ekonomi

Privatizimi i pyjeve, thikë me dy presa

Etjon Basha

Së fundmi qeveria po përpiqet ti “shesë” publikut planin e ri për manaxhimin e pyjeve dhe kullotave: gjithë pyjet dhe kullotat do kalojnë në pronësi e organeve të pushtetit vendor dhe së paku një pjesë e tyre do privatizohen. Ç’mund të thuhet mbi këtë plan?

Masakër mjedisore?

Kemi argumentuar disa herë në këtë sait mbi të mirat që privatizimi i një aseti shtetëror i sjell shoqërisë. Argumenti nuk ndryshon fare kur aseti në fjalë është një sipërfaqe pyjore. Pronari i ri privat i sipërfaqes tashmë pret të maksimizojë të ardhurat nga aseti i tij i ri. A do të thotë kjo që pronarët e rinj të pyjeve do i ‘krasisin’ ato në pak javë për të përfituar të ardhurat e shitjes së lëndës drusore, një skenar që shumëkujt i vjen ndër mend kur dëgjon Kryeministrin të flasë për privatizim pyjesh? Fundja, a nuk është bërë prerja ‘pa kriter’ e pyjeve ‘tona’ problem i rëndë këto 20 vjet? Kjo masë me siguri që vetëm sa do e rëndojë situatën 10-fish!

Koncepti i vlerës kapitale

Kjo analizë nuk qëndron. Ajo që i mungon asaj është koncepti i vlerës kapitale të një aktivi. Ndonëse bëhet fjalë për një koncept teknik financiar, le të përpiqemi të kuptojmë parimin pas konceptit të vlerës së një aseti, pasi kjo analizë zbatohet në shumë raste të tjera (mbani mënd idiotësitë që fluturuan kur u vendos për privatizimin e HEC-eve?)

Pylli i privatizuar pritet të sjellë të ardhura në formën e shitjes së lëndës drusore. Kjo e ardhur nuk është fikse por e ndryshueshme, në varësi të vendimeve që merr pronari. Kështu, nëse presim vetëm një pemë në vit, do përfitojmë një vlerë shumë të vogël nga shitja e lëndës drusore, por pylli do rrojë praktikisht pafundësisht. Kështu pronari do përfitojë një vlerë të vogël çdo vit, pafundësisht.

Në ekstremin tjetër, pronari mund të presë gjithë pyllin që në fillim. Të ardhurat nga shitja do jenë maksimale, por mund të merren vetëm një herë. Vitin tjetër e në vijim nuk do ketë më para për pronarin.

Kështu shohim që shpejtësia e shfrytëzimit të pyllit sjell kombinime të ndryshme të ardhurash vjetore me zgjatjen kohore të të ardhurave: sa më shpejt të shfrytëzohet pylli, aq më shumë të ardhur vjetore do marrim, por për një kohë të shkurtër. Sa më ngadalë të presim pemët, aq më pak para do marim çdo vit, por fluksi do zgjasë më gjatë, deri dhe në pafundësi. Cili është kombinimi më i mirë?

Ekzistojnë metoda për të kthyer këto flukse monetare në kohë në një shumë të vetme që sot: pikërisht kjo shumë e vetme quhet vlera kapitale e një aktivi, dhe pikërisht këtë vlerë synon të maksimizojë pronari. Vlera kapitale përcaktohet nga preferenca kohore, nga gatishmëria për të marrë më shumë para në të ardhmen, sesa më pak para sot. Mekanizmi i tregut synon gjithnjë të sigurojë që pronar i pyllit do bëhet kushdo do ta shfrytëzojë atë në masën që diktojnë preferencat kohore të shoqërisë.

Kështu shohim që privatizimi nuk do të sjellë shpyllëzimin masiv që pritet: shpejtësia e shfrytëzimit do synojë drejt masës optimale.

Privatizimi fantazëm

Mirëpo kjo analizë mer si të mirëqenë që pronari i pyllit është vërtetë pronar, dhe nëse kemi mësuar diçka nga bëmat e shtetit në Shqipëri dhe Kosovë është që ‘privatizimi’ shpeshherë nuk do të thotë privatizim.

Shpesh ndodh që shtija e asetit të lidhet me kushte e kufizime të veçanta, që mund të jenë aq të shumta sa të zhvlerësojnë privatizimin. Koncesioni është një shembull tipik. Rast edhe më i skajshëm janë të drejtat e shfrytëzimit.

‘Privatizimi’ i burimeve natyrore shtetërore ka marrë nam shumë të keq për shkak se thuajse çdo ‘privatizim’ i tillë historikisht ka marrë formën e të drejtave të shfrytëzimit. ‘Pronarit’ të ri i jepet e drejta për të shfrytëzuar burimin për një kohë të caktuar, por pronësia mbetet e shtetit. Kështu, qeveria mund të vendosë të shesë të drejtat për shfrytëzimin e sipërfaqes pyjore për 10 vjet, por jo vetë pyllin.

Kjo do ishte politika më e keqe e mundshme! Madje në rastin e burimeve natyrore, që për nga natyra  e tyre janë ose fikse (nafta, gazi) ose ripërtërihen relativisht ngadalë (pyjet), të drejtat e shfrytëzimit janë edhe më keq se prona e plotë shtetërore (për asetet e tjera, të drejtat e shfrytëzimit janë të preferueshme ndaj pronësisë shtetërore). Nëse më jepet vetëm e drejta e shfrytëzimit, nuk mund të zgjedh më midis shfrytëzimit të ngadaltë e atij të shpejtë si më sipër. Tashmë mund të zgjedh vetëm midis një niveli shfrytëzimi që e zhduk pyllin menjëherë dhe një niveli shfrytëzimi që e zhduk pyllin në 10 vjet: kjo pasi, sidoqoftë, as 10 vitesh pylli nuk do jetë më ‘i imi’ dhe të drejtat e shfrytëzimit do skadojnë, kështu që pak rëndësi ka për mua se ç’ndodh më vonë.

Shpyllëzimi i Pyllit Amazonik në Brazil i cili kritikohet shpesh, është pikërisht një rast i tillë: qeveria Braziliane, në zgjuarsinë e saj, ka shitur të drejta shfrytëzimi të përkohshëm shoqërive private, të cilave kështu u intereson ta shpyllëzojnë sa më shpejtë sipërfaqen në kontroll para se tu skadojnë të drejtat. Nga ana tjetër, eksperimente me privatizimin real të sipërfaqeve të tëra të gjuetisë (dhe kafshëve që jetojnë aty!) në disa vende Afrikane janë dëshmuar suksese të vërteta: pronarët e rinj tashmë kanë të drejtë (dhe interes) të kufizojnë gjuetinë në tokat e tyre në nivelin optimal, duke shpëtuar disa lloje gjitarësh në këto toka nga zhdukja!

Dhe që nga ajo ditë elefanti u bë pro-kapitalist i flaktë

Aktualisht pronësia ‘publike’ mbi pyjet është praktikisht një e drejtë e dobët shfrytëzimi afat-shkurtër për çdo firmë. Pasi shteti nuk ka fuqi të ndalojë plotësisht firma të vogla të shfrytëzojnë pyjet, situata është e njëjtë sikur çdo firme ti ishte dhënë një e drejtë shfrytëzimi shumë afatshkurtër, pasi shteti në çdo rast mund të vendosë të gjobisë e ndërpresë aktivitetin e këtyre firmave. Kështu që edhe situata aktuale është e nderë dhe është bërë shkak për shpyllëzimet masive që kemi mësuar të njohim e të duam aq shumë.

Përfundime

Kështu, nëse qeveria ka ndërmend të privatizojë realisht pyjet, pra të transferojë përfundimisht dhe plotësisht pronësinë, atëherë kjo do ishte një tjetër masë për tu përshëndetur. Por nëse ka ndër mend të shesë të drejta të përkohshme shfrytëzimi, kjo realisht do shkaktonte një masakër mjedisore në përmasa të jashtëzakonshme. Në këtë rast, shumë më mirë do jetë sikur pyjet të qëndrojnë aty ku janë, në shpyllëzim të ngadaltë. Sërish shfrytëzohen ‘pa kriter’, por me çdo gjasë së paku shfrytëzohen disi më pak nga çdo ndodhte sikur ‘loja të hapej’.

Në praktikë, shenjat nuk janë premtuese. Qeveria e ka bërë të qartë që privatizimit do i bashkëngjiten një seri ‘kushtesh të forta’, që dëshmojnë që qeveria i druhet shfrytëzimit masiv që do nxitej nga ‘privatizimi’ fiktiv. Por ja që këto ‘kushte të forta’ nuk mund të kthejnë shfrytëzimin masiv në shfrytëzim efektiv: vetëm privatizimi i plotë do mundej.

Por edhe nëse qeveria ka ndërmend të privatizojë realisht pyjet, dhe këto kushte përfshihen vetëm sepse publiku nuk do toleronte asnjë privatizim pa kushte të tilla, atëherë së paku zbatimi i tyre i duhet kaluar pushtetit vendor (si pronësia e pyjeve dhe kullotave që nuk do privatizohen), i cili do nxitet nga konkurrenca me komunat e tjera për të zbatuar kushtet optimale: me gjithë gjasat zero! Madje, nëse edhe vetë vendimi për të privatizuar apo jo sipërfaqet do i kalonte pushtetit vendor, reforma do i afrohej edhe më shumë një reforme optimale.

Reforma plotësisht optimale do ishte e thjeshtë: nxjerrja në ankand e çdo metri katror sipërfaqeje publike, së paku ato jashtë qendrave urbane. Tregu i lirë do sigurojë që ajo do përdoret optimalisht për atë që kërkon shoqëria: vetëm kështu do kishim sipërfaqen optimale të pyjeve, kullotave, tokës bujqësore, etj. Mirëpo kjo reformë do supozonte që këto toka do ishin të lira dhe pa probleme pronësie, të dy supozime që nuk qëndrojnë në Shqipëri. Kështu, trajtimi i reformës optimale në kushtet e vendit tonë do duhet trajtuar tjetër herë.

Tani për tani mjafton të themi që reforma e pritshme e qeverisë mbi manaxhimin dhe privatizimin e pyjeve dhe kullotave është thikë me dy presa: nëse bëhet mirë, do i shtojë shumë vlerë aseteve tona të fjetura; nëse bëhet keq, do i shkatërrojë ato, ndofta përgjithmonë. Dhe faji, sigurisht, që do i hidhet ‘tregut të lirë’!