Uncategorized

Privatizimi i PTK-së: gozhda e fundit n’arkivol

Bardhyl Salihu

Mumiet majtiste të cilat e kanë fanitur debatin mbi privatizimin e Post-Telekomunikacionit të Kosovës në të kaluarën janë rikthyer edhe më zhurmshëm se më parë. Në Kuvend, ata ndodhen tek opozita e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje! e cila s’po pushon së imituari retorikën populliste të Hugo Çavezit, gjë që po i përdhos qëndrimet tjera të mira që i ka (idenë e bashkimit kombëtar si dhe militantizmin anti-qeveritar). Në rrugë, Sindikata e Pavarur e PTK-së po e vazhdon frontin me protesta që ngjasojnë me ato të dhunshme të zhvilluara në Francë kundër rritjes së moshës së pensionimit.

E vërteta është e qartë: privatizimi i PTK-së dhe shumë ndërmarrjeve tjera duhet të ndodh nëse Kosova dëshiron të ec përpara me zhvillim ekonomik. Për argumentet për privatizim kam shkruar këtu dhe këtu. Në këtë artikull do të merrem vetëm me tri argumentet kryesore që kundërshtarët e privatizimit po i valëvisin së fundi.

  1. PTK-ja i sjell para buxhetit të Kosovës

Sigurisht argumenti kryesor kundër privatizimit është sugjerimi që PTK-ja është gjenerator i të ardhurave për buxhetin e Kosovës. Herën e fundit PTK-ja i paska dhënë buxhetit të Kosovës 40 milionë euro. Nëse PTK-ja privatizohet, buxheti i Kosovës do të privohet nga të ardhura të tilla. Edhe pse ky argument duket atraktiv, pas një analize të tërthortë e shohim që shumë fshihet pas tij.

Së pari, nuk është e vërtetë që dhënia e parave (nëpërmes deklarimit të dividendëve) ka pasur rrugë njëkahëshe nga PTK-ja e në buxhetin e Kosovës. Duke qenë “pronë” publike, PTK-ja ka pasur dhe ka privilegje mbi të ardhurat buxhetore. Sa herë që PTK-ja ka pasur nevojë për para, ashtu si KEK-u që po i gllabëron 27 milionë euro të parashikuara për të në projektbuxhetin e ardhshëm, ajo i ka marrë ato në formë të subvencioneve. Pra, paratë që PTK-ja i ka dhënë buxhetit duhet të zbriten me ato që i ka marrë.

Së dyti, edhe nëse PTK-ja privatizohet, nga ajo mund të merren taksa. Ato taksa nuk do të jenë (as nuk duhet të jenë) as përafërsisht të mëdha sa dividendet mirëpo megjithatë e ofrojnë një mundësi për financim (p.sh. nëpërmes taksës së korporatave). Konsideroni që PTK-ja është monopol dhe si e tillë e pengon konkurrencën në treg. Me privatizimin e saj hapet mundësia që konkurrentë tjerë të hyjnë në fushën e telekomunikacionit, nga të cilët pastaj mund të mblidhen taksa shtesë.

Së fundi, rritja e buxhetit të Kosovës nuk është e barabartë me pasurimin e qytetarëve të Kosovës. Shumë e keqkuptojnë një gjë të tillë. Buxheti i Kosovës është rritur pothuajse çdo vit por qytetarët e Kosovës janë varfëruar. Ekziston një shpjegim ekonomik shumë i mirë për këtë: shpenzimet shtetërore, përkundër popullaritetit, janë faktikisht negative për ekonominë. Në treg të lirë kryesisht ndodhin vetëm ato shpenzime të cilat sjellin përfitim, e përfitim sjellin vetëm ato shpenzime të cilat i kënaqin kërkesat e konsumatorëve. Shpenzimet e shtetit, në anën tjetër, nuk testohen nga kërkesa e konsumatorëve dhe bëhen për interesa politike. Nëse jeni banor i Kosovës, mendoni cilat shpenzime shtetërore e kanë përmirësuar jetën tuaj. Përveç ndërtimit të rrugëve, të cilat janë mbi-paguar dhe janë ndërtuar me shumë pengesa (p.sh. vonesa të mëdha në trafik), asnjë shërbim tjetër nuk ka sjellë përmirësime për qytetarin.

Në vend se Kosova të bazohet në shpenzime publike duke i ngulfatur ato private (anglisht: crowding-out effect), ajo duhet ta zvogëloj buxhetin në mënyrë që qytetarët të cilët e mbushin arkën shtetërore nëpërmes taksave të dhunshme t’i mbajnë më shumë nga ato para dhe t’i shpenzojnë në ato shërbime të cilat i dëshirojnë.

2. Çmimi i PTK-së është i ulët

Ky është argumenti i dytë kundër privatizimit. Sa herë e dëgjoj këtë, e pyes veten: nga e dinë tërë këta njerëz çmimin e “vërtetë” të PTK-së? Si erdhën në përfundim kaq të saktë dhe pompoz? A nuk qenka tregu ai i cili përcakton çmimet?

Përderisa është e vërtetë që ka pasur tendenca të politikanëve ta zhvlerësojnë PTK-në, askush nuk mund të thotë apriori sa çmimi i PTK-së “duhet” të jetë. E nëse askush nuk mund ta dijë çmimin e saktë, atëherë askush nuk mund të arrij në përfundim që çmimi i 300 milionë eurove është i “madh” ose i “vogël”. Në vend se të bazohen në rezultatet e tregut (ofertës dhe kërkesës për PTK-në), grupet anti-privatizim janë bazuar në stimujt emocionalë, intuitiv, e komplet arbitrarë që s’kanë të bëjnë asgjë me shkencën e ekonomisë.

Por, edhe nëse na qenka PTK-ja e nënvlerësuar, kush na garanton që çmimi do të rritet? Amortizimi i aseteve të saj vetëm sa do ta zhvlerësoj më shumë kurse faktorët tjerë të cilët i kanë frikësuar investitorët do ta zvogëlojnë ofertën. Nga kjo del që jo vetëm që çmimi i “ulët” i PTK-së nuk është pengesë, ai madje bëhet argument pro privatizimit sepse, tek e fundit, “le të marrim aq sa mundemi”.

E ardhmja e Kosovës nuk është e ndritshme, kështu që gjasat që PTK-ja do të ri-vlerësohet më mirë se tani janë të pakta. Në anën tjetër, shpenzimet shtetërore për ta “modernizuar” dhe për t’ja ngritur çmimin do të ishin kundërthënëse përderisa ato shpenzime e tejkalojnë çmimin e ri minus 300 milion euro.

3. Privatizimi shkakton papunësi

Ngjashëm me çështjen e çmimit, profetët anti-privatizim të cilët pretendojnë se e dinë si do të veproj tregu dhe sipërmarrësit veç e kanë dhënë prognozën që PTK-ja do ta zvogëloj numrin e të punësuarve. Kjo d.m.th. që privatizimi shkakton papunësi.

Prapë, një gjë e tillë nuk mund të dihet apriori. Askush nuk mund ta dijë numrin e saktë të punëtorëve që firma X do t’i ketë. Duhet të presim dhe të shohim. Ka raste kur me privatizim, si rezultat i menaxhimit efikas, rriten menjëherë kapacitetet prodhuese të kompanive që më parë kanë qenë nën menaxhimin katastrofal shtetëror. Me rritjen e kapaciteteve rritet edhe punësimi.

Ka raste kur një gjë e tillë kërkon kohë. Në afat të gjatë, është sektori privat ai i cili e garanton punësimin përshkak se në të pagat paguhen nga produktiviteti (produkti margjinal i punës). Në shtet, pagat paguhen në bazë të favoreve për grupet e interesit të cilat janë të lidhura ngushtë me politikanët që e projektojnë buxhetin. Pra, pagat shtetërore s’kanë të bëjnë me “prodhimin” që punëtorët e sektorit publik i japin “shoqërisë”. Mu për ata politikanët kosovarë, të cilët në sektorin privat do të ishin mësues në katunde, kanë rroga aq marramendëse.

Shumë ndërmarrje publike, e sidomos PTK-ja, kanë nevojë për largimin e punëtorëve parazitë të cilët nuk i kanë as aftësitë më elementare për ato pozita si dhe janë punësuar në to thjesht nëpërmes nepotizmit. Largimi i këtyre parazitëve nga puna është i dhimbshëm por i nevojshëm në qoftë se dëshirojmë që ekonomia të funksionoj me efikasitet. Përndryshe, ata do të mbesin barrë e bizneseve.

Së fundi, është shteti ai i cili e ka përkeqësuar situatën ekonomike në Kosovë dhe po e pengon zhvillimin. Sa më shumë që merren masa si ajo e privatizimit të PTK-së dhe liberalizimit të tregut, aq më shumë vende të reja të punës do të krijohen ku këta parazitë më në fund do të duhet të garojnë për pagat e tyre.