimit etnik Serb, dhe nëse nuk ka gjasa për një kundërveprim ndërkombëtar, vetëm një pjese të vogël të fluksit masiv të refugjatëve që do mblidheshin në kufirin verior dhe lindor të Republikë u duhet dhënë shtetësia Shqiptare, sa kohë që pjesa tjetër do kish ndonjë mundësi për tu vendosur tjetërkund.

Ideali do jetë ofrimi i shtetësisë për atë pjesë të popullsisë me aftësi konjitive verbale mbi 105 pikë (sërish, nuk kemi hapësirë të shtjellojmë përsenë), si dhe familjareve të tyre të afërt. Duhet menduar një metodë e thjeshtë dhe efikase e matjes së këtij treguesi në kushte emergjence dhe duhet treguar pa-anësia më e madhe që mund të tregohet nga administrata e një vendi si Shqipëria në kushtet kur do duhet ndarë ky nëngurp i parë nëpër kampet e refugjatëve që do krijoheshin në kufi. Rëndësi jetike ka që ndarja e këtij grupi të parë të bëhet mbi teste të bazuar në gjuhen shqipe, duke përzgjedhur jo thjesht elitën konjitive por dhe pjesën Shqiptare mes elitës konjitive.

Edhe nga kjo pakicë e parë, duhen eliminuar sërish ata që kanë lobuar publikisht dhe vijueshëm pro idesë së një Kombi Kosovar (një “like” në mot në rrjete sociale nuk konsiderohet “lobim publik dhe i vijueshëm”). E njëjta praktikë do ndiqej me ata që kanë shfaqur publikisht ide të Islamit Politik (jo atij thjesht fetar). Sita e fundit do jetë eliminimi i kujtdo që gëzon shtetësinë e një vendi të tretë e nuk pranon të heqë dorë prej saj. Kushdo të ketë mbetur pas këtyre katër sitave e të ketë megjithatë dëshirë që vendoset në Shqipërinë e Cunguar duhet të jetë më se i mirëseardhur, e madje ti krijohen mundësitë maksimale, financiare e jo vetëm, për një integrim të shpejtë në shoqëri.

Nëse një proces i tillë do kryhej në mënyrë të drejtë, në vija të trasha, ajo pakicë që do vendosej në Republikë do kish të tillë mbizotërim konjitiv dhe lidhje kulturore brënda vetes sa në së shumti dy breza do ngrihej në pozitat e klasës sunduese, një “shpërblim” i vogël por sidoqoftë jo i pakonsiderueshëm për vuajtet e mëdha që do kishte kaluar, tash për së dyti në këtë histori alternative. Efekti pozitiv për Shqipërinë e Cunguar nga ky influks elitash në klasën e saj të vakët sunduese do ish madhor.

Pjesa madhore e popullsisë që do mbetej jashtë këtij procesi e do vendosej në vende të treta do humbiste në kohë tiparet kulturore shqiptare (po të nisemi nga kriteri i prejardhjes, mund të ketë më shumë shqiptarë në Turqinë apo Italinë e sotme se në mbarë Hapësirën Shqiptare, por këta pasardhës gjenetikë kanë humbur tiparet e tyre kulturore dhe nuk bëjnë më pjesë në Kombin Shqiptar) çka do e linte Shqipërinë e Cunguar me popullsinë e saj të rritur rishtazi si pikën e fundit të nacionalizmit të organizuar Shqiptar.

Nëse, për cilëndo arsye që sot mund të duket e pakonceptueshme, do qe Republika ajo që do pushtohej nga një fuqi e tretë e cila do i jepte shkas një fluksi të madh refugjatësh, Dardania do duhet të ndiqte saktësisht të njëjtin plan kundrejt ikanakëve që do trokisnin në portat e saj, mutatis mutandis.

Nevoja e një masë kaq të skajshme mund të argumentohet lehtë në kushtet e një apokalipsi të tillë si ai që po postuloj këtu. Nëse Republika do pranonte gjithë ata Shqiptarë të Dardanisë që do dëshironin të vendoseshin, efekti në ekonomi do qe shkatërrimtar. Pagat do binin në nivele afrikane, duke zhbërë atë pak progres që Shqiptarët kanë parë në këto 25 vjet: ardhja e ndihmës monetare nga jashtë nuk do ndikonte aspak në rritjen e pagave por veçse do zbuste vuajtjet e pak fatlumëve.

Kriza e madhe që do krijohej në këto kushte do sillte fare lehtë trazira të skajshme civile në Shqipërinë e Cunguar, e cila tashmë dhe vetë do destabilizohej e do bëhej pre e lehtë e makinacioneve të radhës të fqinjëve tanë të dashur. Më tej, bartësit e dy ideologjive që do sillnin shkatërrimin e Dardanisë thjesht do vendoseshin në Republikë, duke vijuar punën e tyre për dobësimin e Kombit Shqiptar, në kushte edhe më të favorshme të skamjes e dhunës civile. Elita konjitive do gjente shpejt mundësinë për tu larguar në emigrim, duke lënë brenda kufijve të mbetur kombëtarë 4-5 Milionë qytetarë të varfër, agresivë, klanorë dhe të gatshëm për të bashkëpunuar dhe me shejtanin kundër fqinjit. Do riniste kështu procesi i luftës kulturore që do shpinte në rënien finale të Shqipërisë.

3

Përkundër, duke bërë në pranim tejet selektiv të rezidentëve të rinj, Shqipëria e Cunguar do maksimizonte gjasat e saj si dhe ato të Kombit Shqiptar për ti mbijetuar dhe bërë ballë përpjekjeve të radhës kundër saj.

Cilat përpjekje të radhës? Ata që mendojnë që planet serbe ndalojnë në Dardani dhe i besojnë gënjeshtrave të trasha se serbët qenkan të interesuar për marrëdhënie të mira me shqiptarët e Republikës dhe e ”kanë kunjën” vetëm me Dardanët do shihnin shumë shpejt se si do ndryshonte qëndrimi i “miqve” serbë në kushtet kur fronti Dardan do kish rënë.

4
*ja edhe pak* “Po Edi, ashtu posi”

Shqiptarët janë larguar në valë të shumta spastrimesh nga territoret që historikisht i kanë zotëruar, duke u tkurrur në Trevat e sotme Shqiptare. Në secilin nga këto spastrime, hapësira e mbetur shqiptare nuk ka arritur të përfitojë elitën e ikanakëve, e cila përkundër është larguar në emigrim, duke dobësuar vijimisht pozitat tona në një proces domino që, por të mos qe për aleatët tanë ndërkombëtarë do kish çuar në gjenocidin tonë. Nëse vërtet do vijë vala e radhës, Kombi do duhet të kthejë këtë proces me forcat e tij.

5_Sistemi zgjedhor dhe e Djathta politike

Në blog jam përpjekur më së shumti të ruaj një qëndrim sa më neutral në lidhje me forcat aktuale politike në Shqipëri. Nga këndvështrimi i një programi liberal zhvillimit, të dy krahët kryesorë të politikës mund të qortohen ditë e natë pasi, nga padija apo qëllimisht, kanë manaxhuar në mënyrë krejt të pa-aftë ekonominë shqiptare duke i lënë shqiptarët edhe më të varfër nga ç’duhet të ishim në këtë pikë.

Mirëpo kjo nuk do të thotë që të dy krahët politikë janë njësoj përgjegjës për këtë gjendje apo që gjasat për tu pasuruar janë të njëjta nën qeverisjen e secilit. Në fakt, me gjithë mangësitë skandaloze, për autorin tuaj të dashur nuk ka dyshim që veçse një qeverisje e djathtë do mund ti japë Shqipërisë impulsin ekonomik për të cilin ka nevojë. Dallimi në mendësi mes dy krahëve është thjesht tepër i madh për të menduar që ndonjë qeveri e majtë do kuptojë që zhvillimi ekonomik është çelësi kryesor që rregullon cilësinë e jetës, e jo e anasjellta. Me gjithë mangësitë e saj, qeveria e shkuar së paku dukej që e kish shumë të qartë këtë dhe bënte ndonjë përpjekje kur kishte momente të lira në garën për përfitime vetjake.

Kështu, nga këndvështrimi i një simpatizanti jo thjesht i liberalizmit ekonomik, por dhe i së Djathtës politike të tillë siç e kemi në Shqipëri, nuk mund veçse të dëshpërohem nga pritshmëritë për të ardhmen. Shumica e sotme është instaluar me mjeshtëri të madhe në skenën politike, dhe shfrytëzon në maksimum mbështetjen e qartë ndërkombëtare që gëzon. Fatkeqësisht, gjasat për një qeverisje të djathtë jo vitin tjetër, jo në 2021-in por dhe gjatë mbarë viteve ’20 janë të vogla.

E tillë është mendësia e shqiptarit mesor dhe aq shumë qenka venitur kujtimi i dështimit të turpshëm të socializmit sa e Djathta politike po shkon drejt degradimin në parti-fraksione që do arrijnë veçse të marrin pjesë në qeveri herë pas here, por gjithnjë nga pozitat e partnerit të vogël.

6

Në rastin më të mirë, e Djathta do mund të rikthehet në forcë qeverisëse veçse pas një pushimi të gjatë. Edhe atëherë, këtë do mund ta bëjë vetëm duke fituar tiparet ideologjike të shumë partive të djathta që qeverisin sot në Europën Qendrore dhe Lindore, pra duke u organizuar rreth parimeve të nacionalizmit të hapur shqiptar, konservatorizmit kulturor dhe programit “të fortë” të sundimit të ligjit. Nëse do arrihet që mes një programi të tillë të ruhet edhe liberalizmi ekonomik, kjo do jetë një arritje e jashtëzakonshme politike, pasi e Djathta në Europë thuajse gjithnjë bie në kurthin e nacionalizmit ekonomik.

Kuptohet që e djathta e sotme është shumë larg ideologjikisht partive analoge në Hungari apo Poloni, dhe tranzicioni drejt këtij modeli do mund të ndodhë veçse pas humbjeve të rënda e të njëpasnjëshme politike, si dhe në një mjedis zgjedhor që nxit reformimin partiak në formën e ndarjes dhe bashkimit të lehtë mes partive si dhe të rolit më të madh të deputetëve individualë në krahasim me listat e mbyllura partiake.

Pikërisht mundësimi i një mjedisi të tillë duhet të jetë detyra kryesore e së Djathtës së sotme, e cila duhet të synojë të përdorë fuqinë e saj politike në venitje për të kërkuar reformën e sistemit zgjedhor. Në këtë betejë ajo do mund të përfitojë lehtë mbështetje përtej votuesve tradicionalë të djathtë, pasi katër tiparet që sistemi i ri duhet të ketë janë në interes të madh edhe të publikut të gjerë.

Më saktësisht, duhet lënë mënjanë “ëndrra” e pamundur e gjetjes së një sistemi që penailzon partitë e treta por jo vetë të Djathtën, pasi çdo sistem i tillë veçse do konsolidonte të Majtën nën hegjemoninë e një partie të vetme për një kohë të gjatë.

Përkundër, duhet zbatuar një sistem i cili të plotësojë katër kritere njëkohësisht: të jetë sa më përpjesëtimor, të ruajë zgjedhjen e deputetëve nga zona gjeografike të caktuara e jo nga lista mbarë-kombëtare, të mundësojë emërimin e deputetëve vetëm e vetëm në mënyrë individuale e jo nga lista të mbyllura partiake si dhe të lejojë garimin paralel të disa individëve të së njëjtës parti apo frymë pa i prishur punë njëri-tjetrit.

Sistemi zgjedhor që propozova si Planin B të Bashkimit Kombëtar plotëson tre të parët nga këto kritere, dhe një ndryshim i lehtë do lejonte dhe plotësimin e të fundit. Sisteme më pak ekzotike që megjithatë plotësojnë në masë ta madhe të katër kriteret do qenë dhe Votimi Miratues me vende plotësuese proporcionale (por me një dhe vetëm një fletë votimi) dhe Vota e Transferueshme me eliminim Borda dhe rajone zgjedhore të gjera me 7 ose 10 deputetë. Jam i bindur që ekspertët e fushës mund të gjejnë sa e sa metoda të tjera që kënaqin kriteret në masë ta mjaftueshme, pasi është e sigurt që sistemi aktual përmbush plotësisht vetëm të parin, pjesërisht të dytin dhe dështon tërësisht në dy të fundit.

Një sistem zgjedhor si ai që propozojmë këtu do nxiste në maksimum përgjegjësinë individuale të deputetëve, garën mes fraksioneve brenda partive, do lehtësonte ndarjen dhe bashkimin e tyre si dhe do mundësonte lindjen e partive që kanë vetëm një pikë të rëndësishme programore, të gjitha këto zhvillime të mirëpritura për lehtësuar dhe optimizuar periudhën e ardhme të hegjemonisë së majtë.

Nëse do arrihej të bindej klasa sunduese për të mirat e përtëritjes së pjesshme të përvitshme të Kuvendit (si dhe u diskutua në postimin e Planit B të Bashkimit Kombëtar), kjo do qe një fitore edhe më e madhe.

Iluzioni se loja politike do mund të luhet mes dy partive të mëdha që do alternohen në mënyrë ciklike në pushtet do thyhet në zgjedhjet e ardhme dhe e Djathta do kuptojë që, nëse vërtetë nuk fiton dot sot për sot, së paku i duhet mohuar hegjemonia një partie të vetme. Le të urojmë që atëherë të mos jetë tepër vonë për të kërkuar një sistem zgjedhor që përmbush këto katër kritere.

6_Anatomia e dështimit ekonomik socialist

Ishte planifikuar, në kuadër të serisë së miteve të socializmit shqiptar (1, 2, 3, 4, 5, 6) një seri shkrimesh mbi anatominë e dështimit të madh ekonomik të socializmit shqiptar. Idenë kryesore të kësaj serie do përpiqem ta jap shkurtimisht më poshtë.

Kur pranojmë dështimin e madh socialist në ekonomi, dështim që e la shqiptarin mesatar të 1991it me një standard jete të krahasueshëm (në mos më të ulët) me gjyshin e tij në 1944ën, na duhet të dallojmë me kujdes së paku tre defekte paralele e të veçanta që në parim nuk kanë domosdoshmërish lidhje me njëri tjetrin.

1
Jo ne nje, jo ne dy, por ne TRE menyra te ndryshme do e shkaterroj ekonomine!

Së pari, socializmi shqiptar gaboi në fiksimin e tij me idenë e autarkisë, pra të “mbështetjes në forcat tona”, ku tregtia e jashtme tolerohej në masë minimale e veçse nga e keqja. Ndonëse idetë e autarkisë qenë shumë në modë para Luftës Botërore, Hoxha&co që i morën ato shabllon nga “miqtë” jugosllavë ose, në rastin më të mirë, universitetet perëndimore nuk u ndalën kurrë të kuptonin që për vende të vogla si Shqipëria autarkia do përkthehej në dënim me uri, pavarësisht sistemit ekonomik. Po si mund të shmangte “mbështetjen në forcat e saj” Shqipëria duke ruajtur megjithatë sistemin ekonomik socialist që qe i panegociueshëm? Përgjigjja është korporata e famshme kapitaliste.

Nëse Shqipëria e vogël do qe organizuar si një ndërmarrje e madhe (por sërish shumë më e vogël se mijëra korporata të huaja) qëllimi kryesor i së cilës do kish qenë prodhimi për eksport në tregjet lindore e perëndimore, Shqiptarëve do u qenë kursyer vuajtje ta pamata. Vini re që organizmi në formë ndërmarrjeje nuk e thyente formën socialiste të ekonomisë së brendshme, pasi sërish do ruhej kontrolli hierarkik nën komandën e Partisë së Punës.

Orientimi i gjithë potencialit të vendit drejt maksimizimit të vlerës të eksportit do kish sjellë flukse pozitive monetare nga jashtë, çka do kish mundësuar blerjen e mallrave të konsumit po nga jashtë si dhe rinovimin e stokut kapital. Në kushtet e një vendi të vogël si Shqipëria, vështirësitë e llogaritjes ekonomike të postuluara nga Ludvig von Misesi do qenë më të përballueshme për shkak të peshës sonë të vogël në tregjet botërore, dhe organizimi në formë hierarkike “socialiste” shumë më pak i dëmshëm.

Shqipëria e Hoxhës u gjend, veçanërisht pas thyerjes me Sovjetikët, në kushtet optimale për të eksperimentuar me formën e socializmit që na bënte më pak dëm, e do na siguronte një farë rritjeje të standardit të jetës. Është e padyshimtë që vendimi për kufizimin maksimal të tregtisë së jashtme dhe orientimit të prodhimit të brendshëm për plotësim e gjithë nevojave e jo për eksport qe gabimi madhor i sistemit socialist në Shqipëri. Sapo këta zotërinj morën me përdhunë frerët e ekonomisë nga duart e një milion Shqiptarëve vijuan të bënin gabimin më të madh që mund të bënin në manaxhimin e asaj aftësie prodhuese që kish Shqipëria.

Së dyti, socialistët tanë gabuan kur penguan tërësisht lëvizjen e shqiptarëve në Perëndim, kryesisht për qëllime pune. Edhe regjimi i sotëm koreano-verior, më gjithë ashpërsinë e tij të mirënjohur, sërish e kupton rëndësinë madhore të eksportit të punës dhe dërgon jo pak punëtorë për të punuar në perëndim.

7
Shiko shiko, sa fort punojne ne Bullgarine imperialiste e sa kote qe rrine ne Atdheun tone te Lavdishem Socialist

Duke i hequr shqiptarëve këtë mundësi, Hoxha jo vetëm dënoi vendin në vuante mbipopullimin dhe skamjen përtej asaj që ishte e pashmangshme, por dhe i mohoi vetes flukse monetare që më vonë u vërtetuan të qenë jashtëzakonisht të mëdha e që mund të ishin përdorur lehtë në mënyrë të qendërzuar nga shteti shqiptar (kuptohet që Hoxha nuk do e organizonte këtë lëvizje në mënyrë të lirë, por do e kontrollonte atë në mënyrë të qendërzuar).

Vetëm së treti arrijmë në gabimin e shtetëzimit të plotë të ekonomisë, pra të ngritjes së sistemit socialist brenda vetë Shqipërisë, duke eliminuar tërësisht konkurrencën dhe sistemin racional të llogaritjes së tregut. Dëmi që kjo politikë i solli shqiptarëve që vërtetë i pamatë por megjithatë shtetëzimin total e kam vendosur si gabimin e fundit pasi, sërish, për një vend të vogël si Shqipëria më tepër dëm sollën autarkia dhe ndalimi i eksportit tonë kryesor (krahu i punës) sesa socializmi ekonomik.

Nëse në një botë paralele do të na duhej të zgjidhnim mes një Shqipërie socialiste por të hapur ndaj tregtisë së jashtme e që prodhon për eksport apo një Shqipërie autarkike por me një treg të brendshëm krejtësisht të lirë, do gabonim më pak po të zgjidhnim alternativën e parë.

Në fakt, në parim asgjë përveç paranojës së zinxhirit drejtues nuk do e kish penguar krijimin e një Shqipërie me liri të plotë emigrimi dhe imigrimi, turizmi dhe studimi, bashkimi familjar e të tjera si këto e që megjithatë ruante sistemin ekonomik socialist. Një Shqipëri e tillë vërtet do ngjante me cilëndo korporatë të madhe perëndimore (ndonëse me kushte pune, jete dhe paga shumë herë më të ulëta, kuptohet), ku askush nuk të pengon të japësh dorëheqjen apo kërkosh punë, sipas mirëkuptimit me manaxhmentin. Ç’vizion i largët e thuajse idilik në krahasim me të shkuarën faktike!

8
E shkuara faktike

Kështu, anatomia e dështimit socialist shqiptar na zbulon tre, e jo thjesht një, gabime të mëdha ekonomike. Sikur qoftë dhe njëri prej tyre të qe rregulluar në kohë, shqiptarët, ndonëse sërish të varfër në krahasim me europiano-perëndimorët, nuk do kishin hyrë në vitin 1991 sikur vinin prej mesjetës lindore por thjesht si europianë të varfër.

9
E shkuara faktike

Le ta fiksojnë sot ata që i kaplon nostalgjia për socializmin. E largët qoftë dita, zotërinj, kur Shqiptarët do bien sërish nën hyqmin tuaj, por nëse ajo ditë megjithatë vjen le të ringrihet sërish ekonomia e regjimentuar dhe qendërzuar nën kontrollin e rreptë të një komiteti qendror; le të krijohet sistemi i egër e meskin i favoreve të vegjël, korruptivë e nepotikë që do helmojë ndërgjegjen e një populli mbarë për breza me radhë; le të rinisë lufta e heshtur e klaneve të mëdha e të vogla për pushtet në aksh ndërmarrje të harruar.

Ringrijeni siç ua do zemra socializmin por kurrë më mos e mbyllni Shqipërinë ndaj botës së jashtme, por përkundër formoni një ekonomi që operon si cilado ndërmarrje unitare në botë: për qëllim fitimi. Përdorini lirisht llogaritjen ekonomike dhe parimet bashkëkohore të analizës financiare e kontabilitetit duke u bazuar mbi çmimet në tregjet botërore dhe lërini mënjanë një herë e mirë planet idiote pesëvjeçare të ngitura mbi sasi të pakuptimta prodhimi. Ndofta edhe mes listës fatkeqe e të gjatë të socialisteve Shqiptarë do na dalë ndonjë Stiv Xhobs që do e manaxhojë në mënyrë gjysmë-kompetente këtë super-ndërmarrje shqiptare.

10

7_Pëmbyllje

Me vizionin apokaliptik të një Shqipërie sërish socialiste mbyllen pikat të cilat dëshiroja të trajtoja në përfundim. Tashmë mbeten veçse falënderimet e rastit.

Falënderimet më të mëdha padyshim i takojnë Bardhylit i cili i dha zanafillë blogut, e ka mbajtur në përditësim të vijueshëm prej mbi 6 vitesh tashmë, dhe më ftoi edhe mua to kontribuoja në 2011ën “e largët”. Nuk mundem veçse ta përgëzoj si bashkëpunëtor të shkëlqyer dhe i uroj gjithë të mirat në jetën vetjake, profesionale dhe intelektuale.

Përshëndetja e radhës si dhe e fundit i takon lexuesit, qoftë ky dhe nga e ardhmja e që gabimisht zbulon blogun në kërkim të një teme të veçantë. Jemi përpjekur të japim vizionin liberal në shumë e shumë çështje të cilat mbeten të hapura për Shqiptarët, gjithnjë duke e përshtatur këtë vizion me kushtet në terren, të tilla siç i shohim ne. Së pari për të nxitur zhvillimin e ideve liberale në mesin tonë, e së dyti duke shpresuar që të kontribuojmë sado pak në përhapjen e kësaj rryme mes Shqiptarëve të cilët, sot si kurdo, kanë nevojë për idetë që ngritën Qytetërimin Perëndimor.

L07-444050