ekonomi

Privatizimi në shekullin e ri

Etjon Basha

1

Në postimin e fundit, Bardhyli përmbledh argumentet e shumta që kemi diskutuar në vite në këtë blog mbi teorinë dhe praktikën e privatizimit. Pa rënë në përsëritje: privatizimi i aseteve shtetërore ka rëndësi jetike për ekonomitë shqiptare por zbatim i tij në praktikë ka devijuar rëndë nga parimet e transparencës dhe efiçencës. E megjithatë, edhe me këto mangësi të pakundërshtueshme, sërish edhe ky privatizim i mangët është i parapëlqyeshëm ndaj ruajtjes së pronësisë shtetërore, e cila gjithnjë do mbetet infektive.

Por nuk kemi përse të zgjedhim mes privatizimit inefiçent dhe pronësisë shtetërore, pasi mangësitë e praktike të privatizimit nuk janë të pashmangshme por rrjedhin drejtpërdrejt nga metoda “bashkëkohore” e tenderimit të ofertave.

Shkurtimisht, kur qeverisë në Tiranë i bie ndër mend të privatizojë, le të themi, INSIG-un, shpall këtë qëllim publikisht dhe fton depozitimin e ofertave nga palët e interesuara. Secila ofertë përmban çmimin e ofruar (ose kushtet e tjera, si investimet e premtuara, etj.), depozitohet vetëm një herë dhe mbahet tërësisht e fshehë nga palët e tjera dhe publiku i gjerë. Në fund, qeveria përzgjedh ofertën fituese – në teori më të lartën, por kushtet e  tjera e ndërlikojnë këtë llogari dhe lenë shumë vend për favoritizëm – duke zbardhur gjithë ofertat.

Është pak të thuash që kjo metodë është mesjetare. Ç’qëllim mund të ketë praktika e ofertimit të vetëm dhe e ruajtjes së fshehtësisë? Çdo ekonomist gjysëm i përgatitur mund të na thotë që kjo metodë rezulton në një çmim më të ulët për shtetin: askush nuk do tenderojë një çmim më të lartë se vlera potenciale e asetit pasi kështu operacioni do rezultonte me humbje pa nisur mirë, por gjithkush do përpiqet të tenderojë nën këtë vlerë në shpresën që ofertuesit e tjerë po tenderojnë edhe më pak.

Praktika është qesharake dhe rezulton në 1) humbje të mëdha për buxhetin (po këtu nuk na prishet shumë puna), dhe 2) përfitimin e asetit jo domosdoshmërish nga pala më e interesuar dhe e aftë për ta manaxhuar. Përse të mos lejohet përditësimi i kushteve, të shpallura publikisht? Teksa ofertuesi A sheh që ofertuesi B ofron një çmim 10% më të lartë, përse të mos lejohet ofertuesi A të rrisë po ashtu çmimin e ofruar? Shkurt, përse privatizimi nuk merr trajtën e ankandit, padyshim teknika më efektive për zbulimin e çmimit real (dhe pronarit më efektiv) të tregut për çdo aset?

Por proçesi mund të përmirësohet edhe më. Përse u dashka që një ofertues i vetëm (ose një bashkëpunim paraprak i disa syresh) të fitojë 100% të asetit? Sa kohë që kemi fatin e madh të jetojmë pas 1602-it mund ti lejojmë vetes luksin e shitjes së aseteve shtetërore në pjesë, e jo në tërësi.

Përse të mos e kthejmë asetin tonë në shoqëri anonime, e të nxjerrim në ankand aksionet në vend të vetë ndërmarrjes? Kështu, pronësia nuk do përqendrohet vetëm tek një a dy firma të stërmëdha por do shpërndahet më gjerësisht.

Por ka edhe më. Përse të mos e kthejmë asetin në fjalë në shoqëri anonime me ofertë publike, pra me aksione të tregtueshme në bursë? Kjo do rriste shumë çmimin e çdo aksioni, pasi do i lejonte blerësit të parë ta shiste atë në një treg likuid në çdo çast.

Madje, përse të mos përfitojmë nga rasti për të rivitalizuar bursën e Tiranës? Përse të mos e regjistrojmë sh.a.-në tonë paraprakisht për tregtim në BT? Madje, përse të mos e kryejmë edhe shitjen fillestare të aksioneve në këtë Bursë? Sigurisht që, në këto kushte ky institucion jetik më së fundmi do niste aktivitetin e tij.  Çdo shqiptar me një farë kapitali do i lejonte vetes të investonte diçka në asetin në fjalë.

Ajo që kemi bërë është që kemi rishpikur teknikën e IPO-së (Initial Public Offering) e cila është teknika me anë të së cilës “privatizimet” ndodhin në tregun e lirë. Nëse kësaj teknike do i bashkëngjisnim edhe shtesën e atij që njihet si ankandi holandez do a kthenim privatizimin në një proces tërësisht efiçent, fitim-maskimizues, transparent dhe të mirëpritur nga publiku i gjerë. Dhe kjo nuk nënkupton kurrfarë “rishpikeje të rrotës” nga ana e qeverive të Tiranës dhe Prishtinës, por thjesht adoptimin e standardit më të lartë të privatizimit që është zbuluar me kohë nga tregu i lirë.

Pikërisht këtë program i propozonte ekonomisti i madh Murray Rothbard vendeve ish-socialiste pas rënies së Perdes së Hekurt, me qëllimin e dyfishtë për të rivitalizuar bursat vendore dhe maksimizuar efektivitetit e gjithë procesit.

Përfytyroni për një çast sikur asetet e panumërta shtetërore që janë privatizuar ndër vite në Shqipëri (ose dhe ato që persin radhën në Kosovë) të kishin kaluar nga Bursa e Tiranës: sot ky treg do tregtonte së paku disa duzina titujsh nga çdo fushë e ekonomisë, pa përfshirë shoqëritë që do i qenë bashkuar bursës në kushtet e një funksionimi normal. Shqiptarët sot do kishin një mjet racional kursimi dhe nuk do detyroheshin ti ‘groposnin’ kursimet në investime të paluajshtshme që janë fare pak (në mos aspak) produktive dhe kanë fryrë çmimet e shtëpive (dhe portofolet e kredive bankare) nëpër Shqipëri.

Kapitali i madh vendas që është akumuluar edhe në Shqipëri do gjente një përdorim efiçent dhe do nxiste norma rritjeje që Shqiptarët i kanë njohur vetëm në pak vite mes ’94-ës dhe ’96-ës. Mendësia anti-kapitaliste do e kish pasur shumë më të vështirë përhapjen e saj në kushtet e një “kombi aksionerësh”, po të përdorim termin e Margaret Thatcher-it. Shkurt, Shqipëria sot do qe një vend tjetër.

Po të kemi parasysh këtë potencial të jashtëzakonshëm të privatizimit maksimalist, bën shumë përshtypje gjendja ku është katandisur debati mbi privatizimin në Shqipëri dhe Kosovë. Pozita shqiptare krenohet me privatizimet e shumta të këtyre viteve dhe nën zë kënaqet me favoret po aq të shumta që i ka bërë patronëve të saj politikë, ndërsa opozita kritikon procesin me të madhe por nuk sjell kurrfarë plani për optimizimin e tij dhe me çdo gjasë thjesht pret rastin të përfitojë dhe ajo nga ky privatizim “shkel e shko”. Në Kosovë debati duket se sillet mes masës së madhe të qytetarëve që e shohin privatizimin si gjëmën më të madhe që i paska rënë për pjesë Dardanëve, dhe qeverisë që e mbron atë vetëm nga halli i madh për fonde.

Por nuk ka përse të jetë kështu. Nëse e gjithë kjo energji do kanalizohej në zbulimin e metodave efiçente të privatizimit – që Hollandezët i kanë zbuluar për lehtësinë tonë katër shekuj më parë –  një goditje e madhe do i jepej mendësisë anit-kapitaliste të shqiptarëve. Megjithëse ndonjëherë ngjan sikur masa e qytetarëve është më e interesuar tek mirëqenia e drejtuesve tanë politikë se tek gjetja e zgjidhjeve reale për problemet që trumbetohen me forcë në kohë fushate.